E hene, 21.10.2019, 09:17 PM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: O Zot! Atheun e Gjergjit po e han dreqi!

E shtune, 18.05.2019, 09:39 AM


Nga Fritz RADOVANI:

O  ZOT !

ATDHEUN  E  GJERGJIT  PO, E  HAN  DREQI!

Gjergj KASTRIOTI – Skenderbeu, ka thanë: “Madhështia e drejtuesit të një shteti asht lumtunia e Popullit tij.” Një thanje e mbetun e shkrueme në mur po, n’ Atdheun e Tij kurr e vume n’ jetë. Prej 1913 modeli i drejtuesve të shtetit asht edhe sot Esad Pash Toptani... E, per çudi, edhe streha e “mkatnorve” mbasi mbushin xhepat me thesaret e shtetit, në Paris gjejnë “token e premtueme”, per të cilen kanë “sakrifikue” edhe rininë.., deshta me thanë pleqninë e tyne: “Anadollakët me pikpamje Europjane revolucionare”.

Kryeministri i sotem Edi Rama, besimtar i “madh” që kerkon me “rilindë” të vdekunit dhe, me ata (mbasi ti drogojnë në çadren e Lulzim Bashës), me coptue Shqipninë që i ka mbetë në dorë pa mend e pa gojë, qyshë prej “mbretnisë” Pashiqit, ose Ahmet Zogut...

Fashizmi i shkretë boll u mundue me na “shpetue” me antarsimin e Nexhmije Hoxhes në parti fashiste e gjysen e byroistave sllavo komunista.., po shyqyr edhe ai deshtoi...

Jalta na siguroi nen “ombrellon” e Titos e Stalinit, me vorrmihsin e palodhun të shtëpisë së njohun të sokakut budallenjëve të Gjinokastres, fidanin e bylykbashit.., që pat ujitë me aq dashuni Miladini i Popoviqve të “Ballkanit perëndimor” në Tiranën e Toptanëve.

Luli i vocerr i Bashejve të “bllokut të ri”, boll po ecë.., po nuk po e lanë ma ba hajer, ata i huptë fara: “Katolikët e Veriut të Shqipnisë”... E pra, boll i kemi vra e pre si berret... E një kullë nuk ka mbetë aty, e pasha një Katolik nuk asht në Kryesi të PD, e prapseprap, nuk e ulin koken... Edhe pse i pret kmesa e sllavit, tue i ra pernatë “Lahutës”...

Po, me votue per ke doni o Shqiptarë! Shikoni listen e deputetëve të 1945, e fundin e tyne mbas Shpalljes së Republikës Popullore të Jugosllavisë, të “Shqipnisë deshta me thanë”.

Ose, pyetni “Akademinë e Malit t’ Zi”, gabova.., të Tiranës Beogradit se, m’ shkoj goja...

●E, BESOJ, DO T’ JU KUJTOHET I MADHI AT FISHTA...

NJI GJAMË DISHPRIMIT

1.         Mbaroi Malcija! Lekë ma sot nuk ka;

Nuk ka ma burra, qi me drrasë t’ krahnorit

Mburojë me i ndêjë Shqypnis. Anmiku shkjá

Mbas sodit s’ ka pse dron mâ prej Malcorit:

Malcori asht thye; e, i dbuem ai me trathti,

Pa Atme sod ka mbetë, pa plang, pa shpi!

2.         N’ shpi t’ tij, po, djepat asht tu’ i lkundun shkina;

Arën e tij asht shkjau tu’ e lavrue,

E ushtari i Malit t’ Zi ‘dhè, kualt stervina

Per ata Kryqa t’ bekuem i ka pengue,

Nen t’ cillët pushojn, heu! Njata trima – rrfé

Qi bindën shekllin tue luftue p’r Atdhé.

3.          O natë e kobshme! Natë tri herë mizore,

Natë e mnershme, si nata e fundit t’ ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore,

Qi, strukë nen t’ zezen mblojë trathtare t’ territ,

Burrat e dheut do t’  xêtê n’ gjumë pështetun,

Porsi n’ strofull ulani xêhêt fjetun?!...

4.         E ju, ‘dhè hyj t’ shkelqyeshem, qi pre’ Empirit

Përmallshem tue fërfllue me dritë t’ kullueme,

Porsi sy Zotit, vreni m’ sharte t’ nirit,

Ju, edhe ketë kob e ketë dhuni t’ shemtueme

E kini pa tu’ ndodhë n’ mjedis t’ njerzimit,

E me gjith kta nuk jeni shkimë mjerimit?...

5.         Po a kjo asht e Drejta, qi n’ ketë shekull fiset

E popujt rregullon e i mban ndër caqe?

Anmikut t’ njimijë vjetve me i lshue viset

Sa herë t’ perligjuna me luftë e gjaqe...

Mallkue kjoftë hera, n’ t’ cillen shkjau pik’ s’ parit

Vuni kambën dhunuese m’ tokë t’ Shqyptarit,

6.         E mallkue kjoftë Europa! Até e vraftë Zoti,

E e shoftë me fise, popuj e qytete;

Edhè premtoftë qi, dersa t’ endet moti,

Kurr lufta mos iu daftë per tokë e dete;

Selit e saja grimë me grimë u theshin;

Me gjak t’ popujvet t’ vet sunduest iu ushqeshin.

7.         Pse krahët pa dhimbë Shqypnis kshtu me ia thye

E prej Lirijet me ia ndalun hovin?

Gopsija e kùj n’ Malci ka mujtë m’ u ushqye?

Po a Hoti e Gruda mund t’ a mbajn Moskovin?

Nuk duhet, jo, qi t’ mkambet Shqyptarija:

Qé pse po i lshohet Malit t’ Zi Malcija.

8.        O gjak i atyne burrave fatosa,

Qi per Liri t’ Malcis kullove rrkajë,

Vlo, vlo, ti sod qi maleve u erdh sosa,

E para fronit t’ Perendis me vajë

Lyp gjyq mbi do Kaina t’ kunoruem,

T’ cillët kombin t’ onë po duen me e pa t’ sharruem!

9.         Me parsme t’ona n’ ata t’ hershmet mota

Mburojë iu bam Europës, pa dijtë shk’ asht tuta,

Atëbotë, kur pallen Skanderbeg Kastriota

Siellte si rrfeja, e permbi shtroje t’ buta

U dridhte nji Sulltan, qi njaso here

Bante m’u dridhë boten mbarë prej mnere.

10.       Po, na tue dredhun si dragoj çelikun,

Shtekun me kurma Shqyptarësh ia xume

Tartarit, e pre’ Europet larg rrezikun

Per disa kohë e mbajtëm: e poshtnume

Por kurr Europa n’ ndihmë nji ushtar s’ na nisi;

Kurr punët mbas fjalvet, qi na dha, s’ ujdisi.

11.       E kur per pesqind vjet na nder veriga

Ngelem t’ robnis, nen themer t’ huej tue kja,

E ‘i mijë dhuni mbi né e ‘i mijë punë t’ liga

Na reshte anmiku, tue na nxitë pa da,

N’ harresë Europa edhe m’ atëherë na qiti

E doren kurr ajo n’ kob t’onë s’ na njiti.

12.       Por, ani, jeta pse sa u nis me u endun,

Ndera mbi shekull dhunë gjithmonë asht kthye,

E t’ miren nieri kurr s’ t’ a ka permendun,

Sa t’ keqen punë me t’ cillen t’a keshë fye;

Si edhè ma t ’shumen, miq s’ gjen nieri i shkretë,

Kur skami e kobi t’a ket mblue n’ ketë jetë.

13.       Veç sod pse Europa, sod qi asht t’ gjith uzdaja

Se Shqyptarija e Lirë del zojë n’ vetveti,

Pse sod Europa, - do Mbretni të Mdhaja –

Duen me e ngushtue kah toka edhe kah deti,

E m’ vende t’ ona duen qi shkjau të shklasë

E fisi i Shqypëtarit n’ dhé t’ humbasë?

14.       O Zot i lum, qi vetem n’ dorë Ti i kè

Shartet e popujve e mbretnive t’ tana,

E gja pa hiri kurr Ty s’ t’ ndodhë mbi dhé,

As nalt mbi qiell, ku shndrisin dielli e hana,

Deh! Ti, i Pushtetshëm heret si né e vona,

Shih e gjyko mbi gjith kto kobet t’ona.

***

Melbourne, Maji 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT