E marte, 30.11.2021, 06:27 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Vetvrasja e një filozofi

E premte, 07.08.2015, 07:21 PM


VETVRASJA  E  NJË  FILOZOFI

Në 105 vjetorin e lindjes së Tij...

Nga Fritz RADOVANI

DOSJA 1167: U  MBYLL  ME  3 SHTATOR 1956, ORA 5 MBAS DREKE.

PROF. PRENKË KAÇINARI

Asht lé në Mitrovicë më 17 korrik 1910 . Ka përfundue studimet e nalta në fakultetin e Filozofisë, në vitin 1937 në Lion të Francës. Vjen profesor në Shkodër. Ka miqësi me Dr. Federik Shirokën, me të cilin asht mjekue dhe ka ba pjesë bashkë me Te në Organizatën “Balli Kombëtar”.

Në vitin 1946, transfërohet mësues në Korçë, ku arrestohet pikërisht kur ishte tue verue mbasi ishte randue nga sëmundja tbc dhe “... Akuzohët:

- Se ka vazhduar shkollën nëpërmjet të Klerit Katolik.

- Ka bashkpunuar për ardhjën e fashizmit.

- Kur erdhi Italia u holl në mal me “Ballin Kombëtar” dhe në Kishë tek priftërijtë shtypte trakte, merrte udhzime nga kleri katolik dhe elementët e pakënaqur në Tiranë, gjoja i sëmurë rrinte i mbyllur në shtëpi.

- Ka bërë pjesë në grupe Social-Demokrate, kishte lidhje me profesorët e Korçës, Foto Bala, Sulo Klosi etj. - Ka punuar për të rrëzuar Pushtetin Popullor dhe për shkëputjet e lidhjeve me Bashkimin Sovjetik për t’u lidhë gjoja me popuj përparimtarë sipas tij, që donte të thonte të lidhesh me Anglo-Amerikanët. - Ka propaganduar për të rrëzuar Pushtetin me vjolencë. - Ka punuar me elementët e rinjë për të patur lidhje me demokristjanën dhe grupet e social-demokratës të udhëzuara nga Prenka.

Me kalimin e kohës Sigurimi i Shtetit sa vinte e bahej ma i ashpër dhe i rrezikshëm. Përditë e ma tepër specializohej në drejtim të së keqes. Sigurisht, që në fillim i mungonte eksperienca por shpirti i keq dhe i mbrujtun me krime, ishte zgjedhë me kujdesin ma të madh ndër këta organe të mnershme e terroriste. Bie në sy që në fillim të vëprimëve të para të sigurimit mënyra e përzgjedhjes së elementit që kanë ndër mend me arrestue, ku merrët pikë orientuese shkolla që ka krye ose vendi ku ka përfundue shkollën e mesme ose të naltë. Kontrollohej rrethi familjar dhe shoqnor, e para, a ka simpatizue doktrinën komuniste ose jo dhe se a mund të na shërbejnë ne ose jo. Në shenjë janë shkollat e Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa në pikëpamje mbarshtetnore janë në shënjestër edhe ata që kanë përfundue Gjimnazin e shtetit në Shkodër.

Ishte koha kur ishstudentët e vitëve maparë kishin mundësinë me u hakmarrë ndaj atyne që nuk ishin angazhue në rrethët  komuniste, që nuk i kanë simpatizue, ose kanë kenë indiferent ndaj vëprimëve të tyne. Kush mund të kishte shprehë ndonjë fjalë u quejt menjëherë “armik i popullit”, ose u mendue si “zog” i çelun në çerdhën e reaksionit që ishte “Shkodra”. Shumë nga studentët e ardhun në Shkodër, pa përjashtue ata që jetuen në Konviktin e njohun “Malet tona”, ose që kanë banue në Shkodër, por që kanë ndjekë shkollën në këtë qytet kjoftë edhe atë femnore të Motrave Stigmatine apo “Donika Kastrioti”, u ndoqën njësoj si nxanësit e shkollës Fullcit.

Hys Zaja me një copë letër, madje, pafarë kursimi të çonte në duertë e kriminelëve: Zoji Themeli, Cuf Lohës, Ali Qorrit, Filip Pemës, Qamil Gavoçit, Kolec Ilisë, Petro Ballatës, Qazim e Fadil Kapisyzit, Jonuz Dinit, Dul Rrjollit, Ali Xhungës, Lilo Zenelit, Nesti Kopalit etj., ose një telefon nga “qendra” dhe të merrte dreqi sa nuk dijshe a do të shihësh ma dritën e diellit. E, sa të pafajshëm u zhdukën prej duerve të katilave?

As nuk bahet fjalë se ka me u dijtë e vërteta. Derisa mbulohet Gjenocidi që i asht ba gjithë Popullit Shqiptar, Shqiptarët do të vazhdojnë me kenë të fyem dhe të poshtnuem. Prof. PRENKË  KAÇINARI e Prof. ARSHI PIPA ishin të burgosun që në vitin 1946.

Të dy “armiqë të popullit”, të dy të sëmurë në Sigurim me t.b.c., të dy të masakruem ...

Vëprimtaria armiqësore e Prenkës vërtetohet edhe nga të pandehurit:

- Sulo Konjari thotë: Prof. Prenkë Kaçinari ka qenë antar i partisë Social-Demokrate.

- Gjovalin Vlashi thotë: Unë kam folë rreth gjendjes së formueme në Shqipni, gjithmonë kundër Pushtetit. Ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.

- Xheudet Tirana thotë: Elementët që unë kam biseduar kundër Pushtetit Popullor dhe që ishin një mendimi me mue, ndër të tjerë ka qenë edhe Prenkë Kaçinari.

- Pashko Gjeçi: Në mbledhjën e parë që kemi ba në Lice në Durrës, ka kenë edhe Prenkë Kaçinari... Një mbledhje e kemi ba në shtëpi të Vasil Zirit, dhe një tek Simon Deda(gjoja i vetvramë në sigurim), një tek Stavro Frashëri...Ndër të gjitha ka kenë Prenkë Kaçinari...

Në grup kishim edhe Pjetër Gjinin, Nush Radovanin, Kol Ashtën, Ndrekë Demën, Prenkë Kaçinarin, Simon Dedën, Luigj Ljarjen, Gaspër Jakovën, këta ishin për Social-Demokratën.” Ishin të mjaftueshme këto akuza me përcjellë prap edhe Prof. Prenkë Kaçinarin bashkë me Arshi Pipen para Gjyqit...

Pyetet PROF. PRENKË  KAÇINARI, i cili deklaron:

“Kam kenë profesor në Shkodër. Atëherë nuk kishte Këshill të Lëvizjes N.Çl., por Lëvizje N.Çl. kishte. Në korrik të 1943 kam shkue në Shllak me “Ballin Kombëtar” për t’i ikë kuesturës. Me Mit-hat Frashërin jam takue në fillim të 1943 dhe bashkë me Zef Palin, jam organizue me “Ballin Kombëtar”. Në Tiranë jam takue me R. Barbullushin që më foli për Social-Demokratën, por unë i thashë, se jam i sëmurë e nuk due me dijtë gja për këtë punë. Pashko Gjeçin e njof, por nuk kam ba pjesë në ndonjë organizatë me té. Thanjet tjera nuk i pranoj, mbasi me ata përsona nuk kam asnjë lidhje. Me Klerin Katolik nuk kam pasë asnjë lidhje. Kam njoftë Don Mikel Koliqin dhe Don Ndre Zadejën. Me Don Ndreun kam bisedue vetëm për probleme filozofike dhe letrare.

Nuk dij se ka pasë ndonjëherë në Shqipni organizatë apo parti demokristjane.

Unë nuk kam marrë pjesë në ndonjë parti apo organizatë trathtare klandestine.

Jam kenë antifashist. Don Ndre Zadeja dhe në përgjithsi Kleri nuk e ka simpatizue okupacionin e fashizmin. Mbas 1944 nuk jam angazhue në politikë, ata që më akuzojnë nuk dij mbi ç’baza më akuzojnë.”(Dosja 1167, po aty).

Thirret Pashko Gjeçi, i cili deklaron: “Preka më duket se ka kenë në mbledhje në Durrës me Partinë Social-Demokrate, kështu e dij unë.”

“Prenkë Kaçinari i përgjegjet: Unë nuk kam ndonjë anmiqësi, por le të pohojnë drejtë!”

Edhe ndonjë dëshmitarit tjetër të parapergatitun Prenka, gjakftohët dhe me ton burrnor i jep atë përgjegje që meriton. Jam i sigurt, se këta dëshmitarë të topitun para qëndrimit të palëkundun të Prenkë Kaçinarit, fillojnë që në gjyq me mohue jo aq nga turpi, sa nga mendimi i gabuem i tyne, se në gjyq ata nuk kanë me kenë ndonjëherë përballë Prenkës.

Vetë përdorimi i fjalës “më duket” se ka qenë edhe Prenka!..., tregon lëkundje, një lojë që gënjeshtarët e përdorin shpesh me mendimin që i akuzuemi  me u lëkundë në qëndrimin e tij dhe po e hangri “ullinin”, hyni në grackë, ose ma vonë me pasë mundësinë me i thanë viktimës: “Të dhashë një mundësi me mohue!”.

Faktet tregojnë se ata mbetën gjithmonë akuzues dhe shpifës, ndërsa burra u rikëthyen vetëm ata që para gjyqit thanë: “E kemi pranue me shtërngim, por e vërteta asht kjo që po tham tashti këtu !” e, nuk janë kenë të paktë edhe burrat që mbas dhunimit të mnershëm në hetuesi, kanë gjetë forca me thanë të vërtetën.

Tue mos pasë fakte për gjykimin që mund t’i kenë ba gjykata, Prenka ose Arshiu ma vonë prap do të përsërisnin gjyqin. Unë po vazhdoj me thanjet e tyne mbasi jam i bindun se edhe Prenka edhe Arshiu, do të ridënoheshin njësoj edhe sikur kurrkush mos t’i kishte dalë dëshmitar i rremë në gjyq ose në hetuesi, madje, ma vonë edhe do t’ishin pushkatue si shumë shokë të tyne.

Por, për me kenë të qetë shpirtnisht të paktën sot, ata që jetojnë nuk duhët të mendojnë se ata burra vdiqën pa folë për dobësinë tonë e, “ishalla edhe dokumentat janë djegë, se ashtu po flitët!” Jo, jo! Mos rreni veten gjithë jetën! Të gjithë dokumentat janë! Koha ka me provue dhe ka me vulosë ndër fletët e historisë se të gjitha poshtërsitë Enver Hoxha, me shokët e tij i ka lanë këtu e askush mos të mendojnë, se i kanë marrë me vedi në varr!

***

Me datën 24 dhetor 1947 Kryetari i Gjykatës Ushtarake Durrës, major Gjon Banushi, jep vendimin nr. 704 themel. Si mbas zhvillimit të gjyqit nga dt. 18 dhetor 1947:

“... Në emër të Popullit Shqiptar”:

“... Arshi Pipa, Prenkë Kaçinari, Hysen Ballhysa, Pashko Gjeçi kanë qenë antarë të organizatës së gjerë agjento-sabotatore dhe antarë të grupit social-demokrat, për të rrëzuar me dhunë Pushtetin Popullor duke pritur një zbarkim nga jashtë.

I pandehuri ka bërë mbledhje të rregullta me Prenkë Kaçinarin, Stavro Frashërin, Is-han Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysin, Sabri Ticin e Rifat Dërvishin, dhe këto mbledhje janë bërë në liceun e qytetit.

Prandaj: ... Për të gjitha këto, bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me prokurorin, në bazë të ligjes së sipërme vëndosi:

1. Prenkë Kaçinari, me privim lirije për jetë, konfiskim të pasurisë së tij të luajtëshme dhe të paluajtëshme.

2. Arshi Pipa, me 20 vjet privim lirije.

3. Hysen Ballhysa, me 15 vjet privim lirije.

4. Pashko Gjeçi, me qenë se u tregua shumë i sinqertë para Gjyqit dhe deponoi vullnetarisht jo vetëm fajsinë e tij, por edhe të shokve të tij pjestarë të po një organizate, i akordohën shkaqe lehtësore në konformitet me nenin 45, të ligjës 382, dt.12 dhjetor 1946, dhe vendosë: dënimin e tij me 5 vjet privim lirije, dhe konfiskimin e pasurisë.

Të katër të pandehurit humbin të drejtat civile dhe politike për tre vjet, dhe vuajtja e ndëshkimit fillon nga data e arrestimit. Trupit Gjykues të Gjykatës Ushtarake të Durrsit, që përbahej nga: Kryetar, Major Gjon Banushi, antarë, Major Gjule Çiraku dhe Kap. I Halil Ramohito, prokuror, Kap. Petrit Hakani dhe sekretar Arqile Mihali.

Durrës 24 dhjetor 1947.  Sekretari d.v.  Antar d.v.  Antar d.v.  Kryetari d.v. (vetëm firmat)

***

Seksioni i Mbrendshëm i Durrësit përcjell dosjen në Gjykatën e Naltë tue shtue këtë dokument:  “Komunikatë: Me datën 24 shkurt 1948 Prokuroria vë ré se:

Nga shqyrtimi i aktëve të të pandehurve Arshi Pipa, Pashko Gjeçi, Prenkë Kaçinari dhe Hysen Ballhysa, rezulton se kanë qenë antarë të organizatës agjento-sabotatore... Organizata është shtrirë në elementët e pakënaqur nga Pushteti e Reformat. Kanë organizuar grupe në shkolla si profesorë dhe kanë bërë mbledhje të rregullta.

Kanë marrë vëndime për zgjerimin e organizatës dhe kanë propaganduar kundër të gjithë Reformave të Pushtetit. Kanë sabotuar në sektorët e tyre, kanë agjituar për të përgatitur terrenin për ndërhyrjen e Anglo-Amerikanve. Qëllimi i të pandehurve ka qenë rrëzimi i Pushtetit me forcë dhe me anë të një kryengritje në lidhje me forcat e huaja.

Vepra e tyre është tradhëti ndaj Pushtetit Popullor dhe Atdheut...

24 shkurt 1948 Prokurori Ushtarak i U.K. Shqiptare; Kapiten I. Nevzat Haznedari  d.v.

***

Gjykata e Naltë Tiranë me nr. 96 të vëndimit, nr. Regj. 61, e mbledhur me datën 29 shkurt 1948, me kryetar major Niko Çeta, antarë, kap. I Veladin Zejneli dhe kap. I Nexhat Hysejni, prokuror kap. I Nevzat Haznedari dhe kryesekretar, Thoma Rino,

mbasi shqyrtoi dokumentacionin e të pandehurve, vëndosi:

1. PRENKË VLASH  KAÇINARI, me 20 vjet privim lirije.

2. ARSHI  MUSTAFA  PIPA, me 20 vjet privim lirije.

3. HYSEN   NAMIK  BALLHYSA, me 15 vjet privim lirije.

4. PASHKO  VASË  GJEÇI, me 5 vjet  privim lirije.

Kryesekretari  d.v.  Antar d.v.   Antar  d. v.    Kryetari  d.v. (vetëm firmat). “

●Këtu mbyllet vetëm dosja...

***

Prof. Prenkë Kaçinari, provoi, se ka rasë që jeta tregohët e ashpër dhe mizore e ndonjëherë, jo e meritueme kjo veper për atë që e provoi...

●Lexoni me kujdes këta pak rreshta, (pa koment):

“I dashtuni Mark, (Të dashtunit e mi)

Edhe pak çaste më mbetën, kur unë përfundimisht po shkëputem nga kjo jetë. Me përmallim të madh po ju la të gjithve: kunatën, motra, nipa e mbesa që kaq fort ju kam dashtë. Vëndosa me e krye këtë akt dobësije do ta quani, por për mue kje akt kurajoz. Vuajta tepër e tash ma s’po mund të duroj. Po i nap fund të gjitha vuajtjeve të mija. Kjeshë te ju; nuk dhashë me kuptue gja; nuk dojshe me tradhtue veten, kisha frigë të mos më mbusheshin sytë me lotë. Nuk e pashë edhe motrën time të dashur, Luljen, që ishte e shtrueme në spital. Se çfarë çastesh të fundit po jetoj, nuk mund t’i përshkruej. Po e shkruej këtë letër me lot ndër sy.

Erdha këtu në Tiranë vetëm e vetëm për mos me ju qitë telashe ju. Në vendin ku do të vras vetën dëshroj të varrosëm.

Një dëshirë tjetër e, që due ta plotësoni asht: të mos mbani askush shej zije për mue; zinë e mbani në zemër.

E tash lamtumirë përgjithmonë. E di se do të kishit dëshirue t’ju shkruajshe ma gjatë. S’po më punojnë ma as mendja, as dora.

Përqafime e të puthuna të përmallshme; më kujtoni në bisedat tuaja, jam i juaji

Prenkë  Kaçinari

Tiranë, 3.IX.1956 ora 5 mbasdreke.”

Kjo letër iu postue nga Tirana nga vetë Prenka, z. Mark Lezhja në Durrës, që ishte burri i motrës së Prenkës, Karrolinës, ku ruhet origjinali. (shënimi i FR).

Vetvrasja u krye nder varrezat Ortodokse të Tiranës, ku edhe u varros mbas veprimeve të Prokurorit të Tiranës, Minir Tirana. Ai njoftoi per vetvrasjen Lajde Kaçinarin.

Në kjoftë se Prof. Prenkë Kaçinari u vetvra si pasojë dishprimi nga Vendimet e Jaltës...

Po të njajtin fat pësoi edhe Shqipnia nen thundren sllave, gja të cilen, sot e kemi të dokumentueme në librin e Kolë Mirakaj “VETVRASJA E NJË KOMBI”...



(Vota: 14 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora