Kulturë
Kadri Tarelli: Vilhelme Vranari Haxhiraj - Elitat e mohuara
E shtune, 13.04.2019, 08:44 AM
"ELITAT E MOHUARA”,
Plagë e pambyllur në trupin e kombit tim.
Nga Kadri Tarelli
Libri “Elitat e mohuara”, me një titull që të
grish e të trishton, libri i shkrimtares dhe studiueses, Vilhelme Vranari
Haxhiraj (Vivra), është një prurje e re, me mjaft interes, për letërsinë apo
historinë tonë, jo vetëm si art dhe shkencë, po njëkohësisht është mjaft
i dobishëm më shumë për lexuesin dhe studiuesin shqiptar të të gjitha moshave.
E them këtë, pasi përmbajtja me 90 “heronjtë” e saj, është vetë historia jonë, e endur, e
qëndisur, e gjakosur dhe e përflakur ndër shekuj. Një thënie nga të diturit e
moçëm, na mëson: "Historinë e bëjnë
njerëzit. Janë ata që, me forcën e mendjes, vihen në krye dhe shkëlqejnë mbi të
tjerët”. Janë pikërisht këta, që formojnë elitën, si gur të çmuar në
kurorën e artë mbretërore, në krye të kombit. Pa shumë fjalë, dijetari Viktor Hygo, na përcjellë një mendim të
artë: “Madhështia e një populli nuk matet
nga numri i banorëve, ashtu si madhështia e një njeriu, nuk matet nga gjatësia
e shtatit”.
Hartimi i këtij libri, që
unë e quaj një “Enciklopedi të elitës
shqiptare”, besoj se ka vazhduar gjatë, duhet thënë disa vjet punë,
përsiatje, lexime, shënime dhe kujdes, për t’i mbledhur e përzgjedhur me
fanatizëm. Vetëm kështu jeta, veprimtaria dhe vlerat e elitës sonë do të dalin
në dritë sa më të plota. Secili në kohën e vet, ka qënë pjesë e shoqërisë dhe e
rrethanave, ndaj bënë histori dhe mbetën në histori, si figura të admirueshme,
disa edhe si legjenda që nderojnë e frymëzojnë mbarë kombin.
Pikërisht këtu shkëlqen mendja dhe
pena e Vilhelme Vranarit (Vivrës),
si studiuese, duke vënë në dukje dukurinë e mbrapsht, të kohëve të mbrapshta, “Mohimi i elitave”. Për fat të keq,
gjatë shekujve, ne shqiptarët po na ndjek, si mallkim dhe si një huq i
mbrapsht, ndaj s’kemi gjetur e nuk po gjejmë prehje as dje, as sot dhe as mot.
Çdo lexues, i mrekulluar,
njëherazi i tronditur, për çka lexon e mëson, ashtu si edhe Vivra, do të bëjë
pyetjen: “Përse?"
Një pyetje e nëmur, e cila në dukje
ka brenda edhe përgjigjen e hidhur, që na mbetet si laklitar në grykë dhe na
merr frymën, sa herë e pëshpërisim. Por në të vërtetë, pyetja ngjet me një
ekuacion me dy a më shumë të panjohura, që domosdoshmërisht kërkon rezultatin.
Përfundimi është po kaq i
dhembshëm...sa është vështirë të shlyhet nga kujtesa. Ne sot nuk gjykojmë
pushtimin e gjatë shekullor e pushtuesin, të cilin e pritëm me armë dhe jo me
lule; porse ne, shqiptarët na u desh që për 50 vjet rresht u ndeshëm me shpikjen
më gjeniale e më antikombëtare të diktaturës, Luftën e Klasave. Në këtë betejë të verbër politikisht,
luftuam vetveten, duke vrarë, prerë, burgosur, internuar, harruar e baltosur
fisnikët, të ndershmit, më punëtorët, më të mirët, më trimat, më të diturit, më
të mësuarit, më atdhetarët. U vetrrënuam, u vetmohuam pikërisht se eliminuam
ata që ishin palca dhe truri i kombit. A mund të qëndrojë në këmbë një kurm që
sado i bukur të jetë, nëse atij i mungon truri dhe palca kurrizore?!
Kurse si dhuratë na dhanë shkollën e të “Paudhit”,
na helmuan me ideologjinë e varfërisë materiale dhe mendore, e cila e tjetërsoi
njerinë moralisht e ndërgjegjësisht, duke e bërë vëllanë armik të vëllait;
djalin, vrasësin e babait; kurse gruan, spiune të burrit.
Ja si vijnë me ulërimë, vargjet e Hafiz Ali Korça, në kryeveprën e
tij, “7 ëndrrat e Shqipërisë”: “Për
Shqipërinë u përpoqa,/ sa flijova jetën time./ Nuk tregohet se sa hoqa,/ se
shteti m’i njihte krime”.
Duke vazhduar me vargjet që pikojnë
pika loti:
“O Mëmëz, o halle-madhe!/ ç'gjëmë e zezë të ka zënë?/ Bijt 'e tu
s'mentohen fare,/ rrugëvet të kanë lënë”.
Pse ndodh kështu, që për një karrige qepur pas tuleve të majme, të
prishet një komb e të nëpërkëmben pikërisht ata që, mbi gjithçka e deshin
Shqipërinë dhe shqiptarinë?!
Përsëri nuk shterren pyetjet: "Përse
ata më të mirët, nuk i mban as vatra jonë, por i detyrojmë të mërgojnë dhe të
gjejnë vetveten, duke shkëlqyer në dhe të huaj?!"
Si një sëmundje e vjetër, që nuk po
na ndahet, aq sa filozofi ynë i madh, rilindasi Sami Frashëri, detyrohet të shprehet: “Shqipëtarët kanë treguar gjithë jetën, që janë të zot edhe në kordhë,
edhe në pendë, edhe me trimëri, edhe në ment e dituri. Shqipëria ka nxjerrë
shumë njerëz të çquar e me nam të madh..... E me djemtë e saj, mburren të tjerë
vende e të tjerë kombe”.
Çdo lexues, nën peshën e trishtimit, do të dridhet duke lexuar
këtë libër, që të ngazëllen, por edhe të djeg duart, sepse nga fillimi deri në
fund, çdo emër me historinë e tij, të trimëron dhe njëherazi të ngjeth shpirt e
trup, aq sa i japim të drejtë shkrimtarit dhe mendimtarit shqiptar në trojet
tona në Maqedoni, Kim Mehmeti, që me shpirt të vrarë, të thotë:“Ne jemi një popull i vetmuar”
dhe mund të shtoj pa frikë, se ne jemi një “popull
i grabitur”.
Nuk është e vështirë të gjykoni vet dhe njëkohësisht të nxirrni
përfundime nga këto citime të dijetarëve, sepse nga raca jonë kanë dalë
mbretër, papë (në 50 drejtues të Vatikanit, katër janë me gjak arbëror). Më
tej: perandorë, kryevezirë, kryeministra, ushtarakë, filozofë, dijetarë,
inxhinierë, arkitektë, mjekë, biologë, poetë, përkthyes, luftëtarë e humanistë,
nobelistë, disa edhe kandidatë për këtë çmim të madh. Me dhembje vemë re, se
pjesa më e madhe e tyre, “Gjaku i
arbërit i shpërndarë”, janë krenari e popujve të tjerë.
Autorja Vrana-Haxhiraj, në ato pak analiza në një numer të
konsiderueshëm personalitetesh të shquara që bën për lexuesin, shpreh një
të vërtetë të njohur, të thënë shumë herë me zë të lartë:
"Ndërsa ne bëjmë sehir, bota kufitare apo dhe më tej, përpiqen të na
i rrëmbejnë, apo të na i vjedhin historinë dhe vlerat tona kombëtare. Madje
janë të përfshirë këtu edhe heronjtë tanë, për të ndërtuar, ngritur e ndritur
historinë e tyre, duke e ditur më mirë se ne, se elitat e bëjnë historinë dhe
ndërtojnë e nderojnë kombin. Po sjell vetëm dy-tre raste të kohëve dhe ditëve
të fundit.
Besoj, se e sillni në kujtesë zhurmën që u bë për përvetësimin nga maqedonasit
dhe arumunët, të Shenjtores shqiptare Nënë
Tereza. Një rast tjetër: Historiania Italiane, Luçia Nadin, pak vite më parë, zbulon një dokument, se Aleksandri i Madh, me gojën e
tij tregon, që i përket racës ilire. Ndërsa grekët dhe maqedonasit çirren dhe
bërtasin, nxitojnë kush e kush më shpejt, ta quajnë dhe ta bëjnë hero të tyre. Kini
dëgjuar që, akademikët dhe historianët tanë, ta zenë në gojë këtë zbulim kaq të
madh, që e ndriçon historinë dhe racën tonë? A ka vend pyetja “Përse?”, për të vazhduar më tej: A janë
serbët që na “vodhën” lahutën e
malësisë, duke e bër? të tyre këtë instrument, pjesë të trashëgimisë sonë
muzikore, folklorike e shpirtërore? Ç’përgjigje kemi, e ç’mund të
themi?!"
Libri në tërësinë e tij, është
një piskamë e fortë, për ta
dëgjuar të gjithë, në veçanti shtetarët tanë, sidomos të rinjtë, që do ta trashëgojnë
këtë vend. Vivra jonë, na kujton një thirrje të herëshme të princeshës Elena Gjika, (Dora D’Istria), që
prej mëse një shekulli na kumbon në vesh, por ne ende s’po e dëgjojmë, si
trokitje në derën e shurdhit: “Të
mos ketë më gegë, as toskë, as lebër, as çamë, por vetëm shqiptarë, bijë të
devotshëm, që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të
Madh, të Pirros e të Skënderbeut”.
Nëse ka gabim të shqiptarëve, më
shumë e drejtuesve dhe politikanëve tanë, besoj se bëhemi bashkë në një mendje,
kur shprehem: “Këtë gabim unë e quaj faj,
madje faj të rëndë; të mohosh elitën shqiptare, cilido qoftë shkaku, qëllimi
apo arsyeja, të shuash yjet, është njësoj si t'i heqësh qiellit kaltërsinë, dhe
perëndimeve dritën, ende më keq për një popull, kur i heq gurët e themelit të
historisë, të krijimit, të vazhdimësisë dhe mbijetesës së kombit. Kur priten
apo digjen lisat, në pyll mbeten veç shkurre, gjemba e ferra, që grisin e
çjerrin dhe s’vlejnë për asgjë, mbase vetëm për të kullotur bagëtia”.
Jam i bindur, se çdo lexues, edhe kur
ta ketë mbaruar faqen e fundit të librit, përsëri do t’i kthehet për ta
rilexuar.
Ç’më shtyn të mendoj kështu?
Janë personazhet dhe figurat e ndritura të kombit tonë, të cilët të
tërheqin si me magji për t’i njohur, pasi shumë prej tyre janë të mohuar e të
harruar padrejtësisht, disa të përbaltur qëllimisht, ose të dënuar politikisht,
pabesisht dhe antishqiptarisht, pse jo edhe të nëmur e mallkuar, të fshehur, të
pluhurosur e të baltosur tinëzisht.
Për t’u bindur në fletët e librit dhe
vërtetësinë e përmbajtjes, po përtyp vetëm pak thërrime, nga kulaçi i gatuar me
brumë atdhetarie, të thekur dhe të pjekur në zjarrin e shpirtit të lënduar të Vivrës, “Princeshës” së letrave
shqipe.
Në nderim të gjinisë që i përket, ajo
fillon me gratë e shquara dhe rolin e tyre në shoqëri. Vivra përcjell një kumt
të vjetër, sa vet jeta e shoqërisë njerëzore: “Familja, atdheu i vogël, ku hedh rrënjë kombi, ndërtohet nga të dy
gjinitë, ...”.
Më pas vazhdon....
Unë për ilustrim po përmend vetëm disa
prej tyre:
Prof.
Dr. Isuf Luzaj. Bir i Kaninës mbi Vlorë, i doktoruar në Sorbonë. Autor i
shumë botimeve letrare dhe studimeve filozofike, por në mbarim të Luftës së
Dytë Botërore, i dënuar në mungesë nga regjimi komunist. Deri sa ndërroi jetë,
nuk u pranua të vizitojë vendin e tij, Shqipërinë. Ai është vlerësuar si një
nga shtatë filozofët më të mëdhenj të shek. XX. Filozofi shqiptar me përmasa
botërore, Akademik, që është nderuar me titujt: “Honoris Kauza” dhe “Profesor
i Merituar i Amerikës”. Ky i fundit dhënë personalisht nga Presidenti i
SHBA, Regan.
?
-Gjergj Fishta, (1871 - 1940), kollosi i letrave shqipe, poeti ynë
kombëtar, pjesë e elitës së mohuar. I pari shqiptar i kandiduar për çmimin “Nobel”.
Pasuria kulturore që përmban vepra “Lahuta
e Malëcisë”, është shumë e madhe dhe meriton një vlerësim maksimal nga
institucionet kombëtare e ndërkombëtare.
-Ali
Asllani, diplomati, politikani dhe poeti, që i këndoi aq ëmbël bukurisë dhe
dashurisë. Kurse poema e tij “Hakërrimë”, do të ngelet aktuale në
përjetësi dhe përherë do të tronditë nga themelet, tradhtinë, babëzinë dhe
hajdutërinë e të lëbyrtëve në pushtet.
?
-Pater, Anton Harapi, (1888-1946), ishte frat françeskan, mësues, mendimtar,
shkrimtar dhe politikan shqiptar, i pushkatuar nga komunistët, në vitet e para
të ardhjes së tyre në krye të qeverisë shqiptare.
Për të kuptuar cili ishte ai, po
përmend këto pak fjalë të thëna nga ai vetë: "Më rrenë mendja, se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora
ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me
drashtë ndokush, mos qe ndonji maní e emja, qi më shtyni deri këtu. Edhe un' po
ua vërtetoj fjalën dhe po u thom, se po: Manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më
vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes
kombtare?”
?
-Aristidh Kola. (1944-2000).
Ishte jurist, historian, shkrimtar, publicist dhe studiues. Njëkohësisht edhe
kryetar i Lidhjes së Arvanitëve. Aristidhi ishte me shtetësi greke
dhe me kombësi shqiptare, që punoi për lashtësinë e Ilirëve, si dhe origjinën e
grekëve.
?“Vritmëni, po gjakun ma mblidhni… se do t’u duhet nipave e mbesave, për
të shkruar gjuhën shqipe”. Kjo thënie e Petro Nini
Luarasit, i përshtatet shumë vdekjes së Aristidh Kolës, i cili vdiq
nga një ”sëmundje” e
përgatitur në laborator, për të mos u dëgjuar zëri i së vërtetës së mbyllur me
shekuj, në thellësisë e harresës.
-?Dhimitër Pilika. Studiues i
përkryer, botues i veprës: “Pellazgët,
origjina jonë e mohuar” dhe “10 mijë
vjet histori: nga pellazgët tek shqiptarët”
Besoj se mjaftojnë vetëm këto pak fjalë, për të thënë gjithçka mbi të vërtetën
tonë të hidhur: "Bretkosat e
moçalit, se ç‘e vranë drenë e malit...!" – Citon Lasgush Poradeci, për mikun e tij të internuar në Myzeqe, Dhimitër Pilika.
-?Prof. Dr. Eshref Ymeri, Akademik.
Është një personalitet dhe individualitet i veçantë i kulturës kombëtare, një
erudit që ka dhënë vlera të pallogaritshme në fushën e gjuhësisë, përkthimit
dhe publicistikës historike. Është autor bashkëkohor, që ka vënë një gur të
rëndë në kolanën e artë të kulturës kombëtare shqiptare.
? -Dr.Fatmir Terziu. E ka renditur veten mes
personaliteve botërore. Në Referencat Studimore të Oxfordit, “Global Art Cinema: New Theories and
Histories”, të edituar nga Karl Schoonover, është cilësuar si një nga tre
kritikët bashkëkohor më të spikatur në botë.
?Në fund, duke njohur e vlerësuar këtë
vepër madhore për kulturën shqiptare, ku përfshihen rreth 88 figura të shquara,
njëkohësisht, duke njohur pak edhe
jetën e vet autores Vivra, nuk mundem, që dhunshëm të mbyll grykën e thesit të
pyetjeve:
-Po
vet Vivra, a është pjesë e elitës së mohuar?!
Unë them me zë të lartë: Po! Sepse si
fisnike nga sëra, për pesëdhjetë vjet u rropat në punë të rëndomta, duke ia
ndaluar shkollimin. Filloi të botojë në moshën 52-vjeçare dhe brenda 22
vjetëve, ka publikuar mbi 46 vepra letrare, publicistikë, studime historike e
filozofike, disa janë ende në dorëshkrim, pa përmendur mijëra faqe
publicistikë. Ajo mban titullin “Mjeshtri
i Madh”. Është anëtare e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve
Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York. Ka shumë tituj të dhënë nga organizma
letrare e shkencore në shumë vende të botës, që nga Suedia e largët e deri në
vendet e Mesdheut.
Në përfundim, dy vargje si mbyllje bisede:
-Vivra je vullkan! Pse shpërthyet
vonë?
-Duarlidhur e gjuhëprerë, 50-vjet, sëra jonë.
Kadri
Tarelli, mësues historie,
studiues dhe analist letrar.
Durrës më: 09, të Janarit, 2019.
ps:“Vivra”është pseudonimi i autores
Vilhelme Vrana(ri) Haxhiraj