E marte, 30.04.2024, 06:03 AM (GMT+1)

Mendime

Gëzim Hoxha: Një festival ndryshe?

E merkure, 30.12.2015, 04:19 PM


Një festival ndryshe?

Nga Gëzim Hoxha

Fund viti këtu tek ne sjell një bum me aktivitete artistike dhe kjo është shumë normale sepse i gjithë vendi përfshihet nga një atmosferë festive. Ja krishtlindjet kaluan dhe njerëzit raskapiten rrugëve dhe pazareve për të bërë dhuratat dhe blerjet për përgatitjet e Vitit të Ri. Jo të gjithë i plotësojnë dot të gjitha nevojat e tij, ndodh që ndonjëri t’i ketë të shpuara xhepat, e prapë dëshira për të festuar tundon çdokënd.

Pjesë e këtyre festimeve është dhe festivali i madh që organizohet çdo vit nga RTSH në  pallatin e kongreseve. Në natën e dytë të tij më ranë në sy pjesëmarrja e 3 vajzave me aftësi ndryshe ose me aftësi të kufizuara, quajini si të doni. Me delikatesën më të madhe, prezantuesi i festivalit i quajti ato persona me aftësi të veçanta. Gjithçka atë natë shkoi vaj. Njëra prej tyre, Suela tha se kjo ishte një përpjekje për integrimin kulturor të kësaj pjese të shoqërisë. Padyshim ishte një gjë shumë e mirë  dhe askush nuk mund të guxonte të thoshte asgjë tjetër, sepse do të ishte njësoj sikur të kërkoje gjilpërën në kashtë. E megjitatë….

Prapë se prapë e gjithë kjo më ngjan me një ngehinë ku fasada është e bukur, e lyer, e rregulluar, ndërsa brendia e saj mbetet e vjetër, në pikë të hallit, pasi ai që duhet të vinte dorë për të bërë diçka ose nuk ka pasur mundësi, ose nuk ka dashur.

Jetojmë në Shqipëri  dhe të gjithë e dinë se në çfarë kushtesh jetojnë personat me aftësi të kufizuara.  Të ndarë në dhjetra shoqata, pa dikë që t’i përfaqësojë denjësisht dhe t’i mbrojë. Pa mundësia e tyre shumëfishohet nga fakti që shumica nuk kanë asnjë profesion madje as arsim, kam dëgjuar që ndonjëri apo ndonjëra prej tyre ende nuk e ka parë dritën e diellit, të ndarë në grupe në bazë të paaftësive përfitojnë pagesa që nuk munden të shtyjnë as javën dhe jo më muajin, me rrugë e trotuare të papërshtatshme, me pallate pa ashensorë etj, etj.

Më kujtohet fare mirë  se si një i verbër ankohej se këta nuk të japin asnjë kile sheqer. At’herë u irritova dhe i thashë:  - Po ja e more sheqerin dhe e hëngre, po pastaj çdo bësh?. Tani që e mendoj i jap të drejtë sepse ai është dyfish i verbër. Një herë i verbër se nuk mund të shikoj dhe dy herë i verbër pasi ndoshta, nuk kishte një shkollë apo një zanat që të kërkonte ndonjë punë. Thënia e mençur se është më mirë t’i mësosh njerëzit të peshkojnë se sa t’u  japësh një peshk atyre, në këtë rast nuk vlen. Nuk vlen dhe e dini pse?, se këtu nuk mbahen premtimet. Ku është premtimi se buxheti për arsimi do të arrijë në 5% të PBB?, kur edhe këtë vit qeveria ka buxhetuar për arsimin vetëm 2,5%  të PBB sipas të dhënave  të fondacionit SAVE THE CHILDREN. E pra gjithçka fillon me arsmimin. Sa njerëz me, apo pa aftësi të kufizuara ka të paarsimuar dhe pa zanat?

Mirëpo në ekuacionin e integrimit të personave me aftësi të kufizuar kjo është vetëm njëra  prej kufizava. INTEGRIMI = ARSIM + PUNËSIM+ STREHIM. Po të shikojmë pak punësimin, gjendja është “ku thërret qameti”.  Ligji për Nxitjen e Punësimit i miratuar që në vitin e largët 1995, në të cilin thuhet se në çdo institucion apo entitet privat në 25 punonjës njëri prej tyre duhet të jetë me AK, i “përmirësuar” disa herë akoma nuk është zbatuar ose është zbatuar në raste sporadike dhe me këmbnguljen e ndonjërit prej personave me aftësi të kufizuara. Po shteti as llogarinë për mbledhjen e gjobave që do të vinin nga subjektet që nuk e zbatojnë atë, akoma nuk e ka hapur. Kjo mua më duket gjëja më normale pasi shtetit do t’i duhet të gjobisë veten e tij, sepse në fakt duhet të jetë ai i pari që të japë shembullin e zbatimit të këtij ligji.

E kotë të flasim për strehimin, sepse kreditë për të, marren me shumë vështirësi. Ato pak pallate që ndërtohen nga bashkitë për të pastrehët, nuk mund të plotsojnë nevojat e tyre. Për blerjen e një shtëpie duhet të jesh me shumë fat, pasi pritet që edhe çmimi i tyre të rritet me 20% si pasojë e aplikimit të TVSH për funizimin me banesa.

E po le të shpresojmë që viti 2016 të sjellë diçka më të mirë edhe për aftësinë e kufzuar, le të shpresojmë se strategjia e hartuar për këtë fushë nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe e Rinisë më datën 1 Dhjetor të këtij viti që po kalon, në të cilën, si në çdo ligj, VKM apo strategji të miratuar për këtë shtresë të popullsisë shkruhen shumë gjëra të bukura, të mos mbetet vetëm në letër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora