E premte, 26.04.2024, 12:21 PM (GMT+1)

Mendime

: E keqja vjen nga jashtë dhe nga brenda

E hene, 26.09.2016, 06:40 PM


E keqja që vjen nga jashtë dhe nga brenda njeriut shqiptar

Nga Dukagjin HATA

Shoqëria shqiptare, megjithë progresin e paimagjinueshëm ekonomik e kulturolgjik të këtyre njëzet e pesë viteve të fundit të një demokarcie në lindje e sipër, mbart ende simptoma të një shoqërie në krizë e stanjacion, ku veprojnë e mpleksen shumë faktorë e rrethana nga më të larmet e ku kryefjala është të qenit e njeriut të kësaj shoqërie nën presionin e botës së krimit dhe keqbërjes. Sigurisht, ky nuk është një realitet “ekstra shqiptar”, por këtyu, në vendin e shqipeve, kushtet dhe rrethanat e gjithëfarshme e favorizojnë me një ritëm të çemdnur progresimin e të keqes, që vjen nga jashtë e  nga brenda kësaj shoqërie.

Karl Gustav Jung, psikoanalisti i madh pasardhës i Frojdit thoshte se tek njeriu ka dy vetvete, kundërtuese ndaj njëra tjetrës dhe që njëra e çon njeriun drejt vetëdijes qytetare, drejt lirisë dhe progresit, tjetra drejt agresivitetit. Në rastet kur e dyta bëhet agresive dhe sunduese njeriu bëhet skllav i instinkteve të tij dhe pjesë e keqbërjes.

Në Shqipëri duket se bota e krimit është nën këtë presion të “vetvetes agresive”, përderisa po mban peng qetësinë dhe rendin, megjithë luftën duhet thënë titanike të strukturave të policisë dhe të antikrimit.

Krimi ordiner, për motive të dobëta apo për motive hakmarrje vazhdon të punojë “me dorë të lirë”, duke mbajtur peng qetësinë dhe rendin qytetar në këtë vend. Grabitësit, ushtruesit e dhunës nëpër banka, kazino, autobusë, shtëpi, por edhe në rrugë, shpeshherë të pamaskuar dhe me armë në dorë, shumica djem të rinj, vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal kudo dhe kurdo. Tashmë duket sikur ata e kanë mposhtur frikën e policisë dhe ankthin e arrestimit, pasi veprojnë në mes të ditës me diell dhe në zonat më të populluara të qyteteve. Polica, edhe pse ka ndërmarrë një sërë masash, nuk mundet kurrsesi të parandalojë atë që rëndom quhet “krimi i rrugës”, i cili është konsideruar si ndër më brutalët dhe më të dhunshmit. Këta të rinj, duke kërkuar rrugën më të shkurtër për t’u pasuruar, kthehen në elementët më të rrezikshëm të botës kriminale, pasi mosha e tyre e re bën që me një armë në dorë ata të shndërrohen në “makina të vërteta vrasëse”.

Kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë, por dhe të moshave të tjera të ndryshme,  janë kthyer në makthin e vërtetë të policëve, pasi ata janë gjithnjë në përpjekje të vazhdueshme për të marrë stafetën e drejtimit nga personat më të rritur dhe, në këtë mënyrë, ata, gjithnjë e më shumë kryejnë grabitje, por ka raste që aktiviteti i tyre kalon përtej grabitjes së thjeshtë. Nuk janë të pakta rastet kur këta të rinj kryejnë dhe plagosje të bashkëmoshatarëve të tyre. Tashmë edhe në Shqipëri janë krijuar të ashtuquajturat “bandat e lagjeve”, anëtarë të të cilëve kryesisht janë të rinj të moshave 20-30  vjeç. Këto grupe zgjedhin territore të përshtatshme për të kryer aktivitetin e tyre kriminal, si shkolla, qendra tregtare ose zona ku ka përqendrim të madh biznesesh. Gjahu i preferuar i grabitësve adoleshentë janë kryesisht tregtarët, shitësit ambulantë, nxënësit e shkollave etj. Këta të rinj, që në shumicën e rasteve qëndrojnë në grup prej 3-4 vetash dhe ku secili ka nga një thikë (flutur) në xhep, vendosen pranë shkollave dhe sulmojnë nxënësit duke u grabitur atyre kryesisht telefonat celularë, por edhe paratë që mund të kenë në xhep. Një numër i madh rastesh të tilla denoncohen çdo ditë në komisariatet e vendit, por të pakta janë arrestimet, pasi këta të rinj, në shumicën e rasteve, pasi i kanë grabitur nxënësit, vazhdojnë t’i kërcënojnë ata që të mos tregojnë.

Përveç grabitjes me dhunë, ka raste kur nga këto grupe ushtrohet dhunë për shkak hakmarrje. Por nuk përjashtohen dhe aktet e dhunës nën efektin e alkolit dhe drogës, që po bëhen fenomene alarmante për këtë shtresë sociale të shoqërisë.

Krimi për motive hakmarrje, ku përzihen hakmarrjet primitive e për motive të dobëta me hakmarrjet sociale epolitike, po kthehen përsëri në rend të ditës, duke vazhduar të inicojnë ngjarje të rënda, të cilat shpesh nuk arrijnë as të parandalohen e as të zbulohen kur ndodhin.

Krimi dhe hakmarrja nuk lë jashtë “territorit të veprimit kriminal” as gratë e fëmijët, bile as të sëmurët rëndë, invaldidët dhe të pamundurit. Flitet shumë për shtresat e pambrojtura të shoqërisë në Shqipëri, bëhen projekte, harxhohen fonde disamilionëshe, bëjnë paradë programe, platforma e qasje politike e mediatike, por thelbi kambetur i njëjtë, i trishtë deri në mizori: jeta e të pamundurve, të invalidëve, të sëmurëve, të të pambrojturve nga ana sociale po bëhet gjithnjë e më e pamundur në këtë vend. Ulsi Tonuzi me origjinë nga Maqellara e Dibrës, banunes në Tiranë, ka rreth njëzet vjet që jeton me veshkën që ia dhuroj nëna, duke bërë çdo ditë dializë, nën stresin e mbijetesës dhe halle të tjera që i kanë rënë mbi shpinë. Në vitin e mbrapshtë 1997 plagoset rëndë nga gjaksi politik, nga pasardhësit e atyre që në kohën e komunizmit, duke qenë pjesë e aferave të pushtetit dikatorial, i patën ekzekutuar gjyshin pa gjyq. Para disa kohësh, kur ndodhi ngjarja e rëndë në repartin e dializës së Spitalit Amerikan, ku mbetën të shkrumbuar nga djegia katër persona, Ulsi ndodhej aty, duke u mjekuar dhe është gjendur nën presionin e atyre që e përndjekin për t’u hakmarrë, të cilët kanë përfituar nga rrethanat për t’i bërë keq, por ia ka dalë të mbijetojë vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, ndërkohë që keqbërësit kanë ikur në drejtim të paditur.

Dihet tashmë se një nga kodet më të keqpërdorura të traditës zakonore shqiptare është kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të "së drejtës", e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, - dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, - sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion " larje hesapesh".

Hakmarrja për motive të dobëta, për zënie e grindje të çastit, për motove pronëise apo dhe politike po kthehet në një motiv të trishtë në rrugët e vendit të shqiponjave. Nga ana tjetër janë grabitësit e rrugës, keqbërësit ordinerë që  veprojnë zakonisht në rrugët me shumë lëvizje ku dhe mundësitë për të “peshkuar” diçka janë më të mëdha. Këta grabitës piketojnë viktimën e tyre dhe gjejnë momentin më të përshtatshëm për ta sulmuar atë. Varëset e qafës, por edhe çantat e dorës janë gjahu i tyre. Pasi e ndjekin një farë kohe viktimën, ata e sulmojnë atë në pak sekonda dhe më pas zhduken në rrugët dhe rrugicat e qytetit për t’u drejtuar më pas në një nga pikat ku mund të shesë atë çka i ka grabitur nga qafa personit.

Grabitjet, krimet për motive të dobëta dhe hakmarrja tashmë shënojnë numri në të madh të krimeve të regjistruara në Shqipëri. Gjithnjë e më shumë të rinj i hyjnë kësaj rruge më ëndrrën e vetme për t’u pasuruar sa më shpejt, por kthehen në kriminelë që më vonë mund të jenë shumë më të rrezikshëm për shoqërinë. Frika për këta keqbërës nuk ekziston më, pasi nëse deri disa vite më parë raportoheshin vjedhje, grabitje e përdhunime, të ndodhura në mes të natës, tashmë krimet kryen në mes të ditës dhe në zonat më të frekuentuara të qyteteve, duke sfiduar në këtë mënyrë policinë, e cila, pavarësisht aksioneve të shumta, dështon në arrestimin e tyre.

Shoqëria shqiptare, megjithë forcimin e mekanizmave mbrojtës ndaj kësaj të keqeje, krahas me thellimin e luftës së strukturave të antikrimit kundër këtyre devijimeve sociale të skajshme, po përjeton një atak të rëndë shoqëror, të cilit duhet t’i kundërvihet me forcë për ta parandaluar, zbuluar e goditur me ligj, që të ndërpriten fijet e botës së krimit të çfarëdolloj e prej ngado e nga kushdo që vjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora