E premte, 26.04.2024, 01:14 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Fal tokë - merr viza!

E marte, 13.03.2018, 08:07 PM


KUSHT CINIK DHE NEVERITËS: FAL TOKË - MERR VIZA!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Një presion, sa i marrëzishëm, aq edhe i poshtër. Një kusht qesharak, alogjik, neveritës e cinik: fal tokë, për të pasur viza për Evropë! Por, toka nuk ka çmim. Çdo kushtetutë e botës e përjashton çfarëdo mundësie: për falje, shitje, tjetërsim të territorit tokësor, nga kushdo qoftë. Në Kosovë po krijohet precedent, paraprijës. Kryeministër dje, president sot, Hashim Thaçi, firmosi një marrëvshje, pa asnjë konsultim me institucionet e Kosovës. Firmën e hodhi edhe ministri i brendshëm, Skënder Hyseni, dihet, me pëlqimin e shefit të tij partiak, Isa Mustafës. Realisht, zoti Hyseni nuk përmbushte, as për së afërmi, kriteret për postin në fjalë. Ishte zgjedhje personale e Isës.

I treti i radhës, në këtë tradhti faktike, ështe Isa Mustafa, me deklarimin e tij të përsëritur se "Kosova nuk humbë asnjë milimitër tokë", sipas shënimit të vijës kufitare aktuale, bëri që Mali i Zi të tërhiqet nga mendimi fillestar se "kufiri mund të rishikohet". Rrjedhmisht, Isa Mustfa u bë palë në krimin e humbjes të mijëra hektarëve tokë. Edhe Kadri Veseli e Ramush Haradinaj po e vulosin këtë tradhti. Dosja e tyre e përbashkët është krimi i organizuar, ndaj shqiptarëve luftëbërës dhe vepritarëve për lirinë e Kosovës. Një kauzë të drejtë, për mbrojtjen e vijës kufitare klasike, Ramushi, për karrierizëm dhe interesa pesonale, që dihen, e ktheu në kauzë të rrejshme. Etja për pasuri e pushtet, e lakuriqëson atë moralisht dhe kombëtarisht.

Specialistët jo institucionalë janë unik, se Demarkimi i kufirit askund nuk është bërë dhe nuk bëhet në bazë të kadastrimit. Kosova shënon risinë e parë negative. Isa Mustafa, në takimin me rugovasit, i pyeti deri ku i kanë livadhet e tyre me kadastër?! "Ja, pra, tokat afër shtëpisë nuk po jua merr askush",- tha Isa, duke e bërë gafën e madhe akademike! Sepse, shumë fshatra kufitare, përfshi edhe Podgurin, e kanë kufirin disa kilometra larg. Por, tokat ndërmjet fshatrave kufitare dhe kufirit shtetëror, që, zakonisht, janë kullota, pyje dhe bjeshkë, janë pasuri e pronë e brezave shqiptarë.

Nënshkrimi zyrtar i një - Marrëveshje ndërkombëtare -, nuk mund të shfuqizohet, pa një motivim të fortë, arsyeshmëri të bazuar. Kosova e ka mundësinë e motivimit të zhbërjes të Marrëveshjes demarkuese të kufirit, për të filluar bisedimet dypalëshe nga e para, nga zero: - Arrestimi e hetimi i trinomit konspirativ: Hashim Thaçin, Skënder Hysenin, Isa Mustafën. Ky do të ishte mesazhi i duhur, për t`i bindur ndërkombëtarët dhe detyruar malazezët, për rishikimin e vijës kufitare, ndërmjet dy shteteve tona fqinjë. Çështja ëshë shumë serioze dhe dyshimi për konspiracion, me palën malazeze dhe të tretët, tashmë, është i faktuar.

Demarkimi i kufirit, përkatësisht, lëvizja e lirë, nuk ka asnjë lidhje për punësim dhe studim. Është një mashtrim i qëllimshëm, i trumbëtuar rrejshëm, nga pushtetarët batakçinj. Ilustroj me një shembull të freskët: Një muaj më parë, 4 (katër) të rinj shqiptarë nga Shkupi, me paratë e telefonave personal të shitur, arritën me autobus në Mynih, për të kërkuar punë në Gjermani. Bënte ftohtë, ngricë dhe djemtë kërkonin strehë. Djali ynë i takoi rastësisht në rrugë dhe i solli në banesë. I pyeta për planet që kanë. Njëri syrësh kishte një dajë në Düsseldorf, i punësuar në firmën e një shqiptari, i njohur për suksese dhe bëmirësi, në të gjithë Shqiptarinë. Dhe, shpresonin për ndihmë.

Megjithë vullnetin e mirë dhe përpjekjet e bëra, nuk arritën pajtushmëri me palën gjermane, sepse procedura për punësim, bëhet pa hyrë në shtetin e dëshiruar. Dhe, u kthyen sërishmi në Iliridën e tyre. Tre syrësh kishin provuar edhe një herë tjetër, pasuksesshëm, ndërsa i katërti, babai e kishte lënë 2 vjeçë, meqë ishte vrarë në betejën e Haraçinës, vinte për herë të parë. Dhe, raste të ngjashme, janë përditëshmëri, që ne i përjetojmë me keqardhje e dhembje vëllazërore.

Mundësia e punësimit bëhet me hulumtimin e tregut të punës, në Internet ose rekomandimin nga të njohurit, por, gjithnjë duke përcjellur kërkesën më dokumentacionin përkatës. E njëjta gjë vlen edhe për studime të të gjitha kategorive.

Lëvizjet hiç racionale, kot se koti, për të mos thënë abuzive, për kushtet e varfërisë së Kosovës, të të gjitha grup-moshave, me tepëri pleq e plaka, në drejtim të Evropës, nuk duhet të shërbejë për manipulime e pisllëqe, deri në këmbim të tokës me viza, sikur njerëzit e Kosovës të jenë "me bythë në prush!" Gjithëçka bëhet për ta kamufluar tradhtinë e ndonjërit, që don ta këmbejë tokën e Kosovës, me lirinë personale dhe të ndoca të tjerëve me postin e kryeministrit!

Është e pafalshme, madje, skajmërisht e turpshme, pse heshtë anëtarësia e LDK-së, duke parë klanin e Isa Mustafës, në ethet për ratifikimin e Demarkacionit. Fundja, nuk ka rëndësi aq sa po humbet tokë Kosova, sa ka rëndësi mungesa e parimit, për qasjen ndaj një problemi shumë serioz. Anashkalohet, me cinizëm, deri në rrugaçëri, mendimi i specialistëve të demarkimit, madje, aplikohet kriteri kadastral, si rast unik, deri me tani, për vijën kufitare Kosovë - Mali i Zi.

Është mospërfillje dhe provokative për anëtarësinë e LDK-së, kur klanistët vazhdojnë të instruktohen nga Isa Mustafa, përgjegjës i dytë, pas Hashimit, për maskaradën e Demarkacionit. Uroj që Isa Mustafa të shërohet sa më parë, t`i kthehet familjes së tij. Por, LDK-ja, aq shumë e rrënuar me spastrime e linçime, përçarje dhe e poshtëruar nga ai, duhet të lirohet, madje, që tani, nga Isa Mustafa dhe klani i tij, uzurpatorë të pacipshëm të partisë zëmadhe, LDK-ja e Ibrahim Rugovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora