E shtune, 27.04.2024, 03:28 AM (GMT+1)

Kulturë

Lulzim Logu: Hasan Selimi - Shpirtit i betohem

E merkure, 18.01.2017, 08:54 PM


E KUJT ME MIRE SE SHPIRTIT MUND TI BETOHESH…?

- Rreth librit “Shpirtit i betohem” të Hasan Selimit, botoi “EMAL’ 2017-

Nga LULZIM LOGU

- motivet që turren të kcejnë prej fletëve, gjetjet e rralla poetike, ritmi marrëmëndës i fjalës në magjen e temave të shumëllojta dhe këndet kundruese të dritës së vetes dhe tjetrit në historitë prekëse të ditës, gjuha sa e thjeshtë, aq dhe e thellë në kombinimin e çuditshëm mes të folmes së përditshme dhe lutjes poetike, e bëjnë librin të mos shqitet shpejt prej dore, të mos hidhet diku mbi poltronë si një merzitje momente-

….!

Pas librit “Hije dheu”, që përveçse kërshëri ngjalli mjaft interes ndër lexues besnikë të poezisë dhe kishte shumë komente pozitive, shpejt ja mbrrini në libraritë tona libri i dytë me poezi i autorit Hasan Selimi me titullin sinjifikativ”Shpirtit i betohem”.

Në fakt krejt libri është psherëtimë, dridhje dhe kreni e një shpirti poetik që ka gjetur dritaren kah qielli i endërruem dhe befasisht shndrrohet në një qënie kumbuese si dhe në një pishtar të ndezur, i cili bën dritë ashti hullive nostalgjike të dashnive të shkuara dhe të sotme, mbështjellë herë pas here me një vello gati të padukshme mistike, e cila luan mrekullueshëm me këtë flakë të pashterrshme që aq çuditërisht të merr me vete në lojën e saj djallëzore…

Hasan Selimi nuk ndjek rregulla, bile ai shfaqet thyesi rebel i tyre, nuk i ndjen kufijtë e duhur dhe limitet poetike, nuk i mjaftojnë shpesh hapësirat klasike të kësaj gjinie, atë e paraprin etja e pangopur e ndjenjës dhe fuqia ngulfatëse e mendimit,i shqyen pamëshirë “gardhet” ideore, duke besuar pafundësisht në lutjen dhe magjinë shpirtërore të besimit te krijuesi, sidomos tek krijuesi i fjalës që vjen ashtu virgjin bash nga shpirti dhe nuk përthyhet artificialisht skemave dhe traktateve të vjetra.

Ka vonuar në sofrën e poezisë, ka hezituar të ngjitet në ringun e saj duke u kacafytur me veten, që ta profilizojë dhembjen dhe shpresën e vet, ta meritojë një copë vend sado modest dhe të vogël, me deshirën e vetme që të lërë sadopak gjurmë në kufirin e kohës:

…dua të lë gjurmë në kufirin e kohës

Me ulurimën e ujkut në larën e borës

Vendlindja, prindërit dhe historia janë trekëndëshi fatlum i poetit, bota e tij e patradhëtuar, trinia e çmuar dhe kredoja e jetës së tij, përzier deri në gjak.Kasaj, një fshat i vogël që shfaqet si ëndërr për çdo udhëtar që kalon Qafën e Morinës, me kodra të buta, me livadhe të vogla dhe me një liqen si një sy i gjelbër është Itaka e poetit, thembra e Akilit, fryma dominuese e ritmit poetik:

…merr ashtin tim në varrin e pashkulur

Ndeze si qiri në dorë

Mbaje lart për dritë

Të ngrohë me avullin tim

Avulli poetik i Selimit është besimi në Zot, respekti në kujtimin dhe sakrificën e prindërve, besa e patundur në tokën ku ka lindur dhe të cilën duhet ta ketë pronësinë e përjetshme shpirtërore, dërrasa e vekut ku u thurën shtrojet dhe ajo e varrit ku përcillet njeriu që ditur ka të jetojë veçse me nder.

Ky kod sa historik dhe poetik, sa i vjetër poaq dhe gjithherë i ri është kryefjala e poetit, tharmi erëmirë, tronditja e pandalshme e lavjerrësit të kohës, e cila shpeshherë na shpërfaqet si shkretinë. Në shkretinë krokatjet e zogjve të rrallë dhe zhurma e rrëzimit të gurëve perpiqen të thyejnë mungesën e njeriut dhe dominimin e egersirave.Në kohën shkretinë të Hasan Selimit, pazëvëndësueshëm ngrihet fjala  si zë dhe drita e ashtit, ashtit që digjet poreve të shpirtit:

,,,nuk gjen as një fije kohe a cep toke që shndrit

E zbehtë, e djegur, krejt në errësirë me diell

Unë kohën e ndritshme jam duke kerkuar

A gjendet më vonë, më vonë

Edhe pse në librat e parë, të duket se Hasan Selimi ka një dekadë në poezi, motivet që turren të kcejnë prej fletëve, gjetjet e rralla poetike, ritmi marrëmëndës i fjalës në magjen e temave të shumëllojta dhe këndet kundruese të dritës së vetes dhe tjetrit në historitë prekëse të ditës, gjuha sa e thjeshtë, aq dhe e thellë në kombinimin e çuditshëm mes të folmes së përditshme dhe lutjes poetike, e bëjnë librin të mos shqitet shpejt prej dore, të mos hidhet diku mbi poltronë si një merzitje momente.

Libri të bën ti rikthehesh prapë e prapë, të ngresh e të rrëzosh gjykime dhe opinione, të qash dhe të ndihesh i dashuruar dhe nostalgjik, të analizosh dhe të grindesh , të shpresosh dhe të kujtosh, të nemish dhe të duash rishtas diçka në dukje të harruar:

…lutem unë, lutu dhe ti

Që një ditë të jemi bashkë

Mos harro se tash është koha e perbetimlutjes

Me pasë të bardha ditë

Pastaj ti dhe unë

Do ta bëjmë Bukurinë

Hasan Selimi panda ka kerkuar metafora, të diellit, të hanës, të zanave dhe bjeshkëve, të vetes dhe të historisë dhe ja ka arritur të ndertojë një libër solid, një metaforë të gjallë në emër të kohës së tij, në emër të kohës tonë, i cili gjithësesi duhet ditur të lexohet dhe përjetohet. Ndonjë çast poezia e tij të duket se ka nevojë për një udhërrëfyes, për të mos humbur në misterin e perçatjeve, rrokjeve tronditëse të përjetimeve, çasteve të renda të kujtimeve që sikur duan ta zënë frymën, të ngjyrave të ndjenjave dhe të kerkimit që servir sidomos mbi veten si një klerik dhe psikolog i padiskutueshëm…

Ndjen sikur je duke lexuar në rikthim “Fijet e barit” te Nerudës për shkak të tonalitetit dhe thellësisë së fjalës dhe rrokjes së realitetit kompleks, sikurse te poezia”Njoftim deke” dhe “Diamanti, lodhja e nanës”. Ngjan me Agollin tek shkruan për kujtimin e të parëve dhe vendin e vet.

Ka diçka nga Skënder Buçpapaj në motivet dhe hapjen e vargut, troket si Anton Paplekaj në poezinë”Dashuria nuk mposhtet”, ta kujton në tradicionalitetin e tij të dukshëm poezinë paraprijëse të bardëve popullorë. Dikund ngjan si fëmija naiv në evokimin e mallit dhe emocionalitetin familjar. Një naivitet fisnik që përcjell një mesazh lehtësisht të përceptueshëm për të gjithë, të qënit gjithmonë njerëzor. Sepse koha gdhend vazhdimisht si një mjeshtër i papërtuar:

…si sot, si at’herë

Hija jote bëhej njeri

Mes ne të dyve

Ajo të mos bëhej

Deshmitar i lotit

Si çdo ngrehinë e re, edhe ky libër ka mungesa, ka vendosje të paplotë të motiveve dhe ideve, shpesh ka teprime në frymëmarrjen poetike, ndonjëherë ndihet nevoja e harmonizimit të vargjeve në kontekst të realizimit të poezisë, përdorimi i mjeteve si pika pa kriter ngadalësojnë ritmin e leximit. Por kurrësesi ta prekin qasjen interesante dhe origjinale të kësaj poezia e cila si emblemë kryesore ka të qënit e lirshme dhe e shkujdesur, por sublime në llojin e vet.

-Per ZemraShqiptare, nga TROPOJA, Janar 2017-



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora