Kulturë
Albert Zholi: Kujtim Gjonaj merr titullin 'Personalitet i Shquar i Labërisë'
E enjte, 16.05.2019, 08:37 PM
Kujtim
Gjonaj merr titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”
50
vjet kinematografi, 50 vjet art
Nga
Albert Z. ZHOLI
Të
mërkurën në datën 15 maj në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, “Mjeshtri i
Madh”, Kujtim Gjonaj u nderua nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit” me titullin
e lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”. Këtë vit Gjonaj mbushi plot 50-vjet
mes artit të kinematografisë. Në këtë takim mbresëlënës ku salla ishte
tejmbushur merrnin pjesë,pjesëtarë të familjes, miq e shokë, kineastë, aktorë,
shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë, dashamirës të artit, politikanë etj. Për
veprimtarinë e tij u dha një film 20 minuta nën regjinë e kineastit Skënder
Jaçe dhe skenaristit Enver Kushi. Aktiviteti u drejtua me profesionalizëm nga e
mirënjohura Silvana Braçe. Titullin e lartë z. Kujtim ja dorëzoi Kryetari i
Shoqatës Labëria, Prof. Dr. Ago Nezha.
Mezhgorani, fshati i
lindjes
Origjina
e tij zë fill nga Tepelena, nga Mezhgorani, një vend me tradita të hershme kulturore dhe atdhetare. Në
lashtësi Tepelena bënte pjesë në trevën e Kaonisë. Duke qenë një vendbanim i
hershëm, të dhënat arkeologjike flasin se që në shekullin e katërt pas Krishtit
u ndërtua një kështjellë, mbi një pikë strategjike që vëzhgonte lehtë
kryqëzimin e rrugëve të Vjosës, grykën e Këlcyrës, luginën e Drinos dhe kodrat
e hapësirës së Mallakastrës. Rreth kështjellës u ndërtuan herë pas here
shtëpitë e para që zënë fill në shekullin e pestë e deri në shekullin e nëntë,
ku ajo përfshihet në Themën e Nikopojës e më pas në Despotatin e Epirit. Në
shekullin e 17-të, Tepelena kishte 250
shtëpi, por gjurmët e pushtuesve osmanë, si kudo në Shqipëri, dominuan për keq
edhe në Tepelenë. Në vitin 1789, qytetin e mori në zotërim Ali Pashë Tepelena
dhe që nga ky vit njohu një rigjallërim të shpejtë. Qyteti u bë rezidenca e
dytë e Pashait të Janinës. Pra Tepelena është një krahinë që shquhet për
trimëri, bujari dhe me figura të lavdishme të historisë shqiptare, ku simbol i
gjenialitetit historik të kësaj krahine është Ali Pashë Tepelena, me oborrin e
tij perandorak dhe trillet e thëna e të pathëna që rrethonte qenien e tij
gati-gati të mistershme dhe epokale në historinë e kombit shqiptar. Trima të
Ali Pashës, si Xhelil Bregu, I njohur më pas për bëmat e tij, si Çelo Picari, komandant i trupave të Pashait që mbrojtën
Tepelenën në vitin 1821. Çelo Picari mori pjesë në vitet që pasuan në
kryengritjen mbarë shqiptare të drejtuar nga ai me Tafil Buzin dhe Xelal
Gjolekën. Çelo Picari, Tafil Buzi, Tahir Abazi dhe prijës të tjerë shqiptarë
besnikë të Ali Pashait të Janinës, në mesin e shekullit 19-të, lanë gjurmë të rëndësishme jo vetëm në historinë
e krahinës së Tepelenës, por në të gjithë Shqipërinë. Dhe historira trimërore e
krahinës vijon nga brezi në brez për të renditur në piedestal heronj si Selam
Salaria apo në historinë moderne shqiptare si Mustafa Matohiti, Abaz Shehu,
Asim Zeneli, emri dhe rënia heroike e të cilit lidhet pazgjidhshmërisht me
fshatin Mezhgoran, vendlindjen e Kujtim Gjonajt. Mezhgorani ka gjurmime të
hershme që nga koha e ilirëve, edhe pse mbeten të pavërtetuara shkencërisht.
Vërtetohet ky fakt me një hamendësim të thjeshtë sepse në këtë fshat që është
ndër më piktoreskët e krahinës së Tepelenës ndjen frymën dhe erën e paganizmit.
Ka tre burime ose tre kroje nga ku njerëzit shuajnë etjen me një ujë të
kristaltë që të purifikon qenien dhe që kanë tre emra kuptimplotë. Janë emra me prejardhje
shqiptare me kuptim të madh për jetën rituale të fshatit. Ka një krua që quhet
kroi I Hënës. Hëna ka hyrë në simbolikën popullore shqiptare si simbol I
bukurisë dhe misterit. Edhe vajzën e krahasojnë shpeshherë me hënën sepse në
ditë të caktuara ajo del me forma nga më tërheqëset. Një emërtim I kësaj
natyre, I këtij fshati që drapëron mes
maleve dhe harlisjes natyrore, dhe mori
emërtim sllav në shekujt 4-5 të erës sonë,
ka një krua tjetër që quhet kroi i Diellës. Dielli simbol i
energjisë, ngrohjes, jetës,
bukurisë dhe madhështisë së ekzistencës njerëzore. Dhe një emër po aq I
hershëm, po aq pagan,dhe i vjetër sa vetë bota dhe lashtësia, është kroi i
Erës. Brez pas brezi këto kroje kanë derdhur limfën e jetës në këtë fshat.
Dita kur erdhi në jetë
Në
këtë vend me bukuri natyrore të mahnitshme, me ajrin që të mbush mushkëritë me
pastërtinë e tij, me këngën e zogjve dhe ujin që gurgullon burimeve do të vinte
në jetë në vjeshtën e vitit 1946, Kujtim Gjonaj. Ishte viti i dytë pas lufte
dhe fshati me përpjekje mbinjerëzore po mbyllte plagët. Një pjesë e madhe e
burrave të fshatit I qenë përgjigjur kërkesave të kohës për rindërtimin e
vendit. Edhe i ati, Qemali, në atë kohë ndodhej në hapjen e rrugës Kukës-
Peshkopi, ose si quhej atëherë, rruga e Rinisë, në krye të brigadës vullnetare
të Tepelenës dhe për fatin e tij të keq,
nuk ishte i pranishëm në lindjen e të birit. Nëntori kish hyrë i sertë atë vit
dhe ajo ditë e 13 nëntorit kish gdhirë me shi të rrëmbyeshëm e plot bubullima e
vetëtima. Përroi i Solokushes uturinte me tërë furinë e vet duke rrëshqitur
drejt Vjosës me tërsëllimë. Shtëpia e Gjonajve, pa djemtë në shtëpi, jo vetëm
Qemali por edhe Resuli ndodhej larg, priste me ankth, në këtë dite vjeshte të
egërsuar, ardhjen e një fëmije. -Do t’ia
vëmë emrin Kujtim, për hatër të Qemalit që nuk është i pranishëm në këtë gëzim
të madh. Gjysh Ymeri nuk tha asnjë fjalë,
vetëm miratoi me kokë.
Jeta e asaj kohe
Deri
në moshën gjashtë vjeçare familja banonte në rrugën “Fortuzi”. Një rrugë e
vjetër dhe e bukur tiranase që gjarpëronte në një hark të lehtë nga bulevardi i
Madh deri te rruga e Durrësit. Në të dy krahët e saj ngriheshin vila një dhe dy
katëshe, me oborre të rrethuar me mure tulle e porta të mëdha. Në një nga këto
shtëpi me goxha oborr banonin familja e Qemalit dhe një familje me origjinë nga
Shkodra, familja e Gjon Stakës. Me fillimin e klasës së parë familja gjeti
shtëpi në rrugën “Hoxha Tahsim” në një shtëpi njëkatëshe, në rrugicën e vogël
që të shpinte në shkollën me të njëjtin emër. Një rrugë e pashtruar, me pak
kalldrëm vende-vende që në ditë me shi mbushej me pellgje uji e me shumë llucë
që u ngjitej këpucëve. Buzë mbrëmjeve, të vegjlit e rrugicës mblidheshin në
krye të saj, pranë portës ku banonte Thanas Nano dhe ashtu këmbëzbathur, të
ulur galiç, tregonin përralla, gënjenin, tregonin barcaleta të dëgjuara nga të
rriturit. Herë herë luanin kukamfshehti apo me Ta lashë…lojë që kishte si
objekt njerëz të fesë, prift apo hoxhë dhe kush e shikonte i pari ia linte
tjetrit. I kujtohen miqtë e fëmijërisë. Ata ishin shumë, të gjithë djem të
rrugicës ose siç i quanin çunat e rrugicës së shkollës. Luante me Lulëzimin, me
Lamin, Gimin, Kujtimin, Kushtrimin, Verin, Nazmiun me topa lecke çdo ditë.
Ishin pothuajse të gjithë moshatarë. Në
klasë të tretë përzgjidhet si nxënës i dalluar dhe në festën që bëhet në
pallatin e Kulturës i japin dhuratë një top të zi llastiku. Kështu që topi i
leckës do zëvendësohej me topin e llastikut, me të cilin do luante me shokët e
rrugicës. Ka qenë më i prirur të shkruajë prozë poetike. Proza i dukej më
meditative më shprehëse në dhënien e një mesazhi dhe mendimi. Proza për të kishte më hapësirë, më shumë
vozitje, pasi ajo sjell në rezonancë mentalitetin dhe ndërgjegjen artistike.
Këshilla më e mirë për të në artin e të shkruarit të prozës ishte ajo e tregimtarit
të madh rus Çehov: "Shkruaj dhe shkurto. Shkruaj dhe shkurto". Çehovi
e quante 'lakonizmin", “motër të talentit". Arti i të shkruarit,
thoshte Çehovi, është arti i të shkurtuarit. Mjeshtri i madh i tregimit të shkurtër e konsideronte
novelën,"si një anije luftarake në të cilën nuk duhet të ketë asgjë të
tepërt". Është ë njohur këshilla që ai u jepte dramaturgëve të rinj:
"Në qoftë se është varur një pushkë në mur, ajo duhet të shkrepet patjetër
gjer në fund të dramës". Këto mësime ai i pati si busull për aq kohë sa ju
përkushtua prozës që I dha shumë vizone për jetën në të ardhmen.
Të jetoje në shekullin e
kaluar
Atëherë
kishte një lloj standardizimi, unifikimi në mënyrën e jetesës dhe veshjes. Sot
nuk ekziston ky standardizim. Sot ka shumë më liri, më shumë kushte. Në mënyrë letrare mund të thuhet që
ka më shumë dritë dhe diell. Atëherë kishte më shumë gri. Por brenda asaj grije
kishte një të mirë që të gjithë ishin njëlloj në ritet e zakonshme të jetës. Kishte
dallime inteligjence por mundësitë për të mësuar, për të gjetur punë i kishin
të tërë. Arsimi tetëvjeçar u bë I detyrueshëm. Të gjithë shkonin në shkollë.
Brenda atij standardizimi dhe unifikimi edhe punohej dhe jetohej dhe gëzohej.
Sot mundësitë për të shijuar dhe gëzuar jetën janë shumë e shumë herë më të
mëdha. Sot ka një shkallë njohjeje të
ndryshme. Fjalën kompjuter e ka mësuar 20 vjeç sot fëmijët sapo kuptojnë e dinë
se ç’është kompjuteri. Televizori është futur në shtëpinë e tij në vitin 1969.
Pra zhvillimi i teknikës ka sjellë hapësira të reja. Po brenda asaj kohe të
gjithë shqiptarët përpiqeshin të jetonin mirë. Kishte kufizime. Lufta e klasave
ishte një fenomen tronditës sepse ç’taksirat ka familja dhe të afërmit të
vuajnë mendimet dhe kundërshtimet e dikujt që i lidh gjaku. Pse duhet që fëmija
të ndjekë fatin e të atit pa patur faj? Ishte një fenomen i shëmtuar sepse
përshfaqi tentativën dhe dëshirën për të spiunuar. Dhe të gjithë talleshin në
heshtje ndaj dikujt që ishte spiun dhe në gjuhën popullore e quanin 80 lekëshi.
Sigurisht që kishte kufizime po ajo kohë nuk ishte vetëm bardhezi por kishte
ylberin e vet. Të gjithë studionin dhe kishin një përgatitje të lartë në
shkollë, të gjithë shkuan në punë. Të gjithëve u jepej shtëpi. Kjo nuk mund të
mohohet. U ndërtuan vepra madhore. Dhe këtu ia vlen të përmendet një fakt shumë
vetjak. Në 1954 kur morën shtëpi në
rrugën “Hoxha Tahsim” ajo rrugë ishte me kalldrëm. Pas pak vjetësh ajo u
asfaltua dhe u bë rrugë e bukur. Tirana në sytë e tij shtrihej nga rruga
Bardhyl, atëherë një rrugë e ngushtë me shtëpi të vjetra prej qepiçi në të dyja
krahët, me lagjen e dibranëve pak më lart dhe zbriste deri tek bulevardi I
Madh, ku merrnin zanafillë dy nga rrugët më të mëdha të Tiranës, ajo e Durrësit
dhe rruga e Kavajës.
Ndodhte
shpesh, kur ishin të vegjël, rreth moshës 8-9 vjeç, të ndërmerrnin me shokët e
rrugicës “inkursione” drejt qendrës ku ishte bulevardi i madh. Stacioni i
fundit ku ndalonin ishin bordurat pas parkut Rinia. Syri i mësuar me rrugicat e
vogla dhe shtëpitë njëkatëshe, befasohej nga vargu i madh i pallateve me shumë
kate. Fillimisht u dukej si një botë tjetër, shumë larg rrugicës së tyre, ku
mblidheshin çdo buzëmbrëmjeje dhe të ulur galiç llomotisnin ç’tu vinte për
mbarë, para se të futeshin nëpër shtëpitë e tyre. Prindërit shqetësoheshin kur
mësonin sesa larg kishin qenë. U bërtisnin, I shanin, u shkulnin dhe veshët,
por ata përsëri e harronin dhe të nesërmen përsëri vraponin për të njohur
qytetin e tyre…dhe qyteti rritej bashkë me ata vetë. Ishte një qytet i vogël,
por vit pas viti shtoheshin rrugë të reja, blloqe me pallate katër dhe pesë
kate, herë të ndërtuara mirë e herë të ndërtuara keq. Vite më pas, kur u rrit
dhe arsyetonte kthjellët ndiente keqardhje që qe prishur pazari i vjetër i
Tiranës dhe rrugët rreth tij. Ishte vërtet një atelier i papërsëritshëm, një
identitet historik i qytetit, një pasaportë e tij…por jashtë alogjikes së kohës
qyteti rritej dhe zbukurohej çdo ditë. Tirana mori një hov zhvillimi të
jashtëzakonshëm dhe të gjithë ëndërronin të vinin në kryeqytet. Në atë kohë
ishte qyteti më modern i vendit, ku lulëzonte arti, teatri, kinemaja dhe
letërsia. Kishte më liri dhe hapësirë për të jetuar. Tashmë kufijtë e qytetit
në sytë e tij qenë zgjeruar dhe kishin marrë përmasa të reja. Ai rritej çdo
ditë bashkë me qytetin, që tashmë e quante qytetin e tij.
Dëshira e çmendur për
gazetari
Ishte
me të vërtet një pasion i madh që tronditi botën e tij rinore. E kujton dhe
tani atë kërkimin që bënte për të krijuar histori interesante dhe ku i linte
frerë të lira fantazisë. Ishte si të
udhëtoje mbi re. Është bukur kur futesh në mbretërinë e krijimit. Një tharm i
bukur duket se të tërheq dhe ti ndjehesh i lirë të krijosh, të bëhesh dikushi.
Aq shumë ishte futur në këtë mbretëri sa në moshën 19 vjeçare i lindi mendimi
idiotesk për ta lënë vitin e tretë dhe për t’iu përkushtuar gazetarisë aktive.
Në atë kohë aktivizohej te gazeta “Zëri i rinisë” ku punonin penat më të
talentuara shqiptare dhe ai kishte bërë emër në këtë gazetë. Ishte një
gjeneratë e re që sillte stile të reja gazetareske dhe tregimesh. Në atë kohë
dëshirën e tij të çmendur e ndërpret Liri Lubonja e cila gati gati e urdhëron
“Mbaro shkollën njëherë dhe pastaj të garantoj që të marr në gazetë. Sepse nuk
do kesh kohë se do të marrin për ushtar. Ç’a do fitosh ti! Fut diplomën në xhep
dhe pastaj shohim e bëjmë”. Kjo këshillë e vyer ia shtoi respektin dhe
dashurinë për atë gazetë që ishte një trend në gazetarinë shqiptare. Aty
punonte Liri Lubonja, Luan Dibra, Vath Koreshi, Agim Cerga e Zef Gurakuqi një
grup gazetarësh që atij I mësuan abc e të shkruarit. Në gazetat e asaj kohe
pavarësisht prirjeve karakteristike që kishte gjithsecili do ti bëhej jehonë
politikës së kohës, të rinjve, pjesëmarrjes së tyre nëpër aksione, nxënësve të
dalluar. Do ti bëje jehonë gjithë asaj atmosfere që kryesohej nga morali i
shtetit komunist që ishte Shqipëria. Aktet e trimërisë, heroizmi, lufta kundër zakoneve prapanike
ishin temat e asaj kohe. Sigurisht që kishte dhe elemente lirizmi që e bënin
një shkrim me stil të veçantë dhe që përbënin tharmin e të qënit gazetar.
Sigurisht që karriera e tij mori drejtim tjetër dhe gjatë viteve që pasuan, pra
gjatë gjithë kohës që ai është marrë me letërsinë e ekranit. Sepse dhe skenari
kërkon shumë art, finesë, stil dhe magji.
Ishte një hapësirë artistike ende e panjohur për të, por jemi akoma në
kohën kur Gjonaj ishte student dhe i ishte dhënë me mish e me shpirt
gazetarisë.
Jeta studentore
Vitet
e shkollës së mesme fluturuan pa u ndierë, dhe ja në ditën e parë të shtatorit
ai ndodhej në hollin e fakultetit të Histori Filologjisë, në krahun e majtë të
tij ishte vendosur stenda me oraret e mësimeve të çdo kursi. I përqëndruar ai
po shënonte orën e degës së tij dhe sallën ku do mbaheshin leksionet.
Të veçantat e shkollës
së lartë
Në
vitet gjashtëdhjetë, kur Gjonaj kryente studimet e larta në fakultet jepeshin
edhe disa lëndë te veçanta. Një vend të rëndësishëm zinte historia e lëvizjes
punëtore ndërkombëtare, ku vendin kryesor e zinte historia e lëvizjes punëtore
në Bashkimin Sovjetik dhe ajo e lëvizjes në vendet e perëndimit sidomos në
Francë dhe Gjermani. Vëmendje e posaçme i kushtohej edhe Historisë së Partisë së Punës që ishte një nga lëndët që bënte pjesë në
programin e madh të shkollave. Në atë kohë ishte normale që të mësoje dhe
historinë e partisë që drejtonte vendin. Sot tingëllon si çudi, por ishte mëse
e zakonshme. Ishte një lëndë e rëndësishme ku mësoje rrugën dhe historinë e
partisë që drejtonte vendin tënd. Dhe një nga periudhat më të veçanta dhe të
vështira për shkollën ishte dhe zbori ushtarak. Në pamje të parë ushtria dhe
përgatitja ushtarake e studentëve ose si e quanin në atë kohë zbori ushtarak 6
mujor që kryhej mbas mbarimit te shkollës, cilësohej si një moment i
rëndësishëm patriotik.
Dilemat profesionale
Krahas studimeve të larta në degen e gjuhë –letërsisë ai kreu edhe kursin
dy vjeçar të gazetarisë. Dëshira e tij ishte që të fillonte punë në gazetën
“Zëri I rinisë”,dhe mendimi se duhet të fillonte aty I rrihte si çekan në kokë
çdo ditë. I kishin thene se kërkohej nga ATSH-ja dhe nga Televizioni por nuk ngacmohej fare, dhe nuk shfaqte ndonjë interes për to. Kur mori
vesh se e kishin caktuar redaktor në Kinostudio fillimisht shfaqi habi, më pas
e kaploi një ndjenjë pakënaqësie e më pas u qetësua me mendimin …të shohim një
herë! Në Kinostudio kishte bërë vetem dy bashkëpunime me Muharrem Skënderin që i kishte ofruar për të
shkruar tekstin e dy kinoditarëve, punë
sa për të fituar një honorar minimal si student. Ndërtesa e madhe dy katëshe e
tëra me mure të trashë e gjitha mermer e
me tavane të pikturuara i dukej si një kështjellë mesjetare gjithë mistere dhe
të pa njohura. Mbresat, kur hyri për herë të parë në të , dhe kapërceu
korridoret e gjatë për të shkuar tek dhoma e montazhit, si i thanë,qenë të
fuqishme. Ishte me të vërtetë një ndërtesë hije rëndë dhe imponuese. Kurrë nuk
i pat shkuar ndër mend se një ditë mund të punonte aty. Caktimi në Tiranë ishte
lajm qetësues, por kaloi pa ndonjë entuziazëm të veçantë. Ai kishte njohuri për
institucionin dhe për disa nga njerëzit që punonin atje. Bota e filmit kishte
ndikuar edhe tek ai. Dashuria gati –gati
e marrë për gazetarinë nuk do te thoshte se që nuk kishte dëgjuar emrin Kristaq
Dhamos, Hysen Hakanit,Dhimiter Anagnostit, Viktori Gjikës, Agim Fortuzit, Endri
Kekos etj. Tek shikoje filmat “Komisari i dritës”,“Tana”apo “Debatik“
asosiacioni me emrat e realizuesve ishte i menjëhershëm. Në imagjinatën e tij
Kinostudioja ishte si një tempull i madh,i shenjte, i pakapshëm, i paarritshëm, impresione këto që nga koha e
fëmijërisë. Bashkë me disa shoke ,të
emëruar edhe ata në atë institucion e lanë që ditën e parë të shkonin të gjithë
bashkë. Ishte një ditë e ftohtë shkurti dhe era qe frynte të priste hundën dhe
veshët, megjithëse dielli shkëlqente bindshëm. Akullnajë. Bashkë me të ishte
Ibrahim Muça që kishte mbaruar shkollën për aktor dhe qe emëruar asistent regjisor në Kinostudio.
Filmi i parë
Pse
e kujton gjithnjë skenarin e filmit të parë? Përse sa herë I shkon mendja te ai
film dokumentar gjoksi i gufon nga emocionet dhe kujtimet I vërshojnë si një
përrua i rrëmbyer që zbret me vrull nga shpati i malit? Ishte maj, muaji më I
bukur I vitit, kur çelin trëndafilat dhe
pemët kanë lulëzuar tërësisht, kur njerëzit lehtësohen nga veshjet e rënda të
dimrit, kur gjaku i rinovuar vërshon vrullshëm nëpër rremba, kur vajzat duken
më të bukura, a thua se i kanë shpallur konkurs bukurive të natyrës. Në maj çdo
gjë lulëzon, lulëzon natyra, njerëzit, zogjtë. Vendosi të shkruante një skenar
për një nga shkollat me me emër në Tiranë, për gjimnazin Qemal Stafa. Shkoi
disa herë në shkollë. U takua me shumë mësues dhe nxënës. Ishte I pari skenar
që shkruante. Dhe si të gjithë ata që shkruajnë u zhyt në botën e krijimit.
Mbresat e takimeve të shumta me nxënës e mësues e frymëzuan dhe ato ai I hodhi
në letër. Skenarin e pëlqyen dhe menjëherë u krijua grupi i xhirimit.
Interesant fakti , ai e kish skenarin e parë. Filmi kaloi mjaft mirë,
Gjimnazistët u kënaqën dhe shoqja e tij u bë personazh në film. Dhe ai film që
shënoi njohjen e parë serioze të regjizorit u kthye në një nga historitë më të
bukura të jetës. Një dashuri e madhe plot trille dhe jetëgjatësi. Një dashuri
që I dha jetë krijimit të një familjeje të shëndetshme të historisë shqiptare.
Një film, një njohje, një dashuri, një jetë plot kuptim.
Bukra, bashkudhëtarja
ideale
Kanë
qenë dhe janë një familje model. Një familje perfekte e qëndisur në çdo detaj
me finesë e vlera njerëzore. Kanë jetuar
me prindërit. Në formimin e tij intelektual dhe si artist në radhë të parë
meritën e kanë prindërit. Babai për
gdhendjen e personalitetit të tij dhe nëna për larminë dhe butësinë e
karakterit që latoi tek ai si njeri. Dhe kur familja u zgjerua një vend shumë
të rëndësishëm e zuri bashkëshortja. Ajo bëhet pjesë e krijimtarisë së tij, e
filmave që ka bërë. Është pjesë e edukatës,
e të ardhmes që ato e gdhendën të dy. Kanë disa dekada bashkë me njëri
–tjetrin. Bukra zë një vend të veçantë se bën pjesë në një kategori grash që
është përpjekur me urtësinë dhe mençurinë e saj, me përkujdesjen ti krijojë
kushtet më të përsosura për të realizuar karrierën e tij si kineast. Prindërit
dhe Bukra u morën me mirërritjen e fëmijëve kur ai ishte larg për motive
profesionale. Duke patur një bazë të fuqishme si familja, iu krijua komoditeti
për t’iu përkushtuar profesionit. Mbështetja kryesore ka qenë shoqja e tij
Bukra e cila asnjëherë nuk I ka krijuar andralla apo pengesa për të bërë një
film.
Në drejtim të
Kinostudios
Kur
e caktuan të drejtonte Kinostudion ai institucion krahasohej me një luan të
plagosur rëndë në savanën e kohës. Ishte pothuajse në grahmat e fundit. Shkon
jo për arsyen se do bënte ndonjë çudi, por për nostalgji. Se Kinostudio që deri
në vitin 1990 kishte tetëqind e ca punonjës dhe gjallonte, prodhonte e krijonte
vlera tashmë qe bërë një objekt dhunimi dhe grabitjeje. Aty brenda ishte rinia,
pjekuria, ishte krijimtaria, debatet, bisedat shoqërore, përplasjet. Aty ishin
të gjitha. Ndaj dhe kur i propozon ministrja për tu bërë drejtor i “Alba
filmit” menjëherë mendon se kishte paksa brumë të mirë për të bërë diçka të bukur.
Për fatin e keq të gjitha zërat binin në humnerë, nuk dëgjohej asnjë zë, kudo
egzistonte veshi I shurdhër. 100 mijë dollarë duhet të financonte shteti për
një studio të vogël ku të bëheshin zgjidhjet më praktike të filmit. Në atë kohë
u bënë 5 filma dokumentarë, disa filma vizatimorë, dhe disa filma artistikë që
ndihmoheshin me aksesorë të dorës së dytë apo të tretë, si filmi i Anagnostit “Gjoleka, biri I
Abazit” që u pajis me kostumerinë e
nevojshme dhe me rekuizitë të pjesshme. Ndodhi që i erdhën dhe dy producentë
ekzekutivë për filmin “Aleksandri i madh” që po përgatitej të xhirohej. Atyre u
kishte pëlqyer zona kodrinore pas Vorës, kodrat e buta që ngriheshin valë-valë
përmbi fushën e blertë. Zona ishte ende e virgjër, dhe në pranverën e vitit
2004 natyra kishte derdhur gjithë bukuritë e saj në atë zonë. Biseduan gjatë
për mundësitë e xhirimit të skenave masive, por kur producentët e huaj kërkuan
dyqind kuaj rrace, rekuizitë dhe shumë armatime të kohës , drejtori shtangu.
Ç’tu thoshte? Kujt ti kërkonte ndihmë? Në atë periudhë gjithçka në Kinostudio
kishte marrë të tatëpjetën. U kërkoi pak ditë kohë për ti kthyer përgjigje.
Bisedoi me regjizorë e kolegë të tij. Pyeti dhe në digaster. Për fatin e keq
kërkesat binin në vesh të shurdhër dhe Kinostudio vinte gjithnjë duke u
degraduar. U kthye përgjigje producentëve të huaj se nuk mund të plotësonte
kërkesat e tyre. Filmi u xhirua në një vend fqinj pranë nesh. Humbi një shans i
madh. Por për një gjë është krenar, se gjithë ai institucion I madh nuk u arrit të
shpërbëhet, por u ruajt si objekt. Dhe këtë e kanë ruajtur gjithë punonjësit e
Kinostudios, para dhe pas tij dhe nuk u
kthye në shesh ndërtimi. U ndërtuan disa televizione që janë institucione
kulture, u ngrit një shkollë kinemaje si shkolla “Marubi”. Nuk ka rëndësi
mënyra si u ngrit, me të drejtë apo pa
të drejtë. Ka rëndësi që aty është një shkollë filmi që rrezaton kulturë. Në ndërtesën simbol të Kinostudios
ndodhet qendra kombëtare e Kinematografisë. Dhe ky institucion është në vendin
e tij. Ndërsa pjesën më të madhe e ka marrë Ministria e Kulturës. Mirë do qe të
bëhej Muzeu i Filmit. Ndoshta kinematografisë shqiptare i duhet një muze. Mirë
ndoshta që u bë dhe Ministri Kulture. Po përse duheshin hequr simbolet e
Kinostudios? Përse duhej hequr pllaka dhe data e themelimit të saj, 10 korriku
i vitit 1952. Kinostudio “Shqipëria e re” është pjesë e historisë. Dhe historia
nuk zhbëhet.
Gjysh i lumtur
Ishte
në Indi ,në Kalkutë,duke xhiruar për Nënë Terezën,kur merr në telefon shtëpinë.
-Do
të themi një lajm të mirë
-Çfarë
ka ndodhur?
-Valbona
është shtatzënë.
Ishte
një lajm sensacional. Një gëzim që u shpalos me përmasa të plota kur lindi
Erlisi. Ishte nipi I parë që vinte në familjen e tij. Dhe më pas erdhi
Bjorni nga Genti. Nipat i do njëlloj, por Bjorni ishte Gjonaj. E kështu me radhë erdhi Edrini e më pas
Brajani.
Filmi më i dashur
Është
si të pyesësh një nënë se kë fëmijë do më shumë. Filmat janë të dashur të
gjithë. Por në 150 filma që ka ai,
patjetër është një grup ku ai ka arritur kulme krijimtarie. Kulme që nuk
lidhen vetëm me rezultatin që jep te teleshikuesi, te vlerësimi me çmime por
dhe me kënaqësinë që i ka dhënë gjatë kohës që është marrë me këtë film. Do
veçonte “Kështjella e këngëve”, “Shembja
e idhujve”, “Më e madhja dashuri”. Por nuk diferencon as Ali Pashën as Jeronim
de Radën, as Faik Konicën dhe Nënë Terezën. Të katër janë në nivelin maksimal
të kënaqësive dhe vlerësimeve. Ndoshta në këtë grup filmash mund të veçojë Ali
Pashën. Për të ardhur te filmi “Ëndrra e Çamërisë” që për shumë arsye shënon dhe ai një kulm të bukur në vargmalin
e krijimtarisë së tij. Sepse bën fjalë për një dramë të dhimbshme të popullisë
çame që është popullsia më e persekutuar pas çifutëve e palestinezëve. Vitet
kalojnë dhe kur kujton ngjarjet dhe emocionet që i kanë falur këto filma I
rrëzëllen një buzëqeshje e bekuar. Ka patur një qëllim ndaj vetes dhe e ka
realizuar. Ka plotësuar kërkesat e tij të brendshme ndaj një historie shqiptare
që të mahnit. Ka realizuar udhëtime ndjesore dhe ka dhënë mesazhet e tija
artistike në filma historikë të përmasave të mëdha. Pra ka plotësuar kërkesën
ndaj vetes dhe pa dyshim dhe detyrën si artist i publiçistikës së filmit. Dhe nëse enumeracioni gjatë viteve ka patur
vetëm progresion është i bindur se në çdo film,
në çdo kohë, në çdo moment ka qenë një ngacmues dhe dhurues emocionesh
të bukura. Filmi është një dashuri e përjetshme, që të mbush, që të shkallmon
shpirtin me ndjesi nga më të çuditshmet që veç një dashuri tronditëse e
marramendëse mund ta dhurojë. Nga ato dashuri që ndodhin vetëm një herë në
jetë. Sot ndjehet me fat që është bërë pjesë e kinemasë, e kësaj magjie
çudibërëse ku ai hyri aksidentalisht por ku la gjurmë emocionesh dhe bëri emër
të respektuar.