E shtune, 27.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Kulturë

Kur lindi fjala e lirë shqipe

E diele, 20.07.2008, 04:05 PM


125 vjet nga botimi i revistës së parë shqiptare, "Flamuri i Arbrit"

Ne sot mund të kthehemi pas në kohë, për të përfytyruar Jeronim De Radën, të ulur në një bar të Kozencës, duke lexuar numrin e parë të revistës "Flamuri i Arbrit". Burri që sot kujtohet si një nga personazhet më të devotshme të Rilindjes sonë Kombëtare, nuk do të mjaftohej vetëm me të qenit një poet i mirë, i kohës, apo një studiues i gjuhës shqipe. Nga Italia ai do të niste një korrespodencë me figurat më të rëndësishme të çështjes shqiptare, dhe do të ndiqte me interes çdo gjë që lidhej me Shqipërinë.

Përtej brigjeve të Adriatikut, De Rada nuk mund të rrinte indiferent ndaj ngjarjeve që shoqëronin kohën. Më 20 korrik 1883, bashkë me një grup bashkëpunëtorësh, ai nxori në treg revistën "Flamuri i Arbrit". Si përkrahës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai kërkonte të përcillte nëpërmjet kësaj reviste te shqiptarët e Italisë, por edhe tek italianët (kjo revistë botohej dhe në italisht) idetë shqiptare. De Rada ka qenë gjithnjë kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë.

Në këtë revistë, e cila mundi të botohej vetëm në 32 numra, mund të gjejë informacion mbi politikën, kulturën, apo letërsinë. Si njeri i letrave, De Rama kërkonte ta kthente "Flamurin e Arbrit" në një flamur të mendimit të lirë shqiptar.

Dhe me një shqipe të vjetër, ne sot mund të lexojmë në një numër që na ka rënë në duar dashurinë e madhe të këtij shqiptari të madh dhe të tjerëve që e ndihmuan në idenë e tij, mendimet e tyre për atdheun.

Është interesante të kthehesh në kohë 125 vjet më parë dhe të shohësh se si e kanë perceptuar dhe ëndërruar atdheun personalitete të rëndësishme të kohës. Kjo revistë është një mënyrë për të parë se si ka evoluar mendimi shqip ndër vite.

"Flamuri i Arbrit" është një përpjekje që të ngjall sot respekt dhe dashuri, për të gjithë ata që kanë kontribuar për fjalën shqipe.

Për historianët, "Flamuri i Arbrit" u bë tribunë atdhetarizmi dhe mbrojtëse e interesave tona kombëtare, ndaj synimeve grabitqare të shovinistëve fqinjë dhe të imperialistëve austriakë e italianë, duke shtruar kërkesën për autonominë e Shqipërisë.

"Flamuri i Arbrit" qe një iniciativë e De Radës, ndaj sot ndoshta duhet të flasim pak më tepër për të. Për poetin që më 1836 solli veprën e parë me vlera artistike në letërsinë shqipe, poemën epike "Këngët e Milosaos" dhe më vonë një sërë poemash të tjera. Dhe pse jeta e tij qe e shoqëruar me një sërë dramash, siç ishte humbja e gruas dhe e djemve, De Rada e gjeti shpëtimin pikërisht te fjala. Nëpërmjet kësaj të fundit, ai nuk rrëfeu vetëm ndjenjat e tij prej poeti, por dhe vështrimin e një intelektuali shqiptar për të drejtat e vendit të tij. De Rada do të kujtohet dhe si një mbrojtës i flaktë i gjuhës shqipe. Ai ka organizuar dy kongrese gjuhësore për çështjen e shqipes (Koriljano Kalabro, 1895, Ungër, 1897), mori pjesë në Kongresin XII të orientalistëve në Romë, ku foli për gjuhën tonë dhe, me përpjekjet e tij u çel një katedër e shqipes në Institutin e Gjuhëve Orientale në Napoli.

Por "Flamuri i Arbrit" që sot shënon 125 vjet nga numri i tij i parë qe një lloj dashurie për të, një dashuri nëpërmjet së cilës ai kërkonte të ndryshonte kohën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora