E marte, 10.12.2019, 03:31 PM (GMT)

Komente » Fetahu

Fetahu: Aksionet vullnetare, vërshimet dhe protestat

E enjte, 14.01.2016, 09:25 PM


AKSIONET VULLNETARE, VËRSHIMET DHE PROTESTAT

Shkruan: Adil FETAHU

Pse në Kosovën e pasluftës nuk u organizuan aksione vullnetare?

Luftërat përveç viktimave në njerëz, bëjnë shkatërrime të infrastrukturës, ekonomisë dhe objekteve publike e private. Shkatërrimet që shkakton lufta, sjell varfërimin e përgjithshëm të popullsisë së vendit që ka qenë arenë lufte. Gjenerata e re ka parë shkatërrimet e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, por ka parë (përmes mediave) edhe shkatërrimet që soldateska serbe ka bërë në Bosnje-Hercegovinë e në Kroaci. Gjenerata ime mban mend shkatërrimet dhe varfërimin e vendit edhe nga Lufta e Dytë Botërore (1941-1945). Te popujt e dalur prej lufte, me të gjitha pasojat që sjell ajo, ekziston njëfar enthusiazmi për të rinisur jetën e rindërtuar vendin. Nga lufta e fundit në Kosovë, afro 900 mijë shqiptarë u dëbuan, shpërngulën e degdisën nëpër botë. Vendin e shkatërruan bandat e shtetit serb. Jam i sigurt, se po t’i pyesje shqiptarët e degdisur kudo në botë, se po të çlirohej vendi e të ktheheshin në atdhe,  a do të punonin vullnetarisht për rindërtimin e vendit, qoftë të shtëpive private, qoftë të infrastrukturës e objekteve publike, shumica e tyre do të deklaronin dhe do të nënshkruanin se janë të gatshëm të punojnë vullnetarisht, jo me ditë e javë, por me muaj të tërë, për disa vjet me radhë.

Me aksione vullnetare rinia ka ndërtuar shumë objekte pas Luftës II Botërore

Thuhet se po të kesh mendjen e plakut dhe fuqinë e të riut, mund të bësh çudira. Dhe kjo thënie nuk është e pabazë. Plaku me dijen dhe përvojën jetësore, din të gjejë zgjidhje në situata të ndryshme, ndërsa i riu me vullnetin dhe fuqinë e tij është në gjendje të realizojë zgjidhjen. Midis këtyre, dijes dhe fuqisë, duhet të ekzistojë një hallkë që quhet organizimi, e që është “nëna” e suksesit.

Në ish-Jugosllavi edhe gjatë luftës rinia ka krye punë vullnetare, në ndërtimin e disa rrugëve, në korrjen dhe mbledhjen e të lashtave, në prerjen e druve etj. Por, pas çlirimit, qysh në pranverë të vitit 1946 filloi organizimi i rinisë për aksione të mëdha të punës vullnetare për rindërtimin e vendit, siç thoshin atëherë, prej Sezhane deri në Gjevgjeli, ose prej Vardari deri në Trigllavë. U ndërtuan rrugë, ura, hekurudha, u hapen miniera, u ndërtuan fabrika, po u kryen edhe shumë punë në bujqësi. Në vitin 1946, për 7 muaj u ndërtua hekurudha “Bërçko – Banoviqi” (në Bosnje), e gjatë 92 km, me dy tunele në gjatësi të përgjithshme 667 metra, dhe 22 ura, me gjatësi të përgjithshme 455 metra. Ajo hekurudhë ishte me shumë rëndësi për shfrytëzimin e qymyrgurit nga miniera  (Banoviqi), që të transportohej atje ku kishte nevojë industria. Në ndërtimin e hekurudhës kanë marrë pjesë 62.268 të rinj e të reja nga vendi,dhe rreth 2000 tjerë nga bota e jashtme. Vitin tjetër (1947) u ndërtua hekurudha Shamac – Sarajevë, e gjatë 242 km, me 2,2 km tunele, e 17 ura. Në te kanë marrë pjesë 217.000 brigadierë të rinj e të reja nga vendi dhe 6000 tjerë nga bota e jashtme. Në vitet 1948-49 u punua një pjesë e Autostradës “Vëllazërim-Bashkim” nga prej Beogradit për në Zagreb, në ndërtimin e së cilës ka marrë pjesë edhe Brigada e Rinisë “Misto Mane” nga Shqipëria. Po ato vite, me vazhdim deri më 1951, u ndërtua Beogradi i Ri. Në vitin 1951 u ndërtua hekurudha Doboj – Banjallukë. Janë ndërtuar me punë vullnetare edhe shumë objekte tjera: fabrika për shkrirjen e metaleve ne Zheleznik, Sevojnë, Zenicë, Nikshiq; hidrocentralet në Mavrovë, Jabllanicë, Zvornik, Vinodoll, Vllasinë; kanale për ujitjen e tokës bujqësore (Begej – Posavinë); rrugë e hekurudha rajonale e lokale. Shumë të rinjë nga Kosova kanë marrë pjesë në këto aksione punuese të rinisë (quheshin: ORA – omladinske radhe akcize).

Edhe në Shqipëri janë ndërtuar shumë objekte me punë vullnetare

Shqipëria që edhe ashtu ishte më e pazhvilluar, nga Lufta e Dytë Botërore ka dalë shumë më e varfër dhe e shkatërruar, por ajo ishte në gjendje shumë më të keqe për shkak se askush nga jashtë nuk i ofronte ndihma. Prandaj ka vuajtur edhe të zitë e urisë. Drita elektrike kishin vetëm disa nga qytetet e mëdha.  Rinia shqiptare u angazhua në ndërtimin e shumë objekteve të infrastrukturës. Ajo ishte forcë aktive, si në luftën çlirimtare ashtu edhe në rindërtimin e vendit. Në vitet e para pas çlirimit, u ndërtuan të gjitha urat mbi lumenj, të cilat i kishte shkatërruar ushtria gjermane gjatë tërheqjes, dhe u normalizua puna në portet detare dhe në miniera. U ndërtuan disa rrugë në veri të vendit. U ndërtua hekurudha Durrës – Peqin dhe Durrës – Tiranë (38 km), Rruga e Rinisë Kukës-Peshkopi, Tuneli i Rrashëbullit (212 metra), Ura mbi lumin Erzen (91 m). Në aksionet e punës vullnetare të rinisë në Shqipëri kanë marrë pjesë edhe të rinjë e të reja nga Bullgaria. Me punë vullnetare janë tharë  e kthye në tokë të punueshme mijëra hektarë moçalesh.  Po edhe në ndërtimin e mbi 700 bunkerëve që u ndërtuan gjithandej Shqipërisë, rinia ka investuar punë të madhe vullnetare. Dikush mund të thotë se gjithë ato punë janë kryer me urdhëra e detyrime, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është se rinia ishte shumë enthusiaste për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit. Prandaj nuk ishte ajo punë “skllavëruese”, po vullnetare, nuk ishte diktat por dëshirë për ta rindërtuar e ndërtuar vendin. Natyrisht, organizimin e rinisë e kanë bërë strukturat udhëheqëse dhe punën e kanë ndihmuar kuadrot profesionale të fushave të ndryshme, të cilat asokohe ishin shumë deficitare.

Në aksionet punuese, rinia emancipohej e përgatitej për jetë

Puna e tillë vullnetare e rinisë së pasluftës, përveç efekteve ekonomike, kishte rëndësi të shumëfisht për edukimin dhe arsimimin e të rinjve e të rejave. Asokohe popullsia, sidomos ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës ishte më se 90% analfabete. Në aksionet e rinisë organizoheshin kurse të ndryshme për të mësuar shkrim-lexim, për mësimin e zanateve të ndryshme, organizoheshin shfaqje, lojëra zbavitëse. Përgjithësisht, rinia krahas punës fizike mjaft të rëndë, me kazmë e lopatë dhe me shumë sakrifica, përgatitej për jetë, emancipohej, argëtohej, kultivohej. Dikush mund të thotë se aty kultivohej “vëllazërim-bashkimi”! Po pse jo, më mirë të kultivohej vëllazërim-bashkimi, se të kultivohej urrejtja vrastare, që u kultivua në Serbi para luftërave të përgjakshme nga fundi i shekullit të kaluar.

Po ç’po bënë rinia sot?

Edhe Kosova edhe Shqipëria e ka popullsinë me moshë të përgjithshme më të re në Evropë. Dhe shpesh lavdërohemi se kemi rininë më të mirë. Po ç’po bënë për vendin e vet dhe për vetveten e saj kjo rini kaq e shumtë e kaq e mirë? Askush nuk e mohon sakrificën dhe kontributin e saj për çlirimin e Kosovës. Po Kosova, edhe para lufte ishte me shkallën më të ulët të zhvillimit të ekonomisë dhe të infrastrukturës, me ambientin më të ndotur. Prandaj, me të drejtë është pritur e llogaritur, se rinia do të jetë edhe më e gatshme pas luftës të angazhohej edhe më me zell për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit. Por, jo. Kjo nuk ndodhi.  Lufta e degradoi dhe shkatërroi akoma më keq Kosovën. Pas lufte, nuk u organizua rinia në asnjë aksion të punës vullnetare për rindërtimin e vendit, të objekteve ekonomike apo të infrastrukturës së shkatërruar. Kosova e pasluftës 1999, kishte  përkrahjen e madhe të faktorit ndërkombëtar për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit, por ajo përkrahje e gatishmëri e faktorit ndërkombëtar nuk u shfrytëzua si duhet, prandaj nuk dha efektet e dëshiruara. Vet faktori i brendshëm ishte i paorganizuar, nuk kishte një strategji, ide as gatishmëri për të ndërmarrë aksione të mëdha e të dobishme për vendin, për ta mbrojtur pronën shoqërore, për ta aktivizuar e zhvilluar ekonominë. Në vend të kësaj, individë, grupe e udhëheqës politik dhe institucional plaçkitën, shkatërruan dhe zhvatën atë ekonomi, përmes privatizimit kriminal e të korruptuar.  Ndihma ndërkombëtare u orientua e kanalizua në do punë shumë më pak të rëndësishme, se sa ishte rimëkëmbja e ekonomisë dhe rindërtimi i vendit. Shumë mjete nga donacione të ndryshme u shpenzuan për dofar trajnime, këshillime, seminare, “workshope”, kurse për mësimin e gjuhëve të hueja, kompjuterë, biblioteka, festivale, konferenca ndërkombëtare, promovime rinore, edukim joformal për vetëpunësim, edukim shëndetësor, fuqizimin e organizatave joqeveritare. Dhe ky “edukim demokratik” çfarë të mire i solli Kosovës dhe rinisë së saj, përveç nja 5000 e sa OJQ-ve, të cilat janë bërë qëllim i vetvetes, si burim mjetesh për disa të rinjë që sillen në to. Sot 17 vjet pas çlirimit të pjesërishëm të Kosovës, ekonomia është më keq dhe populli i Kosovës është më i varfër se para lufte, pa një perspektivë të daljes nga kjo krizë.

Sot shumica e të rinjëve të papunë mendojnë si të ikin nga Kosova.  Deri sa janë këtu, sillen rrugëve ose rrinë gjithë ditën në kafiteri, duke pirë makiato e cigare (po edhe diçka tjetër). Asnjë organizate, asnjë parti politike, asnjë institucioni shtetëror nuk i shkon mendja të organizojë ndonjë aksion pune vullnetare, për pastrimin e ambientit, për  pyllëzimin e sipërfaqeve të çveshura, për hapjen a rregullimin e shtratit të ndonjë lumi, për ndërtimin e ndonjë rruge, të ndonjë shtëpie kulture a sporti.  Dhe, sa herë bie shi apo shkrihet bora, kemi vërshime e dëme të pallogaritshme, të cilat askush nuk i kompenson. Ndërkaq, partitë politike (si ato të pozitës, si të opozitës), synimin kryesor për realizimin e qëllimeve të veta e kanë te rinia, si grupacioni më i madh i popullsisë. Ato asnjëherë nuk i thërrasin e organizojnë rininë për ndonjë punë të dobishme në interes të vendit, por në do protesta e demonstrata, të cilat pastaj degradojnë në shkatërrimin e pronës publike dhe asaj private. Rininë e manipulojnë edhe për efektet e zgjedhjeve lokale a kombëtare. Është për të ardhur aq më keq që politika po manipulon me rininë studentore, e cila duhet të llogaritej si korpusi më i vetëdijshëm rinor.

Po të llogaritet koha e humbur dhe dëmi material i shkaktuar nga protestat dhe demonstratat e zhvilluara pas luftës në Kosovë, për qëllimet e politikanëve të untë për pushtet,  dhe gjithë ato orë  të humbura e dëme të shkaktuara të ktheheshin në punë të dobishme, kushedi se sa objekte të infrastrukturës ekonomike e shoqërore  do të ndërtoheshin, sa do të kultivohej ambienti jetësor e sa dëme nga vërshimet do të parandaloheshin. E sa dobi tjera perspektive do kishte vetë rinia dhe gjithë Kosova nga organizimi dhe orientimi i mbarë dhe i mirë i rinisë?

Për fund: deklaroj publikisht se as nuk jam nostalgjik për të kaluarën, as nuk jam anëtar as simpatizant i asnjë partie politike. Dëshiroj ta shoh Kosovën të zhvilluar e të bukur dhe popullin e saj të begatë e të lumtur. Rinia e orientuar mirë mund ta bëjë këtë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT