Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Galipoli - disfata australiane dhe flijimi absurd i shqiptarëve
E hene, 10.06.2019, 07:08 PM
Nga Prishtina në Australi
Galipoli
- disfata australiane dhe flijimi absurd i shqiptarëve
Nga
Gani Mehmetaj
Australianët
kanë marr pjesë në luftërat evropiane, në luftën e Vietnamit, Afganistanit dhe në luftërat e rajonit. Ishin të pranishëm
kudo që e vlerësonin se duhej të shuanin
vatrat e krizës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore i sulmoi Japonia, por
australianët u mbrojtën mirë. Dhanë shumë ushtarë jashtë kontinentit të tyre,
sepse në Australi kurrë nuk pati luftë, kurrë nuk i pushtoi dikush, as ua dogji
shtëpitë e pronat. Megjithatë janë vrarë 100. 000 ushtarë australianë jashtë
Australisë. Kështu na tha ciceroni turistik derisa e vizitonim Memorialin
Australian të Luftës, përballë Kuvendit të Australisë me një ale kilometrike që
i lidhte këto dy objekte njërën me tjetrën dhe me projeksionin gjeometrik që të
fascinonte.
Australia
gjeografikisht është shumë larg Evropës, por asnjëherë nuk u nda nga fati e
ngatërresat evropiane. Përkujtimorja Australiane e Luftës është kushtimore që
të mrekullon me përkushtimin e nderimet që ua kanë bërë të rënëve, por edhe
historisë së shtetit e kombit përmes pamjeve nga lufta, dramave individuale,
detajeve të jetës ushtarake në llogore, entuziazmit ushtarak e heroizmit në
fushëbeteja. Derisa ciceroni, një australian shtatgjatë, biond , me flokë të
thinjura e sy të kaltër, shpjegonte për historinë e luftërave australiane, kur
u përqendrua në luftën tragjike të Galipolit se si me erdhi, shihja anash mos
me kuptonin nga vija. Beteja e Galipolit rëndonte në ndërgjegjen tonë
kombëtare. Ciceroni e përmendi Mel Gibsonin e filmin e tij të famshëm
"Galipoli". Ai fliste qetë, me një zë të njëtrajtshëm, rrëfente për
25 mijë ushtarë australianë që u vranë në një ishull të shkretë në Grykën e
Dardaneleve. Pamjet të jepnin atmosferën e kohës, vitin 1915 me ushtarë në
llogore, australianë e turq, me armë, me pamjen e fushëbetejës në një tokë të zhveshur,
gurishte, ku ranë aq shumë ushtarë. Kur e përmendi Uinston Çerçilin e tha një
batutë për mënyrën e bërjes së strategjisë që la shumë të vrarë. Në një film
artistik për kryeministrin e famshëm thuhet se ai e vuajti dështimin e
Galipolot tërë jetën, iu dha alkoolit nga mëngjesi në mbrëmje.
Në
betejën e Galipolit (Çanakale) ushtria australiane ishte në kuadër të forcave
të Mbretërisë së Bashkuar Britanike, ndërsa luftonte kundër Gjermanisë,
Austro-Hungarisë e Turqisë. Turqia një vjet më vonë u dorëzua, anglezët u futën
në Stamboll. Derisa fliste ciceroni australian, që më dukej sikur të kishte
marr pjesë në atë luftë, grupi i turistëve dëgjonte me vëmendje, mua me
mbërthente droja se ciceroni e vizitorët do të kuptonin që bashkëkombësit e mi
fatkeq kishin marr pjesë në masakrimin e ushtarëve australianë në anën e
turqve.
Ciceronit
iu prezantova qe në fillim, sepse me pyeti nga isha, për Kosovën dinte,
"kohëve të fundit nuk kam dëgjuar lajm për vendin tuaj, por edhe ky është
lajm i mirë", me tha, "dmth çdo
gjë është mirë, kur s' ka luftë". Prandaj s ‘kishte si të më ngatërronte
me shqiptarët e shkretë që morën pjesë në luftën e Galipolit, sepse
australianët konsideronin se luftuan kundër turqve, aleatë të Austro-Hungarisë
e Gjermanisë së Kajzerit.
Australianët
pas luftës ua ndërtuan përkujtimoren ushtarëve të tyre në fushëbetejë-në
Galipol. Ndërkaq, shqiptarëve nuk u ndërtoi përmendore askush, disa emërtime
qytetesh me flamur turk mbi varre, ishin fyerje, sepse shqiptarët nuk ishin në
anën e askujt, shqiptarët ishin mish për top, ushtarë të paemër, të pa komb, të
pa fe e të pa atdhe. Turqia i sakrifikoi si qengjat. Por ciceroni i
Përkujtimores Australiane nuk e lidhte
Kosovën me ushtarët turq, sepse shqiptarët e angazhuar ishin ushtarë turq
të rekrutuar me mashtrime e dhunë.
Lufta
e Galipolit paraqitej në ngjyrime të një ngjarje historike, pa emocione, pa
eufori: luftuan ushtarët australian në Galipol dhe u vranë. Një vjet më vonë
Britania e mori Stambollin, ushtarë australianë u futën nëpër rrugicat e Konstantinopojës.
Për këtë betejë i kisha shikuar dy filma “ Galipoli” me Mel Gibsonin dhe filmin
“The Water Diviner" me Rasel Kroun
( Russell Crowe).
Muzeu
në gjysmë errësirë me efekte të dritës e të hijeve shpalonte pamje të
fushëbetejave australiane në Evropë, rekuizita, armë, uniforma, efekte vizuale,
armatime të ndryshme, barka, anije të mëdha të luftës, aeroplanët e mëdhenj që
morën pjesë në betejat ajrore etj. Gjysmë errësira ta jepte një pamje të
veçantë, ndryshe sa ishe mësuar të shihje në muzetë e tjera. Ndërkaq, ndërtesa
ishte e madhe, një kushtimore me shumë kate e salla, me gjetje arkitektonike që
të mrekullonin.
Përkujtimorja
Australiane e Luftës në Kanberra është përkujtim për të gjitha luftërat, për
100.000 ushtarë australianë të vrarë, për gatishmërinë e tyre që të flijohen
për atdhe. "Deri vonë", na tha ciceroni "ushtarët australianë
janë varrosur në vendin ku ranë, por vjetëve të fundit u vendos që të vrarit të
ktheheshin në atdhe". Sa shumë histori e lavdi perandorake në një
hapësirë, sa shumë respekt për të vrarit, sa shumë përkushtim që kjo gjë t’u
paraqitet edhe vizitorëve ( parakalime ushtarake, kurora, mijëra lulëkuqe, që
pëtrihen çdo ditë, rojat e nderit,
flakadani që nuk shuhet kurrë, paradat e
duhura dhe pritja që u bëhen atyre që duan ta shohin e ta njohin historinë
australiane). Është një prezantim që të mallëngjen e të mrekullon njëkohësisht,
është histori e shtetit që u krijua 20.000
kilometra larg shtetit amë, Britanisë së Madhe, por që e krijoi
mëvetësinë e identitetin e Australisë qind për qind.
Ishte
dhe është ushtri e fuqishme ushtria australiane, por nuk ka këtu mburrje,
patetikë primitive ballkanike, ata ta rrëfejnë historinë por në një mënyrë të
veçantë, përmes pamjeve nga ajo kohë, me dramat e tragjeditë njerëzore. Sikur
të kishim gatishmëri mund të merrnim shembull nga Përkujtimorja Australiane e
Luftës, ta bënim një muze për të gjitha luftërat e flijimet nga antika deri në
ditët tona, sepse Dardania kishte historike tragjike e të lavdishme, ndërsa ne
i kemi dromcuar shenjat e përkujtimoret
në çdo lagje e katund, kemi kushtimore vetëm për luftën e fundit, sikur
historia jonë të fillonte e të mbaronte vetëm me luftën e vitit 1998-99.
Për
ironi derisa kthehesha nga Singapori ne Prishtinë, në aeroplan e pash një film
dokumentar turk për betejën e Galipolit. Autorët turq askund nuk jepnin pamje
që pos turqve kishte ushtri tjetër në barrikada kundër australianëve. Bënin
mirë që nuk e thoshin, bënin edhe më mirë që filmi ishte vetëm në gjuhën turke,
kështu që nuk do ta kuptonin të tjerët turpin e fatkeqësinë tonë që dhamë
mijëra viktima për një luftë të huaj, dolëm në mbrojtje të ushtrisë armike.
Kanberra, maj 2019