E enjte, 31.10.2024, 11:53 PM (GMT)

Kulturë

Abas Ermenji: Naim Frashëri

E premte, 01.08.2008, 08:30 PM


Abas Ermenji 1913-2003
NAIM FRASHËRI

Nga Prof. ABAS ERMENJI

Në Dhjetorin që vjen, mbushen plot pesëdhjetë vjet qëkur fytyrë e Naimit u-ftoh mbi letrat e shqipes, si flakë e bardhë e një qiriri. Qoftë mister qoftë dëshirë e veçantë që Perëndeshat e Parnasit kanë për miqtë e tyre, Naimit nuk iu lejua të shkelte pragun e kohës s'onë, por mbet si munument në horizontin e shekullit që shkoi, sikur desh të thosh "këtu është kufiri im". Si duket, frymë e tij pat për mision të zgjuajë nga gjumi i parë vetëdijen e shurdhër kombëtare, pastaj u-pre: si ai zefiri i butë që përkëdhel natyrën e fjetur dhe e mbush me drithma e njomështirë, n'avujt e parë të mugëllimit, pastaj shuhet n'agim të ditës.

Le t'a çojmë mëndjen një çast në shekullin e nëntëmbëdhjetë, e të kujtojmë se në ç'gjëndje ish bota shqiptare n'atë kohë kur erë e nxehtë e lirivet frynte prej një çipi t'Evropës në tjetrin, dhe bënte të ngrihen nga gërmadhat e popujve të rrëzuar heronjtë e luftës e të mendimit të ri. N'atë kohë kur trumbeta e kryengritjes oshëtin në të gjithë Ballkanin, dhe duket sikur një skenë e re po çfaqet në këtë theatër madhështor të historisë së lashtë. Ç'bëjnë shqiptarët n'atë kohë? Sigurisht lëvizin. Ata janë të parët që përzihen në rrëmuja e përleshje ; britmë e tyre dëgjohet ; armët e tyre shndrisin në të gjitha anët që lag Mesdheu i Lindjes, sepse mjeshtëria e luftës iu ka mbetur trashëgim ç'prej kohëve që s'mbahen mend : por e keqja është se luftojnë për botën dhe jo për vehten e tyre.

Qëkur kohët e lavdishme të Skënderbeut u-mbyllën me një perëndim të përgjaktë duke lënë pas një natë robërije nga më t'errëtat, vetëdija kombëtare e shqiptarëve erdh gjithnjë duke u-shurdhuar dhe u-thye boshti i idesë qëndrore për një shtet shqiptar të lirë e të pavarur. Shqiptarët u-shpërndanë nëpër botë si ajo kashta që e merr era, si gjymtyrët e një trupi të këputur në mes. Dhe kudo që vanë e zunë qëndër, u-çquan e duallë përsipër mbi popujt vendas. Bij Arbëreshi ishin shqipet e Sulit dhe delfinët e Hidras e të Species, që ngritën nga pluhuri i shekujvet ballin e Helladhës famë-madhe ; Shqiparët qenë ata që zgjuan në lugun e Nilit Egjyptin e Faraonëve, ose ata që, duke ecur mbi gjurmët e Gjikëve, ju duallë për zot fushave të bagatëshme të Vllahisë ; prapë një pjesë e shqiptarëve qe ajo që iu bë shtyllë Perandorisë s'Otomanëve si stërgjyshët e tyre, Ilirët, që iu bënë shtyllë Perandorisë Romake. Kurse brenda n'atdhé, në Shqipërinë mëmë:

Disa thonë kemi fe,
disa thonë kemi din,
Njani thotë jam turk,
tjetri latin.

Në këtë errësirë të shëmtuar, del Naimi që iu këndon bijve të shqipes verbin e kombësisë. Del Naimi që, me:

fjalët e gjuhës së zjarrtë,

kërkon të shpërndajë hijet që kanë mbuluar gjykimin e shqiptarëve, kërkon të ngrohë ndjenjën kombëtare të mpirë nga robëri e ashpër, kërkon të kthejë mëndjen, zemrën dhe hovin luftarak të bijve të shqipes, prej botës së jashtme, n'atdhenë e dashur, në vendin e bukur:

Tek mërzen cjapi me zile edhe fryn veriu në verë,
tek mbin lulja me gaz shumë, e me bukuri e m'erë.

Naimi shkunt nga pluhuri i harresës historinë e ndritur të stërgjyshërvet t'onë, dhe ua nxjer si pasqyrë syvet t'errur të shqiptarëvet, u kallzon sesa i lartë është fisi i ynë që dikur mbushte botën me lavditë e tij, u-këndon Skënderbenë, u përmend Pirro e Aleksandër dhe u-tregon se kanë dalë prej racës s'onë:

Selefqinjtë, Ptolemenjtë,
gjithë ç'qenë të mëdhenjtë.

Naimi këndon jetën dhe natyrën shqiptare, këndon bagëtinë e bujqësinë, këndon punën dhe virtutin, dhe me të gjitha këto, kërkon të forcojë idenë e të përkëdhelë dëshirën e lirisë e të mvehtësisë kombëtare. Kërkon t'u shtjerë ndërmend shqiptarëve se janë një komb më vehte, më i lashtë e m'i fisçëm nga të tjerët, dhe se duhet të punojnë për të krijaur një bosht jete kombëtare. Iu-kujton se nderi e lavdi e tyre është në Shqipëri, dhe jo në botën e gjerë:

Ti Shqipëri më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmërën ti m'a gatove plot me dëshirë e me zjarr.

Në vjershat e Naimit, të mos kërkojmë formë të lëmuar a bukuri artistike. Atje ka vetëm shpirt të pajtë e dashuri të sinqertë. Naimi nuk shkruan për dëshirë t'artit. Vargu i tij nuk është i gdhendur as i përsosur. Eshtë i thjeshtë por i përzemërt e i dashur si fjalët e një foshnje, i ngrohtë e plot shpirt si psherëtima e një mëme. Naimi i përket më shumë historisë shqiptare se sa letërsisë. Në një kohë kur vetëdija kombëtare është shurdhuar, kur shqiptarët kanë harruar vet-vehten, ai del si fytyrë apostulli dhe iu leçit ungjillin e kombësisë. Del e hap dritën e një vatre shqiptare, përgatit fushën shpirtërore për një bosht mendimesh lirie e mvehtësije, rreth të cilit do të sillej jeta shqiptare në t'ardhmen. Këto ndjenja e mendime Naimi i përhap me anën e vjershës, të cilën e gjen si mjetin më të mirë për t'i shpurë drejt në zemër të popullit. Prandaj edhe gjuhë e tij është ajo e fshatarit të thjeshtë. Naimi, si ai mësonjësi i mirë që ulet e bëhet një me nxënësit për të derdhur më lehtë në shpirt të tyre atë çka ka në shpirt të tij, zbret në radhën e popullit dhe i hap pa druajtje zemrën e ëmbël e të qetë.

Vepra e Naimit është poetike në tërësine e saj, pse çdo shpirt apostulli është edhe shpirt poeti. Megjithse Naimi duket sikur nuk ka pasjone, as që i njeh pasjonet. Zemër e tij është gjithmonë njëlloj, e patrazuar prej furtunash e valësh, e ndritur dhe e embëlsuar kundrejt botës së jashtëme nga një djellë i përhershëm dashurie. Prandaj edhe vjersha e tij është, më të shumtën, monotone, nuk ka ulje e ngritje, nuk ka lëvizje rithmi, as variasjon ngjyrash e tonesh. E prandaj Naimi s'krijon dot skena as tipa. Mbase është dhe influenca e besimeve të vjetra persane mbi dyalizmën a luftën e paprerë midis dy qënieve të kundërta, si e mira me të ligën, drita me errësirën, etj, që e bën Naimin t'a shohë botën vetëm nënë dy ngjyra.

Por ajo që i jep shpirt e jetë veprës së tij, është dashuria e vërtetë që Naimi ka për kombin, për njerëzinë, për gjërat e gjalla e për natyrën. Zemër e tij e butë dhe e fisçme është gjithmonë e prirur me rreze dashurie mbi botën që e rrethon. Me vjershat fetare dhe morale, kërkon t'ëmbëlsojë shpirtrat, të zgjuajë mëshirën e virtutin, t'iu zbusë shqiptarëve ndjenjat e egërsuara nga robëri e ashpër dhe e gjatë, e t'i bëjë më të sjellshëm, me t'ardhur e më të shkuarshëm në shoqëri.

Dashuria e tij për njerëzit, për gjërat e gjalla e për natyrën, të cilat Naimi i shikon si pjesë të pandarë të Gjithësisë, ka thekësa aqë të fortë, sa që na bën të mendojmë Shën Françeskun dhe mistikët e mëdhenj:

Dhe për një mize kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zemëra nuk thuhet zemër me mos pasurë mëshirë.

Magjithë të metat e formës monotone dhe thjeshtësinë e rëndomtë, është ky zjarr dashurije gjithnjë i ndezur që u jep një ngrohtësi të veçantë vjershave të Naimit, dhe i ka bërë të ngjisin në shpirtin e popullit shqiptar. Eshtë ky zjarr dashurie që nxehu ndjenja dhe bëri të dridhen zemra, që forcoj shpirtin e kombësisë dhe i dha shkas më fort se kushdo-tjetër asaj prendvere shkrimesh e mendimesh që ne quajmë Rilindje kombëtare.

Asnjë tjetër shkrimtar a predikonjës shqiptar nuk ka pasur një sundim shpirtëror aqë të math mbi popullin t'onë, sa Naimi. Nga mbarimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në pjesën e parë të të njëzetit, teqetë e Bektashinjvet ishin bërë shkollë e veçantë për librat e Naim Frashërit. Të tjerë këngëtarë popullorë frymëzoheshin prej tyre, dhe n'atë frymë, ndjenja të ngrohta kombësie çeleshin e përhapeshin me freskinë e lulevet. Se i ushqente një djellë dashurie i vërtetë.

Këtë dashuri Naimi, megjithëse e çfaq të fortë në disa vjersha lirike tek Lulet e Verës, ka rast t'a rrëfejë më gjallë në veprën e tij Bagëti e Bujqësi, ku këndon me dëshirë idilike jetën baritore e bujke të shqiptarëve.

Ndjenjat pantheiste, që i kish të lindura në zemër (ose i vinin nga besimi Bektashjan në lidhje me besimet e vjetra hindjane e persane që Naimi kish thithur nëpër mjet të persishtes), i vlejnë këtë herë t'i japë një shpirt të vetëm gjithë natyrës shqiptare e t'i pajtojë të gjitha gjërat në frymën e ngrohtë të jetës.

Në Bagëti e Bujqësi, Këngëtari i ynë prek nervin e jetës shqiptare dhe, i frymëzuar nga malli i atdheut, i sheh të gjitha nënë një dritë, natyrë ,njerës, kafshë e gjëra, i lidh të gjitha në një harmoni të këndëshme, u jep të gjithave një shpirt e një qëllim, dhe i mbulon me afshin e nxehtë të dashurisë së tij. Shikoni se me ç'hov të natyrshëm fluturon zemër e poetit, prej mërgimit ku ndodhet, në gji të Shqipërisë:

Kur dëgjon zëthin e s'ëmës, qysh e lë qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e mer dhenë,
Pa dhe në i prefshin udhën nja njëzet a tridhjetë vetë,
E t'a trembin, ay s'kthehet, po shkon përmes si shigjetë,
Ashtu edhe zemra ime më lë këtu ku jam, mua,
Vjen me gas e me dëshirë aty nër viset e tua.

A ka krahësim më të bukur nga ky, për të treguar kthimin e dëshirës në gji të atdheut e të vent-lindjes? Kthim aqë i fortë, i thjeshtë e i natyrshëm, sa edhe lëvizja e qengjit drejt gjirit të s'ëmës.

***

Naimi jetoi në një kohë kur dashuria e atdheut ish romantike. Dhe ndoshta s'mendoj se pas tij do të vinin ditë ku tingujt e shenjtë Shqipëri e Mëmëdhe të përlyheshin nëpër buzë katilësh e kurtizanësh, si flalët e Krishtit në gojën e Judës. S'mendoj se Shqipërinë, që ai e këndoi me aq dëshirë e mallëngjim, do t'a ledhatonin më vonë, dhe ndoshta me fjalë më të holla e më të gdhendura, gjuhë të ftohta lajkatarësh, gjuhët e atyre që e përdorin pendën si mjet fitimi, dhe prrallën e patriotizmës si plaçkë tregu!...

Por le të shpresojmë. Jeta sillet. Kohët ndryshojnë si stinët e vitit. Kush tha se pas këtij dimri nuk do të dalë një prendverë shqiptare e kaltërt, e mbarsur me frymën e dashurisë së thjeshtë të Naimit? Atëhere lulet që do të çeli jeta kombëtare e jona, do të kënë tjetër ngjyrë e njomështi, tjetër bukuri dhe erë. Vetëm gazi që vjen nga një dashuri e vërtetë i hedh popujt përpara, pjell e krijon; dhe ngre maja të larta në historinë e njerëzisë. Kush tha se ky gas ngjallës e krijonjës nuk do të hapet edhe një herë si zjarr i shenjtë nëpër zemrat shqiptare, duke zënë fill nga ajo shkëndijë e dashurisë së thjeshtë që rrodhi prej frymës së Naimit?

Gazeta Flamuri, prill 1950



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora