E hene, 29.04.2024, 07:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Kolevica: Si i njoha tre gjigandët e kulturës shqiptare

E shtune, 26.07.2008, 09:21 PM


Arkitekti dhe poeti Petraq Kolevica rrëfen për tre emrat e spikatur në historinë e artit dhe gjuhësisë, Mitrush Kuteli, Eqerem Çabej dhe Vedat Kokona. Si jetuan ata nën diktaturë dhe cilat janë mesazhet që u lanë brezave

Ilir Bushi

Mitrush Kuteli, Eqerem Çabej dhe Vedat Kokona janë tre figura që u flasin brezave edhe pas vdekjes". Kështu tregon arkitekti dhe poeti i njohur shqiptar Petraq Kolevica i cili rrëfen mbresat e tij nga takimet me tre gjigandët e kulturës shqiptare, të cilët na kujtojnë sentencën e njohur japoneze që "lulja është më e bukur se gonxhja, por pa gonxhe nuk ka lule".

Emrat e mëposhtëm janë pjesë e themelit të artit, kulturës dhe gjuhësisë shqiptare të cilët shërbyen gjithashtu si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe Perëndimit. Petraq Kolevica, ndofta është njeriu i fundit dhe i vetëm në Shqipëri që mund të na rikrijojë atmosferën e atyre viteve, ku errësira e diktaturës ndeshej me ndriçimin e yjeve të kulturës shqiptare, të cilët megjithëse u burgosën apo u persekutuan, përsëri na bëjnë të ndjehemi krenarë për traditën e së kaluarës tonë.

Zoti Kolevica, ju keni pasur fatin të njiheni nga afër me tre gjigandët e kulturës shqiptare, Mitrush Kuteli, Eqerem Çabej dhe Vedat Kokona. Cilat janë mbresat që ruani nga kontaktet me ta?

"Në kohën e fundit nisn'e u rralluan fort pleqt e fshatit. Si të velur nga kjo botë, njëri ndërroi jetë buzë-vjeshte, dy këtij dimri edhe disa në pranverë, kur mbiu bari. Iknë nj'ashtu, njëri pas tjetrit, si bërë me fjalë edhe e lanë fshatin në dorën e brezit të ri".

Këto rradhë nga "Ago Jakupi..." i Mitrushit më vinë ndërmend, kur kujtoj me dhimbje se si na ikën, njëri pas tjetrit, ata të mëdhenjtë e kulturës sonë. Në fillim, papritmas, na iku Mitrush Kuteli. Nja dhjetë vjet më vonë, Eqrem Çabej. Pas tij Lasgushi dhe së fundi, shekullin e njëzetë dhe kapitullin e veçantë të të mëdhenjve të hershëm, e mbylli Vedat Kokona.

Pata rastet fatlume të njihesha me ta, të më pranonin si mik të dashur, të bisedoja, të dëgjoja dhe të mësoja prej tyre gjëra që s'mi mësonte dot asnjë shkollë e askush tjetër.

Nisim me Mitrush Kutelin. Çfarë mbani mend nga takimet me të?

"Kam shkruar se me Mitrush Kutelin u njoha më 1958 por, në të vërtetë, isha takuar nja dhjetë vjet më parë, pa e ditur se isha njohur me të. Ishte, ndoshta, fillim korriku i vitit 1948... Kisha mbaruar shtatëvjeçaren e atëhershme dhe i gëzuar, ecja nëpër pazarin e Korçës me një kaush konik me qershi të zeza të Leskovikut në dorë. Ndërsa haja qershitë e shijshme, lexoja fjalët e shkruara në letrën e kaushit dhe habitesha. Oj! Qenkan të bukura këto!

"Të dua baltë shqiptare/Të dua /Dëshpërimisht/Egërsisht..." Dhe vazhdoja lexoja më tej:"Të dua baltë shqiptare/Magjistare/Ti, mjalt'e ëmbël/Ti, helm i hidhur..."

Ne, nxënësit e asaj kohem ishim mësuar e mbrujtur shpirtërisht me poezitë e këngët patriotike të Rilindjes. E dinim vargun e Çajupit:"Ku na duket balta më e ëmbël se mjalta?" Prandaj dhe vargjet e mësipërme, ndonëse nuk ishin në formën e poezive që njihja deri atëhere më pëlqyen. Në këtë kohë e diçka më vonë, lexova "Kapllan Agën...", "Ago Jakupin", "Vjeshtën e Xheladin beut" dhe "Lumin e madh" të Mitrush Kutelit, po ku ta dija unë se dhe këto vargje të kaushit ishin të tijat? Këtë e mësova nja pesëmbëdhjetë vjet më vonë".

Ç'ndodhi me ju pas kontakteve të drejtpërdrejta me Kutelin?

"Siç thashë, me Mitrush Kutelin u njoha në vitin 1958. Afrimi me të më ndihmoi të kuptoja e të shijoja më mirë veprën e tij, të njihja disa sekrete të gjuhës shqipe, të stilit të të shkruarit, të poezisë, të përkthimit.

Mbasi i pata dhuruar librin me përkthimin tim të "Demonit" dhe i pata treguar disa poezi të mia origjinale e përkthime, më dhuroi librin e tij "Xinxifilua" me kushtimin që pata nderin të më shënonte në të e që e kam një nga kujtimet më të çmuara.

Mbi këtë njohje kam shkruar gjerë në librin tim "Me Mitrushin" dhe në hyrje të librit tjetër "Lasgushi më ka thënë" të cilat, lexuesi dashamir të Mitrushit e të mitë, i dinë prandaj s'dua të zgjatem. Sot dua të theksoj se ç'mësova unë se ç'mund të mësojnë të tjerët nga Mitrush Kuteli.

Me shembullin e vet ai tregoi qartë se njeriu i ndërgjegjshëm për çka di e ç'mund të japë në kulturën shqiptare, edhe se mbas dy vitesh burgu të tmerrshëm komunist, edhe se i sëmurë që e mban shpirtin me një grusht tabletash, edhe se ka mbi kurriz një familje me katër fëmijë të vegjël, grua e motër, edhe se pa përkrahje nga regjimi, madje i parë shtrembër prej tij, di të gjejë forca të kërkojë rrënjët ilire tëkombit të vet, di t'u japë fëmijëve shqiptarë "Xinxifillon" dhe "Tregime të moçme shqiptare" di t'u sjellë poetëve të lodhur një model të bukur me poezinë "Pranvera e plakut" dhe përmbi malin e mundimshëm të përkthimeve për të nxjerrë bukën e gojës, di të japë përkthimet mahnitëse si ai i "shpirtrave të vdekur".

Mësimi i madh i këtij njeriu merr vlerat më të larta po të mendosh se gjithçka e bëri pa qenë aspak në marrëveshje leverdish me regjimin dhe pa u bërë domosdo lake e puthadorë i tij".

Po me Prof. Eqerem Çabejn, cilat kanë qenë raportet e njohjes suaj?

"Njohja tjetër e rëndësishme për mua ka qenë ajo me të ndjerin Profesor Eqrem Çabej. Në fillim të viteve gjashtëdhjetë banoja në apartamentin e një godine pranë asaj ku banonte Profesori. E dija kush ishte, e shihja me nderim, po as më shkonte mendja të njihesha, se e konsideroja tepër lart meje. Isha një inxhinier i ri që s'kisha interesa të tjera përveç profesionit tim, të cilit i kushtoja të gjitha energjitë e mia. Kështu kaluan shtatë-tetë vjet. Me punën time kisha filluar të njihesha disi në rrethet intelektuale e artistike me përkthimet e poezive të poetëve rusë, me shkrime mbi arkitekturën dhe ca më epër me ndërtesat e projektuara prej meje në Tiranë e në Korçë. Njohja me E. Çabejn ishte e rastësishme, po falë dashamirësisë së tij u bë shkak afrimi të shpejtë. Në këtë kohë i patën dhënë një apartament ca më mitë mirë. Atje i bëra vizitën e parë në shtëpi, i pritur ngrohtësisht e i nderuar me mirësjelljen fisnike të zonjës Shyret.

Atëhere sa kisha filluar të përktheja poezi nga gjermanishtja. Kur ia thashë këtë, u çua menjëherë me më dha librin "Die schönsten Gedichte der Weltliteratur" (Poezitë më të bukura të letërsisë botërore) prej nga mora e përktheva poezinë "Oriana" të poetit anglez Alfred Tennyson (1809-1892). Një ditë tjetër i thashë që po studioja se si i kishin përballuar artistët e mëdhenj vështirësitë e jetës. Sa dëgjoi, më dha librin gjermanisht të Stefan Cvajgut me shkrimet e tij mbi L. Tolstoin, Dostojevskin, Balzakun. Më dha gjithashtu një libër mbi Rafaelon, një tjetër mbi Verdin si dhe librin "Dämonische Dichter" (Poetë demoniakë). Pjesë prej këtyre librave të shkëputura atëhere, nja njëzet vjet më vonë i përfshiva në librin tim "Kështu ngjitesh tek yjet". Gjatë kohës së këtij afrimi, doemos, fjala s'kishte se si të mos vinte te Lasgushi. Për njohjen me të E. Çabej më tregoi gjëra interesante të cilat i kam shkruar te libri "Lasgushi më ka thënë". Në fillim të vitit 1978, Lasgushi më pati dhënë një dorëshkrim të poemës së tij "Kamadeva". Mbasi e lexova, për këtë i thashë edhe E. Çabej duke i shprehur konsideratat maksimale për të. S'nguroi të ma kërkonte për ta lexuar. Ia dhashë. Pas disa ditësh më tha se do ta mbante dhe pak që ta lexonte dhe Brikena (vajza e tij).

Ç'ndodhi më pas?

Shumë shpejt qëlloi të rëndohej sëmundja dhe ndonëse e takova përsëri s'pata guximin ta pyesja dhe s'mora ndonjë mendim prej tij se si e vlerësonte krijimtarinë e Lasgushit tek ajo poemë.

Me këtë rast dua të shënoj diçka që më duket e rëndësishme: Në veprat e plota të Lasgushit, botuar së fundi (Onufri 1999) në fund të poemës "Kamadeva"(vëll 1, f.319) nuk është shënuar data e përfundimit të saj. Në një kopje të daktilogruar që më pati dhënë Lasgushi shënohet viti 1975. Ndoshta kjo është data e vërtetë e përfundimit të poemës.

Nga E. Çabej, jemi njëzet e ca vjet larg, por nga njohja me të, përveç ndihmës që përmenda, të dhënë aq bujarisht, pata dhe nderin e mad të më falte të gjashtë vëllimet e veprave të tij të sapobotuara atëhere në Kosovë, duke shënuar mbi to një kushtim të çmuar. Kjo më bën ta ndjej gjithmonë pranë. Tani dua të dëshmoj diçka që më sa di, nuk e ka shkruar ndokush tjetër: Në kohën e varrimit të Eqrem Çabejt, ndonëse mes gushti, ra një shi i dendur e i rëndë si litar me shkrepëtima e bubullima të forta. Në çastin, kur atë po e zbrisnin thellë në varr, sokëlliu një shkrepëtimë e bubullimë aq e fortë sikur të kishte rënë rrufe aty pranë. Rastësi? Ndoshta... po ndoshta dhe qielli e ndjeu humbjen e tij..."

Ju keni pasur kontakte të shumta edhe me princin e përkthimeve, Vedat Kokonën. Çfarë mbani mend nga bisedat me të?

"Edhe të ndjerin Vedat Kokona, që në fillim të viteve gjashtëdhjetë e për nja dhjetë vjet me rradhë, e pata fare pranë shtëpisë sime. E dija kush ishte dhe e shikoja me zili atë burrë të moshuar se me sa shkathtësi e hipte dhe e ngiste biçikletën. Emrin e tij e kisha njohur që te "Revista letrare" që patën botuar së bashku me M. Kutelin, S. Spassen e N. Hakiun, kisha lexuar diçka prej tij e kisha dëgjuar për të, por nuk isha njohur. Njohja u bë aty nga viti nëntëdhjetë, kur edhe atij i kishte rastisur të lexonte diçka prej përkthimeve të mia. Megjithatë njohja e vërtetë u bë nga mesi i vitit 1991, kur shkova në shtëpinë e tij dhe që atëherë e deri në fund, mbetëm miq të dashur.

Siç kam shkruar dikur, dhoma e tij e punës ishte një dhomë e thjeshtë, e një apartamenti të tjeshtë, në katin e tretë të një godine të thjeshtë shtetërore të asaj kohe, po sa punë ka bërë Vedat Kokona në atë dhomë!

Në vitin 1992, ambasadorin gjerman, i cili donte të njihte njerëz shqiptarë të kulturës, e çova te shtëpia e zotit Vedat. Të dy biseduan frëngjisht. Kur ambasadori e pyeti se ç'punë kishte në dorë, Vedati i tregoi një kapicë me letra të daktilografuara prej tij të fjalorëve Frëngjisht-Shqip dhe Shqip-Frëngjisht që po përgatiste. Ambasadori, i habitur pyeti: Sa kohë ju ka marrë gjithë kjo punë? Hiç-tha Vedati- duke buzëqeshur - ca vjet. E përcollëm zotin Ambasador dhe kur u kthyem Vedati vazhdoi: Si t'ia thosha atij që për fjalorët më ndihmuan budallallëqet e kohës?

Që ta dish, nja tridhjetë vjet më parë, më patën dhënë të përktheja nga shqipja në frëngjisht poezitë e një poeti. Ato s'qenë poezi, po parrulla dhe unë normën e bëja brenda një ore, se s'kishte art, po përkthim fjalë për fjalë. Me kohën që më mbetej, fillova të merresha me bërjen e fjalorit të parë frëngjisht-shqip. Po kështu bëra edhe me përkthimin e ca poezive të tjera të asaj kohe, nga ato që Lasgushi i quante poezi socialiste. Pjesën tjetër të kohës ia haja natës, se ditën ma hanin përkthimet që nxirrja bukën. Njohja me të ndjerin Vedat, përveç dashamirësisë tërësisht të sinqertë me të cilën të rrethonte, ishte një shkollë e veçantë ku, ndër të tjera, mësoje si ta doje e ta nderoje gjuhën shqipe. Ishte ky nderim i tij për gjuhën që shkonte deri në adhurim, ajo që e bëri mjeshtrin tetëdhjetëvjeçar të hartonte atë libër me "Thërrime me mjaltë" të gramatikës shqipe. Pata nderin të ma falte këtë libër me një kushtim që vlen për të gjithë që duan të luftojnë për gjuhën e pastër shqipe. Ja ç'më shkruan:

"Bashkëluftëtarit në fushën e përgjakshme të luftës së gjuhës mjaltëngjizur, këtë trofe nga miku i tij i shtrenjtë, Vedat Kokona".

Në shkrime të mëparshme kam folur për vëllimin e paimagjinueshëm të madh të përkthimeve të bëra nga i ndjeri Vedat. Sot dua të ve në dukje një cilësi të veçantë të tij: atdhedashurinë e pafund. Në mbështetje të këtij ideali të lartë zgjodhi që në rini të përkthente "Horacin" e Pjer Kornej-it. Shihni sa domethënës është kushtrimi që më ka lënë te ky libër që më dhuroi, ku thotë: "Mikut Petraq, këta romakë të rreptë që vrasin motrën, se u ka sharë atdheun".

Së fundi, ç'mund të na thoni si përmbyllje mbi këto figura të rëndësishme të kulturës sonë?

"Për ta mbyllur këtë bisedë, më mirë se ç'mund të them unë, e thonë këto vargje të poetit afrikan Birago Diop:

"Ata që vdiqën
nuk ikën kurrkund,
Po janë në terrin
që na ndrit ne,
Janë në terrin e dendur
pa fund.
Të vdekurit s'janë kurrë
nën dhe...
Janë mes njerzve, mes
turmës, kudo.
Të vdekurit nuk
kanë vdekur, jo!"



Mitrush Kuteli
Lindi në Pogradec më 1907
Shkollën fillore e kryen në Pogradec
Fakultetin Ekonomik e përfundon në Bukuresht
Përmbledhjen e parë me tregime "Netë shqiptare" e botoi më 1938
Më 1944 boton tregimet "Ago Jakupi" dhe Kapllan Aga"
Më 1962 botoi "Xinxifillua" dhe më 1965 "Tregime të moçme shqiptare"
Vdiq më 4 maj të vitit 1967 (dhe jo më 1966 siç thotë fjalori enciklopedik shqiptar)
Më 1983 botohet pas vdekjes romani "Në cep të Ilirisë"

Eqerem Çabej
Lindi në Gjirokastër më 6.8.1908
Studimet e larta i kryen në Austri për filologji dhe specializohet për gjuhësinë krahasuese
Pas vitit 35 boton "Hyrje në Historinë e Hghuhës shqipe", "Studime etimologjike në fushë të shqipes dhe "Studimi kritik i veprës Meshari i Gjon Buzukut".
Ishte anëtar i Akademisë së shkencave dhe mbante titullin "Mësues i Popullit"
Eshtë një përfaqësues i njohur i gjuhësisë në rrafshin ndërkombëtar
Vdiq më 13 gusht 1980

Vedat Kokona
Lindi më 7 gusht 1913 në Izmir të Turqisë
Arsimin fillor e kryen në Tiranë.
Më 1935 kryen Liceun e Korçës
Më 1938 diplomohet për Drejtësi në Sorbonë të Francës
Më 1934 botoi librin "Nga Tirana në Stokolm".
Gjatë këtyre viteve ka vazhduar përkthimet e tij nga Anglishtja, frëngjishtja, rusishtja, italishtja etj,.
Qysh nga viti 1998 mban titullin "Doktor Honoris Causa"
Vdiq më 14 tetor 1998



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora