E enjte, 03.10.2024, 11:07 AM (GMT+1)

Faleminderit

Liljana Kona: Daja, i përkushtuar për atdhetarizmin

E shtune, 06.08.2016, 06:27 PM


Sadulla Zendeli-Daja, i përkushtuar

deri në vetëmohim për atdhetarizmin shqiptar

“Të dua Kosovë,

Të dua Shqipëri!

Ju dua,o njerëz të gjakut tim,

Ju dua më shumë se veten”

S. Z. Daja

Nga Liljana Kona

Sadulla Zendeli-Daja është mik i madh shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në gjithë trojet shqiptare dhe në diasporë, në Suedi ku jeton prej 50 vitesh, por, gjithkush, dëshiron ta ketë dhe ta bëj mik sa më të afërt, për vlerat dhe cilësitë e tij të shkëlqyera, për veprat e jashtëzakonshme shkencore dhe shkrimore, të cilat i tejkalojnë kufijtë e një individi. Prej disa dekadash Daja ka fituar staturën  si një vlerë e çmueshme e shqiptarisë dhe e kombit.

Jemi krenar që e ndjejmë pranë Sadulla Zendeli-Dajën, jemi krenar për miqësinë dhe respektin e ndërsjellë, na gëzon puna dhe vepra e tij, sukseset që ai arrin me përkushtim të vazhdueshëm. Daja është një minierë,  tek e cila sa më shumë të gërmosh, aq më shumë vlera të shndritshme zbulon. Të gjitha cilësitë e këtij njeriu lidhen me vendosmërinë dhe karakterin e fortë dhe të palëkundur, me dashurinë për mëmëdheun dhe emrin shqiptar, atij i zgjon mall dhe dashuri edhe një gur i vendlindjes, një lëndinë dhe një krua, një lapidar dhe një shkollë. Rrugët dhe rrugicat e fshatit të tij Sërmnovë të Gostivarit, ashtu dhe ato të tërë krahinës, janë njëherazi rrugët nëpërmjet të cilave ai përshkon dhe përjeton tërë mëmëdheun,tërë trojet shqiptare të copëtuara padrejtësisht. Vlerat e Sadulla Zendeli-Dajës shfaqen përditë tek atdhetarizmi i  zjarrtë, te flamuri dhe bashkimi i trojeve shqiptare ashtu siç i ka bekuar Zoti. Vlerat e këtij njeriu janë të ndritshme, sepse ai mbjellë e përhapë me dashuri e përkushtim arsimin dhe dijen, paqen, kulturën dhe artin, duke e treguar këtë me vepra të shumta atdhetare e shkrimore e, veçanërisht me fjalorët dhe krijimtarinë  e tij të gjerë në poezi e prozë.

Sadulla Zendeli-Daja krenohet me emrin shqiptar dhe beson tek e ardhmja e kombit. E ka shprehur shpesh herë këtë dashuri të madhe: edhe atëherë kur me bijtë dhe bashkëkombësit e tij demonstronte në sheshet dhe rrugët e kryeqyteteve evropiane për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, edhe si oratorë në tubimet shqiptare në Skandinavi, edhe kur hapi të parën shkollë shqipe në Suedi, edhe kur u bë nismëtar për ngritjen e shoqatës Ilirida në Nybro të Suedisë, edhe kur restorantit të tij në ujdhesën Ëland i vuri emrin e madh Shqiponja dhe në ballë të saj vendosi me krenari flamurin e Shqipërisë, e, pas vitit 1999 edhe atë të Kosovës... Sadulla Zendeli-Daja është vazhdues i vlerave më të mira kombëtare, ai përcjellë tek e ardhmja trashëgimitë e vyera në shekuj të kombit shqiptar, trimërinë dhe mençurinë, urtësinë dhe humanizmin, besën, mikpritjen dhe bujarinë.

E duam dhe e respektojmë këtë njeri të rrallë, ne, këtu në Shqipëri. E nderojnë si djalin e tyre në Kosovë, e çmojnë si një diamant shumë vlerash në vendlindjen e tij në Gostivar, ku një vit më parë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, i dhanë me nderim e meritë titullin e lartë Qytetar nderi; e duan dhe e respektojnë shqiptarët në Suedi, të cilët e kanë zgjedhur kryetar të Unionit të Shoqatave Shqiptare, e duan dhe e nderojnë emrin dhe veprën e tij në të gjithë Skandinavinë e diasporën shqiptare. Daja është njeriu-flamur, i përkushtuar deri në vetëmohim për atdhetarizmin shqiptar.

Dikur e kam krahasuar Sadulla Zendeli-Dajën me   Dhaskal Todrin, me atë atdhetar të flakët që u dogj si pishtar për shkronjat shqipe, që me sakrificat e tij ndihmoi që të bëhej edhe më e ndritshme udha e shqiptarisë. Në këtë udhë, ecën edhe Daja ynë, duke i dhënë kësaj rruge vezullim e shkëlqim të veçantë, duke çarë me guxim e përkushtim shtigje të reja, duke ua lehtësuar kështu ecjen të tjerëve, bashkatdhetarëve, miqve dhe shokëve, motrave dhe vëllezërve shqiptarë: “Të dua Kosovë,/Të dua Shqipëri!/Ju dua, o njerëz të gjakut tim,/Ju dua më shumë se veten!” Për dashurinë dhe ndjenjat e tij të thella atdhetare flet dhe dëshira e zjarrtë për të parë e vizituar anë e kënd Shqipërinë, për ta pasur në mendje dhe ruajtur në zemër gjithçka shqiptare. Këtë entuziazëm ai e ka treguar në Tiranë, duke qenë pjesëmarrës aktiv i thuajse të gjithë panaireve të librit, këtë e ka treguar në vizitat dhe dhurimet e librave të tij në bibliotekat shqiptare. Ishin mbresëlënëse  vizitat në Lezhë, në Durrës, në Kukës dhe, më tej, me gëzimin dhe entuziazmin e një të riu, ai  do t`i vazhdojë ato në Jug të vendit, gjithnjë i dëshiruar me shpirt e zemër për t`i parë e ndjerë brenda vetes, në gjakun tij të pastër, të gjitha trojet shqiptare, gjithë diasporën shqiptare, kombin shqiptar, që si thotë: “më ngroh shpirtin, më ngroh zemrën!”

E pashë me sytë e mi gëzimin që ai ndjeu pas vizitave në qytetet shqiptare, dëgjova zërin e tij entuziastë teksa fliste dhe tregonte për bukuritë e papërsëritshme që natyra i ka dhuruar atdheut, për pasuritë e shumta dhe vlerat materiale, e, mbi të gjitha kur ai fliste për njerëzit e mirë dhe paqësorë, kur tregonte për vajzat dhe djemtë e rinj dhe ëndrrat e tyre për ta bërë sa më shpejtë Shqipërinë evropiane, kur tregonte me ngazëllim për fëmijët e mençur dhe të bukur si drita, që do ta gëzojnë të ardhmen e Shqipërisë...

Historia ka treguar se njerëzit e përmasave si Daja ynë, kanë pasur pranë bashkëshorte të shkëlqyera, të cilat, në vitet e jetës u kanë qëndruar pranë fizikisht dhe shpirtërisht, ua kanë lehtësuar vështirësitë dhe rutinën e përditshme dhe të zakonshme, u kanë siguruar qetësinë shpirtërore, u kanë shërbyer me devocion, i kanë mbështetur e frymëzuar për arritje gjithnjë e më të mëdha. Këtë vlerësim e përgëzim ka merituar prej kohësh edhe Xia (Arzia), bashkëshortja e Sadulla Zendeli-Dajës, e cila  ka qenë e lidhur ngushtë me bashkëshortin e saj si dy degë të  një trungu, gjithnjë  e përkushtuar, gjithnjë duke sakrifikuar dhe, gjithnjë duke merituar respektin jo vetëm të bashkëshortit, por edhe të  institucioneve dhe shoqatave shqiptare, të të gjithë atyre njerëzve që e kanë njohur dhe e njohin veprimtarinë dhe veprën e çmuar të Dajës.

Sukseset madhore të Sadulla Zendeli-Dajës në fushën e leksikografisë, të poezisë dhe të atdhetarizmit janë të pandara nga shpirti i dëlirë i Xies, nga zemra e saj e madhe, nga sakrificat dhe përkushtimi që ka treguar dhe tregon në çdo çast të jetës së përbashkët.

Faleminderit dhe mirënjohëse ndaj Teje e nderuar  Xie! Bashkë me bashkëshortin tënd të vyer e zemër-bukur, qofshi kurdoherë të nderuar dhe të respektuar, të lumtur, plotë shëndet e jetë të gjatë  së bashku me fëmijët, me nipërit dhe mbesat, me të gjithë familjen Zendeli!

Me veprat që ka kryer,  Sadulla Zendeli-Daja ka pasuruar me dije e kulturë gjithkënd, por veçanërisht fëmijët, ai u ka dhuruar atyre fisnikëri dhe bukuri, ka ndihmuar që ata të dinë të shkruajnë e të lexojnë gjuhën e lashtë shqipe, gjuhën e nënës, të mësojnë historinë dhe gjeografinë, kulturën dhe tërë dijet brilante shqiptare të trashëguara ndër shekuj.

Për vlerat dhe veprat e shumta, Daja ka merituar dhe do të meritojë edhe në të ardhmen falënderime dhe mirënjohje popullore, emri i tij do të ruhet i pastër si kristali në zemrat e të gjithë atyre njerëzve që ia njohin veprën, që i kanë dëgjuar emrin, zërin dhe fjalën e bukur, ai do të lartësohet në piedestalet e panteonit shqiptar.

I nderuar Dajë!

Puna dhe përkushtimi yt përditësohen në ëndrrat dhe dëshirat më të mira të shqiptarëve, sakrificat e tua janë rreze drite që i bashkohet diellit të ndritshëm shqiptar, atij dielli, që i jep pandërprerë fuqi dhe energji të pashtershme kombit tonë të madh.

Faleminderit!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora