E marte, 17.09.2019, 05:47 AM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: 70 vjetori i vrasjes së Imz. Vinçenc Prennushit

E hene, 18.03.2019, 09:47 PM


Nga Fritz RADOVANI:

19 Mars 1949 – 70 VJETORI I VDEKJES

IMZOT V.PRENNUSHIT O.F.M.

Argjipeshkvi i Durrsit dhe i Tiranës Imzot Vinçenc PRENNUSHI O.F.M.(1885–1949) në  1946 ka thanë: “Në këte kohë në Shqipni, asht turp i madh me kenë jashta burgut!..”

Gjurmët e kudondodhuna të sandaleve të mathuna nder kambët e zbathuna të Fratit të Shqipnisë, shkelën nder male e fusha ku kanë grrye gurin dhe kanë lanë të shkrueme me gjakun e stigmave të Tyne të Shenjta, veprat ma të mëdhaja të Lirisë, Drejtësisë dhe të Demokracisë Europjane, themelet e të cilave, janë t’ lidhuna per ahët e lisat shekullor në shkamijtë e Bjeshkëve të Nêmuna, bash me konopin e vllazenve tê Shen’ Françeskut t’ Asizit, Urdhnit të Françeskanve të Vegjel Shqiptar, që i perket edhe Imz. Prennushi.

Në Shekullin e XX Fisi Prennushi i dha Atdheut dhe Fesë klerikët e njohun: Don Mati Prennushi, At Mati Prennushi, Imz. Vinçenc Prennushi, At Karlo Prennushi dhe Don Kolec Prennushi, që studjuen në Austri. Asnjëherë nuk u pajtuen me sunduesit e huej...

Imzot Vinçenci u le në Shkoder nga Prindët Gjon e Drande Prennushi me 4 Shtator 1885 dhe, para Shugurimit Meshtar kishte emnin Kolë. Studimet e nalta i perfundoi në Tirol t’ Austrisë dhe u Shugurue me 25 Mars 1908. Asht njohës i luftës së malazezëve të 1913, kur rrethuen Shkodren dhe, pikrisht Ky At Vinçenc me 14 Mars 1914, u tregoi pushtuesve se:

“Sot, në Kështjellen Rozafat do të valvitet i Lumnueshmi Flamur Komtar i Kastriotit!..”

Ai ishte letrar i “Hyllit të Dritës”, politikan i “Orës së Maleve 1924”, letrar i njohun dhe antisllav, antifashist dhe antikomunist deri në diten e vdekjes me 19 Mars 1949.

Ishte Argjipeshkëv i Durrësit e Tiranës, dhe mbas vdekjes së Imzot Thaçit (1946) ishte Primat Katolik i Shqipnisë, detyrë që e ven perballë me qeverinë komuniste të Tiranës.

Dosja 1245 Arkivi Min. M. Tiranë, zbulon plotsisht qendrimin dhe pikpamjet Atdhetare të Imzot Prennushit, perballë diktatorit dhe pushtuesve sllav të Shqipnisë Europjane...

Në vitin 1945 u takue me diktatorin E. Hoxha, dhe rezultati besoj i kujtohet shkodranve nga fjalimi i Enverit, në Prefekturen e Shkodres me 16 Shtator 1949...Kur Argjipeshkvi kalbej mbas vdekjes në torturat e sigurimit të shtetit komunist në burgun e Durrsit...

19 MARS 1949: “Pak Dritë!.. Mehr Licht!”... Dishmon bashkvuejtësi i Tij, i Madhi Prof. Arshi Pipa... Dhe gjithshka u shue.., e u fik... E bashkë me Ata Kolosë t’ Atdheut u shue edhe ajo “pak dritë”, per të cilen shpresuem aq shumë në vitet 1990...

Melbourne, 18 Mars 2019.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT