Editorial » Entela
Entela Binjaku: Sesioni shkencor në Krujë…
E shtune, 15.08.2015, 06:05 PM
Sesioni shkencor në Krujë….
Nga Entela Binjaku
Ditën e premte më 14 gusht 2015 u mbajt në mjediset e hotelit “Panorama” në Krujë sesioni shkencor me titull: “Populli shqiptar në rrjedhat e historisë dhe roli i personaliteteve nga Epoka e Madhe e Gjergj Kastrotit - Skënderbeut e deri në fund të shekullit XX".
Ky sesion u organizua nga shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit” e njohur për aktivitetin e saj në ndihmë të rritjes së vetëdijes kombëtare shqiptare.
Në këtë aktivitet një-ditor u paraqitën me dhjetra kumtesa nga studiues dhe lëvrues të mendimit shqip, të cilët sollën me këndvështrimet e tyre, figura historike dhe ngjarje me rëndësi për historinë e kombit.
Aktiviteti nisi me pjesën solemne të këndimit të himnit kombëtar, më tej me respektimin “in memoriam” të disa prej personaliteteve të ndarë nga jeta gjatë këtij viti, për të vijuar me leximin e poemës së Ernest Koliqit kushtuar Kapidan Markut, ndërkohë që pjestarë të familjes së Gjonmarkajve ishin të pranishëm edhe në sallë.
Kryetari dhe nënkryetari i shoqatës “Trojet e Arbrit” përkatësisht Prof. Dr. Muhamet Shatri dhe Mr.Sc. Nue Oroshi duke falënderuar dhe prezantuar të pranishmit, intelektualë nga të gjitha trojet të ardhur nga disa anë të botës, ose shqiptarë që me aktivitetin e tyre kanë kontribuar për kombin, duke veçuar këtu sportistin olimpik nga Kosova z. Aziz Salihu, bënë edhe një panoramë të aktivitetit një-ditor.
Në këtë sesion u mbajtën kumtesa me tematika nga më të ndryshmet si p.sh. nga z. Tomë Mrijaj, z. Frrok Kristaj, at Nikolla Marku, z. Mërlika, pasardhës të Mustafa Krujës etj.
“Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu në letrat shqipe: modeli i heroit në kohë” ishte kumtesa e mbajtur nga z. Prend Buzhala, "Roli dhe Kontributi i Mbretit Leka në mërgim për lirinë e popullit shqiptar dhe çështjen kombëtare" u referua nga z. Sulejman Gjana etj.
Ekspozita fotografike si dhe botime të fundit që hedhin dritë mbi fakte dhe figura të ndryshme të kombit shqiptar ishin të tjerë elementë të këtij sesioni.
Në aktivitet u prezantua edhe botimi i Enciklopedisë, “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje te Shqipërisë Etnike” XII, si fryt i Sesionit të XII Shkencor i mbajtur një vit më parë më 9 Gusht në Gjakovë.
Kjo Enciklopedi ka 720 faqe dhe në të marrin pjesë me studimet e tyre 80 autorë.
Sipas z. Oroshi, një ndër drejtuesit e sesionit “Falënderojmë të gjithë autorët shqiptarë anë e kënd trojeve shqiptare që me studimet e tyre po e vendosin një gur të çmuar në ndriçimin e historisë sonë shqiptare”. Libri u shpërnda gjatë këtij Sesioni të XIII Shkencor i mbajtur në Krujën Kastriotase.
“Urimin po e përfundoj me fjalët e një miku tim studiues i cili kur e mori në dorë Librin e XI m’i tha këto fjalë: “Kur rritet e shtohet gruri, pakësohet egjra”, shprehet z. Oroshi.
Në këtë sesion pata mundësinë të prezantohesha edhe me disa miq që shkruajnë në “Zemrën shqiptare” më të cilët shkëmbyem përshëndetje të përzemërta.
Ftesën për pjesëmarrje e mora nga z. Oroshi, i cili më prezantoi në pjesën solemne të sesionit, duke më besuar leximin e poemës së Ernest Koliqit, të cilën po e sjell edhe për të gjithë lexuesit.
Ernest Koliqi
Kanga e Kapidan Markut
Lum për Ty qi na fale, o Zot i lumi!
se natë asht ba dh’askend nuk po e merr gjumi:
as shqipen ke foleja per nën maje,
as jehonën e shqet’ qi dridhet n’vaje,
as gjetht e ahit n’pyll ku prehet era,
as gurrën qi s’kndon ma si nder net tjera,
as nder kulla të vndueme maje currash
ku zdri in unat rrudha t’vranta burrash,
fytyra t’zbeta grash me sy të rimun
ke djepat ku vjen fisi t’u pertrimun.
Mbi djepa qi pertrijn nder mote fisin
nanat me lot nji emen përshperisin.
Vrik prej maleve derdhet kah jallija
nji kumt i zi dhe preket n’palc Shqipnija,
e veton qielli me ndeshtrasha t’zeza,
ngrehen n’prigjim dhe t’deknit nder vorreza
kah paq nuk po e kanë eshtnat n’nat’ vorrit,
hapet prej Veleçikut n’cep t’Tomorrit,
kthen prej Tomorrit n’cep t’Veleçikut
ai kumt e loti rrjedh idhun çerpikut
tue pikllue njajzi dashamir e shemër:
Nanës Shqipni nji pikë i ra mu n’zemër!
Thot’ kumti se rraz malit buz’ nji prronit
dekun u rrzue Kapidan Marku i Gjonit.
Si u ngjau dikur fatosave t’Omerit
mbi mbejtin shfryen anmiqt pezmin e vnerit
neper qytet ku lshon hije Rozafati
n’pluhun t’udhve tu’ e ngref’ rreshqan për s’gjati.
Vrret e gazmohet turma me keçana
lum se po shfren per s’dekni n’Kapedana,
por pa pritmas men brima edhe pran zhurma
e pihet shtang para kufomes turma
kah vizlon mbi ball t’t’deknit nji dell drite,
shej jetik n’Kapidana prej Mirdite.
E i duket, prisi i rrzuem, çudis anmike
i madh si div plot hijeshi fisnike.
Vajton granija e po ban gjam burrnimi
po e ama zemrën ndryn n’nji dry heshtimi,
pik loti ajo nuk derdh qi mbet shkret votra
edhe vajin ndalon n’vllazën e n’motra:
- S’e qajm na Markun, le t’a qaj Shqipnija,
pse rrezja e fundme ai kje qi lshoi lirija
Kapidanat robnin veç druen per s’gjalli,
lumnojn kur desin t’lir me ’i plumb ke balli,
lumnojn kur fiken porsi yjt e dritës
n’lamin e nderit kah i prijn Mirditës,
nji grusht Mirdit’ qi don t’i kndohet kanga
se zbret në vorr për mos m’u lidh’ me pranga.
U mbyllen kishat neper viset t’ona
e n’qiell per mort ma nuk vajton kumbona,
veç dridhet neper lugina jehu i malit:
- Heu, ti Shqipni, ku rritej pika e djalit,
ku sot mjerohen nipat e Kastrijotit,
mos u deshpro se shpesh n’vallen e motit
u ngushtove e dermishe e u perlinde,
si nji myster gjallsije botën binde,
se prap ke djelm si Marku i Kapidanit
qi dishmojn me gjak t’vet t’u rzue shulanit
se ndoshta t’vegjel jemi e desim unit
por duem lirin e nderin e Kanunit.
Bri votrave n’Mirditën thepa thepa
shka pershperisin nanat permbi djepa?
Fjalën e fundit qi me za t’thekun
la Kapidani para se me dekun:
- Ju shtegtar’, kushdo qofshi, qi kerkoni
rrugat e botës, Plakut t’em m’i thoni,
per n’m’a takofshi kund nder dhena t’hueja:
Vul’ gjaku u vuna porosive t’ueja:
dathë ase mbathë e ngran’ pa ngranë un ngjitas
t’mirën e t’keqen dava me Mirditas,
vuejta me ta, dhe vdiqa kur erdh dita
e Derën e Kanunit s’ta korita.
Heshtet atdheu kaplue nën tmerr e droje.
Por nesër prap lahuta do t’tinglloje,
ke mrizet e lejthive hije - leta
prap do t’vijoj’ bariu jonet e veta,
vashave t’ona do t’i hiqet futa,
lirisht kah qielli do t’naltohet luta:
- Lum për Ty, Zot i lum, qi na dhae jetën,
neper Ty mjerime e gzime vijnë e tretën:
ban Ti qi gjaku i derdhun, sot e prore
flamurin t’on’ t’a kuqi n’ngjyr’ gazmore
dhe neper troje t’lira t’ksaj Shqipnije
nji popull i vllaznuem t’i struket n’hije.