E shtune, 27.04.2024, 10:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Shëtitje me qenin...

E marte, 29.07.2008, 06:50 PM


Suzana Kuqi
Shëtitje me qenin...

Nga Suzana Kuqi
 
Koha është shumë e bukur dhe unë marr qenin e dal. Jo se nuk do të dilja po të ishte e keqe, veç të mos bjerë shi, shiun nuk e ka aspak qejf qeni im. Koha është e bukur dhe e ngrohtë , është korrik, shikoj plazhin të mbushur me plazhistë dhe mendoj me keqardhje se do të kisha bërë më mirë të kisha shkuar në plazh por... ai gjumi i mëngjesit është shumë i ëmbël e pasdite duhet të shkoj në punë. Edhe humorin e kam të mirë, e vë re se edhe kalimtarët e rrugës kanë fytyra të çelura e i gëzohen kohës. Nuk bën vapë, është nxehtë por seç fryn një erë që të kënaq shpirtin. Ju kthej përshëndetjet atyre që më përshëndesin edhe se nganjëherë nuk i njoh , por diku kam lexuar se engjëjt flasin nëpërmjet zërit të të panjohurve dhe unë nuk u shmangem. Dhe ja drejt meje një plak i vogël i hijshëm me sy të kaltër e flokë si borë e bardhë të cilin nuk e kam parë herë tjetër në atë rrugë , më buzëqesh e mban pak këmbët.
- Sot është ditë për të ecur me vela , - më thotë dhe sytë i ndrisin si të një fëmije të vogël çapkën.
- Ehë , - ja kthej unë duke buzëqeshur e siç duket buzeqeshja ime i jep zemër dhe sytë i shkëlqejnë më shumë.
- Mjaft të vej nja dy rrota poshtë këmbëve, me këtë erë...
- Po, - i them - dy rrota , hap kemishën e rrëshqet .- ja kthej me të qeshur e vazhdoj tej duke e lënë të lumtur .
Ja u hap një portë , tashmë e njoh për fytyrë gruan që del. Ajo si gjithmonë përshëndet qenin.
- Vogëlush , sa i këndshëm që je. Je shumë i buku,- ndërsa mua as që m'i hedh sytë e jo më të më flasë, por nejse ka edhe kështu , nuk ke se ç'i bën. Kaloj me tej. Diku qeni im fillon e shqetësohet e më terheq fort aq sa nuk ma shkul shpatullën nga vendi. Eshtë një qenushe që afrohet duke vrapuar e duke tundur bishtin. Eshtë vetëm , nuk ka padron. E qenushi im i merr erë para e prapa e tërbohet por unë nuk e lëshoj rripin e tij nga dora edhe se dhëmbja në shpatull më është bërë serioze.Ku dreqin u shpif dhe kjo qenushe, them me vete , nuk ja kam qejfin , vjen e më tërbon qenin. Pas pak një burrë i moshuar me dy këmbë të shtrembëra afrohet . Ka një rrip të mbledhur në dorë gjë e cila më bën të kuptoj se është padroni i qenushes.
- Hë moj, ç'më tund bishtin ashtu ?
Të pëlqen hë, thuaj të drejtën të pëlqen ai djalosh i bukur ?Deshe mashkull, ja ku e ke !- i thotë ai qenushes së vet e mua më drejton një buzëqeshje të gjërë nga ato jo me tridhjetedy por me dyzetetetë dhëmbë , por këtë rradhë jam unë ajo që nuk ja hedh sytë atij.Ndjehem pak si e ... nuk po gjej dot fjalën por të themi e ofenduar nga ato fjalë. Largohem më tej e kundroj oleandrat e rrugës sime , kanë çelur e janë shumë të bukura. Njëra i ka lulet e bardha e tjetra rozë të ndezur e kështu me rradhë. Eshtë vërtet shumë e bukur kjo rrugë tani në verë. Qeni im tashmë e ka harruar qenushen , e kemi lënë pas e i gëzohet trungjeve të pemëve të cilat i nderon duke ngritur njërën nga këmbët e pasme ... Ndonjë tjetër që vjen me qen përkarshi ndërron rruge ose del në trotuarin tjetër pasi kur bashkohen dy... Ja ku është njëri me qen , edhe ky është i ri në këtë lagje, nuk ndërron rrugë. Tashmë është përballë.Ka një qen të bukur rrace , i imi është metis. Ndërkohë që shkëmbehen qeni i rracës i merr erë timit e mundohet t'i ngjitet.            - Eshtë femër ?- më pyet i zoti që është goxha djalë.
- Jo , është mashkull - ja pres unë shkurt.
- Cudi edhe imi mashkull është , por nuk po i leh .
Nuk kthej pergjigje , sajoj një gjysëm buzëqeshje e shpejtoj hapin ta shpëtoj qenin tim nga ai përbindësh rrace. Si dreqin këtë qenin tim ma marrin gjithmonë për femër ?Kur them të gjithë , të gjithë qentë e qytetit. Nuk mund ta lesh të lirë, më shumë se qenushet i ngjiten qentë e mëdhenj, një herë ju sul e desh i hipi sipër një qen sa një gomar. Qenushi im u tmerrua e m'u hodh duke u dridhur e unë e mora në krahë e ashtu në krahë e çova në shtëpi. Por jo vetëm që nuk kanë turp këta qentë por nuk kanë as kokrrën e trurit, desh më çnderuan qenin. Qe një periudhë që qenit tim ju bë zakon të më kërkonte ta mbaja hopa në krahë . E po edhe kjo punë... E kemi qenin trasvestit , i thashë një ditë tim shoqi duke bërë shaka, por ai që nuk i duron fare këta të fundit pasi i lendohet sedra mashkullore, m'u nxeh aq shumë sa mua nuk ma mban të bëj më shaka të tilla . Zura mend e nuk i përdora më këto fjalë. Vazhdova më tej. Me bashkëngjitet një grua që e shoh përdite që del dhe ajo me qenin.Salutohemi e aq. Qeni i saj është plak nuk paraqet rrezik për timin por atë ditë...        
- Ke ndërruar qen ? - hyj unë e para në muhabet për herë të
parë me atë grua.
- Jo, e kam qethur ,- ma kthen ajo e gëzuar. Siç duket dhe asaj ja kish patur qejfi të ndërronte dy fjalë me dikë. Dy fjalë ? Ta kisha ditur nuk do ta hapja kurrë gojën edhe sikur.... Filloi e më foli për berberin e qenit se si e kish qethur , se si ju kish mbushur mendja ta qethte etjera etjera e nuk po i dilte fundi qethjes së qenit.
- Si ju quajnë ? - e pyes unë për të ndërruar temë .
- Tobi - ma kthen ajo.
- Tobi ! ?- nuk kisha dëgjuar kurrë që Tobi të ishte emër gruaje.
- Po qenin tim e quajnë Tobi - ma ktheu qetë ajo e unë nuk e pyeta më për emrin , jo se nuk desha ta dija si e quanin por nuk më la mundësi. Nuk mund të gjeje as edhe një të çarë të vogël në gardhin e ligjëratave për Tobin e saj, dymbëdhjetë vjet jetë e eksperiencë e Tobit m'u shfletuan një e nga një. Në fillim sytë e saj shkëlqenin nga hareja , si luante Tobi, si hante Tobi , çfarë i pëlqente të hante Tobi... Unë mora rrugën e kthimit për shtëpi që të shqitesha prej saj. Por nuk qe e thënë. Ajo nuk m'u nda. M'i numëroi të gjitha dhuratat që i kish blerë Tobit që kur ishte i vogël ja kaq sa grushti. Më filloi dhëmbja e kokës. Pallati im ishte afruar. Befas sytë e bashkëbisedueses sime u trishtuan. Unë isha para pallatit , por nuk qe kjo arësyeja. Arësyeja ishte se Tobi kohët e fundit nuk ishte aspak mirë, seç kish një shqetësim në zemër dhe në veshka. Se e çonte shpesh tek veterineri, edhe sot prej andej po kthehej , se i kish blerë ilaçet e kur i merrte ato Tobi ndjehej më mirë...Unë dy metra para hyrjes së pallatit dëgjoja shqetësimet e Tobit ngulur si shtyllë e palëvizur. Nuk mund ta lija ashtu me fjalë në gojë kur fliste për Tobin , të ishte se ishte duke folur për veten e saj nuk do të ma merrte për keq sikur ta lija aty e të ikja. Ik, i thoja vetes sa nuk të ka kapur kriza e migrenës e të vuash gjithë ditën. Për fat komshija ime u duk në ballkon e më thirri e alarmuar :         - Se ç'vjen era djegësirë nga shtëpia jote !
Bobo, tava në furrë ! E kisha harruar fare, e pat dhe dreka e tim shoqi sot , do t'i fërgoj nja dy vezë e pak sallatë domate . C'të bëjë i ziu, e ç'të bëj dhe unë ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora