E premte, 26.04.2024, 01:18 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fran Gjoka: Një jetë kushtuar shkollës dhe edukimit

E diele, 18.09.2016, 01:37 PM


Gjergj Frani dhe autori i shkrimit Fran Gjoka (djathtas).  Lezhe 16 shtator 2016). Foto: Zeqir Lushaj

Një jetë kushtuar shkollës dhe edukimit

Nga Fran Gjoka, Lezhë

Nderim dhe respekt të shkruash për mësues, që tërë jetën nderuan profesionin e tyre. Pra, është detyrim i madh sa intelektual, por edhe gazetaresk, sepse duhet menduar dhe përzgjedhur mirë fjala për të evidentuar ato vlera të përgjithshme tek flasin kolegët mësues e drejtues, ish nxënës e prind, ata që e njohin nga afër, që ruajnë me nostalgji punën e palodhur në mësuesi, nga ku ka nxjerrë prej duarve të tij breza të tërë intelektualësh. Pas dekadave të shërbesës së tyre fisnike, dalin në pension dhe fillojnë e meditojnë, kujtojnë vitet intensive në arsim. E kam fjalën për mësuesin e talentuar Gjergj Frani, i cili ka dalë në pension, ku meritën e veçantë e zë në këtë ngrehinë sidomos për arsimin bazë, ku hodhi themelet dhe deri sa doli në pension pati një kontribut të spikatur dhe të dallueshëm në konsolidimin e tij. Mësuesi i nderuar Gjergj Frani u lind në Fishtë të rrethit të Lezhës. Arsimin bazë e mori në fshatin e tij të lindjes. Përfundoi studimet për mësuesi në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe prej andej mësues i klasave të para dhe të katërta të shkollës 8- vjeçare në Fishtë dhe më vonë në Blinisht të Lezhës. Ka dhënë mësim në ciklin e ulët, duke siguruar çdo vit tregues të lartë dhe real të njohurive të nxënësve. Gjergj Frani radhitet sot në plejadën e mësuesve më me zë, që dhanë kontribut të veçantë të kësaj hallke bazë dhe shumë të rëndësishme të arsimit parauniversitar. Mësues Gjergji punoi me pasion të veçantë, kishte vullnet të çuditshëm, një ego të dallueshme dhe për t’u pasur zili në kuptimin më të mirë të fjalës. Për 10 vjet me radhë drejtoi me profesionalizëm komisionin e lëndës, të cilët shërbenin si bërthama shkencore e katedra të vogla për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve.

Gjergji, duke qenë me formim të plotë shkencor dhe profesional dhe me pretendime të larta për vete dhe punën, ka arritur  që për 30 vjet me radhë s’pati kurrë nxënës mbetës, ndaj në çdo fillimviti mësimor kishte shumë kërkesa nga prindërit për t’i  mësuar fëmijët e tyre mësues Gjergji. Ajo që të gëzon është fakti se nxënësit e tij dalloheshin për ruajtje të cilësisë mësimore, të përvetësimit të dijeve në ciklin e lartë të arsimit bazë dhe më tej.

Duke ju referuar Platonit, njeriu ka tre pamje. Një pamje është siç e njeh ai veten, një pamje siç e njohin të tjerët  dhe  pamja e tretë dhe më e vështira për t’u njohur, siç është njeriu në të vërtetën. Po mësues Gjergj Frani si na shfaqet në këto tre pamje? Gjithë jetën e tij 45 vjeçare në arsim është paraqitur si burrë, njeri me karakter të fortë, figurë të lartë morale në mësuesi, studiues dhe hulumtues i shkëlqyer, modest e shumë punëtor. Gjatë jetës së tij në punë e karakterizoi thjeshtësia dhe elokuenca e tij në të folur, njohuritë e thella që ka jo vetëm në fushën e pedagogjisë e psikologjisë fëminore, por edhe në atë të letërsisë dhe të historisë, të problemeve shoqërore të kohës. Edhe pse ka dalë në pension, erudicioni i tij bazë është libri, që nuk e shqit kurrë nga duart. Në biseda me të, ai sjell fakte të panumërta dhe shembuj të shumtë të përpjekjeve të tij dhe të kolegëve për shkollën dhe edukimin e brezave në vite si dhe pengesat që sillte koha. Vetëm kur dëgjon rrëfimet e këtij mësuesi të respektuar për fshatin Fishtë dhe fshatrat përreth, që gjithë jetën ja kushtoi shkollës dhe edukimit të fëmijëve dhe këtu kujtojmë se në ç’vështirësi janë përballur edukator ët e atyre viteve dhe ç’peripeci kanë kaluar ata gjatë sistemit totalitar të asaj kohe.

Më vonë Gjergji punoi mësues në Blinisht dhe në shkollën 9 vjeçare Troshan, që mban emrin e mirënjohur të At Gjergj Fishtës dhe që mbetet një ndër shkollat më të konsoliduara dhe me rezultate të larta ndër vite. Edhe në këtë shkollë, Gjergji, si përherë, i kushtoi vëmendje dhe vlerësoi punën për gjymtimin e përvojës së përparuar dhe përgjithësimin e saj përmes trajnimeve të mësuesve të ciklit të ulët. Gjithnjë lexonte e shkruante, mbante shënime dhe sa herë që i nevojiteshin dhe i vinte rasti, i shfrytëzonte për përgatitje kumtesash në veprimtari të ndryshme pedagogjike shkencore. Si intelektual dhe si pinjoll i Fishtës dhe kontribuues në fushën e dijes, ka punuar plot përkushtim gjatë gjithë viteve të tranzicionit për organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të shumta kushtuar At’ Gjergj Fishtës në vendlindjen e tij tashmë të njohur. Ka botuar shumë shkrime në shtypin pedagogjik të kohës dhe atë të pavarur. Është me interes punimi i historikut të arsimit të fshatit Fishtë, duke trajtuar me vërtetësi historike ish nxënësit e Fishtës, të ilustruara me fotografi të kohës dhe aktiviteti studimor i Gjergj Franit vazhdon më tej, duke krijuar 900 poezi satirike e humoristike, pa llogaritur dhe 9000 eforizma dhe sarkazma të mbledhura me shumë pasion dhe që së shpejti presin dritën e botimit. Kontribut të padiskutueshëm ka Gjergji në botimin e poemës kushtuar patriotit, atdhetarit, poetit e këngëtarit, satiristit e përrallëtarit At Gjergj Fishta, vepër me vlera kombëtare, por që regjimi, për arsye që dihet, e kishte lënë Fishtën e madh në harresë. Kur merr në dorë punën krijuese të këtij mësuesi dhe shikon veprimtarinë e tij të dendur, lind natyrshëm pyetja se si u formua sistemi i punës të këtij hulumtuesi të shquar, që dha një rezultat kaq të madh në fusha të ndryshme të krijimeve artistike, etnografike, gjuhësore. Ne jemi përpjekur që t’i japim përgjigje kësaj pyetje.

Po të shprehemi përmbledhtas, del se sistemi i punës krijuese të Gjergj Franit u lind dhe u zhvillua në truallin, ku lindi dhe hodhi shtat i madhi At Gjergj Fishta dhe aty e gjeti frymëzimin e tij mësuesi dhe krijuesi i talentuar. Ai, në sistemin e punës së tij mësimore edukative, e ruajti me kujdes të madh raportin talent-punë, sepse udhëhiqej nga parimi se çdo gjë varet nga puna që bën njeriu. Kjo siç duket ka shumë rëndësi. Një psikolog amerikan, në librin e tij “Sekretet e suksesit” shkruan: “Arritja është talent pa lënë më një anë përgatitjen”. Tek Gjegj Frani, talenti në mësuesi dhe në krijimtari artistike, i shoqëruar me punë të dendur, dha rezultate që flasin për vlerat e sistemit 40 vjeçar të punës së tij. Edhe pse s’ndjehet mirë nga ana shëndetësore, përsëri në natyrën dhe psikologjinë e tij dëshiron të bëjë çdo ditë diçka të frytshme. Kam kënaqësi kur thotë se dhe pse kam dalë në pension, ndjehem përsëri mësues, sepse më nderojnë dhe më respektojnë kudo ish nxënësit, kolegët me të cilët punova, një komunitet prindërish që admirojnë rezultate të shkëlqyera që pati me nxënësit vite me radhë. Duke biseduar me këtë mësues pasionant, të duket se dëgjon zëra brezash në vite tek rrëfejnë se mësues Gjergji ka bërë ç‘është e mundur të kryejë më së miri detyrën e mësuesit dhe edukatorit të vërtetë. Dhe me të vërtetë ka ditur të futet në botën e brendshme të fëmijëve, t’i mbajë ata afër e me dashuri njerëzore dhe të ecin bashkërisht në udhën e vështirë të dijes, duke ndihmuar të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e tyre të brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, qytetësisë, mirësisë, dashurisë dhe humanizmit. Shërbeu pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i tij i madh e bujar gjithçka për fëmijët, rrezatoi kulturë dhe me plot pasion për 40 vjet me radhë u dha dije e kulturë brezave.

Lezhjanët dhe fshatrat përreth tij ruajnë respekt të veçantë për Gjergjin jo vetëm si edukator dhe krijues, por edhe si njeri i paqes, që me natyrën e tij të qeshur e tejet njerëzore luante në mënyrë perfekte rolin e mediatorit kur konfliktoheshin fëmijët. Edhe kur ndjente lodhje nga ngarkesa e ditës dhe vitet e punës, ai shfaqej në mësim i qeshur dhe kompetent në mësimdhënie, nuk dinte kurrë të ofendonte njeri, nuk krijoi asnjëherë probleme me kolegët e tij të punës dhe stafin drejtues. Pavarësisht problemeve të shumta shëndetësore, ai përpiqet përsëri të jetojë jetën në mënyrën e tij, për të cilën u është mirënjohës mjekëve që e kanë trajtuar dhe operuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Unë, si shok dhe mik i tij i ngushtë, i uroj pension të mbarë dhe përmirësim të plotë të shëndetit të tij.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora