Kulturë
Alfred Papuçiu: Dera drejt Parajsës – Parathënie nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
E marte, 21.05.2019, 08:45 PM
Alfred Papuçiu
Dera
drejt Parajsës
(Lumturia
në malet e Zvicrës dhe shqiptarët)
Tregime, skica dhe
refleksione
La porte vers le Paradis
(Le bonheur dans les
montagnes suisses et les Albanais)
Shtëpia Botuese «Julvin»
Tiranë, 2019
Prof. Ksenofon Krisafi dhe Alfred Papuçiu
Parathënie
Nga
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Lexuesi
i këtij libri nuk duhet të mendojë dhe të presë që ta nisë leximin e lëndës së
tij, të mbrujtur sipas një mënyre klasike, me skrupulozitet skolatik të
mërzitshëm, me kthime e rikthime të shumta te fillimi, për të vënë dorë,
koregjuar, rregulluar, hequr e shtuar pjesë të caktuara, siç ndodh zakonisht
gjatë veprimtarisë së vështirë të përgatitjes së një libri. Që në faqet e para
e deri sa të mbyllë fletën e fundit ka për t’u ndjerë në një ambjent komod, të
këndshëm e të thjeshtë edhe pse plot kthina, ku secila, duke prezantuar episode
të ndryshme, shfaqet me befasitë dhe veçoritë e veta tërheqëse. Autori i tij,
Alfred Papuçiu, një penë e stërvitur në
stilin e të shkruarit, me një përvojë të gjatë dhe të pasur jetësore,
profesionale, kulturore dhe artistike, ka hedhur në faqet e këtij libri
gjithëçka të bukur e të veçantë që ka përjetuar, duke dëshiruar të bëjë pjesë
të emocioneve të tij edhe lexuesin.
Ndjesia
e parë që do të provojë cilido që do të ketë fatin ta lexojë librin e Alfred
Papuciut lidhet fuqishëm, me stilin e thjeshtë, me bukurinë e të shprehurit, me
kulturën e gjerë që transmeton, me
mendimin e thellë dhe përmbajtjen interesante. Që në faqet e para të tij
dallohet lehtë se autori shkruan me zemer dhe me sinqeritet, pa asnjë mundim,
sepse i paraqet ngjarjet dhe njerëzit siç i ndjen dhe siç i ka njohur, pa
zbukurime, pa hiperbolizime te panevojshme. Po ashtu që në fillim vihet re
respekti dhe vlerësimi i jashtëzakonshëm për shokët e miqtë si dhe për kolegët.
Kur flet e shkruan per ta ai shfaqet shumë miqësor dhe shumë i dashur.
Megjithatë, kjo nuk e çon në subjektivizëm. Ai i largohet atij me forcën e
logjikës së ftohtë, të argumentit dhe të arsyetimit të fuqishëm. “Instrumenti”
i suksesshëm i tij është e vërteta. Libri iu shtohet një numri botimesh
interesante, shumica dygjuhësh, të realizuara nga autori. Një univers
interesant ngjarjesh e personazhesh, ku "Nxënësja e etur e gjuhës
romanshë" vazhdon "Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e
Bashkuara" dhe më tej "Me
zemër të pastër", fokusohet te
"Fëmija shqiptar me sy të zinj" dhe "Përralllat e Zvicrës"
si dhe te "Karruzeli i ëndrrave" (përkthim) etj. Ato renditen si krijesat dinjitoze të autorit
të këtij libri.
Ai
ka shumë vjet që jeton dhe punon në Zvicër, i pozicionuar në angazhime të
rëndësishme, që nga përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të
Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në Gjenevë, funksionari dhe
punonjësi profesionist në disa prej agjencive të specializuara të Kombeve të
Bashkuara në Gjenevë, etj. Eshtë i lidhur me miqësi me personalitete të shumta
zvicerane dhe nga vende të tjera. Kjo i ka dhënë mundësinë që të njohë dhe të
kuptojë mjedisin dhe jetën në përgjithësi në Zvicër dhe në botë. Vepra tij
dëshmon përpjekjen për ta konvertuar dhe për ta “thënë në shqip” atë kulturë,
politikë, gjendje shoqërore, demokraci, mirësi,
solidaritet etj., që ekziston në Zvicër dhe që shfaqet natyrshëm jo
vetëm nga zviceranët, por edhe nga funksionarët ndërkombëtarë me të cilët ka
punuar. Ai iu ka treguar miqve të vet zviceranë dhe “ndërkombëtarë” se
bashkëatdhetarët e tij, shqiptarët, të cilët janë çdo çast në qendër të
vëmendjes së tij, janë qytetarë, të kultivuar, të emancipuar si gjithë të tjerët. Ai përgenjeshtron me
urtësi, por edhe me keqardhje spekulimet dhe hiperbolizimet e vërejtura në
titujt e reportazheve apo të lajmeve të gazetave dhe mjeteve të tjera të
informacionit, që hera-herës, duke u nisur nga emocione të krijuara nga ndodhi
episodike, i identifikojnë të gjithë shqiptarët si autorë vrasjesh, grabitjesh,
korrupsioni apo si trafikantë drogash e prostitutash. Ai, duke shprehur shumë
dashuri, tregon se bashkëatdhetarët e tij janë trashëgimtarë dhe bartës të një kulture dhe civilizimi të
lashtë e të shkëlqyer, punëtorë të ndershëm, të shkathët, të aftë e të papërtuar,
por edhe nobelistë dhe intelektualë të klasit të parë, artistë, sportistë dhe
talente të spikatur, që debutojnë me shumë sukses në Shqipëri dhe kudo në botë.
“Personazhet” e preferuar të kronikave të zeza, të gjuajtur dhe të prezantuar
nga keqdashës paragjykues, janë asgjë në krahasim me prodhimtarinë e shtuar të
të tjerëve në këto fusha.
I
pajisur me një kulturë solide politike, të fituar dhe konsoliduar në përvojën e
pasur gjatë veprimtarisë së tij diplomatike në OKB dhe në organizata të tjera
ndërkombëtare, si dhe i mbrujtur me ndjenja të fuqishme atdhedashurie, autori
është përpjekur të gjejë dhe të evidentojë në Europë vendin e atdheut të vet.
Jo vetëm në disa pasazhe në librin që keni në duar, por edhe në një numër të
pafundëm shkrimesh në mjaft të përditshme shqiptare dhe në gazeta prestigjioze
të huaja, ai flet me fakte bindëse për përkatësinë e Shqipërisë në Europë.
Shqiptarët janë europianë, qytetarë dinjitozë të kontinentit të vjetër, jo
sepse ka dashur apo jo politika dhe politikanët që kanë qënë në krye të tyre,
por, sepse, sikurse thotë me të drejtë autori, populli shqiptar është autokton
në këtë kontinent.
Autori
është jo vetëm një profesionist i spikatur i diplomacisë shqiptare, një
shkrimtar dhe intelektual i formuar, por edhe një humanist i shquar. Prej gati
45 vjetësh, që në rininë e hershme, ai i është përkushtuar me ngulm njohjes së
talasemisë, një problemi të madh dhe shqetësues në disa vende të botës, si dhe
në disa rajone të Shqipërisë së mesme, veçanërisht në zonën e Fierit. Ai është
përfshirë në fushatën profesionale të luftës ndaj kësaj patologjie, të
evidentuar si problem madhor edhe për mjekësinë shqiptare, duke u përpjekur për
të kontribuar për të sjellë në atdheun e vet përvojat pozitive të vendeve të
tilla si Qipro, ku po shkohet drejt zhdukjes në sajë të diagnozës prenatale.
Cilitdo
lexuesi të këtij libri do t’i dukej e pabesueshme që diplomati, shkrimtari dhe
intelektuali Alfred Papuçiu, është pjesëtar i grupeve shkencore ndërkombëtare
që merren me luftën ndaj talasemisë. Ai është në tribuna kongresesh dhe
konferencash ndërkombëtare në Qipro, Nju Jork, Dubai, Singapur, Antalia, Nju
Deli etj., përkrah profesorëve më me zë të kësaj fushe. Eshtë kjo arsyeja që
edhe në këtë libër nuk mungojnë pasazhet dhe referencat e drejtëpërdrejta ndaj
kësaj patologjie dhe sukseset e deritanishme në luftën kundër saj.
Në
faqet e librit dallon lehtë mirësinë e
jashtëzakonshme të autorit, e cila, e bashkuar me kulturën, formimin e
gjithanshëm profesional dhe talentin e bashkojnë atë me personalitete të
shquara të diplomacisë, të kulturës, të shkencës, të letërsisë, të mjekësisë në
Zvicër e jashtë saj, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të çmuar me projekte për
Shqipërinë. Për një numër syresh ai, bashkë me homazhet e merituara, na sjell
edhe detaje nga kontributet që kanë dhënë për Shqipërinë. Përmend me admirim të
veçantë prof. Jean-Philippe Assal, Prof. Kalangos, Prof. Alain Golay, Dr.
Marinette Wyss, Prof. Androulla Eleftheriou, Panos Englezos, Profesorët
Selaudin Bekteshi dhe Enis Boletini,
Dr.Afërdita Gusho, Prof. Aleko Vesho, dr. Vangjelo Grillo, Prof. Basil
Schader etj., muzikologun Marcel Cellier, Freddy Buache, Reis Malile, Sokrat
Plaka, Prof. Hamit Boriçi, shkrimtaren Marie-Luce Dayer, Bela Cohen,
profesoreshën Francine Koch , arkitektin Franco Marussich, gazetarin Pierre
Barde, shkrimtaren Liliane Perrin, piktoren Leda Albaneze etj.
Alfred
Papuçiu edhe në këtë libër e ka ndjerë si detyrim madhor moral nderimin e
përhershëm e të përjetshëm për mësuesit e tij, ndër të cilët përmend me dashuri
e veneracion të veçantë profesorët Nonda Bulka dhe Vedat Kokona. Por respekti i
veçantë dhe dashuria e pakufishme për atin e tij, Tuni Papuçiu, e shoqëron atë
në çdo hap të jetës dhe të krijimtarisë së tij. Prej tij ai ka trashëguar
cilësitë më të mira, si dhe talentin dhe përkushtimin ndaj punës, ndaj jetës
dhe ndaj njeriut.
Libri
përfaqëson një univers të tërë temash, të cilat janë trajtuar nga autori me
kompetencë profesionale, përkushtim intelektual, me shkathtësi dhe gjuhë të
pasur, të përpunuar e të zhdervjelltë.
Ai i sjell lexuesit një pjesë nga bota e madhe e Zvicrës dhe Shqipërisë, të
përjetuar dhe të vlerësuar artistikisht nga autori i tij. Në çdo pikëpamje,
libri " Lumturia në malet e Zvicrës dhe shqiptarët" përbën një
kontribut dhe një tjetër arritje të shkrimtarit Alfred Papuçiu.