Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Mbi qiellin e Azisë e të Oqeanisë
E marte, 04.06.2019, 07:40 PM
Nga Prishtina në Australi
Mbi
qiellin e Azisë e të Oqeanisë, maj 2019
Kllapia
e përgjumjes "xhetlegu" - në kapërcimin e kontinenteve
Nga
Gani Mehmetaj
Aeroplani
fluturonte mbi kontinent a mbi det, e kisha vështirë ta shquaja në terrin e
pasmesnatës. Shumica e udhëtarëve bënin gjumë të thellë, unë përpiqesha të
rrija zgjuar. Sytë me mbylleshin, qepallat me rëndoheshin si derë burgu. Druaja
se do të me mbërthente gjumi në kapërcimin e kontinenteve. Imagjinoja
Konstantinopojen, nga u nisëm para disa orësh, me dilnin parasysh qytetet
Isfahan, Bagdat, Teheran, Kandahari, Karbala, Hajdarabad, Islamabad, Koma,
pranë të cilave fluturonim, ose tashmë i kishim kaluar. Shihja me sytë e
mendjes qytetet e renditura njëri pas tjetrit të vështirë për shqiptim, me
ngatërroheshin emrat: Destan, Turkan, Shukran, Ramadan, Nerxhivan,
Xhylistan, Elvan, Perihan, Xheladin,
Muhedin, Shemsedin, Zijadin, Nexhmedin, Fahrudin, Husamedin, Osman, Hajdar,
Miftar, Idriz, Islam, Abdullah, Sadullah, të huazuara nga këto hapësira pa e
ditur kuptimin e tyre. Me përftoi në mendje edhe poeti Rumi, emrin e të cilit
jeniçerët nuk e bartën në tokat tona, as nuk i
shijuan poezitë e tij, ashtu sikurse nuk e përfillen as Omar
Khajamin e kushtrimit: "Zbraz kupa
e puthë çupa, ka kohë të flesh në qetësi!".
Hordhi
ushtrish nga këto hapësira me britma tmerruese zbritën në tokat shqiptare dhe
bënë kërdinë, lanë prapa varre dhe emrat e tyre. Me dukej se sërish ia mësynin
Evropës, të trazuar nga luftërat, të mërzitur nga tokat djerre, të trishtuar që
hëna kurrsesi të perëndonte mbi stepat e tyre.
Po ne ç' patëm që u identifikuam me ta dhe me emrat e tyre?
Derisa
koka me shkonte para- prapa nga pagjumësia, një zë përqeshës në qetësinë e
natës me tha: ju i keni kaluar në përgjumje shekujt e ty të ka mbërthyer frika se mos të zë gjumi
në kapërcimin në Azi (u ngrysëm Evropë,
u gdhimë Azi, se ku e kisha lexuar këtë kob që i gjeti shqiptarët). Pesë shekuj
në gjumë me një çerek dite para kontinentit tënd nuk është asgjë, me bëhej se e
qetësoja vetën.
Azinë
e kishte mbuluar terri, nuk shiheshin stepat, shkretëtirat mbase ishin mbuluar
nga stuhia ranore, nuk dëgjoheshin krismat e armëve, diku poshtë nesh bëhej
luftë tash e njëmijë vjet. Me emrin e Zotit në gojë vriteshin burrat,
përdhunoheshin gratë, masakroheshin fëmijët. Në këtë rrëmujë shtetesh e vendesh
përpiqesha të gjeja Sirinë e rinisë sime, ku isha para tridhjetë e pesë
vjetësh. Damasku i dikurshëm nuk ishte më, u bë rrafsh me tokë, linjat ajrore i
shmangeshin qytetit dymijë e katërqind vjeçar si gropës së djallit. Po vajza
simpatike Samira, siriania me kryq të artë në gjoksin e gufuar, ç'bënte? Kishte
shpëtuar nga lufta? Me bëhej se çdo gjë e kishte mbuluar pluhuri i rrënojave.
Pastaj me ikte nga duart e nga kujtesa simpatia e dikurshme.
Një
zë brenda meje me pëshpëriste: - Pluhuri i shkretëtirës ra mbi tokat tuaja jo
vetëm kur rrymat e stuhisë së Saharës e pushtonin qiellin e Evropës, duke resh
shi me baltë, por pluhuri i shkretëtirës binte çdo ditë me ezanin e mëngjesit,
kur e ndillte gjumin e vdekjes. Me vinte të ngrija krye, të mos pranoja
kronistin që me pëshpëriste në vesh, por një zë tjetër me thoshte se kronisti
brenda meje kishte të drejtë, ne bëmë gjumë të thellë nga firoma e hashashit,
ndërsa të tjerët bënin vepra kolosale.
Aeroplani
shushuriste prajshëm me zë gjumëndjellës mbi qiellin e Azisë. Nuk e dija është
nata e parë a nata e dytë e fluturimit, sepse dita e nata me ngatërroheshin, më
përziheshin edhe kontinentet, nuk e dija isha mbi Azi, apo mbi nënkontinentin e
Indisë, nisi të më ngatërrohej koha. Perdet e dritareve të aeroplanit ishin të
mbyllura. Të gjithë edhe më tutje flinin, ndërsa unë përpiqesha të shquaja ku jemi
në këto qaste. Kur me kote gjumi zgjohesha trembshëm.
Atmosfera
gjumëndjellëse me mundonte, qepallat me mbylleshin, truri vdiste për gjumë,
përtacia mendore me gllabëronte dalëngadalë, në gjysmë gjumë e gjysmë zgjuar si
dikur bashkëkombësit e mi për pesë shekuj , me vinte mundim, përpiqesha të
shkëputesha nga kllapia, gjumi është kobndjellës. Të rrija zgjuar ishte e
mundimshme. Kur mu kujtua të zgjidhja rripat e sigurisë, që të dilja nga
zhgualli dyditor, për dreq stuhitë qiellore nisën ta dridhnin aeroplanin. Dhe
askush nuk trazohej nga stuhia që e shkundte fluturaken e madhe.
Isha
jashtë kohës e njëkohësisht i vonuar në kohë. Dikur mu duk se u shkëputëm nga
Azia. Australianët, ishin në gjysmë të rrugës, gati gjysmë dite para nesh,
ndërsa doja të futesha në kohën e tyre para të tjerëve. Koha australiane mu
ngulitë si pikësynim. Ndryshimi i hapësirës gjeografike me nxori nga binarët e
normalitetit, përgjumja më krijonte fiksime, largësia nga kontinenti im me
ktheu mbrapshtë, ndërsa doja të shkoja para. Me përftoi dialogu me mikun e
vjetër. Kontinenti i vjetër që e lashë prapa natën e parë të shtegtimit
planetar u priu të gjitha zbulimeve në pesëqind vjeteshin e fundit, zbuloi toka
të reja, populloi Amerikë e Australi, i ra trup e terthore Oqeanisë, ndërsa
zvarriteshim nëpër tokat shterpe të Anadollit, të dëbuar e të poshtëruar, ku
edhe hëna të digjte, shkonim këmbadoras nëpër dunat e Saharës me varganin e
ushtarëve pushtues otoman mu si ushtarët e Aleksandrit dymijë vjet më parë. Por
ushtarët e Lekës së Madh ishin zot të vetës, ne ishim ushtarë të huaj.
Zbardhja
e horizontit me zgjoi nga kllapia. Vrushkulli i dritës nga një hapësirë e
dritares së aeroplanit me vuri në binare të orëve të mira, isha i dërmuar por i
kënaqur që nuk do të mendoja për gjërat që s'mund të riktheheshin, as s'mund të
përmirësoheshin. Donte edhe pak kohë të dukej toka e Australisë.
-
Australi më prit! Vetëm sa s' klitha i gëzuar që shpëtova nga makthi. Australia u bë shpëtim i
shumë burrave. Australia po me shpëtonte edhe mua me mendje të trazuar, me
sëmundjen e fluturimeve të gjata-"xhetlegun".
"Toka
në horizont", më bëhej se dëgjoja marinarët e Kukut shumë shekuj më parë
kur e zbuluan këtë kontinent. Athua
çfarë do të zbuloja unë në tokën tashmë të zbuluar? Do ta kërkoja vetën,
identitetin e luhatur të kombit tim, qetësinë e bjerrë e gëzimin e perënduar të
bashkëkombësve, lumturinë time që se gjeja askund në planet, ndërsa i bija trup
e terthore botës.
-Po
i afrohemi aeroportit, ju lutëm lidhini rripat e sigurisë, - na udhëzonte zëri
i stjuadeses, që lajmëronte se do të ateronim në aeroportin e Sidneyt, qytetit
emblematik të Australisë. Njerëzit zgjoheshin nga gjumi, unë fërkoja sytë për
të hequr edhe grimcat e fundit të gjumit e të makthit që me mundoi dy ditë e dy
net në aeroplanin ndërkontinentalë.