E shtune, 27.04.2024, 04:07 AM (GMT+1)

Mendime

Rexhep Shahu: Krushqit e humbjes në Dibër

E enjte, 15.09.2016, 08:19 PM


KRUSHQIT E HUMBJES NË DIBËR

NGA REXHEP SHAHU

Ju, që qartësisht për interest tuaja të shumëllojshme, të karierës, të biznesit etj etj., u ngritët nga Tirana dhe nga vende të tjera dhe shkuat në Dibër pa ju thirrë askush, që shkuat me hypë si gjeli majë plehut, gjasme për të ndihmuar Sherefedin Shehun, por në fakt shkuat pastër për llogari tuajen, për t'iu kacavjerrë Partisë Demokratike, që t'ju shihte fizikisht Lulzim Basha, t’i binit në sy, mundësisht të uleshit në kafe me të, t’i jepnit ca ekspertizë, t’i shisnit ca pordhë nga përvojat tuaja shtetare dhe t'i kujtonit atij se jemi të rëndësishëm edhe ne që kemi rënë nga fiku, edhe ne limonët e shtrydhur, që t'i imponoheshit Lulzim Bashës t'u fuste në toplistë deputetësh të ardhshëm e shtetarësh të lartë të nesërm, si po ndjeheni sot pas fitores së humbjes së PD në Dibër?

A ndjeheni ndopak sjellës të kësaj humbje, ju krushq të humbjes, arkitektë e regjizorë të kësaj humbje që u bëtë të pamëshirshëm dhe vetëm shikuat si e si të delnit të sipërfaqe, si e si t’i hynit në sy Bashës dhe t’i thonit se jemi të mirë, ani se na ka shporrë Berisha, ju xhenaze politike që shkuat në Dibër jo për fitoren e PD dhe të kandidatit të saj por për tu ngjallë vetë, për të ngjallë veten tuaj politike, a ndjeheni ndopak fajtorë, apo jeni gëzuar në fshehtësi dhe kini bërë gati lerat e gurëve dhe do të gjuani t’ia theni tjegullat e xhamat e shtëpisë së partisë Lulëzim Bashës e të kërkoni dëbimin e tij, për ta bërë edhe atë xhenaze politike.

Ju që shkuat në Dibër, për selfie për FB për dashnoret e gratë, nga Tirana e vende të tjera, që shkuat për eskursione qejfi atje dhe ia shitet PD dhe Lulzim Bashës ato eskursione si kontribute e sakrifica për kandidatin Sherefedin Shehu e për PD, si ndejheni sot?

Ju që shkuat në Dibër nga Tirana, që dolët prej harrimit e anonimatit ku ishit varrosë, pasi kishit shirë lamat tuaja, pasi kishit fituar dhe humbur betejat tuaja, që shkuat për t'ia humbë betejën edhe Sherefedinit e për ta rrjeshtuar me humbësit, ju që shkuat e i fyet dhe nervozuat deri në kulm dibranët duke u thënë, votoni këtë e atë se ju e dini më mirë se dibranët që votojnë aty se kush, kë duhet votuar, sikur ju e dini më mirë se vetë dibranët të mirin e të keqin, ju pra mentarë shëtitësa që me mënyra të tilla keni blerë përherë postet tuaja, si po ndjeheni sot pas fitores së humbjes në Dibër?

Ju shokë e shoqe spiuna të vegjël, bashkëpunëtorë të shefave tashmë pleq të rrjedhur, të të gjitha kohrave, shteteve, llojeve, specieve, ngjyrave, që si misionarë u dërguat në Dibër dhe luajtët lojë dy e tre fishe, si po ndjeheni sot para tutorëve, para detyrëdhënësve, para shefave, a jeni të qetë, të sigurtë se nuk do t’u shihen këmbët aq sa karuci gjelit apo shurra pulës…

Ju që paguheni majtas, gjithmonë majtas dhe shiteni se mendoni, këshilloni, veproni dhe ecni djathtas, që dini të shiteni dhe kini fatin e kurvave që marrin djemtë më të mirë, si po ndjeheni sot, që shkuat në Dibër sa për dallavere dhe "fitimi ndashtë, veç dallaverja të luhet...", hë pra si po ndjeheni pas kësaj fitoreje të humbjes?

Ju që kujtuat se jeni me peshë, se ju ecën fjala e selami prej së largu, kur në fakt nuk iu ecën as te gratë tuaja, ju që fluturuat me pras në bythë, që deklaronit mashtrimin se e kemi të sigurtë fitoren ende pa u zhvilluar ndeshja, që e patë nga larg votuesin por dorën nuk ia dhatë, në katër sy me të nuk u patë, si ndjeheni sot, pse u refuzuat prej dibranëve, me thoni ...

Ju katunarë rivalë të Sherefedinit në parti e në pushtet, të Maleve e të fushës, që u është dukë vetja më të mirë se ai, më të fisëm, më të zotët dhe që u fyet pse të vinte kandidati prej Tirane kur ju ishit aty, si po ndjeheni tani, a u knaqet boll, a u ba bash mejr or tej…

Ose, ose, mos më thoni mua asgjë, thojani vetes. Mua as më keni mashtruar se nuk ju kam besuar kurrë asnjë çast as gjatë rreth 50 ditëve që kam qëndruar në fushatë në Dibër në 2009 kur PD fitoi 4 me 2 ndaj PS me Jemin Gjanën e Sherefedin Shehun, as nuk do te keni shans të më mashtroni.

Mund ta gënjeni sërish Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike të cilen doni ta shihni më të dobët se sa e dëshiron Edi Rama, por mua nuk mund të më gënjeni asnjëherë se unë kam mijëra sy dhe shoh edhe me bythë se çfarë bëni e kurdisni ju, ju që ju ka vdekë morali.

E di se do të ndizni luftë të rreptë fjalësh kundër mazhorancës së pamoralshme, kundër dibranëve dhe do t’i akuzoni dibranët se nuk refuzuan me votë Shukrizimin e pushtetit, por do të harroni ndërkohë se beteja e parë duhet fituar me veten, dhe kur ta fitosh veten nis luftë me kundërshtarin. Do t’ua kujtoni dibranëve se nxorën deputet Paskal Milon në këmbim të disa qindra vizave për të dëbuar dibranë jashtë shteti për punë.

Të gjithë akuzat ngijini, të gjitha armët shkehini kundër mazhorancës, por më parë shikoni rreth e rrotull, kontrolloni llogoret tuaja, shokët që kini në krah në llogore a janë të PD apo janë argatë që kanë ardhë për me kositë një rend livadhi. Ata që deri dje ia shponin barkun me bajonetë PD, që ishin gati ta digjnin në furrë të gëlqeres, që e akuzonin me akuzat më të rënda të turpit kombëtar, si u ndjenë në Dibër në krah të PD, si u bënë krushq të humbjes, pasi u refuzuan nga mazhoranca për të hyrë në grazhdin e saj. Kush është tani imoraliteti më i madh, kurvëllëku më i madh, shukrizimi më i madh. Ku e ka shtëpinë morali… Asnjëherë asnjë aleancë me askënd përveç me shqiptarët nuk e ka ndihmuar PD. Ata që i janë bashkangjitë PD për aleancë ia kanë faturuar asaj turpet gjithmonë, siç edhe ndodhi e do të ndodhë.

Kundërshtari është i keq, shumë i keq, por si është e mundur që ky popull ia jep votën.

Mund të thoni hipërbola se gjithë votuesit u shitën për miell e pak euro, por kjo nuk besohet, ky kalë është i çalë dhe nuk na çon kurrë në fitore përveçse kur të na e dhurojë fitoren mazhoranca e sotme pasi të lodhet prej pushtetit e të vilet prej amëlsisë së tij.

Fitorja dhe humbja gjithmonë janë brenda demokratëve, brenda Partisë Demokratike, kësaj banke morali të shqiptarëve idealistë që nuk kanë asgjë të përbashkët me krushqit e humbjes së Dibrës dhe as me një pjesë artificiale e teatrale të administratës së PD që nuk ngjit me PD sepse asnjë demokrat i lirë i këtij vendi nuk duron karshillek nga asnjë lloj nëpunësi partie që sfilon me bythë e rroba të shtrenjta dhe që e sheh PD si OJF me fitue fonde projektesh përmes saj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora