E shtune, 27.04.2024, 12:36 AM (GMT+1)

Mendime

Viktor Mërkuri: Brexit - Realiteti dhe pasojat

E hene, 04.07.2016, 07:44 PM


BREXIT: Realiteti dhe pasojat

Nga Viktor Mërkuri

Më 24 qershor, europa e gjeti veten përballë një Mbretërie të Bashkuar e cila me 52 % të votave pro, dhe 48% kundër, kishte vendosur ti largohet Bashkimit Europian, duke sfiduar cdo parashikim, dhe si disa e konsideruan, cdo racionalitet.

Ndoshta e vështirë për tu kujtuar, por vetëm katër vjet më parë BE-ja  mori Çmimin Nobel për, siç komiteti e kishte quajtur, kontributin e saj prej gjashtë dekadash "mbi paqen dhe pajtimin, demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Europë." E megjithatë, një votim i vetëm por i fuqishëm , ka vënë potencialisht në lëvizje shpërbërjen e projektit europian.

Mbretëria e Bashkuar besoj se kishte marrëveshjen më të mirë të mundshme me Bashkimin Europian, duke qenë një anëtar i tregut të përbashkët, pa qënë pjesë e euro-zonës, dhe duke siguruar një numër të gjerë benefitesh nga rregullat e BE-së.

E megjithatë, kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndaluar elektoratin e Mbretërisë së Bashkuar nga të votuarit për largim. Pse?

Përgjigja mund të shihet tek sondazhet e opinioneve gjatë muajve të fundit deri në ditën e referendumit për "Brexit". Kriza europiane e migracionit dhe debati për Brexit ushqeheshin me njëri-tjetrin. Fushata për "Largim" shfrytëzoi përkeqësitë e zhvilluara në Mbretërinë e Bashkuar për shkakë të situatës së refugjatëve, të simbolizuara nga imazhet e frikshme të mijëra azilkërkuesve të përqëndruar në portin e Calais të Francës, të dëshpëruar për të hyrë në Britani me çdo mjet të nevojshëm. Taktikë e cila u përdor për të nxitur frikën e emigracionit të "pakontrolluar" nga shtetet e tjera anëtare të BE-së.

Pasojat e menjëhershme të rezultateve te referendumit përfshinë dorëheqjen e njeriut i cili bëri thirrje për referendumin, kryeministrit David Cameron, si dhe trazira në tregjet ndërkombëtare, mosbesimin mes udhëheqësve të tjerë të BE-së dhe atyre botërorë, si dhe ngjalljen e shqetësimeve të mëdha në Uashington. Brenda vendit, divizionet që çuan në Brexit vetëm janë përkeqësuar. Cameron vendosi të mbajë referendum me arsyen kryesore shuajtjen e konflikteve brenda Partisë Konservatore dhe frenimin e mbështetjes vazhdimisht në rritje të Partisë Nacionaliste.

Në vend të kësaj, fushata in-out u përfshi me emocione të shëmtuar dhe madje edhe dhunë, duke arritur kulmin me vrasjen e deputetes pro-BE-së Jo Cox nga një njeri me lidhje të mundshme me krahun e ekstremit të djathtë.

Bashkimi Europian po humbet një prej anëtarëve për herë të parë në historinë e tij. Pasojat e largimit të Britanisë nga blloku do të ndihen në të gjithë politikën kontinentale, në fushën ekonomike dhe financiare, duke lëkundur Europën në thelbin e saj. Partnerët më të mëdhenjë tregtarë të Britanisë në BE, të cilat tani humbasin aksesin në tregun e përbashkët, tashmë do të kërkojnë dëshpërimisht përshpejtimin e një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Brukselit dhe Londrës. Në të njëjtën kohë, vendet në periferi të eurozonës do të duhet të përgatisin veten për një periudhë jostabiliteti politik dhe pasigurie financiare që mund të kërcënojë përmirsimin e niveleve të tyre ekonomike. Aleatët e tyre jo-anëtarë të eurozonës në Veri dhe në Europën Lindore, me shumë gjasa do të vendosin që të distancohen nga blloku europian pas humbjes së një prej aleatëve më të rëndësishëm jashtë euro-zonës. Dhe ndërkohë që këto të çara po minojnë përhapjen e unitetit europian, themelet e bllokut, pra aleanca franko-gjermane, do të dobësohet.

Kur Franca dhe Gjermania Perëndimore themeluan Komunitetin Ekonomik Evropian (EEC), paraardhësin e Bashkimit Europian, në vitet 1950, ata kishin dy qëllime kryesore. I pari ishte të krijonin një strukturë politike dhe ekonomike që do të lidhte dy shtetet së bashku, duke zvogëluar shanset e shpërthimi të një lufte tjetër brenda Europës. E dyta ishte për të lehtësuar tregtinë dhe investimet për rinovimin e ekonomive të shkatëruara të pas-luftës së dytë botërore. Të dy ishin të kënaqur me zgjidhjet që ata kishin gjetur: France mendonte se kishte neutralizuar fqinjin e saj lindor duke ruajtur kontrollin e politikës kontinentale, dhe Gjermania kishte shuajtur armiqesitë me Perëndimin.

Ndërkohë, marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me projektin europian ishin disi të paqarta. Si një komb ishullor, Britania historikisht ka qenë e mbrojtur nga ngjarjet që po zhvilloheshin në kontinent. Në rastet kur Mbretëria e Bashkuar ndërhynte në punët kontinentale, kjo ndodhte zakonisht për të siguruar që fuqia brenda BE-së vazhdonte dhe mbetej e balancuar dhe e shpërndarë në mënyrë të tillë që do të mbante Britaninë të sigurt. Kur Komuniteti Ekonomik Europian lindi, Londra fillimisht reagoi me skepticizëm, e kujdesshme për çdo projekt që do të transferonte më shumë sovranitet nga Parlamenti britanik drejte teknokratëve të pazgjedhur në Bruksel. Franca, për më tepër, ishte e etur për të mbajtur Britaninë jashtë bllokut; ajo ishte e shqetësuar për dhënien e anëtarësimit tek KEE një vendi të cilin Charles de Gaulle e kishte përshkruar si "një kal trojan amerikan brenda Europës”. Nuk ishte e papritshme kur në vitin 1960, Franca vendosi veton dy herë kundër anëtarësimit të Britanisë në Komunitetin Europian.

Momentin që Britania do të largohet nga Bashkimin Europian, ajo rrezikon të hedhe poshtë bazën e pushtetit mbi të cilën BE-ja është vendosur. Gjermania bazohet në mbështetjen e Britanisë kur bëhet fjalë për promovimin e tregtisë së lirë përballë  tendencave proteksioniste të Francës. Franca e shehë Britaninë jo vetëm si një partner kyç të mbrojtjes, por edhe një kundërpeshë ndaj ndikimit të mundshëm gjerman. Duke hequr Britaninë nga plani, kjo do të thote thyerje e këtyre marrëveshjeve në një kohë veçanërisht të rrezikshme për një Europë thellësisht të fragmentarizuar, kur as Gjermania dhe as Franca nuk janë të kënaqur me status quon aktuale.

Thirrjet e fundit të Gjermanisë dhe Francës drejt Bashkimin Europian për të thelluar bashkëpunimin e ushtarakë dhe të sigurisë së përbashkët tregon se të dy janë të shqetësuar për këtë rezultat. Berlini ka shmangur marrjen e një roli më aktiv në çështjet botërore që një Brexit do të sillte. Që nga fillimi i krizës financiare europiane, Gjermania është ofruar të mbajë barrën e udhëheqjes politike dhe ekonomike të bllokut, por marrja e një roli me intensiv ushtarakë është një çështje tjetër. France do të pranonte dicka të tillë vetëm në kuadrin e një bashkimi ushtarakë të gjerë të BE-së, gjë që do të jetë e vështirë të arrihet mes atmosferës së izolimit që ka vendosur mbi kontinent. Llogaritjet politike të udhëheqësve francezë dhe gjermanë të planifikuara për zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2017 do të bëjë një bashkëpunim të tillë edhe më të vështirë për tu arritur. Nëse si përfundim Britania largohet nga Bashkimi Europian, kjo do ta hedhë kontinentin në një tjetër krizë politike dhe ekonomike, duke i dhënë forcave euroskeptike municione më të mëdha kundër bllokut, dhe votuesve më pak arsye për të mbrojtur atë. Por në qoftë se Britania vazhdonte anëtarësimin e saj, ajo do tu kishte faktuar qeverive të tjera europiane që është e mundur të kërkoheshin lëshime nga Brukseli duke fituar mbështetje në vendin e tyre.

Referendumi britanik, i cili ishte vetëm një nga shumë simptomat e fragmentarizimit të Europës, ka të ngjarë të ketë vënë tezën federaliste në anë për momentin. Në fazat e hershme të krizës së BE-së, debati politik sillej rreth thellimit të integrimit për të shpëtuar bllokun europian. Kjo strategji duket se ka dështuar, dhe fokusi së shpejti do të zhvendoset ngadalësisht drejt çmontimit të disa prej aspekteve të Bashkimit Europian, në mënyrë që ta mbajë atë gjallë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora