E shtune, 27.04.2024, 05:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Julianne Moore, "Kuqja" e zjarrtë e Hollivudit

E shtune, 12.07.2008, 12:14 PM


Qarkullojnë fjalë, sigurisht në rrethet kinematografike, se ajo është një nga pasardhëset e denja të aktores Meryl Streep. Në të vërtetë është një nga fytyrat dhe karakteret më të veçanta të ekranit të madh. Nuk shfaqet shpesh, ka guxuar shumë, madje vazhdon të guxojë me role që jo shumëkush do të kishte dëshirë t‘i kishte në kurrikulumin e tij, pasi mund të përbënin edhe dështime. Është Julianne Moore, kuqja me fytyrën si alabastër e me flokët e gjatë e të trashë, që nuk di të tregojë moshë, edhe pse i ka kaluar prej kohësh të 40-at. Nuk bën kurrë tualet, madje as kur shfaqet në tapetin e kuq përkrah të shoqit, një regjisor 8 vjet më i ri se ajo në moshë, që për të është njeriu që i ka falur qetësinë dhe mbështetjen, për të cilën kishte pasur nevojë një jetë të tërë. Ka nga ata që thonë se pikërisht kur Julianne u njoh me Bart Freundlich, edhe karriera e saj nisi të lulëzojë dhe të pasurohet me oferta të denja për një aktor të listës A. Ajo nuk mban kurrë zbukurime, apo bizhu, përveç unazës martesore, një rreth i trashë në ngjyrë të bronztë, në të cilin ka shkruar emrat e dy fëmijëve të saj, djalit 10-vjeçar, Cal dhe vajzës 5-vjeçare Liv. Por, brenda ka edhe një fjali, të cilën ajo nuk ia ka treguar kujt, pasi, sipas saj, është një mister që e di vetëm ajo dhe i shoqi, e që deri më tani nuk e kanë parë sytë e askujt. E ndërsa është hermetike për të fshehtën e unazës, profesionalisht, Julianne ka qenë gjithmonë guximtare dhe e hapur. Kështu, në filmin e famshëm "Fundi i një marrëdhënieje", ku interpreton së bashku me Ralph Finnes, ka xhiruar skena intime shumë agresive, të cilat më pas u shkurtuan në versionin që u transmetua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas ka luajtur rolin e një ylli pornografie, në "Boogie Nights", ku është shfaqur e zhveshur nga mesi e poshtë, ndërkohë që në filmin e saj të fundit, "Hiri i pamëshirshëm", luan rolin e një gruaje me probleme të mëdha mendore e personale, me një jetë të trazuar e me shumë tragjizma, e cila në çmenduri e sipër arrin që të joshë edhe të birin. Edhe pse në këtë film nuk ka skena zhveshjeje, aktores i duhet të bëjë veprime dhe sjellje të vështira për t‘u interpretuar nga kushdo. Ajo është e bindur se spektatorët do të mbeten me gojë hapur kur të shohin disa nga skenat e filmit, por, pavarësisht kësaj, ajo ka guxuar. Në film rrëfehet historia e vërtetë e Barbara Daly. Ajo lindi në vitet ‘20 të shekullit të kaluar në një familje të varfër, por ishte një person me një karizëm të parezistueshëm. Falë kësaj vetie ajo arriti të bëjë për vete një trashëgimtar të pasur, me të cilin bëjnë një jetë luksoze e të shthurur, derisa një ditë i dashuri e lë për të dashurën e të birit. Këtu fillon edhe tragjizmi i jetës së saj. Julianne pranoi që të mishëronte këtë personazh, jo vetëm për faktin se i ngjan fizikisht gruas në fjalë, por edhe falë aftësisë që aktorja ka për të falur e përcjellë emocione edhe përmes gjesteve e lëvizjeve të vogla. Të gjitha rolet klasike të Julianne kanë qenë role në të cilat ndjenjat kanë qenë parësore. Këtu mund të përmendim filmat "Orët", "Fundi i një marrëdhënieje". Janë personazhe që mbajnë shumë brenda vetes dhe mundohen që ta fshehin realitetin e ndjenjave të tyre me të gjitha mënyrat. "Njerëzit kanë frikëra nga më të ndryshmet, edhe pse nga jashtë mund të duken të dobët e të brishtë, por shpesh ne kategorizohemi për keq, apo paragjykohemi kur jemi të sinqertë, ndaj ata që janë më të zgjuar i fshehin dhe mundohen të vënë një maskë në fytyrë. Unë për vete kam pasur dhe kam frikërat e mia, edhe pse profesionalisht dukem guximtare. Kështu i kam dhënë makinës vetëm në moshën 26-vjeçare, sepse deri atëherë më dukej sikur do të pësoja ndonjë aksident. Notin e mësova një vit më vonë dhe më pas guxova të shkoj larg. Fëmijën e parë e solla në jetë 10 vjet më parë, pra kur isha 37 vjeçe, sepse më është dukur se po të lindja do të shfytyrohesha", thotë aktorja. Për sa i përket personazhit që ajo interpreton më së fundi, Julianne thotë se e ka bërë kurioze që në fillim, pasi ishte tërësisht një e çekuilibruar dhe bënte atë që mendonte dhe i vinte për të bërë, pa marrë parasysh pasojat apo dëmet që mund t‘u shkaktonte të tjerëve, por në radhë të parë vetes së saj, që ishte edhe viktima e vazhdueshme e veprimeve të pakontrolluara. "Megjithatë, ka diçka shumë interesante, sepse jeta e personazhit tim është një jetë në kufijtë e ekzistencës, një jetë që shkelmon tabutë, jeta e një njeriu që nuk i njeh rregullat. Ajo, në fakt, bënte vazhdimisht atë që ne të gjithë ëndërrojmë ta bëjmë ndonjëherë në jetën tonë: çmendurinë", thotë Moore. Për vetë aktoren jeta ka qenë më shumë një semafor me drita të gjelbra. Pak a shumë gjërat i kanë shkuar mirë dhe ka bërë atë që ka dashur. Vitin e kaluar punoi për dy filma, një triller fantastiko-shkencor dhe një film të vështirë, "Verbëria e Fernando Meirellesit", në të cilin luan rolin e personit të vetëm që kishte mbetur me sy, në një botë ku të gjithë ishin verbuar.

Aktorja ka lindur në një familje ku i ati, oficer ushtrie, duhej të lëvizte vazhdimisht sa nga një shtet në tjetrin. "Deri në moshën 18-vjeçare kam ndërruar 23 vende banimi dhe më në fund përfunduam në Gjermani. Aty ndërrova 9 shkolla të ndryshme dhe mendoj se pikërisht në këtë vend më lindi edhe dëshira për t‘u bërë aktore", thotë Moore. Ka një fakt interesant, sipas të cilit shumë aktorë kanë pasur një fëmijëri të lëvizshme, me kalime sa nga njëri vend te tjetri, në vende me kultura e zakone të ndryshme. Kjo i ka bërë që të jenë familjarë me një shumëllojshmëri karakteresh dhe ta kenë më të lehtë të adaptohen me rolet e rinj. "Si çdo njeri, gjëja më e vështirë që kam pasur ka qenë dhe është njohja e vetvetes, e vetive dhe e veseve, e aftësive dhe e talenteve, si dhe e ndikimit që ti ke te njerëzit. Mu desh të kaloja një kohë të vështirë njohjeje, derisa më në fund u akomodova me pjesën time të errët". Sot, në jetën e saj nuk ka më gjurmë errësire dhe ajo ndodhet në momentin më optimal të ekzistencës. Është aktore fine dhe e ndjeshme, me një seri rolesh cilësorë e të veçantë, me një familje shumë të mirë dhe me një pamje për t‘u pasur zili. Për sa i përket pamjes së jashtme, ajo ka pasur në fëmijëri një kompleks të madh, për faktin se mbante syze. I dukej sikur të gjithë e tallnin dhe e përqeshnin, deri në momentin kur u shfaqën për herë të parë lentet me kontakt, të cilat i dhanë shumë më siguri si femër. Ajo ka një ide shumë interesante për bukurinë. Sipas saj, fytyrën e dikujt mund ta shohësh vetëm për herë të parë dhe vetëm atëherë mund të japësh vlerësime nëse ajo është e bukur, apo jo, pasi herët e tjera gjithçka lidhet me marrëdhënien që ke me dikë dhe pamja e jashtme e humbet forcën. "Unë kam fatin të kem një lëkurë të mirë, që nuk më ka bezdisur kurrë, por nuk i kuptoj ato që aplikojnë botox, apo liftin, pasi këto lloj ndërhyrjesh të heqin individualitetin nga fytyra dhe e tregojnë qartë se janë artificiale", thotë Julianne. Aktorja ka një hobi të sajin: i pëlqen të shkruajë libra për fëmijë. "Në fëmijëri isha një vëzhguese e mirë, por për një arsye që nuk e kuptoj nuk më vinte të shkruaja. Tani, me kalimin e kohës, gjërat e pathëna në atë kohë e ndiej se duhet t‘i them dhe për fat më duket sikur kam edhe aftësinë për ta bërë një gjë të tillë. Dua t‘u them të vegjëlve ato gjëra që dikur doja t‘i dija për vete, por që nuk i gjeja asgjëkund". Ajo ka dy fëmijë, një vajzë e një djalë dhe ndihet mirë që i ka të dy të gjinive të ndryshme, pasi fëmijët i kanë mësuar ta shohë botën ndryshe. Me bashkëshortin e saj vunë kurorë në vitin 2003, ndërkohë që i kishin sjellë në jetë dy fëmijët e tyre. Së bashku u takuan në vitin 1995, kur ai e shqoi në hollin e një hoteli, në një festival filmi. Në atë periudhë ajo po kalonte një moment të vështirë, pasi ishte duke u divorcuar nga aktori John Goul Rubin, me të cilin u martua kur ishte vetëm 22 vjeçe. Kur martesës i erdhi fundi, depresioni i saj ishte aq i madh, sa ajo iu nënshtrua një terapie të gjatë për të ardhur në gjendjen normale. Pikërisht në këtë moment, në jetën e saj hyn bashkëshorti i ardhshëm. "Nuk ishte një ndjenjë e menjëhershme, por një marrëdhënie që u ndërtua ngadalë, ndërsa punonim bashkë dhe me kalimin e kohës e vumë re që askush nuk donte që kjo marrëdhënie të përfundonte. Fillimisht të dy ishim të përqendruar te puna që bënim dhe më pas gjërat ndodhën pashmangshmërisht. Unë befas u ndjeva e hapur dhe e qetë, siç nuk isha ndjerë kurrë më parë në jetë. E kam të vështirë të mendoj se si ndodhi një gjë e tillë, por është një magji." Edhe pse i shoqi është shumë më i ri se ajo, Julianne ka shumë besim në vetvete dhe mbi të gjitha te lidhja e tyre. "Kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe mendoj se kur dy persona gjejnë shumë te njëri-tjetri, zor se mund të preferojnë të tjerë. Mosha nuk ka rëndësi, gjithçka varet te marrëdhëniet dhe marrëdhënia me personin që kam pranë është unike për të dy". Një nga gjërat që i pëlqen më shumë tek i shoqi është mënyra se si ata punojnë së bashku. "Kur jemi në të njëjtën punë ai shndërrohet në njeri tjetër. Është një regjisor kërkues dhe shumë profesional dhe më pas kur xhirimet kanë mbaruar rikthehet në bashkëshortin dhe babanë e dashur". Pavarësisht moshës, Julianne ka një trup shumë të mirë, që ajo e konsideron një nga pikat e saj të forta e për të cilin nuk i është dashur që të bëjë kurrë sakrificat që mund të bëjnë aktore të tjera, të cilat e kalojnë jetën të uritura për hir të pamjes së jashtme. "Ndihem hera-herës mirë me lëkurën time, por nuk mendoj se ekziston ndonjë person që ndihet vazhdimisht mirë me atë çka është, pasi gjërat janë në ndryshim". Kur e pyesin se si ndihet kur e krahasojnë me të famshmen Streep, ajo thotë se ka shumë respekt për aktoren dhe reputacionin e saj të padiskutueshëm, por ajo do të mbetet vetëm Moore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora