E marte, 19.03.2024, 06:28 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Franko Barezi, legjenda e Milanit

E diele, 21.09.2008, 06:46 PM


Erdhi te kuqezinjtë kur ishte vetëm 14 vjeç dhe për 20 sezone rresht Franko Barezi udhëhoqi mbrojtjen e Milanit, duke u kthyer në ankthin e sulmuesve më të mirë të botës dhe legjendën e kësaj skuadre

E kemi parë të vrapojë e të djersitet lart e poshtë nëpër fushë, të palodhur dhe të pakalueshëm në qendër të mbrojtjes. E kemi parë të qajë për një kupë bote të humbur, por e kemi parë të ngrejë lart kupa dhe trofe. Por, pavarësisht kësaj, e pamë të gjithë që nga fillimi deri në fund të karrierës së tij, dhe mbeti i njëjtë me djaloshin e urtë e të përkushtuar 14-vjeçar, në kohën kur shkeli për herë të parë në Milanelo. Në kohën kur "flamujt" kishin akoma një kuptim, Franko Barezi ka përfaqësuar më shumë se kushdo tjetër simbolin e një skuadre, njeriun që pati vetëm një fanellë në karrierën e tij. E të mendosh se Interi nuk e kishte pranuar, duke preferuar të vëllanë në vend të tij. Ishin vitet kur Barezi po përpiqej të niste një karrierë si futbollist. Por, vogëlushi Franko do të tentonte sërish, kësaj here me Milanin, skuadrën që kishte më shumë për zemër. Hyri në familjen e madhe kuqezi në moshën 14-vjeçare, për të mos dalë më prej aty. Debutoi në Serinë A në moshën 17 vjeç, duke u bërë titullar në vend të Ramon Turone-s, ku përkrah tij qëndronte edhe i madhi

Xhani Rivera, pranë tërheqjes. Pikërisht në atë kohë Barezi arriti të fitonte kampionatin e parë, që do të kishte një kuptim të veçantë për të, por që nuk do të ishte i vetmi. Pas tij do të vinin edhe 5 të tjerë, përveçse tre kupa kampionësh, dy kupa interkontinentale, tre superkupa evropiane dhe katër superkupa italiane. Të gjithë trofe të fituar me fashën e kapitenit në krah. Një dashuri e pafundme, e padiskutuar asnjëherë. Edhe në momentet kur skuadra zbriti në Serinë B, Frako qëndroi në vendin e tij, në mes të mbrojtjes, duke dhënë kështu shembullin e një lidhjeje të ngushtë me skuadrën, pavarësisht ofertave për t‘u larguar. Për këtë, tifozët e adhuronin, duke e konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë që kishte veshur fanellën kuqezi përgjatë historisë së këtij klubi. I respektuar dhe sigurisht tmerri i kundërshtarëve, Barezi ka qenë një nga mbrojtësit më të mirë të të gjitha kohërave. I mungoi "Topi i Artë" dhe Botërori që do të kishin "ëmbëlsuar" më shumë karrierën e tij të lavdishme. Basti për të qenë pjesë e Botërorit dhe për të luajtur në finale me Brazilin pas dëmtimit ishte një tjetër provë e fituar në jetë, ndërsa lotët për penalltinë e humbur, një skenë mallëngjyese për të gjithë. Por, tashmë ata lot të mallkuar nuk i kujton askush dhe Franko do të qëndrojë gjithmonë në zemrat e tifozëve si kapiteni me numër gjashtë, që tashmë është pjesë e legjendës e që askush tjetër nuk mund ta mbajë mbi shpinë atë fanellë.

Aktualisht, vetëm Paolo Maldini ka arritur të thyejë rekordin e tij me plot 720 ndeshje me klubin kuqezi dhe 81 me Kombëtaren. Por, pavarësisht kësaj, Milani nuk ka njohur më në historinë e tij një tjetër numër 6, aq të dashur nga të gjithë. Plot 11 vjet pas largimit, Franko Barezi është akoma në zemrën e tifozëve milanistë, njëlloj si atëherë kur zbriste në fushë bashkë me Van Bastenin dhe Rajkardin. Barezi, një nga mbrojtësit më të mirë të historisë së futbollit, është ndër të paktët lojtarë që karrierën e tij futbollistike ia ka dedikuar një skuadre të vetme. Ai udhëhoqi mbrojtjen e Milanit për plot 20 sezone, si në momentet më të lavdishme, kur kuqezinjtë fitonin Kupat e Evropës, ashtu edhe në momentet më të vështira dhe pikërisht në vitet 1980, kur Milani luajti për dy vjet në Serinë B. Franko Barezi erdhi në Milanelo kur ishte vetëm 14 vjeç, në gusht të vitit 1974, me një rrogë 20 mijë lireta. Me "Djallin" u rrit, përjetoi gëzime dhe hidhërime, fitoi dhe humbi. Një jetë e lidhur përjetësisht me këtë skuadër, të cilës i dha dhe nga e cila mori shumë. Që atëherë do të bëhej mbrojtësi i pakalueshëm, tmerri i shumë sulmuesve të botës. Ishte vetëm 22 vjeç kur u bë edhe kapiten i kësaj skuadre dhe deri në fund kur u largua mbeti kapiten i saj. Tani ka më shumë se dhjetë vjet që kur "Kaiser Franz", ashtu siç e thërrisnin kur luante te Milani, nuk mund të shkëputet nga Milani. Me këtë skuadër ka lidhur jetën. Edhe pse stërviti për shumë vite të rinjtë e Milanit me shpresën për të gjetur një tjetër kampion që mund të ecte në gjurmët e tij, nuk arriti dot, sepse për Milanin Barezi është vetëm një.

Nga fusha në skrivani

Prej pak kohësh ish-mbrojtësi kuqezi do të jetë pjesë e drejtuesve të marketingut në shoqërinë e rrugës "Turati". Në jetën e tij si futbollist, ashtu edhe si trajner, sfidat e mëdha nuk e kanë trembur kurrë. Për këtë arsye, edhe pse në moshën 48 vjeç, Franko Barezi i ka dhënë një kthesë të rëndësishme jetës së tij. Pasi stërviti për disa vjet sektorin e të rinjve kuqezi, Barezi tashmë ka një detyrë të re te Milani. Mbrojtësi i padepërtueshëm do të jetë pjesë e një grupi profesionistësh, mes të cilëve edhe Daniele Masaro, një tjetër legjendë e Milanit. Me siguri që Barezi do të jetë "përfaqësuesi" më i mirë i kuqezinjve nëpër botë, duke shfrytëzuar të qenit një simbol historik në shoqëri, që jo rastësisht ka mbajtur fanellën e tij pas largimit nga futbolli. E duke parë të kaluarën e tij, ka shumë mundësi që edhe në këtë aventurë të re Barezi të shënojë të tjera suksese.

Milani

Te kjo skuadër ka mbërritur që adoleshent dhe aty dëshiron të vazhdojë të "jetojë". "E kam në zemër, nuk dua të largohem nga Milani", tregon ai. Por, fatkeqësisht, këto kohë Milani i tij nuk po shkëlqen: dy humbje radhazi në dy ndeshjet e para të kampionatit dhe një fitore pa shkëlqim në Kupën UEFA me një skuadër amatore. Për Barezin, sivjet është e vështirë të mendojë një Ligë Kampionesh pa skuadrën e tij të zemrës. Megjithatë, realiteti është ky. Pas një vendi të pestë në kampionatin e vitit të shkuar, kuqezinjtë do t‘i mungojnë kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh në Evropë, për herë të parë që nga sezoni 2001/2002, por synojnë të fitojnë si Kampionatin Italian, ashtu edhe Kupën UEFA, të vetmen që u mungon në koleksionin e tyre gjigand. Barezi, tashmë 48 vjeç, e ka kaluar gjithë karrierën e tij futbollistike me Milanin dhe në 720 prezenca ka arritur të fitojë tre kupa kampionesh, gjashtë kampionate dhe shumë trofe të tjera, duke ia kaluar stafetën Paolo Maldinit, që pas tërheqjes në vitin 1997. Ish-mbrojtësi është i sigurt se rezultatet e sezonit të kaluar janë thjesht një përjashtim dhe tregon se blerjet e reja të skuadrës, Ronaldinjo, Zambrota, Senderos, Flamini dhe Andrij Shevçenko do t‘i rikthejnë skuadrës shkëlqimin.

Blerje të rëndësishme

"Milani me siguri që do të zhvillojë një sezon të mrekullueshëm, shpjegon Barezi në një intervistë dhënë për uefa.com. Është një mëkat të mungosh në Ligën e Kampioneve pas shumë viteve, por kemi para Kupën UEFA dhe mendoj që Milani do të bëjë më të mirën për të fituar këtë kompeticion. Klubi kuqezi është sjellë shumë mirë dhe në merkato ka blerë lojtarë të rëndësishëm. Do të na mungojë Liga e Kampioneve, por kjo nuk do të thotë se nuk do të fitojmë UEFA-n".

"Ndjenja e përkatësisë"

Përveç një periudhe të shkurtër si drejtor sportiv i skuadrës angleze të Fullhamit, Barezi nuk është larguar asnjëherë nga Milani, qoftë si futbollist, qoftë si trajner dhe për këtë është shumë krenar. "Mendoj se në një klub të madh është shumë e rëndësishme të kesh një lidhje të ngushtë, pasion dhe ndenjën e përkatësisë. Nëse këto të treja ekzistojnë, lidhja mes lojtarëve bëhet shumë e fortë. Në fushë është i nevojshëm bashkëpunimi, sepse vetëm kështu rezultatet herët ose vonë do të vijnë. Milani gjithmonë ka pasur lojtarë të mëdhenj, që kanë luajtur aty për shumë vite, e të cilëve u ka dhënë një mbështetje të veçantë. Qëndrueshmëria është e rëndësishme dhe vetëm kështu një lojtar mund të japë maksimumin".

Talentet e rinj

Meqë ka punuar për shumë vite si trajner i të rinjve, ish-mbrojtësi beson tmerrësisht në forcën e të rinjve. "Në vitet e ardhshme, të rinjtë do të kenë një rëndësi shumë të madhe me rregullat e reja të UEFA-s. Milani ka qenë gjithmonë shumë i kujdesshëm dhe ka investuar shumë në këtë fushë. Shumë futbollistë që kanë dalë nga skuadrat e të rinjve tani luajnë në Serinë A, madje edhe me Kombëtaren".

Skuadrat italiane në Evropë

Edhe pse këtë vit të rinjtë e Milanit nuk do të kenë mundësi të luajnë në Ligën e Kampioneve, ish-kampioni legjendar mendon se Interi, Roma, Juventusi dhe Fiorentina mund t‘i japin shkëlqim futbollit italian pas zhgënjimeve të sezonit të vjetshëm, ku vetëm Roma arriti deri në çerekfinale. "Vitin e kaluar nuk bëmë një paraqitje të mirë. Sot futbolli italian mbetet gjithmonë në nivele të larta. Kush dëshiron të fitojë, duhet të përballet me skuadrat italiane, skuadra të organizuara dhe të vështira për t‘u mundur. Në "Champions" Italia përfaqësohet denjësisht, sepse Interi kërkon të shkojë shumë larg, Roma është gjithmonë e rrezikshme dhe Juventusi është rikthyer sërish, i fortë si më parë. Futbolli italian dhe kombëtarja do të jenë kompetitive në këtë sezon, edhe pse konkurrenca me vende si Spanja dhe Anglia është e pamëshirshme".

Simboli

Në kohën kur "flamujt" kishin akoma një kuptim, Franko Barezi ka përfaqësuar më shumë se kushdo tjetër simbolin e një skuadre, njeriun që pati vetëm një fanellë në karrierën e tij. E të mendosh se Interi nuk e kishte pranuar, duke preferuar të vëllanë në vend të tij

Fillimet

Hyri në familjen e madhe kuqezi në moshën 14-vjeçare, për të mos dalë më prej aty. Debutoi në Serinë A në moshën 17 vjeç, duke u bërë titullar në vend të Ramon Turone-s, ku përkrah tij qëndronte edhe i madhi Xhani Rivera, pranë tërheqjes

Numri 6

Milani nuk ka njohur më në historinë e tij një tjetër numër 6, aq të dashur nga të gjithë. Plot 11 vjet pas largimit, Franko Barezi është akoma në zemrën e tifozëve milanistë, njëlloj si atëherë kur zbriste në fushë bashkë me Van Bastenin dhe Rajkardin

Kapiteni

Një jetë e lidhur përjetësisht me këtë skuadër, të cilës i dha dhe nga e cila mori shumë. Që atëherë do të bëhej mbrojtësi i pakalueshëm, tmerri i shumë sulmuesve të botës. Ishte vetëm 22 vjeç kur u bë edhe kapiten

Familja

Edhe pse jeta i ka dhënë shumë, i ka marrë edhe shumë gjëra të tjera. I mbetur jetim që në moshë të vogël, ëndrra e tij më e madhe ka qenë një familje gjigande. Por, fati nuk arriti t‘i buzëqeshte edhe nga kjo anë. Megjithatë, pavarësisht dëshirës për të pasur një fëmijë biologjik, ish-ylli i Milanit është babai i dy fëmijëve të adoptuar, një meksikan dhe një rus

Trofetë

Në 720 prezenca ka arritur të fitojë tre kupa kampionesh, gjashtë kampionate dhe shumë trofe të tjera, duke ia kaluar stafetën Paolo Maldinit, që pas tërheqjes në vitin 1997

Mungesa

Për Barezin, sivjet është e vështirë të mendojë një Ligë Kampionesh pa skuadrën e tij të zemrës. Megjithatë, realiteti është ky. Pas një vendi të pestë në kampionatin e vitit të shkuar, kuqezinjtë do t‘i mungojnë kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh në Evropë, për herë të parë që nga sezoni 2001/2002



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora