E premte, 01.11.2024, 12:29 AM (GMT)

Kulturë

Në Shqipëri ka 638 xhami dhe 1119 kisha

E diele, 17.08.2008, 11:31 PM


Shkruar nga Entela Resuli

Deri më sot nuk ka pasur një bilanc zyrtar sesa është numri i objekteve të kultit në Shqipëri. Por së fundmi janë komunitetet fetare ato që komunikojnë numrin e ndërtesave të tyre. Në Shqipëri ndodhen 638 xhami dhe 1119 kisha. Drejtues të komunitetit ortodoksë thanë për gazetën "Tirana Observer" ky besim fetar ka 425 kisha ortodokse. Drejtuesit e besimit katolik deklaruan në vend numërohen 694 institucione fetare të këtij besimi.
Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Myslyman Saimir Rysheku, thotë se objekte fetare të besimit mysliman janë 568 xhami dhe  70 tyrbe të sektit bektashi. Në një raport ekskluziv, "Tirana Observer" boton numrin e saktë të objekteve të kultit, sipas të dhënave të vetë drejtuesve të këtyre komuniteteve. Një pjesë janë objekte të rikonstruktuara, që kanë histori qindravjeçare. Ndërsa pjesa tjetër janë objekte që ndërtohen për herë të parë. Shtrirja gjeografike e tyre është në gjithë vendin. Ndërsa dendësia e objekte varion sipas numrit të besimtarëve për çdo komunitet. Në total numri i objekteve fetare të të gjitha besimeve në Shqipëri është 1757. Objektet fetare.
Numri më i madh i objekteve fetare i takon besimit katolik, që në fakt rezulton se ka dhe më pak besimtarë. Kisha katolike në Shqipëri janë 694, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 1989 të numrit të besimtarëve, rezulton se katolikët zënë 10 për qind të popullsisë. Në vend të dytë për objektet e kultit renditet besimi mysliman. Ndërkohë që ky besim ndahet në disa sekte, por dy rrymat kryesore të tij në Shqipëri janë synijtë dhe bektashinjtë. Numri i xhamive në vend është 568, ndërsa numri i tyrbeve, që janë dhe objekte kulti të bektashinjve, është 70. Në vend të tretë renditen objektet e kultit të besimit ortodoks. Në gjithë vendin, sipas të dhënave zyrtare të Kishës Ortodokse, numërohen 425 kisha. Në numrin e këtyre objekte nuk bëjnë pjesë vetëm ato që shërbejnë për ritualet fetare. Një pjesë e mirë e tyre shërbejnë dhe si ambiente edukimi për brezat e rinj të klerikëve. Por rëndësia më e veçantë e tyre ka të bëjë me vlerat kulturore dhe arkitekturore. Pjesa më e madhe e objekte kanë rëndësi historike dhe shërbejnë për të identifikuar periudha të veçanta të historisë së vendit.

Ndërtimi i objekteve fetare
 
Duke u bazuar në shifrat e komuniteteve fetare, rezulton se edhe pse myslimanët përbëjnë pjesën dërrmuese të popullsisë, numri i objekteve fetare që kanë ndërtuar është shumë më i vogël se objektet katolike dhe ortodokse. Të dy besimet kristiane kanë në total 1 119 objekte fetare në vendin tonë. Ndërsa besimi mysliman, duke përfshirë të gjithë sektet e tij, ka 638 objekte kulti. Nuk dihet se përse vjen ky disproporcion, por nënkryetari i Komitetit Mysliman, Saimir Rysheku , thotë se objektet e këtij besimi nuk janë rikonstruktuar të gjitha, ndërsa një pjesë e tyre janë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme. Vlen për t'u theksuar se mungesa e xhamive ka sjellë nevojë urgjentë të ndërtimit të tyre, pasi vendet dhe hapësirat që besimtarët e shumtë të kryejnë ritet e tyre janë të pakta.

Krishtërimi, myslymanizmi, zhdukja e fesë e deri te rikthimi i të drejtës së besimit, historia e fesë në Shqipëri

Shqipëria veç harmonisë fetare duket se është dhe pasqyra më e mirë e të gjitha besimeve kryesore sot në botë. Duke iu referuar studimeve të shumta të historianëve, rezulton se fillimet e besimit fetar në Shqipëri nuk janë të shkëputura nga pjesa tjetër e botës. Lindja e Krishterimit, që i dha dhe fund paganizmit, do të gjente mbështetësit e vet në vendin tonë, që në shekullin e parë pas lindjes së Krishtit. Kronikat antike përmendin se një prej apostujve të Jezu Krishtit ka predikuar mësimet e ungjillin në Iliri. Një fakt që e rendit vendin tonë si një prej të parëve që përqafuan Krishterimin. Shën Pali shprehet se, "Nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit" (Romakëve 15:19). Ndërsa apostulli Andrea, mendohet se ka predikuar në Epir. Dhe, bëhet fjalë për vitet 40-50 të shekullit të parë. Por edhe besimi ortodoks reflekton qartë ndarjen e dy kishave në vitin 1054. Ndarja e Krishterimit mes Katolicizmit në Perëndim me qendër në Romë dhe Ortodoksisë në Lindje me qendër në Kostandinopojë, u reflektua dhe në popullsinë shqiptare të saj kohe. Por, nëse dy besimet e para u reflektuan në pak vite në Shqipëri, Myslimanizmi do të vinte në Shqipëri gati gjashtë shekujt pas lindjes së tij. Të gjithë studiuesit bien në një mendje kur thonë se Myslimanizmi erdhi në Shqipëri gjatë shekullit të 14-të. Islamizmi në Shqipëri konsiderohet jo burimor, me një fjalë i ardhur nga pushtuesit. Ndërtesat e para fetare të besimit islam i përkasin shekullit 16 dhe 17.

Objektet e kultit mes shërbesave dhe artit

Objektet e kultit në Shqipëri nuk kanë shërbyer gjithmonë në shërbim të fesë që përfaqësojnë. Në shumë raste fati i tyre ka qenë edhe më i keq, së pari, janë përdorur për t'iu ardhur në ndihmë besimtarëve dhe fesë së tyre. Por jo vetëm kaq, viti 1967 e ktheu Shqipërinë në të vetmin vend ateist në botë. Diktatura e atëhershme i prishi kishat, xhamitë dhe teqetë. Pra, në Shqipëri që nga viti 1967 e tutje nuk kishte njeri që ndiqte zakonet fetare hapur. Kështu shumë nga këto objekte kulti u shkatërruan dhe u përdorën tërësisht për tjetër funksion. Shumë xhami përdoreshin si magazina të grurit apo të duhanit e kështu me radhë, ku nuk mungon dhe rasti i Shkodrës, që një xhami u bë sallë kinemaje. Këto vepra arti të ndërtuara me aq mjeshtëri nga arkitektët më të mirë shqiptarë dhe të huaj arritën të katandiseshin në atë mënyrë.

Objektet e kultit

Janë objekte kult i që i shërbejnë një feje të caktuar, por në tërësi kanë historinë dhe vlerat e tyre. Janë të veçanta për nga mënyra e ndërtimit dhe si të tilla edhe për nga vlerat arkitekturore. Historitë e ndërtimit fillojnë me qytetërimin përkatës të këtyre feve. Në vendin tonë 22 xhami janë cilësuar nga Instituti i Monumenteve, "Monument Kulture". Sipas vetë besimtarëve të kësaj feje, xhamia duke qenë rrënja e qytetërimit, në të njëjtën kohë është dhe fryti më i madh i këtij qytetërimi. Çdo qytetërim ka periudhën e tij të ndërtimit dhe në fund pasqyron arritjen më të madhe të tij, pra artin. Në qytetërimin e Islamit xhamia ka një vend shumë të veçantë. Ajo nuk përmban vetëm punimet artistike brenda saj, ajo mban dhe pasqyrimin e besimit të myslimanëve. Xhamia nga një anë mban në vete estetiken e vendit ku ndodhet dhe nga ana tjetër mban në vete atë shenjtërimin që i takon dhe këto të dyja i mbart nga një kohë në tjetrën e kështu i bën të pavdekshme.

Arti

Objektet fetare në vetvete mbajnë një mister për nga ana e ndërtimit të tyre. Në momentin e parë që i shikon e përballesh me to, të ngjajnë të paarritshme nga ana e arkitekturës. Këto objekte vijnë nga një pjesë e historisë sonë dhe zhvillimit të artit ikonografik deri te bota e mistershme e kultit në fshehtësi dhe nga ana tjetër e zbulimit të këtyre perlave nga çdo shikim i mprehtë vendas e i huaj. Të veçantë për nga stili i ndërtimit, kanë kaluar përmes shekujve të historisë së njerëzimit ulje-ngritjet e këtyre monumenteve që kanë ardhur të gjalla deri në ditët tona. Që nga tërheqja për të shndërruar në art figura të shenjtorëve dhe për të ringjallur botën shpirtërore në një objekt kulti, deri te zbrazëtirat nga lënia bosh dhe braktisja e tyre, djegiet e persekutimet, interesi turistik, por edhe ndryshimet demografike të dhjetëvjeçarit të fundit, duket se këto objekte që popullojnë, tashmë kanë të përbashkët historinë dhe trashëgiminë, por edhe ruajtjen e tyre nga komunitetet.

Xhamitë

Xhamitë janë objektet e kultit më të vjetra në vendin tonë. Kjo dhe për shkak të ndikimit të tyre. Arkitektura dhe vlerat kulturore janë të shumta. Xhamitë për myslimanët janë gjurmët e historisë së tyre, për këtë arsye kudo që kanë emigruar, puna e parë e tyre ka qenë ndërtimi i këtyre veprave madhështore dhe elegante. Xhamia nuk përmban vetëm punimet artistike brenda saj, ajo mban dhe pasqyrimin e besimit të myslimanëve. Nga një anë mban në vete estetiken e vendit ku ndodhet dhe nga ana tjetër mban në vete atë shenjtërimin që i takon, dhe këto të dyja i mbart nga një kohë në tjetrën e kështu i bën të pavdekshme.

Tyrbet

Tyrbetë e teqet janë shembuj të një mjeshtërie të lartë ekzekutimi të arkitekturës, por në veçanti të brendisë, tavaneve dhe vitrazheve. Kryegjyshata Bektashiane e gjithë botës gjendet në Shqipëri, ata janë myslimanë të karakterizuar nga një tolerancë fetare ndaj të tjerëve. Bektashizmi e mori këtë emër pasi si institucion fetar u organizua nga i shenjti Hunqar Haxhi Bektashi Veliu. Shenjtëria e Tij është nga Persia dhe lindi në qytetin Nishapur, që ndodhet në rrethet e Khorasanit, në vitin 1248 pas Krishtit. Bektshizmi është pjesë e fesë muslimane, feja e këtij sekti mbështetet në kuran, por ndryshojnë nga këta të fundit  në disa rite.

kishat Ortodokse

Kisha ortodokse është një prej besimeve më të përhapura të krishtera, me një numër prej afro 214 milionë besimtarësh, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Dy besimet tjera, katolike dhe protestante kanë 1027 dhe 316 milionë besimtarë. Në Lindje ortodoksia greke bashkon më se 11 për qind të besimtarëve. Kishat ortodokse të kombeve të ndryshme janë autoqefale të pavarura. Auto-vetë dhe kefalo-kokë, çka do të thotë se drejtohen vetë, por pranojnë një kryetar nderi të Patriarkanës se Konstandinopolit; kishat ortodokse me të rëndësishme janë ato greke, ruse, serbe dhe ajo rumune.

kishat Katolike

Kisha katolike është kisha që njeh primatinë e peshkopit të Romës. Ajo lindi në vitin 1054 pas skizmës së madhe që ndau bashkësinë e krishterë në dy pjesë kryesore, në kishën lindore dhe atë perëndimore. Ajo pretendon se në të qëndron trashëgimia e kishës universale të themeluar nga Jezu Krishti, fjala katholikos do të thotë pikërisht universale. Shqipëria ka qenë, në fakt, një nga vendet e Evropës që u has më hershëm me krishterimin dhe ka një histori të gjatë me këtë besim fetar. Krishterimi është feja më e madhe në botë me mbizotërim. Numri i të krishterëve vlerësohet t'i ketë kaluar në 2.1 miliardë njerëz apo 33 për qind e popullsisë botërore në vitin 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora