E shtune, 27.04.2024, 12:29 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Jublileu i një gjenerate

E premte, 05.02.2016, 09:06 PM


Jublileu i një gjenerate

60 VJET SHOQËRIMI, PA INTERES MATERIAL

Gjeneratë e veçantë për shoqërim dhe organizim

Nga Adil FETAHU

Sivjet (2016) është 60-vjetori i regjistrimit të gjeneratës së katërt në Shkollën Normale të Prishtinës. Është një jubile jo i vogël i arsimimit dhe shoqërimit  gjatë shkollimit pesëvjeçar në atë Shkollë, dhe 55 vjetëve tjera shoqërimi pas mbarimit të shkollës.  Është kjo gjeneratë e veçantë  për kultivimin, ruajtjen dhe organizimin shoqëror, edhe sot e kësaj dite, që të gjithë sa janë gjallë kanë shkelur në decenien e tetë të jetës. Ishim dy paralele nga 30 nxënës që u regjistruam në vitin shkollor 1956/57, për t’u kualifikuar e përgatitur për mësues, që asokohe kishte aq shumë nevojë në trojet shqiptare jashtë shtetit amë. Kishim në klasën tonë shokë e shoqe nga qytete e fshatra të Kosovës, por kishim edhe nga Shkupi, Dibra, Tuzi, Ulqini, Presheva,  kishim edhe nga Tropoja e vende tjera të Veriut të Shqipërisë. Gjatë viteve, në klasën tonë erdhën edhe të tjerë nga shkollat tjera normale, apo tjerë që kishin ngelë nga vitet mëparshme dhe u bënë katër paralele,  ashtu që  në janar-shkurt 1961, vitin V dhe diplomimin e kryen 120 veta. Të gjithë të orientuar për profesionin fisnik e  të shenjtë të mësuesisë. Kishim ardhur në atë shkollë me mentalitete, dialekte e të folme të ndryshme, por kjo nuk na pengonte të shoqëroheshim e ndihmoheshim mes vete me gjithë çka kishim, dhe shpejtë e “unifikuam” gjuhën dhe afruam mentalitetin. Në këtë aspekt, përveç procesit mësimor, ka ndikuar edhe banimi në konvikt për pesë vjet i shumicës së nxënësve dhe organizimi i veprimtarive sportive e kulturore.  Jeta mësimore-edukative dhe ajo në konvikt, zhvillohej brenda rregullave rigoroze të zbatuara me rreptësi. Arsimtarët tanë ishin personalitete të shquara të arsimit shqiptar. Aty u kultivuan ndjenja të veçanta dhe shoqëri e sinqertë, që vazhdoi  tash e gjashtëdhjetë vjet, pa as më të voglin interes material. Në shoqërinë tonë kurrë nuk ka pasur fyerje as nënçmim. Të gjithë ishim (dhe mbetem) shokë plotësisht të barabartë, pa marrë parasysh profesionin, pozitën a gradën shoqërore apo shkencore të arritur në punë. Vektorët e ndryshëm jetësorë nuk mundën ta shkëpusin shoqërimin tonë. Edhepse ishim të shpërndarë në një gjeografi të gjerë gjatë punës, kurrë nuk i shkëputëm lidhjet shoqërore që kishim kultivuar pesë vjet në Shkollën Normale. Dhe jo vetëm midis nesh, ish-nxënësve, por edhe me profesorët tanë, të cilët i respektuam aq shumë. Në takimet tona gjithnjë i ftojmë dhe marrin pjesë edhe ata. Të gjithë kanë regjistrin me emra dhe numra te telefonave te shokëve e shoqeve, me të cilët komunikojnë sa herë duan. Disa prej tyre kane edhe adresa elektronike dhe fejsbuk, me te cilët komunikojmë edhe më shpesh. Për dy dekada të punës së asaj shkolle, kanë mbaruar Normalen e Prishtinës mbi 5000 të diplomuar, por të organizuar e të lidhur mes vete si kjo gjeneratë – nuk ishin asnjë tjetër.

Kjo gjeneratë  kaloi në dy shekuj dhe  shijoi dy jetë. U lind, u rrit, u shkollua, punoi  dhe kontribuoi    gjysmën e dytë të shekullit njëzet, në kushte të rënda  nën okupim, por që prej fundit të atij  shekulli e shijoi edhe lirinë e ëndërruar prej shumë brezash, për të cilën edhe vet dha kontribut. Është kjo krenaria e Normales së Prishtinës, shembull dhe model për të tjerët.

 

Nga takimi i mbajtur më 31 maj 2015 (foto: para ish-Normales së Prishtinës)

6 shkurti (1961) – dita e parë e punës

Ishte kjo gjenerata e parë e normalistëve të regjistruar me provim pranues dhe me kohëzgjatje pesëvjeçare të shkollimit në Normalen e Prishtinës. Kur arriti në vitin e pestë, për shkak të nevojës së madhe për mësues të kualifikuar,organet kompetente të arsimit kishin marrë vendim që  në semestrin e parë të vitit të pestë mësimi të mbahej më i kondensuar dhe viti të përfundohej me fundin e semestrit dimëror. Atëherë semestri dimëror përfundonte më 15 janar, nxënësit shkonin në pushim  tri javë.  Por, për këtë gjeneratë të normalistëve atë vit nuk kishte pushim. Përkundrazi, ishte koha e punës më intensive, për t’u përgatitur për provimin e diplomës, dhe për të dalë mësues të kualifikuar qysh prej fillimit të semestrit veror, që fillonte më 6 shkurt. Dhe pikërisht atë ditë, më 6 shkurt 1961, nga Shkolla Normale e Prishtinës u nisën 120 mësues, të shpërndarë gjithandej në trevat shqiptare në ish-Jugosllavi, filluan punën për të cilën ishin kualifikuar. Pothuajse të gjithë ishin bursistë të komunave prej nga kishin ardhur, prandaj duhej të shkonin atje ku i caktonin organet e arsimit. Jeta i ka rrugët e veta. Në ndërkohë, shumica kryen shkolla të larta e universitete. Shumë i mbetën besnik profesionit; punuan për dyzet vjet në arsim të niveleve të ndryshme, prej shkollës fillore deri në universitet. Disa prej tyre  punuan edhe në profesione tjera. Por,që të gjithë mbetën pishtarë të arsimit dhe moralit të shëndoshë kombëtar. Shoqërinë e krijuar në bankat e Shkollës Normale kurrë nuk e harruan. Përkundrazi, atë e përtërinë, duke mbajtur takime në përvjetor të ndryshëm, për të shndërruar ato në takime të rregullta vjetore, një ditë të caktuar të çdo viti (të shtunën e fundit të muajit maj). Dhe jo vetëm kaq, por është  kjo e vetmja gjeneratë (ndoshta në tërë Evropën?), që pas 48 vjetëve pasi që ishin ndarë nga bankat e shkollës, në shtator 2009-ës organizuan një ekskursion të përbashkët njëjavor, me ç’rast vizituan disa qytete e muze në Shqipëri, si dhe Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”,  ku më parë ka qenë ish-Normalja e famshme e zëmadhe e Elbasanit. Në vitin 2011 botuan  Monografinë e gjeneratës, dhe të gjithëve iu shpërnda falas. Po këta ish-normalistë shoqërohen e takohen edhe për raste tjera: për Ditën e Flamurit, për Ditën e Mësuesit, dhe qe disa vjet (pasi janë pensionuar) takohen edhe në përvjetorin e fillimit të punës (6 shkurt). Në këto takime evokojnë ngjarje e ndodhi nga jeta shkollore por edhe koha e punës.

Në 6 shkurtin e sivjem, mbushën plot 55 vjet që këta ish-normalistë, si 19 e 20-vjeçar, së pari e filluan punën si mësues e mësuese. Këto ditë lexova në gazetën  javore, letrare e kulturore Nacional të Tiranës, një intervistë të Ptolome Nushit, i cili tregon se në Shkollën Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” të Beratit, që përgatiste mësues me shkollim katërvjeçar, në gjeneratën 1961-1965 kishte 48 nxënës, që të gjithë meshkuj! Kur e lexova këtë, m’u rrit krenaria, që prej gjeneratës sonë në Normalen e Prishtinës (më 6 shkurt 1961) dolën mësuese të kualifikuara 25 vajza: Afërdita Rugova, Bahrije Murati, Dizare Dedaj, Drita Kokaj, Emire Salihu, Exhlale Berlajolli, Kadrije Ramadani, Kimete Canhasi, Mediha Deda, Mirvete Fetahu, Perihane Kelmendi, Rabije Bajrami, Resmije Musa, Rukije Malisheva, Sabrije Zeqiri, Sadije Murturi, Selvete Abrashi, Selvije Halili, Sinavere Roka, Shukrije Rudi, Shyhrete Çika, Vezire Shaqiri, Zejnepe Hyseni, Xhyke Shala, Xhylfidane Mumxhiu. Ishte ky grupi më i madh i mësueseve të dala përnjëherë, nga një gjeneratë, dhe ishte një arritje e madhe për arsimin tonë  asokohe, dhe një thyerje e botkuptimeve konzervative sa i përket shkollimit të femrave. Përveç mësimdhënies, mësuesit duhej të ishin edhe veprimtarë e propagandues për përhapjen e diturisë dhe arsimit shqip në masat popullore, iniciatorë dhe bartës të aktiviteteve për organizimin e jetës kulturore në mesin ku punonin.

Në takimin e sotëm, në 60-vjetorin e shoqërimit tonë të parë, e në 55-vjetorin e fillimit  të punës si mësues, i kujtojmë të gjithë ata shokë e shoqe të gjeneratës, por edhe profesorët tanë, të cilët kanë ndërruar jetë, e ata/ato ishin: Ali Mehmeti, Alush Ferati, Azem Shkreli, Bajram Jashari, Burhan Prishtina, Drita Kokaj, Eshref Ymeri, Exhlale Bërlajolli, Faik Sylejmani, Gani Haxhiu, Hafiz Maliqi, Halil Alidemaj, Halil Sadiku, Hysen Shala-Krrapi, Brahim Bajgora, Isa Bajçinca (që ndërroi sot 40 ditë më parë), Isak Zuka, Ismail Gashi, Ismet Gusia,  Kadrije Ramadani-Thaçi, Kadrush Sylejmani,  Liman Ahmeti, Metë Gashi, Muharrem Berisha, Musa Shala, Musa Zabërxha,  Mustafa Haxha, Murteza Duraku, Nexhmedin Galica Osman Rama, Qemajl Boshnjaku, Raif Syla,  Rifat Zhdrella, Riza Kosumi, Rrustem Rama,  Rrustem Sokoli, Saim Qyqalla, Sali Maxhera,  Selatin Ahmeti, Selvije Halili, Selvije Gjinali, Shaip Ismaili, Shemsi Gashi, Sherif Beqa, Shukrije Rudi,  Tafil Murati, Teki Ukmata, Vehbi Kikaj, Vezire Shaqiri-Mehmeti,  Xhafer Kelmendi, Xhemajl Prokoroxha, Zahir Byqmeti, Zejnepe Hyseni, Zijadin Munishi .   Profesorët tanë që kanë ndërruar jetë: Abdullah Gërguri, Abdullah Zajmi, Abdylhamit Adili, Ahmet Mumxhiu, Beqir Kastrati, Demush Shala, Drita Dobroshi, Engjell Berisha, Enver Gjerqeku, Fehmi Agani, Halil Dobroshi, Hazir Shala,  Ismail Hoxha, Jozefina Bala, Jusuf Shushka, Kemal Deva, Pajazit Nushi,  Radmilla Shiroka, Sadik Vraniqi, Salih Nushi, Sejfullah Rrmoku, Shefqet Veliu, Tajar Hatipi, Zekerija Cana, Zekije Pallaska,Zeqir Bajrami, Vahide Hoxha. Ndjesë paqin. Me veprat e tyre do rrojnë e mbetën përherë të nderuar në kujtesën dhe në zemrat tona. Lavdi e nderim, për jetë e mot!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora