Kulturë
Prend Buzhala: Nje përmendore e përjetshme për shenjtëreshën
E merkure, 29.05.2019, 10:00 PM
NËNA TEREZE NË SHTATË SHPALIME –
NJË PËRMENDORE E PËRJETSHME PËR SHENJTËRESHËN
(Anton Nikë Berisha: Nëna Tereze në shtatë shpalime, në shatë vëllime, botoi “Faik Konica” Prishtinë dhe Kuvendi Françeskan, Gjakovë, 2019)
Nga Prend
BUZHALA
“Në rrjedhën e historisë
janë të pakta rastet që të jenë shkruar kaq shumë libra për një krijesë
njerëzore, siç ka ndodhur me Gonxhe Bojaxhiun, motrën Maria Tereza, që më vonë
u bë e njohur me emrin Nëna Tereze”[1],
thotë studiuesi i mirëfilltë i kësaj figure, Anton Nikë Berisha. Është
konstatim i autorit, që, ndër shqiptarët, edhe pse bijë e gjakut dhe e gjuhës
sonë, ne bëmë pak për të: “Ndoshta ky veprim e përligj atë thënien në Bibël se profetët vetëm në vendin e vet
nuk çmohet dhe nuk pranohet!”[2]
Dhe, gjithnjë në këtë vazhdë
të përdegëzimeve shpirtërore, ja edhe një projekt tjetër monumental i këtij
studiuesi që vjen para nesh: është projekti studimor mbi veprën e Nënës Tereze.
Kësaj radhe, autori i sistemoi brenda një kompleti veprash shtatë vëllime e që
i përkufizon me titullin e përbashkët “Nëna Tereze në shtatë shpalime. Ndërkaq,
të shtatë vëllimet e Anton N. Berishës vijnë si një tërësi shpalimesh
monumentale, ku ecin dorë për dore Fjala Imagjinative dhe Fjala Diskursive,
letërsia dhe studimi, poezia dhe trajtesa, romani dhe eseistikja. Nëse letërsisë
sonë deri më tash i kanë munguar sintezat shkencore e diturore kushtuar kësaj
figure, këtë boshllëk e përplotëson me
përkushtim të madh ky studiues.
Kësisoj, brenda kësaj
tërësie monumentale, ka strukturuar vepra të dy fushave të shkrimit: të
krijimtarisë imagjinative apo fiksionale, sikundër janë romanet “Nëna e Dritës”[3]
dhe “Ëndrra e erës” (titull i ri i romanit “Dritë në shtjellën e gërbulës-
rrëfim i Nënës Tereze”, roman, botoi “Fjala Hyjnore”, Prishtinë – Shkodër 2012),
kurse te vëllimi i tretë përfshin poemat “Ujëvarë drite në zemër” dhe “Sytë e
heshtjes”.
Krahun tjetër, prej
katër vëllimesh e përbëjnë veprat e letërsisë diskurseve, studimet, monografitë,
trajtesat si “I desha njerëzit me dashurinë e hyjit” (doracak për Nënën Tereze,
vëllimi i katërt), “Shën Pali dhe Nëna Tereze” (vëllimi i pestë), “Shën Maria
dhe Nëna Tereze” (vëllimi i gjashtë), kurse vëllimi i shtatë përbëhet nga tri
studime: “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të
Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, “Testamenti shpirtëror” dhe “Nëna Tereze në
poezinë bashkëkohore shqipe”.
”. Deri më tash, nga
autorë shqiptarë, jemi mësuar të lexojmë libra të tërë poetikë që i kushtohen
kësaj shenjtëreshe, apo ndonjë roman si ai i Ibrahim Kadriut (që vjen me tre
tituj në tri botime: “Nëna”[4], “Qerrja
e dritës”[5]
dhe “Shqiptarja e gjithë botës”[6],
të cilin autori edhe e ka dramatizuar),
apo drama si ajo e Abdullah Zenelit “Nëna lutet për ne”, një dramë e
Bashkim Kozelit (Shkodër), luajtur nga Tetari “Migjeni më 2016[7]; apo
dhe libra të shumtë të rrafshit dokumentar, publicistik apo teologjik të disa
autorëve të tjerë. Kurse repetimin letrar, përkatësisht trajtimin e figurës së
Nënës Tereze në poezinë tonë, na e vë në tryezën e leximit vetë autori, me
punimin dhe “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”.
Të mos harrojmë: Anton
Nikë Berisha, më intensivisht me këtë figurë, preokupohet qe dy dekada rresht.
Përpara këtij kompleti, që të gjitha këto vëllime qenë botuar më aprë, herë si
vëllime më vete, herë me tituj tjerë, si: “Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve
të Nënës Tereze”[8],
“Nëna Tereze: jeta është vetë jeta e Zotit në ne”[9],
“Testamenti shpirtëror i Nënës Tereze”[10],
“Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit
dhe e hyjnimit të saj”[11],
“Shën Pali dhe Nëna Tereze”[12], “Ujëvarë
drite në zemër”[13],
“Lutja është zëri i Zotit në thellësinë zemrës”[14],
“Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”[15],
“Nëna Tereze në tri shpalime”[16], “Shën
Maria dhe Nëna Tereze”[17]
dhe “Doracak për Nënën Tereze”[18].
Disa nga këto vepra janë përkthyer edhe italisht. Është i pasur e me vlerë edhe
vlerësimi e receptimi letrar e studimor nga autorë italianë e arbëreshë i
veprës së Anton N. Berishës në italisht.
1. Modelet e jetës: struktura e shpalimeve në
letërsi dhe studime
Si do të gjendet
shkrimtari dhe studiuesi para një figure të tillë markante në të shtatë
shpalimet e tij?
Shpalimeve iu prin romani
“Nëna e Dritës”[19], i cili e realizon denjësisht e
artistikisht shëmbëlltyrën e Nënës Tereze. Është një portret shumëzërësh që
shtrihet në hartën e leximit botëror, me frymën e thelbit shqiptar.
Anton N. Berisha
dëshiron që në portretizimin letrar, studimor e jetësor të personalitetit të
kësaj nëne, lexuesin ta njohë jo vetëm me Nënën Tereze, po edhe me strukturën e
brendshme të shkrimit, në të cilën dalin në pah elementet e krijimtarisë së tij,
nga njëra anë, dhe vlerat e shumta përmasore të studimeve, nga ana tjetër.
Me aq e aq thjeshtësi,
po edhe me aq përkushtim, me anë të bioligjërimit, Berisha na e jep atë sprovën
e rëndë të Nënës Tereze, të provuar në rrugë të vështira e të mundimshme, për
t'u pranuar si personalitet botëror; ashtu sikundër këtë thjeshtësi shpirti e
jete ajo e bartte kudo. Autori arrin ta shqiptojë këtë shtegtim botëror e
personal të Nënës Tereze, e cila e shpie botën shqiptare e atdheun shqiptar në
përmasa botërore krejt natyrshëm, në mënyrën e saj; e shpie shqipen e saj në
gjuhë të panumërta të botës, duke kërkuar përgjigje e duke dhënë përgjigje në
të gjitha gjuhët: dashuria ndaj njeriut është vlerë universale. “Veprat e
dashurisë nuk janë tjetër veçse vepra paqeje” shprehet diku kjo Nënë
shenjtëreshë. Rruga jetësore e kësaj Nëne të Dritës arrin afirmimin botëror,
kur Thesari i saj përkushtues bëhet thesar universal, gjithëbotëror. Ajo
ligjëron, mediton, kujton, lutet dhe përshpirtet gjithnjë për Atdheun e saj,
Shqipërinë, dhe për Vendlindjen e saj, për Jakovën, Shkupin, Perzerendin, e
vendbanimet tjera që janë stacione të jetës së saj. Mirëpo, ky Atdhe tingëllon
krejtësisht ndryshe në fjalën e në përshpirtjet e saj: është i ngritur në
shkallën e Universalitetit; ky Atdhe jeton në memorien përshpirtërore të kësaj
Nëne universale; me traditat popullore e fetare, me mënyrën e jetesës së
dikurshme shqiptare. Atdheu i saj nuk përkufizohet vetëm me gjuhën e me
historinë; as me kufij shtetesh a kufij politikë. Jo. Atdheu i saj është i
bartur në thellësitë e shpirtit, nga do që të endet; ai jeton te një lutje a te
një kujtim, te një emër a te një takim.
Pena e Berishës në të
shtatë shpalimet e zë shëmbëlltyrën e Nënës Tereze në përligjjen e pasurisë së
saj shpirtërore, guximit, përshpirtërisë dhe sakrificës së saj për njeriun e
këtij planeti, nga njëra anë; ashtu sikundër e shquan këtë përligjje artistike
e studimore tek kodi i thellësisë së saj shpirtërore, tek veprimi konkret i
dashurisë apo të “dashurisë në vepër”, si pohonte ajo; dhe, më në fund, tek
përligjja e përmasës hyjnore. Këto shtatë shpalime për Nënën Tereze, janë një përmendore
e përjetshme për shenjtëreshën.
Përmasat e portretizimit
të saj gërmohen thellësisht edhe në ato të fjalës së saj urtake, të njohjes së
kulturave, religjioneve, shteteve, shtresave shoqërore. Nëse janë dy figura
madhore të krishterimit e të civilizimit europerëndimor, si Shën Pali që
përhapi krishterimin dhe Shën Maria, nëna e Jezusit; atëherë ai, te studimet
monografike “Shën Pali dhe Nëna Tereze” e “Shën Maria dhe Nëna Tereze”, e vë në
këtë rrafsh përqasjesh edhe Nënën Tereze, e cila vetë deklaronte se i ka modele
të jetës së saj.
Romani “Nëna e dritës” vë
në plan të parë idetë e mëdha që ndërthuren me personalitetin e kësaj nëne të
botës.
Duket sikur romani “Nëna
e dritës” është vetëm prelud për veprat që do të pasojnë. Nga romani te një poemë,
e së andejmi te studimet monografike e punimet tjera të analizës e të shqyrtimit,
kemi një shtegtim të koncepteve, si: lutja, drita, dashuria në vepër,
përkushtimi ndaj Hyjit, apo përbërës metaforikë biblikë e që marrin konotacione
të tjera, si: kam etje, nusja shpirtërore, grishja hyjnore, hyjnorja, heshtja e
shenjtë, e shumë të tjera.
2. Përmasat e të përshpirtshmes dhe socialiteti i të varfërve
Përbërësi më i
rëndësishëm i këtyre shtatë shpalimeve, është ai i të përshpirtmes, ku shquhen
shpirti dhe koncepti i kësaj Nëne mbi përshpirtërinë dhe për botën. Pos
personazheve të rrethit familjar, të rrethit të vendlindjes e të botës
shqiptare, tek të dy romanet defilojnë popuj, shtete, qytete, personalitete
botërore, personazhe të vuajtjes e të përshpirtërisë; defilojnë ngjarje të
rëndësishme të historisë shqiptare e botërore; kurse në fonin narrativ të
romanit jehojnë, të sintetizuar e të asimiluar artistikisht, edhe zëra nga
librat letrarë e të literaturës së gjerë botërore për shenjtorë, për
përshpirtërinë a për religjionin, për botën shqiptare etj; shqiptohen me
devocion arti, lutjet e uratat e Nënës Tereze. Kudo nëpër vepra jepen zëra nga lutjet,
poezitë, letrat e nga ditari i saj, nga intervistat e nga shtegtimet e saj
jetësore. Ato procedohen si ndërshtresa artistike e studimore, tek e krijojnë
frymën e përbashkët të veprave.
Socialiteti i të varfërve
në Shkup a në viset tjera shqiptare, i cili kërkon dorën e përkujdesjes, është
i njëjti edhe në Indi, në Kalkutë apo në Dajeerling, në Khaligat apo në
Himalaje, a në viset tjera ku ajo u end dhe e shtriu dashurinë e saj.
Njerëz që janë të
vetëdijshëm për vlerat e vendimeve që marrin: për t'iu përmbajtur këtyre
parimeve dhe për t'i zbatuar ato vendimmarrje, ata, posi Nëna Tereze, iu
nënshtrohen sprovave të rënda, ndërsa iu duhet të vetësakrifikojnë shumëçka nga
vetvetja, sikundër janë gëzimet jetësore, spektaklet e jashtme... ashtu
sikundër iu duhet për t'i parë gabimet a mëkatet a dobësitë e veta drejt në sy,
për t'i pranuar para vetvetes, sepse ashtu pranohen para Hyjit.
Sfilitjet e brendshme
psikologjike vijnë pas kërkesës së Hyjit për flijime mu në vatrat tronditëse të
llahtarisë e të lemerisë sociale. Dhe, qenie njerëzore jemi, flijimi dosido nuk
e përmbush kërkesën, sikundër na thotë vëllimi i shtatë, aty ku personaliteti i
Nënës Tereze, nuk do t’ishte i plotë as i ndërliqshëm, pa këtë përmasë sfilitjesh
e mundimesh të rënda shpirtërore.
Jeta e saj lëviz midis
këtyre kategorive të skajshme të ekzistencës dhe gjallimit, si ndërveprim
estetik e filozofik: midis kontemplacionit
dhe aksionit, midis dyshimit dhe
besimit e hirit të Hyjit, sikundër na e japin edhe dy romanet, edhe studimet. Përpos
në romane e poema, më gjerësisht këto aspekte trajtohen te punimet e vëllimit
të shtatë: “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit
të Hyjit dhe e hyjnimit të saj” dhe “Testamenti shpirtëror”.
3. Vetëdija moderne për lutjen
Përpos kundrimit të
kësaj figure në rrafshin artistik nëpërmes romaneve e poemave, janë veprat
studimore ato që zbulojnë një tjetër hapësirë mundësish të pakufishme për
trajtime kulturologjike, filozofike e teologjike, për kundrime eseistike e
etike, për përsiatje të përshpirtshme, për interpretime letrare dhe për
zbërthime meditative. Ky është një atdhe tjetër i kërkimeve autoriale; nuk
ekziston vetëm atdheu i hapësirave etnike, me sheshe e tregje, me qytete e
parqe, me pyje e lumenj, me tinguj e amësime. Është edhe një hapësirë tjetër
etnike pa caqe gurësh e pa kufij kohorë: hapësira shpirtërore. Dhe këtë atdhe
të dytë do t’ia mësyjnë ta sulmojnë, ta përvetësojnë, ta lëndojnë, madje edhe
ta zhdukin. Të duket sikur nëpër histori kjo hapësirë e ekzistimit tonë shpirtëror është ngushtuar
tmerrshëm. Polemi ynë, krahas mbijetesës fizike, ka dashur, mbi të gjitha, ta
ruajë mbijetesën shpirtërore. Rizgjimi ka ndodhur mu në këso ngushticash
paragjykuesve të ndryshëm të traditës evropiane, kastriotiane apo tereziane e
të botës shqiptare.
Pothuajse në të gjitha
veprat autori merret edhe me një komponentë a përbërës të rëndësishëm brenda
strukturës së tyre, siç është vetëdija moderne për lutjen që e ka Nëna Tereze,
sidomos te poema “Sytë e heshtjes” dhe tek studimet “Errësira dhe vuajtja
shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”,
“Testamenti shpirtëror”. Një hapësirë e tillë shpirtëror, ku Nëna Tereze e ka
gjetur vetveten, kanë qenë Besimi dhe Lutja. Lutjen ajo e shkruante “të
dëshmojë, edhe në këtë formë, pra në formën e shkrimit, besimin e saj të
patundshëm në Hyjin krijues dhe në dritën qiellore, si dhe për ta dëshmuar
dashurinë e saj të paskajshme ndaj Tij”.[20]
Ajo, te besimi e lutja e saj,
udhërrëfyes e kishte Krishtin. Këto dy përmasa të kësaj figure, Besimin dhe
Lutjen, kundruall botës së krizave morale, sociale, ekonomike a politike,
kundruall botës së urrejtjes e të mospërfilljes, autori ka arritur t’i ndriçojë
këtë fenomen sfidues të personalitetit të Nënës Tereze. E, thelb mbi të gjitha
thelbet e këtij fenomeni, janë dashuria ndaj Hyjit dhe dashuria ndaj njeriut,
për të cilin ajo flijohej për çdo ditë. Berisha nxjerr edhe postulate të tjera
biblike, të cilat kanë qenë bazë e veprimit të Nënës Tereze: punën që e bënte,
e vlerësonte si vullnesë të Zotit; flijimin jetësor e bën bazë të parimit
ungjillor; dritën dhe dashurinë e Krishtit e shihte tek të braktisurit e tek të
varfrit ndër më të varfrit; kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i
sprasmi, shërbëtor i të gjithëve; dashuria hyjnore është pjesë e jetës, është
shndërrim i jetës në dashuri; jeta është jetë, mbroje. Duke qenë “një laps në
dorën e Hyjit”, ajo sikur i dërgon Hyjit raporte shpirtërore nga bota e të
gjallëve. Lutjen për të hapur udhë shpirtërore, për të krijuar ndjesi
shpirtërore, për t’i manifestuar dhuntitë e shërbimit e të paqes:
Fryt i
heshtjes është lutja,
fryt i
lutjes është besimi,
fryt i
besimit është dashuri,
fryt i
dashurisë është shërbimi,
fryt i
shërbimit është paqja.
Në disa tituj veprash qëndron
fjala dritë (te botimet e para të dy romaneve tël tij, si dhe te poema “Ujëvarë
drite në zemër, e cila po ashtu është edhe e dramatizuar me titullin “Dritë në
zemër”.[21]
Drita, në këtë planet,
identifikohet me Diellin. Nëse sfida më e madhe e ekzistencës së vuajtjeve
përbën sfidën më të madhe të besimit (të krishterë), atëherë kësaj sfide Anton
N. Berisha i përgjigjet me romanin e tij "Dritë në kështjellën e gërbulës
- rrëfim i Nënës Tereze". Dhe, përnjëmend, sa herë përmendim Nënën Tereze,
jashtë konfigurimeve zbukuruese, politike a fushash të tjera, atëherë nuk ka se
si të mos na shkojë mendja tek betejat e saj me varfërinë e më të varfërve e me
punën e saj me të sëmurët e goditur ekstremisht nga gërbula, ku do të
përfytyrosh trupa njerëzish të shpërfytyruar nga sëmundjet, fëmijë lakuriq me
brinjët jashtë, jetë nëpër trotuare e skaje plot pluhur e mbeturina, nëpër
kthina të paimagjinueshme për të jetuar. Vepra e Anton N. Berishës, e paraqitur
si rrëfim i Nënës Tereze, e ka hallkën e vet të kësaj rrjedhe narrative
pikërisht me filozofinë e vuajtjes e të sëmundjes. Nuk janë të paktë edhe
personazhe që, nga një fëmijë i braktisur në rrugë, nën kujdesin e kësaj
Nëneje, ata janë bërë njerëz vlerash. Njerëz që çajnë në jetë.
Vetë njerëzit, të
ballafaquar me realitetin e tillë, shpesh mund ta shtrojnë pyetjen skeptike:
nëse ka Perëndi, përse lejon këso pamjesh e vuajtjesh?
Të pafajshmit
viktimizohen, ateistët këlthasin se batakçinjtë, kriminelët e mashtruesit nuk i
prek drejtësia hyjnore! Këso dyshimesh shfaqen edhe kundër Nënsës Tereze nga shumë
anë. Por pikërisht është Nëna Tereze që na e thotë të kundërtën dhe na e
dëshmon të kundërtën, mu në shtjellën e dhimbjes e të gërbulës. Pikërisht, aty
ku shfaqet realiteti më i trishtë, tragjeditë e rënda e të skajshme njerëzore,
mu aty na shfaqen edhe veprimet më të lavdishme: si krijimi i Qytetit të Paqes,
dhe veprimet e ndritshme që përkufizohen metaforikisht te fjala dritë.
4. Shpalimet e
vuajtjes
Ndërkaq, duke e
zbërthyer dhe komentuar testamentin e Nënës Tereze, si dhe “errësirën dhe
vuajtjen shpirtërore” në dy librat e fundit studimorë, autori na e provon edhe
një dimension tjetër të personalitetit të kësaj Nëne; personalitetin dhe botën
e saj në dy kulme krejt të kundërta: në atë të lartësimit shpirtëror nëpërmes
dashurisë ndaj hyjit dhe ndaj njeriut dhe nëpërmes dilemës e dyshimit në
besimin e në Hyjin. Është po ajo klithmë e kryehershme e krishterë, që e
shqiptoi Jezusi në kryq: përse po e braktiste Hyji. Dhe kjo vuajtje sfilitëse e
dyshimit dhe e spastrimit, ndodh për t’u bërë një me Hyjin, për t’u njëjtësuar
me të. Në frymën e kontemplacionit të tillë e të veprimit konkret të saj, Nëna
Tereze i kundron njerëzit, jetën, botën hyjnore, ngjarjet dhe gjërat më të
nuancuara e më të imëta, sepse “Hyji gjendet në të gjitha.” Letrat e saj,
testamenti i saj shpirtëror, lutjet e saj të shkruara... shkrimi i saj,
përbëjnë shkallë të lartë meditimi dhe të meditosh në këso nivelesh, është
shenjë e pjekurisë së lartë shpirtërore.
Sa e sa shenjtër e
profetë të Biblës vuajnë, sa njerëz të drejtë i nënshtrohen padrejtësisht
vuajtjes, si Jobi i Drejtë. Dhe nuk e kemi të lehtë ta durojmë heshtjen e
Hyjit. Sa shumë na vret, kur e rrokim me mend se Hyji na ka braktisur mu në çastin
kur e kemi të domosdoshme ndihmën e tij! Vuajtja sikur na është një mister. A
mund të kuptohet vuajtja?! Pikërisht këtu është nyja që i kap këto kulme:
vuajtja ndonjëherë është arsye për të dyshuar në Hyjin, por vuajtja është edhe
shteg i sigurt ku mund ta takojmë Atë. Mu këtë dimension të misterit të
errësirës e të vuajtjes shpirtërore, arrin ta zë me sensin e tij interpretues e
zbërthyes studiuesi Anton Nikë Berisha. Ati Brian thotë: “Pa errësirën e saj të
brendshme, pa e njohur dëshirën e tillë të dashurisë dhe dhimbjen që nuk është
e dashur (nga Zoti), dhe pa identifikimin e jashtëzakonshëm me të varfrit, Nëna
Tereze nuk do ta kishte fituar besimin
dhe zemrat e tyre me atë thellësi.” Dashuria ndaj Hyjit dhe përhapja e
saj ndaj njerëzve nuk mund të kenë fund, konstaton autori. Është fundi që sjell
në fillim! Është ringjallja e njeriut në veprën e dashurisë.
5. Thesari i literaturës tereziane dhe shpalimi i
pikave kyçe përmes citimeve
Nëpër të gjitha tekstet
ka një shtrirje të gjerë të citateve e të literaturës e që bëhen për të qenë sa
më autentik, sa më burimor, sa më afër doktrinave... më gjithëpërfshirës, më
esencial. Po qe se i marrim se bashku të shtatë vëllimet, vetëm nurmi i fusnotave
e që përfaqësojnë autorë e vepra jo vetëm shqip, po edhe italisht, gjermanisht,
kroatisht e në gjuhë të tjera, e kalon
numrin njëmijë. Është dëshmi se, për ta paraqitur nga shumë anë veprën dhe
fenomenin Nëna Tereze, do njohur shumë disiplina të dijes e të literaturës, që
nga letërsia, teologjia, kulturologjia, antropologjia, politologjia; nga teoritë e tekstit e të tekstologjisë, nga ato
të teorive të ndërliqshme zhanrore etj.
Ky thesar citatesh vjen
vetëm në kuadër të tekstit e kontekstit të shpalimeve; vjen si fuqizim i
argumentit dhe shtjellimit, si pikësynim për ta paraqitur të plotë të vërtetën
dhe figurën e Nësës Tereze dhe për të hapur një shteg të ri diskutimi, përmase,
shtjellimi etj. Përfshirja e kësaj literature të tërë citimesh, përbën një punë
tejet komplekse, e ku ato përfshihen në bashkëveprim referencash e interferencash,
konotacionesh të pasura dhe shenjash ndërtekstuale. Citimet e fuqishme
nënvizojnë pikat kyçe, për të vërtetat e rëndësishme, nga ata qindra autorë të
shquar të botës e që e vlerësojnë Nënën Tereze, e drejtojnë lexuesin kah
njohuritë e reja, ende të pa eksploruara a të parrahura, por lehtësisht të
kuptueshme nga lexuesi.
Gjithsesi që lexuesi e
gjen këtë fuqi citati edhe te interesimi se kush e ka thënë atë. Është ky një
investim i madh intelektual e autorial, i bërë me përkushtim e durim proverbial. Pa analiza të thella e pa
sinteza të mëdha diturore, një komb mbetet i varfër. Nëna Tereze e meritonte
një përmendore të tillë të e përjetshme.
Dhe letrar shqipe tashmë
e kanë këtë përmendore përjetësie nga pena e Anton Nikë Berishës.
Këto shtatë shpalime
paraqesin një këso sinteze e analize, paraqesin një përmbajtje të madhe dhe një
strukturë të pasur përmbajtjesore argumentesh, reflektimesh e burimesh, një botë të pasur idesh, mesazhesh e njohjesh, ashtu sikundër
dhe të katër veprat letrare, romane e poema, paraqesin vlera kulmore artistike.
E pra, autori na e sjell
në dritë atë që për ne na duket se e dimë, e megjithatë është e fshehur. E fshehta për Nënën Tereze
dhe për fshehtësitë e botës së saj, vjen përmes kaq shumë shpalimesh. Autori na
merr përdore nëpër këto shtjellime, duke na futur në procesin e ndërliqshëm të
analizave të ideve, të mesazheve dhe të veprimtarisë së Nënës Tereze.
Kemi, pra, kaq shumë
shkrime zhanresh të ndryshme për ta zënë përmasën e thellësive dhe gjerësive të
personalitetit dhe botës së Nënës Tereze.
Kështu, kur citati
lexohet me shpjegimet e shumta burimore, lexuesi e krijon mbresën se autori nuk
ka lënë asgjë jashtë këtyre veprave pa thënë; e, megjithatë, Anton N. Berisha
sikur e përsërit shpesh thënien e Nënës Tereze, se puna e saj e përmasave botërore
është vetëm një pikë në oqean.
Kësisoj, shëmbëllyeshëm kësaj përqasjeje mendon edhe autori: se këto shpalime
janë vetëm një pikë në oqeanin e
universit terezian.
E kjo do të thotë që
vepra për Nënën Tereze nuk pushon asnjëherë së shkruari, pikërisht për faktin
që këto vepra na vijnë si mendje e hapur në çështjet që nuk janë përfundimtare,
që nuk u vihet pikë.
Një shëmbëlltyrë që
frymëzon amshueshëm.
Prill – maj 2019
[1] Anton
Nikë Berisha, ), Nëna Tereze: jeta është
vetë jeta e Zotit në ne, Sanctae
Crucis, Prishtinë 2007, f. 7.
[2] Po
aty, f. 8.
[3] Anton N. Berisha, “Nëna e Dritës”, roman, “Shpresa”, Prishtinë 2004.
[4] Ibrahim Kadriu,
“Nëna”, Rilindja, Prishtinë 1988
[5] Ibrahim Kadriu,
“Qerrja e dritës”, Zëri i rinisë,
Prishtinë 1990.
Ibrahim Kadriu,
“Qerrja e dritës & Deri në Oslo”, roman dhe dramë, botimi i Nositit,
Prishtinë 2010.
[6] Ibrahim Kadriu,
“Shqiptarja e gjithë botës”, UEGEN, Tiranë 2003
[7] Bashkim Kozeli, “Kur Nënë Tereza ishte Gonxhe…”, dramë, SHHB “Nëna Tereze” –
Zvicër, SHHB “Nëna Tereze” – Strugë, Strugë 2006.
Për vënien
në skenë, sipas:
[8] Anton
N. Berisha, “Thelbësorja e
besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze”, studim, Fjala Hyjnore, Prishtinë
2005.
[9] Anton
N. Berisha, “Nëna Tereze: jeta
është vetë jeta e Zotit në ne” (studim, tekste, Testamenti shpirtëror dhe
letra të Nënës Tereze), Botues Kuvendi i Motrave të Shën Kryqit në Prishtinë,
Prishtinë 2007
[10]“Testamenti
shpirtëror i Nënës Tereze”, shqipërimi nga italishtja dhe analiza: Anton N.
Berisha, botoi Fjala Hyjnore, Prishtinë 2008.
[11] Anton Nikë Berisha, “Errësira dhe vuajtja shpirtërore e Nënës Tereze, përligjje e hirit
të Hyjit dhe e hyjnimit të saj”, Sanctae Crucis, Prishtinë 2008.
[12] Anton Nikë Berisha, “Shën Pali dhe Nëna Tereze”, Sanctae
Crucis, Prishtinë 2009.
[13] Anton Nikë Berisha, “Ujëvarë drite në zemër”, poemë, Katërmbëdhjetë pamje të hirit
hyjnor të Agnes Gonxhe Bojaxhiut –Nënë Tereze, Argeta LMG, Tiranë 2009. Botimi
i dytë 2010, po aty.
[14] “Lutja
është zëri i Zotit në thellësinë zemrës”, zgjedhjen, shqipërimin nga
italishtja dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Sanctae Crucis, Prishtinë 2010.
[15] Anton Nikë Berisha, “Nëna Tereze në poezinë bashkëkohore shqipe”, Shtëpia Botuese Faik
Konica, Prishtinë 2010
[16] Anton Nikë Berisha, “Nëna Tereze në tri shpalime”, Shtëpia Botuese Faik Konica,
Prishtinë 2010.
[17] Anton Nikë Berisha, “Shën Maria dhe Nëna Tereze” (Fjalën paraprake: Imzot Angelo Masafra
O. F. M), botoi Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër – Pult dhe Fjala Hyjnore,
Prishtinë – Shkodër 2013.
[18] Anton Nikë Berisha, “Doracak për Nënën Tereze”, Argeta LMG, Fjala Hyjnore, Tiranë,
Prishtinë, Shkodër, 2014.
[19] Anton
N. Berisha, “Nëna e Dritës”, roman, “Shpresa”,
Prishtinë 2004.
[20] Anton Nikë Berisha, Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Tereze, studim, Fjala hyjnore, Prishtinë 2005, f. 44.
[21] Anton Nikë Berisha: “Dritë në zemër”, dramë, Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë
2015.