E enjte, 24.09.2020, 11:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Klajd Kapinova: Arrestimi, hetuesia, pushkatimi, martirizimi dhe lumnimi i Abati të fundit të Mirditës imzot Frano Gjinit

E merkure, 23.01.2019, 09:34 PM


Arrestimi, hetuesia, pushkatimi, martirizimi dhe lumnimi i Abati të fundit të Mirditës imzot Frano Gjinit

“Rrnoft Krishti Mbret! Rrnoft feja katolike dhe katolikët në botë! Rrnoft Papa! Gjaku dhe trupi jem mbeten këtu, por shpirti dhe zemra asht te Papa. Rrnoft Shqipnija!”- Këto kanë qenë fjalët e fundit të Abatit të fundit të Mirditës imzot Frano Gjinit, para togës së zezë të pushkatimit, më 11 mars të vitit 1948.

Nga Klajd Kapinova

Tashmë lexuesit do të kenë në dorë një libër historik, me dokumente dhe arkiva origjinale: “Martiri i kishës katolike Abati i Mirditës imzot Frano Gjini” (Në 132-vjetorin e lindjes, 70-vjetorin e pushkatimit dhe 2-vjetorin e shenjtërimit).

Vepra voluminoze në fjalë, është shkruar mbas hulumtimeve shumë vjeçare në Arkivat Qendrore të Shtetit në Tiranë, nga bashkautorët studiues dhe publicistë: shqiptaro amerikani Tomë Mrijaj nga New York-u dhe Leonora Laçi nga Shkodra.

“...Në rastin e këtij vëllimit i shtohet profilit agiografik të Lumit imzot Frano Gjini edhe ai më shkencor, fryt i kërkimit të autorëve.

Imzot Gjini është një figurë e spikatur e grupit të 38 të Lumëve të shpallur në vitin 2016, njeri i kulturuar, meshtar i zellshëm, bari i zhdërvjelltë i grigjës; hallkë e artë e zinxhirit që ka mbajtur të bashkuar Kishën Katolike në Shqipëri gjatë viteve të para të regjimit, i cili e shkatërroi me dhunë këtë kishë; pikërisht duke shpresuar që duke hequr qafe atë, i gjithë zinxhiri do të kishte humbur forcën e tij tërheqëse.

...Frika e çdo pushteti njerëzor është ajo e kundërshtarëve të tij; prandaj përballet me ta në të njëjtin nivel. Por në rastin e hierarkisë katolike të shkatërruar nga regjimi komunist është bërë gabimi i nënvlerësimit të atij “pushteti”, duke e barazuar me atë të cilësdo formë pushteti njerëzor: nuk e dinte diktatori që mbretëria e Krishtit “nuk është e kësaj bote”.

Dhe kështu, në përngjasim të Shenjtërve të Pafajshëm, imzot Gjini e gjen Martirizimin për Mbretërinë e Qiellit për përmbushjen e së cilës ka bashkëpunuar përgjatë kalimit të tij në këtë botë. Dhe tani jeton i lumë në lavdi...” – shkruan në hyrje të librit në fjalë Shkëlesia e Tij imzot Angelo Massafra O.F.M., Arqipeshkëv Metropolitan Shkodër-Pult.

Ky libër është një përpjekje serioze për të sjellë para opinionit shqiptar për herë të parë të dhëna arkivore, familjare, dëshmi, faksimile, kujtime, dorëshkrime, letra, procesverbale etj., duke pasqyruar për herë të parë në këtë libër ngjarje dhe episode historike, për personalitetin e lartë fetar, Abatin e fundit të Mirditës prelatin imzot Frano Gjinin dhe sekretarin e fundit të tij dhe Abacisë së Mirditës mons dr. Zef Oroshin (1912-1989), themeluesi i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane (15 Qershor 1962) dhe revistës kulturore Jeta Katolike (New York, 1966).

Në ketë mënyrë mons. dr. Oroshi si një mirditor i vendosur çoi në vend amanetin apo testamentin e eprorit të tij, prelatit dhe Abatit të Mirditës imzot Frano Gjini, i cili, ia kishte lënë porosi apo në besë këtij burri sypatrembur me tradita e zakone tipike shqiptare, kur e porositi që të hap kisha të reja për popullin apo emigrantët shqiptarë kudo që të jenë, duke dëshmuar se shqiptarët e kanë dashur dhe e duan shumë shembylltyrën e Krishtit të përvuajtur dhe të kryqzuar për ne…

Tashmë ky libër i pasur me dokumente dhe fakte historike, do të mbetet padyshim një vepër me vlera të pa kontestueshme, për historinë e dhimbshme por edhe krenare dhe të lavdishme të martirizimit të mons. Frano Gjinit, klerit katolik dhe komunitetit të përvuajtur të krishterë të saj.

Prelatët shembullorë dhe krenarë, trima dhe të pamposhtur përballë fortunave komuniste të jetës prelatët Gjini – Oroshi, qysh në rini në vendlindjen e tyre kanë bashkëpunuar gjithnjë për famullitë e  devotshme katolike të Mirditës, për të mirën e qendrës së saj të famshme historike Oroshin, dhe për të gjithë tokën  e katedraleve apo kishën katolike brenda territorit të Abacisë së Mirditës.

Por regjimi i ri nuk mundi të durojë gjatë, nuk mundi të qëndronte pa gënjeshtrat e veta e pa gënjeshtarë në gjithçka. Filloi shpejt përsekutimi, një përsekutim i posaçëm në botë e në historinë e kombit tonë, një masakër fanatike dhe e vazhdueshme pesëdhjetëvjeçare, për të rrenue gjithshka me vlerë që ishte arrijtë sidomos mbas pavarësisë.

Lufta kundër Kishës e besimit katolik në këtë kohë mund të ndahet në tri faza:

E para, fillon nga vjeti 1945 deri në 1950. Asht ajo e zhdukjes së klerit me burgime e pushkatime, mbas torturave fort çnjerëzore, të zhdukjes së vlerave shpirtnore e kulturore katolike në mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, drejtue prej Enver Hoxhës, mbështetë në politiken sllave direkt në Shqipni, drejtue prej Titos.

E dyta fazë, nisë nga vjeti 1951 deri në 1960 e asht ajo, që na po e quajmë një lloj pakësimi të ashpërsimit të luftës kundër fesë, mbas prishjes së marrëdhanieve me Jugosllavinë.

E treta, mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik 1960, por tue mbajtë vijën staliniane, ajo e periudhës kineze, kur do të ngjajnë presione kineze, mbyllja e kishave dhe e të gjitha institucioneve fetare në Shqipni, me revolucionin kultural, deri në 1990, - vlerëson ish drejtori i revistës popullore kulturore fetare shkodrane “Kumbona e së Dielës”, imzot Zef Simoni (1928-2009), Ipeshkëv Ndihmës në Arqipeshkvinë Metropolitane Shkodër, Albania, në librin: “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni, nga 1944-1990”.

Është shumë e vështirë në Shqipëri të gjesh dokumente historike të kohës së diktaturës komuniste dhe në veçanti të klerit katolik, ku ato të mos jenë shkatërruar, manipuluar apo deformuar me paramendim nga origjinali i kohës kur ato janë kthyer në dokumente me ose pa vlerë historike.

Kjo për faktin, se regjimi komunist ka vepruar në mënyrë sistematike, për t’i manipuluar ato, duke futur dorë dhe rishkruar sipas dëshirës së tyre. Ajo që është interesante është se pjesa më e madhe e shkrimeve apo dëshmive janë dekonspiruar qysh në fillim, duke ia dhënë ato medias e cila si vegël qorre apo ndihmëse e regjimit të egër komunist i ka publikuar gënjeshtrat, me paramendimin se mund të poshtëroj figurat kryesore kundërkomuniste dhe klerin katolik. Të tilla janë shkrimet e turpit të botuara për shumë vite nga gazetat qendrore dhe lokale, si: Zë(h)ri i Popullit, Bashkimi, Puna, Hosteni etj.

Sekretarët e partisë komuniste dhe gazetat e tyre kanë shkruar artikuj denigrues me shpifje dhe trillime nga viti 1948-1952 në pothuajse çdo numër për të dy prelaët e pamposhtur kundërkomunist imzot Frano Gjinin dhe imzot dr. Zef Oroshin.

Ky fakt, tregon se klerikët tanë ndër shekuj kanë qenë të vendosur dhe në një mendje për besnikërinë e treguar gjithnjë ndaj Krishtit, si misionarë të vendosur të Tij, në çdo kohë dhe situatë, që u krijohet nga rrethanat dhe koha; besnik të palëkundur ndaj Selisë së Shenjtë në Vatikan dhe Atit të Shenjtë papës së Romës. Ato të bashkuar, po me ketë dashuri kanë dashur me gjithë zemër Atdheun e tyre të shtrenjtë, Shqipërinë dhe popullin e përvuajtur dhe masakruar shqiptar.

Bilanci historik është fatal për klerin katolik, por është edhe krenar njëkohsisht për kishën, klerin dhe popullin shqiptar, sepse sot kemi shumë shenjtë të kishës universale në botë. Kështu del se të gjithë klerikët katolikë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste kanë kryer së bashku 881 vjet burg ose afro 9 shekuj, ndërkohë që të gjithë klerikët kishin kryer së bashku 450 vjet studime në 24 universitete të Evropës.

Nga të gjithë ata që diktatura gjeti gjallë, rezulton se: janë pushkatuar mizorisht 29 klerikë (13%); janë mbytur ndër tortura 29 klerikë (13%); janë burgosur dhe internuar 93 klerikë (41%); kanë kaluar ndër kriza mendore deri në çmendi 6 klerikë (3%); janë detyruar të arratisën ose s’jane lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë (15%); janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë (8%) dhe kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetur 15 klerikë (7%).

Kur komunizmi erdhi në Shqipëri përdori me efikasitet teknikat dhe praktikën e dhunës totalitare nga ish Bashkimi Sovjetik, si model origjinal të revolucionit socialist të tetorit të vitit të zi 1917.

Sikurse shihet edhe në librin arkivor, hartuar me shumë kujdes nga bashkautorët Tomë Mrijaj dhe Leonora Laçi: “Martiri i kishës katolike Abati i Mirditës imzot Frano Gjini” (Në 132-vjetorin e lindjes, 70-vjetorin e pushkatimit dhe 2-vjetorin e shenjtërimit), del se vetë Hoxha ishte i bindur se feja i kishte rrënjë të thella, siç dëshmon një letër e shkruar vetë prej tij në vitin 1967, në të cilën i instrukton sekretarët e parë në rrethe të jenë të kujdesshëm, por edhe të pamëshirshëm, sepse feja ka ndikim të madh në popull.

Ndër punët e para që bëri Qeveria komuniste me në krye kryeministrin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PKSH, Enver Hoxha ishte se krahas organizimit nga organet e Policisë Sekrete ideologjike komuniste, shpalli një vendim urgjent, për paralizimin e institucionit të klerit katolik.

Këshilli Ministerial (6 mars 1946), Vendim: Të mbyllen të gjitha institutet shkollore të çdo natyre dhe të çdo grade të mbajtur dhe të drejtuar prej klerit katolik; Të mbyllen të dy seminaret, ai françeskan e ai jezuit; Shpërndarjen e organizatave e shoqërive të ndryshme, si dhe ndalimin e çdo veprimtarie të tyre; Rekuizimin e gjithë pronës së këtyre organizatave, instituteve dhe shoqërive qoftë të luajtshme ose të paluajtshme; Konfiskimin e gjithë pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të Urdhërit jezuit; Gjithë kjo pronë konsiderohet pronë shteti dhe marrja në dorëzim të bëhet menjëherë; Gjeneral Enver Hoxha (firma)

Në shkurt të vitit 1967, feja u ndalua zyrtarisht dhe Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm ateist i botës.

Fjalimi i mbajtur në Minierën e Memalias më 6 shkurt i 1967 nga diktatori E. Hoxha mbi fenë solli ateizmin zyrtar në Shqipëri. Me dekret Nr. 4337, më 19 nëndor 1967: “Mbi abrogimin e disa dekreteve”, u shfuqizuan dekretet e viteve 1949-1951, që legalizonin kartat e komuniteteve fetare.

U ndaluan të gjitha ritet fetare e u vendos penalizime për shkelësit. Në vitin 1967, objektet fetare u shndërruen në teatro, palestra, punishte, vatra “kulture” dhe deri banjo publike.

Ndëshkimet e para të klerikëve fillojnë në vitin 1944, kur Hoxha ende nuk e kishte marrë pushtetin plotësisht. Ndëshkimi i diktatorit posaçërisht ndaj klerikëve katolikë i kapërcen caqet e përfytyrimit. Shumë u arrestuan dhe u ekzekutuan. I pari ndër ta dom Lazër Shantoja në kohë e sipër që komunistët qenë duke ardhur në fuqi. Ekzekutimi i Shantojës u bë me urdhër të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, siç dëshmon ky kabllogram i nënshkruar prej tij:“Korpusit 3, Gjykatës Ushtarake Shkodër.Gjegje shkresës numër 5 datë 10 fruer 1945. Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Don Lazër Shantojës dhe Sulçe Beg Bushatit. Stop. Na lajmëroni datën e ekzekutimit.Enver Hoxha”. (Blendi Fevziu, Marrë nga libri “Enver Hoxha”)

Kundërklerikalizmi dhe kundërkatolicizimi i regjimit të diktatorit Enver Hoxhës (nip hoxhe), ishin fryt ose rezultat i përplasjes së rrymave ideologjike dhe traditave të ndryshme.

Nga ana e tjetër, si lëvizje elitash intelektuale, komunizmi i varfër në elitë intelektuale në Shqipëri kishte frikë vetëm rivalitetin dhe konkurencën e fortë të unitetit dhe stoicizmin e kishës dhe katolicizmit shqiptar, mbasi lëvizje të tjera të mendimit elitar nuk kishte asokohe në vedin tonë.

Nga historia e shekujve të kaluar mësojmë, se katolicizmi si vlerë dhe kulturë e trashëguar brez mbas brezi brenda Atdheut tonë, kishte një traditë pozitive me prova dhe rezultate shumë të mira. Kisha dhe kleri katolik, për shekuj me radhë ishte dhe mbeti institucioni qëllimmirë më i organizuari dhe mbante të pashkëputura gjithnjë lidhjet e forta shpirtërore, kulturore më të rregullta me civilizimin dhe Perëndimin.

Kleri katolik kontributin e vet do t’a vazhdoj edhe në shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë, ku politika milosheviqiane kishte shuar autonominë e vendit (më 1989), të shoqëruar me persekutime ndaj shqiptarëve. Kjo dhunë mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, mu aty ku kishte filluar kriza e Jugosllavisë.

Nga gjithë ajo që u tha më sipër, më plotë gojën mund të thuhet se askush nuk e ka ruajtur autoktoninë tonë ilire-arbërore-shqiptare më shumë se sa kleri ynë dhe krishterimi.

Dhe së këtejmi, nga ky krishterim i lashtë e martir dolën edhe dy përfaqësuesit më të mëdhenj të shekullit XX: Patriku ekumenik gjithëortodoks, Atenagora I dhe shën Nëna Tereze.

“Kleri ynë… është duke i vazhduar me sukses arritjet mijëvjeçare të klerit katolikë në këto treva duke ndërtuar edhe Katedralen në Prishtinë kushtuar të Shenjtës Nëna Terëzë, Katedrale kjo që dita ditës është duke e rikthyer Kosovën në Europë, pjesë e së cilës ka qenë gjatë gjithë historisë së saj.” (Dr. Jahja Drançolli, Kontributi i Klerit Katolik Shqiptar për “Fe e Atdhe” (Ligjëratë e mbajtur në Tribunën Shkencore Ditët e Shën Nënë Tereza, në Zagreb, 17 nëntor 2017).

Pas ripushtimit fatkeq të vendit, gjatë viteve 1944-1990 nga shqipfolësit fanatiku Hoxha dhe klika e tij kundërshqiptare edhe pse përdori sistematikisht hurin dhe litarin, nuk arriti të vendoste nën kontroll kishën katolike, meqenëse krerët e saj refuzuan të shkëputnin lidhjet me papën, Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Komunizmi dhe arrestimi i abat Gjinit, trajton në gjerësi dosjen e plotë të gjyqit të mons. Frano Gjinit, letrat, që ai më pas i dërgon Gjyqit të Lartë Ushtarak në Shkodër në vitin 1948 apo letra që familjarët e tij i dërgojnë po kësaj Gjykate për faljen e tij, janë element që tregojnë se komunizmi ishte kthyer në një juntë ushtarake, që po hante shqiptarët për së gjalli. Gjyqet ndaj klerit katolik drejtohen dhe kontrollohen deri në fazën e ekzekutimit të tyre me radiograme direkte nga gjeneral Enver Hoxha.

Abat Gjini dhe mons. dr. Zef Oroshi, janë dy figura të mëdha të Mirditës, të cilët këto vitet e fundit falë studiuesve po ndriçohen mbi bazën e dokumenteve historike. Këto prelatë të kishës katolike shqiptare në vendlindje dhe diasporë, për fat të mirë po zbardhen shumë mirë në librin në fjalë, që tashmë kemi në dorë, të shkruar me gjuhën e fakteve dhe dokumenteve të reja nga bashkautorët Mrijaj – Laçi.

Në ditët kur regjimi komunist po konsolidonte diktaturën e vet ushtarake, në abacinë e Mirditës, sikurse shkruan studiuesi Tomë Mrijaj, një ndër miqët më të ngushtë të mons. Oroshit, zhvillohet një takim shumë i rëndësishëm në Abaci, në mes abatit të Mirditës mons. Frano Gjinit, mons. dr. Zef Oroshit dhe Kapidanit të Mirditës Llesh Gjonmarku që kishte ardhur nga forcat e rezistencës kundërkomuniste të maleve të Mirditës…

Ai iu drejtua abat Gjinit duke i thënë: “Abat, unë kam ardh me ju thanë se situata këtu me këto bisha të egra komuniste, që nuk njohin as fe as atdhe, nuk asht e mirë dhe po druj se mos po ju ndodh ndonji e papritun. Na me nacionalistët anti komunist të maleve, kemi mundsi që t’ju largojm shendosh e mirë jasht, deri sa t’a çlirojm vendin nga komunistët, na prap ju kthejmë në Abaci. Abat Gjini nuk iu përgjigj pyetjes së Kapidanit, por vetëm si shej falenderimi i buzëqeshi lehtë… Dhe Abati, me një qetësi karakteristike mu drejtue me këto fjalë: “Dom Zef, për Kapidanin edhe vdekja asht fitore. Ky ka vendos të luftoj deri në frymën e fundit. Zoti ju ndihmoftë këtyne trimave të lirisë, që po sakrifikojnë rininë e tyre. Unë prap i drejtohem Abat Gjinit, se Kapidan LLesh Gjonmarku e pat mirë që ju tha të largoheni nga Shqipnia, se komunizmi ka vendos me na vra të tanve. Por Abati i ynë, tha se nuk mendoj të largohem nga Shqipnia dhe që as më takon mue në ketë moshë si zot shtëpie të la Mirditën dhe grigjën vetëm në keto ditë të vështira për të gjithë ne… Ju duhet të largoheni dom Zef, se komunizmi e ka marrë të gjith vendin dhe po ban krime të përbindshme mbi popullin shqiptar dhe klerin katolik. Zoti i madh e din se sa ka me zgjat kjo mortaj komuniste në trojet tona. Ju duhet të largoheni për t’i dëshmue botës krimet, që janë ba në tokën tonë martire. Detyra e juaj asht që nji ditë të riktheheni në trojet e Arbërit, në Mirditën legjendare, ma të përgatitun, që t’i ndërtoni nga themelet rrënojat, që po ban çdo ditë komunizmi i zi. Ju duhet me ba presion politik në vendet dhe qeveritë perendimore, ku ju do të jetoni që të rrëzohet komunizmi tek ne. Tregoni botës se shqiptarët nuk e duan këtë regjim gjakpirës bolshevik rus…”

Dhe mons. dr Zef Oroshi e plotësoi amanetin e lënë nga Abat mons. Frano Gjini, shumë dekada më parë në Mirditë, duke ndërtuar kishën e parë katolike shqiptare në SHBA, kishë e cila edhe sot mbas disa dekadave është shtëpia e ngrohtë e madhe atdhetare dhe fetare për të gjithë shqiptaro amerikanët. Ai, me fuqinë e Zotit, arriti të bëj realitet qëllimin fisnik të misionit të tij…

Mons. Oroshi, tha meshën e parë në natën e Krishtlindjes në vitin 1969, pranë Qendrës Katolike Shqiptaro Amerikane Zoja e Këshillit të Mirë, sot Zoja e Shkodrës, në Hartsdale New York, në prani të mijëra besimtarëve, pa dallim feje dhe krahine nga të gjithë trojet etnike shqiptare. Inagurimi zyrtar i Qendrës në fjalë u bë më 12 prill të vitit 1970. Kjo ngjarje e madhe historike (e përcjell me një shkrim special edhe nga gazeta e famshme amerikane The New York Times), shënon fillimin e historisë së jetës së famullisë të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA.

Katolicizmi, në mënyrë të hapur u godit qysh në vitin 1944 barbarisht dhe pamëshirë si fe përparimtare dhe kulturë e mirëfilltë perëndimore, si parim dhe konkurrencë e fortë e atyre elitave, që regjimi komunist i shihte si kërcënim ndaj hegjemonisë mbisunduese, të cilën si kopje bolshevike dhe më vonë kineze kishte përpiluar të vendoste në vendin tonë.

Tek terrori kundërkatolik i viteve 1945-1948 komunistët e hoxhës së Gjirokastrës u frymëzuan nga praktika e çmendur e luftës klerikale në Jugosllavi asokohe, të cilët në mënyrë të ngjashme po asgjësonin hapur elitat katolike kroate pro italiane etj.

Kësisoj agresiviteti që u tregua ndaj kishës katolike, besimtarëve të devotshëm të saj dhe institucioneve të bashkëlidhura me të duhen parë si rrjedhoj e ateizmit fanatik të komunistëve.

Pas shumë vite pune të pandërprerë kërkimore shkencore, nga e gjithë kjo e dhënë rrënqethëse, Vatikani, duke u bazuar nga faktet dhe dokumentet e shumta historike përzgjodhi mes tyre 38 klerikë, duke i shpallur martirë (më vonë shenjtër të kishës katolike), ku prej të cilëve 28 prej tyre nuk kanë fare varr. Nga këto klerikë të shpallur martirë të kishës katolike dhe më pas të shenjtë, një është gjerman, një polak dhe një italian.

Dëshmitë më rrënqethëse mund ti mësosh shumë duke lexuar me shumë kujdes librin faktografik të bashkautorëve Mrijaj – Laçi, përkushtuar me shumë respekt dhe dashuri abatit të mirditës Frano Gjini. Ato janë në sinkronikë me dëshmitë dokumentare, shënimet historike dhe dorëshkrimet e botuara nga disa klerikë të mbijetuar të sistemit komunist.

Kështu meshtari dom Lazer Shantoja, pasi hetuesi i preu këmbët me sopatë, e pushkatuan dhe e hodhën në një gropë pa emër; atë Serafin Koda, vdiq pasi hetuesi i futi thonjtë në fyt në kuptimin e vërtetë të fjalës; Maria Tuci, pasi refuzoi të bëhej e dashura e kryetarit të degës së Brendshme të Shkodrës, u torturua duke e futur në një thes të mbyllur bashkë me një mace dhe e qëllonin me shkop; papa Josif Papamihali, u torturua dhe u mbyt në baltën e kënetës së Maliqit; imzot Jul Bonati, u mbyll pa qenë i sëmurë në çmendinë e Durrësit dhe vdiq teksa mjekët bën me të eksperimente si një kavie; dom Aleksandër Sirdani, pasi u tërhoq zvarrë i lidhur pas një kali, u mbyt në një gropëfekalesh.

Dom Lazër Shantoja u pushkatua në prani të nënës së tij plakë, siç dëshmojnë disa prej pjesëtarëve të togës së pushkatimit, të dënuar edhe ata më vonë.

Aq shumë ishte torturuar trupi i tij, saqë e ëma, kur e pa në atë gjendje i kërkoi Mehmet Shehut që drejtonte hetimin e tij“E paguej unë plumbin që ta pushkatoni tem bir. Nuk mund të shifet prej askuj në atë gjendje”.Sipas dëshmive, ajo që e qëlloi ishte një femër.

Edhe pse Dom Lazër Shantoja kish qenë i afërt me italianët, historia nuk mbaron këtu. At Bernardin Palaj vdiq në burg nga tetanozi që kish marrë prej telit me gjemba me të cilin i mbanin duart të lidhura ditë e natë.

Nga shqyrtimi i dokumenteve ajo që të bën përshtypje është qëndresa e pabesueshme e këtyre shërbëtorëve të Zotit.

Historia e Dom Shtjefen Kurtit preku rëndë Ronald Reganin. Me t’u bërë President i ShBA, ai iu referua së paku në dy raste asaj, si njërës prej historive më të trishta që kishte dëgjuar në jetë.” - (Blendi Fevziu, Marrë nga libri “Enver Hoxha”)

E megjithatë të gjithë klerikët katolik shprehën besnikërinë e palëkundur ndaj Jezu Krishtit, papës, Selisë së Shenjtë, në të cilin besonin si atë Gjon Shllaku O.F.M., etj., që përpara se ta pushkatonin tha: “Rrrnoft Krishti Mbret! I falim armiqt tanë! Rrnoft Shqipnia edhe pa ne!”

Poeti i ëmbëlsisë dom Ndre Zadeja, do të paralejmëronte rrezikun e komunizmit të zi, duke porositur që të kenë kujdes rinia e famullisë dhe popullit të tij, ku ai shërbeu për shumë vite deri sa arrestohet: Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Një re e zezë me një ideologji të kuqe po vjen mbi kokat tuaja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni çfarë t’i bëni, veçse me mbajtë mbi shpinë dhe me duru të këqiat e tij. (Klajd Kapinova, në librin: “Mes Kryqit e Atdheut”, Shkodër, 2002)

Kleri katolik shqiptar, të gjithë e dimë, ishte i pari e i vetmi në Shqipëri, që i dha dinjitet gjuhës së shkruar shqipe. Buzuku, Bardhi, Bogdani, Kazazi e të tjerë, janë dëshmuesit e pamohueshëm të kësaj veprimtarie kulturore-letrare, që zgjati plot dy shekuj.

”Kleri tjetër rregulltar paten lane vendin mbas të himit turqvet ndersa françeskanët ndejen. Gjatë katër shekujve bartën me popullsin e vet besnik peshën e rande të salvimeve gati të pashkëputuna.” Dr. Gr. Uhlhorn, ”Prej historis kishtare në Shqypni”, Revista ”Hylli i Dritës”, 1940, 12. f.566

Por dimë edhe se me Kazazin kjo veprimtari ndërpritet. I dërmuar nga persekutimi, kleri shqiptar vijon të japë më shumë prova martirizimi, sesa shkrimi. Po fara e hedhur nuk humbet e flakëza e ndezur nuk shuhet.

”…duke qenë lidhur me lëvizjen e rezistencës popullore të kohës, veprimtaria e autorëve katolikë të Shqipërisë së Veriut vuri bazat e letërsisë dhe të gjuhës letrare shqipe, duke bërë një hap të rëndësishëm përpara me përdorimin e gjuhës popullore – shqipen.” - Prof. Aleks Buda, në librin: ”Shqiptarët dhe Trojet e tyre”, f.20, Botim i Akademisë Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1982.

Pse ne jemi krenarë sot për vlerat e trashëguara të krishtërimit tonë!? Përgjigja vjen e natyrshme dhe përgjigjen e jep vetë nëna histori.

Merita e madhe e krishtërimit ndër shqiptarë, është ndër të tjera tek ndihma e madhe që ka dhënë në lëmin e gjuhës shqipe, historisë, kulturës, artit, etj., zhvillimin e muzikës dhe tjera.

Shqiptarët katolikë mbetën pararoja e hyrjes shqiptare në Evropë…”, vlerëson Prof. Sami Repishti, ish i burgosuri politik (1946-1956) në Shqipëri dhe aktivist për të Drejtat e Njeriut në New York. (Prof. Sami Repishti, “Krishtërimi – pararojë e hyrjes shqiptare në Evropë”, Revista Jeta Katolike, New York)

Sëfundi, klerikët shqiptarë, si apostuj të vërtetë të fesë së Krishtit e të jetës së popullit, lindën, u formuan, jetuan e punuan në vende e institucione të ndryshme, me ideale e qëllime të shumta, prapseprapë mbetën bijtë e popullit dhe tokës arbërore.

Klajd Kapinova, New York, 2018



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora