E marte, 10.12.2024, 11:18 AM (GMT)

Faleminderit

Besim Muhadri: Ahmet Zherka - figurë e shquar

E enjte, 11.08.2016, 06:25 PM


AHMET ZHERKA FIGURË E SHQUAR E SHQIPTARISË DHE ATDHETARISË

Ai do të varroset sot (më 5 gusht) në Nju Jork i mbuluar më flamurin kombëtar, të cilin e deshi sa jetën e për të cilin sakrifikoi e luftoi deri në sakrificë. Ai nuk do të varroset në tokën e atdheut të tij, nga i cili u mërgua padrejtësisht në kohën kur ishte fare e ri dhe kishin nevojë të dy për njëri-tjetrin, mirëpo do të varroset për t’u prehur përgjithmonë në tokën e shenjtë të Amerikës, e cila ia mundësoi të jetonte dhe të punonte i lirë, me ndërshmëri dhe me dinjitet. Trupi i tij do të pushojë në tokën e shtetit, i cili fëmijëve të tij ia mundësoi të jetonin, të rriteshin dhe të shkolloheshin dhe të arrinin majat e sukseseve, për t’u bërë nderi dhe krenaria e Amerikës dhe e Shqipërisë

Shkruan Besim Muhadri, New York

Ikin nga të këqijat në Shqipëri, gjejnë vuajtje dhe të këqija më të mëdha në Kosovë

I lindur para 83 vitesh, pra më 20 shtator të vitit 1933 në Zherkë të Malësisë së Gjakovës, Ahmet Zherka në prill të vitit 1949, bashkë me familjen do të detyrohet lëshojë atdheun dhe të kalojë në Kosovë. Kjo kishte ndodhur pasi që më parë ndaj babait të tij ishin bërë akuza falso e të cilin edhe e kishin arrestuar dhe dënuar, por që e kishin liruar pas një viti  e gjysmë, mirëpo pas këtij lirimi ishste paralajmëruar sërish arrestimi i tij. Dalja e tyre në Kosovë ishte bërë me shpresën se atje do t’i shpëtonin burgut dhe të këqijave të cilat i  kishin pushtuar, mirëpo nuk doli ashtu siç kishin menduar, sepse represaljet ndaj familjes Zherka nuk pushun as në Kosovë, por tash nga UDB-ja. Në këtë kohë regjimi jugosllav e burgosi babain e Ahmet Zherkës, ndërsa pas lirimit të tij nga burgu regjimi jugosllav i internoi në një qendër internimi, në Hogosh të Dardanës (Kamenicës). Vuajtjet dhe të këqijat për familjen Zherka do të vazhdojnë edhe më tutje, ndërsa jeta e kësaj familje sa vinte e bëhej edhe më e rëndë dhe  me plot të papritura. Nga Dardana kalojnë në Ferizaj, mirëpo vuajtjet e saj prapë nuk ndërpriten. Pas rënies së Ahmet Zherka në konflikt me organet e shtetit jugosllav dhe veçmas me grupe të caktuara të paramilitarëve serbë, jeta e tij vihet në rrezik, dhe vendos të arratiset. Tre muaj rresht jeton nëpër malet e Kosovës, kurse gjatë kësaj kohe ai do të bie në lidhje me Hysen Biberajn, babain e veprimtarit dhe gazetarit të mirënjohur Elez Biberajt, i cili në atë kohë ishte arratisur nga Shqipëria dhe jetonte në viset shqiptare të Malit të Zi, përkatësisht në Plavë. Hysen Biberaj Ahmetin e ri do ta ndihmojë që të kalonte ilegalisht në Mal të Zi, ku më vonë do të vijnë prindët e tij si dhe gruaja e tij, Shpresa, me të cilën do të lindë .... fëmijët shtatë fëmijë: Ilirin, Nexhmien, Sefedinin, Naimin, Mehdiun, Kujtimin dhe Luanin, të cilët do t’i rritë dhe do t’i frymëzojë për të dashur atdheun dhe për të qenë në shërbim të tij.

Në Amerikë mërgatën e gjeti të paorganizuar e të përçarë

Në prill të vitit 1967, bashkë me nipin e tij Idriz Lamajn, veprimtar dhe publicist i dalluar i mërgatës shqiptare në SHBA, kalojnë ilegalisht në Itali, ku pas një viti qëndrimi në kampin “Latina” të Italisë, ku tashmë i ishin bashkuar edhe anëtarët e tjerë të famijjes, me garancionin e Komitetit Shqipëria e Lirë, që vepronte në SHBA, më 10 maj 1968 për herë të parë zbret në aeroportin “John Kenedi” të Nju-Jorkut duke arritur ta realizojë ëndrrën amerikane dhe atë të Tokës së lirë, ku u vendos te kushuriri i tij, Ibrahim Zherka.

Për Ahmet Zherkën Amerika ishte një zbulim, një botë e re dhe e madhe, sidomos kur kishte parasysh se prej nga kishte ardhur dhe nëpër cilat kalvare kishte kaluar.

Kur arriti në SHBA, ai shqiptarët i gjeti të paorganizuar dhe të ndarë në grupime politike, ndonëse që të gjithë mendjen dhe shpirtin e kishin tek atdheu që ishte ngulfatur nga një regjim i egër, ndërsa shqiptarët e Kosovës dhe Kosova në përgjithësi vuante nga një represion i egër. Meqenëse partitë politike rreth të cilave ishin të organizuar shqiptarët, si Legaliteti, Balli Kombëtar, Blloku Kombëtar, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, qëllim parësor kishin rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës, me angazhimin e Ahmet Zherkës përpjekjet dhe angazhimet politike do të orientuhen edhe në çlirimin e Kosovës nga sundimi jugosllav.

Si rezultat i këtyre angazhimeve, në të cilat rol kyç luan Ahmet Zherka, me qëllim të funksionimit sa më të mirë, do të formohet Bashkësia Shqiptare, e cila, në koordinim me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Lidhjen Kosovare do të ngrisin shumë iniciativa dhe veprime për sensibilizimin e çështjes shqiptare në Kosovë e Maqedoni. Do të mbahen demonstrata para Misionit të OKB -së, Ambasadës jugosllave etj.

Aktiviteti politik dhe kombëtar i mërgatës shqiptare në SHBA, prandaj edhe i Ahmet Zherkës do të intensifikohet pas vitit 1981, ku  çështja shqiptare do të sensibilizohet dhe do të njoftohen edhe arqet amerikane, ndërsa në këtë kohë do të kemi edhe një mërgatë më të organizuar. Pas rënies së sistemit dhe regjimit komunist në Shqipëri, pra në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kohë kur Kosova do të bie nën një robëri dhe okupim klasik nga ana e Serbisë, mërgata shqiptare në SHBA do të organizohet dhe do të intesifikojë përpjekjet rreth sensibilzimit të çështjes së Kosovës. Në Departamentin amerikan të shtetit do të dërgohen shumë peticione, shumë kërkesa dhe do të organizohen shumë demonstrata me kërkesën për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe për të shpëtuar shqiptarët nga një kanosje dhe e keqe e madhe që po i bëhej nga kasapi i Ballkanit, kryekrimineli Milosheviq. Në këto organizime Ahmet Zherka, i quajtur Avni Rrustemi i Nju Jorkut, apo Baca i Flamurit Kuqezi apo edhe Ahmet Shqiptari Sknderbegu, ka vendin e tij të merituar. Ai ishte bërë i njohur në mesin e shqiptarëve që jetonin dhe veprononin në SHBA, jo vetëm për shkak të ideve dhe aktiviteteve atdhetare, edhe për shkak të një akti heroik të ndodhur në gusht të vitit 1975, i cili e kishte bërë që të fitonte admirimin jo vetëm të mërgatës shqiptare, por edhe të amerikanëve.

Vrasja e rusit, i përdhosi flamurin kombëtar

Ishte fillimgushti i vitit 1975 kur ai vret një rus, i cili deshi t’ia përdhoste falmurin kombëtar. Ahmet Zherka, në atë kohë 42 vjeçar,  në qendrën e vet të punës, ku kishte një dhomë të vockël për të ndërruar rrobat e punës apo për pushuar ndonjë çast, përvç disa librave shqip, një fotografie të Skënderbeut ai mbante edhe flamurin kombëtar. Këto si duket e kishin penguar “shefin” e tij, një rus që ishte një antishqiptar i përbetuar, i cili kërkonte vazhdimisht nga Ahmeti që t’i hiqte, kërkesë që në vazhdimësi mospërfillej dhe injorohej nga Ahmeti. Derisa një ditë Ahmeti arrin në vendin e tij të punës dhe bëhej gati të fillonte punën, në dhomëzën e tij hyri me egërsi dhe plot urrejtje përgjegjësi,  rusi i quajtur Smith, i cili shtriu dorën drejt flamurit kombëtar të Ahmet Zherkës. E hoqi nga muri, por nuk e la me kaq. Ai e shkeli disa herë, e pështyu dhe u largua. Ishin momente të vështira për patriotin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare Ahmet Zherka. Ishte provokuar dhe fyer rëndë dhe nuk mund ta përbinte këtë turp, prandaj, pa humbur dhe menduar shumë, u ngjit në katin e dytë të ndërtesës ku punonte rusi. U fut në zyrën e rusit të quajtur Smith, i cili e pyeti me një  buzëqeshje nervoze se përse kishte ardhur. Me një ton të qetë dhe shumë gjakftohtë, Ahmet Zherka i jep përgjigjen e merituar se nuk kishte shkuar ta falënderonte apo ta lavdëronte për aktin e kryer më parë, por se kishte shkuar për ta zbatuar vullnetin e popullit shqiptar, për ta mbrojtur nderin dhe flamurin e përdhunuar nga ai. Rusi i quajtur Smith duke mos e pritur një reagim të tillë të Ahmetit, nuk u besonte syve se para vetes kishte një njeri i cili kishte shkuar t’ia jepte “dhuratën” e merituar, plumbin kokës. U përpoq të fitonte në kohë dhe t’i shpëtonte këtij dënimi, mirëpo përpjekjet e tij ishin të kota, sepse shqiptari Ahmet Zherka e kishte bërë mendjen një dhe pa humbur shumë kohë  në ballin dhe kraharorin e tij zbraz gjashtë plumba. Pas këtij akti heroik, i cili me ligj cilësohej si vrasje me paramendim, Ahmet Zherka, ashtu gjakftohtë, me revole në dorë, del në rrugë, ule në një anë të saj dhe zgjat dorën para makinës së policisë, nga të cilët kërkoi ta prangosnin dhe ta dërgonin në burg, sepse  kishte vrarë një njeri. “Jam një ushtar i thjeshtë i atdheut tim dhe zbatova urdhrin e tij që të mbroj edhe me jetë nderin e kombit tim, flamurin kombëtar!”,u thoshte policëve, të cilët nuk besonin për një gjë të tillë, sepse edhe nuk ishin mësuar që një atentator të dorëzohej vet apo të pranonte kaq hapur veprimin e bërë, i cili me ligjet amerikane mund të sanksionohej me shumë vite burg, ashtu sikurse edhe ndodhi me të vërtetë, kur Ahmet Zherka u dënua me shumë tetë vjet vite burg. Lajmi për ndodhjen e këtij akti u përhap shpejt ndër shqiptarët e Nju Jorkut, të cilët e njihnin Ahmet Zherkën, karakterin e tij prej atdhetari të dëvotshëm. Ata do t’i drejtohen gjykatës së Nju Jorkut me letra dhe telegrame, përmes të cilave kërkonin lirimin e Ahmet Zherkës. “Të lirohet menjëherë! Ahmet Zherka mbrojti nderin kombëtar! Rroftë flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare!” Këto ishin përmabjtjet e atyre letrave dhe parollave të shqiptarëve drejtuar gjykatës ku po gjykohej atdhetari Ahmet Zherka, të cilat patën ndikim dhe Ahmet Zherkës nga tetë, iu zbrit dënimi në dy vjet dhe u lirua tërësisht.

Formimi i partive politike në diasporë hap i gabueshëm që përçau komunitetin

Ahmet Zherka, me këtë akt, por edhe me punë dhe angazhimin e tij në mënyrë të vazhdueshme që nga koha e arritjes në tokën e Amerikës, fitoi epitetin e një patrioti të devotshëm të çështjes kombëtare dhe të një njeriu të nderuar e më një reputacion të fuqishëm në jetën politike dhe organizimin e shqiptarëve në SHBA. Ai ishte “ekzemplari më interesant i emigrantit shqiptar që refuzoi, kundërshtoi dhe e luftoi UDB-në dhe shovinizmin serb që donte të keqpërdorte pozitën e rëndë të tij dhe të bashkëshqiptarëve të tjerë të ikur nga Shqipëria”, do të shkruante në mes tjerash, një atdhetar tjetër, Salih Kabashi.

Ahmet Zherka, duke qenë një njeri i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, ishte thellësisht i brengosur për përçarjet në mesin e mërgatës shqiptare. Këtë ai e shprehte në mënyrë të vazhdueshme, prandaj edhe me rastin e një interviste të zhvilluar me të në vitin 2011. Kjo përçarje thoshte ai erdhi pas formimit të partive politike këtu në diasporë. ”Formimi i partive politike në diasporë ishte një hap i gabueshëm që përçau komunitetin. Ne jemi për të ndihmuar më tepër materialisht dhe në ndonjë aspekt tjetër, por asesi të mos pretendojmë pushtet nga këtu”, thoshte Ahnet Zherka dhe  përmendte rolin e Fan Nolit dhe kontributin e tij dhe të mërgatës së atëhershme shqiptare.

Shuarja e aktivitetit të Klubit “Jusuf Gërvalla”, humbje e madhe për organizimin e shqiptarëve

Ahmet Zherka ishte ndër themeluesit dhe aktivistët e Klubit “Jusuf Gërvalla,” të themeluar në fillim të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar e fatkeqësisht të shuar padrejtësisht. Duke qenë themeleues dhe veprimtar i këtij Klubi, ai më fliste për rëndësinë dhe aktivitetin e këtij Klubi në mesin e mërgatës shqiptare në Nju Jork e gjetiu, ndërsa shuarjen e aktivitetit të Klubit e quante humbje të pakontestesueshm. “Klubi “Jusuf Gërcalla”, thoshte Ahmet Zherka ka luajtur një rol të rëndësishëm në mesin e shqiptarëve, mirëpo për fat të keq ata që nuk ia donin të mirën arritën ta shkatërrojnë. Shuarja e aktivitetit të këtij klubi ishte një humbje e madhe për organizimin e shqiptarëve”.

Ahmet Zherka ishte aktiv edhe në formimin Fondit  “Vendlindja thërret”, fond i cili e ka zhvilluar aktivitetin e vet gjatë kohës së luftës në Kosovë (1998-1999). Duke folur për formimin e këtij fondi dhe rolin e tij, Ahmet Zherka atë shihte si një hap pozitiv dhe si një forcë lëvizëse për të ndihmuar luftën në Kosovë në atë kohë. “Fondi e bani të veten dhe pati shumë sukses dhe gjeti përkrhaje te shqiptarët kudo në Amerikë. Fondi ishte shpirti i lëvizjes për çlirim që u dëshmua gjatë gjithë kohës sa ka funksionuar”, thoshte Ahmet Zherka.

Ndërkaq, formimin e batalionit “Atllantiku”, që përbëhej kryesisht nga djem shqiptarë pothuajse të lindur e të rritur në SHBA, të cilët në prill të vitit 199 shkuan për të luftuar për lirinë e Kosovës. Ahmet Zherka Batalionin “Atllantiku” e shihte si rezultat të përpjekjeve të vazhdueshme të mërgatës shqiptare atdhetare dhe si një produkt të një angazhimi permanent të kësaj mërgate e cila e kishte kuptuar që herët dhimbjen e atdheut dhe gjithmonë i ishte përgjigjur me devotshmëri thirrjes së atdheut.

Ky ishte Ahmet Zherka, emri dhe veprimtaria e të cilit do të kujtohet gjithmonë në mesin e shqiptarëve të Amerikës, Kosovës dhe Shqipërisë. Ai do të varroset sot (më 5 gusht) në Nju Jork i mbuluar më flamurin kombëtar, të cilin e deshi sa jetën e për të cilin sakrifikoi e luftoi deri në sakrificë. Ai nuk do të varroset në tokën e atdheut të tij, nga i cili u mërgua padrejtësisht në kohën kur ishte fare e ri dhe kishin nevojë të dy për njëri-tjetrin, mirëpo do të varroset për t’u prehur përgjithmonë në tokën e shenjtë të Amerikës, e cila ia mundësoi të jetonte dhe të punonte i lirë, me ndërshmëri dhe me dinjitet. Trupi i tij do të pushojë në tokën e shtetit, i cili fëmijëve të tij ia mundësoi të jetonin, të rriteshin dhe të shkolloheshin dhe të arrinin majat e sukseseve, për t’u bërë nderi dhe krenaria e Amerikës dhe e Shqipërisë.

Lamtumirë i Madhi dhe i pathyeshmi vërtikal shqiptar Ahmet Zherka. Ndarja jote  nga jeta është një moment i vështirë për familjen, për shokët dhe për të gjithë shqiptarët që të njohën e të deshën, mirëpo krenaria dhe kujtimet e mira e të paharrueshme për veprat Tua të mira e të mëdha që i bëre për vendin Tuaj, të cilat lanë gjurmë, janë ato që na lehtësojnë dhembjen.

I lehtë të qoftë dheu i Amerikës!

I përjetëshëm kujtimi për Ty, Ahmet Zherka!



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora