Kulturë
Qazim Shehu: Lart
E enjte, 06.08.2015, 07:33 PM
LART
QAZIM D. SHEHU
Dashuria na mban lart,
Në ajër,në qiell, në yje,
Tërthoren e saj prej rrezesh të ngrohta
Dehim me buzëqeshje.
Asnjëherë s`e dimë ç`do qe ajo pa ëndrrën,
Pa atë trill qielli dhe reje,
Pa të ardhmen që e josh me dredhi;
Se po t` i mbanim vetëm brengën
Të rëndomtën e mishtë po t` i mbanim,
Pa atë që është lart,
Dashurinë si urrejtjen do shanim…
VEGIM
Si me shaminë e nënës
U mbështolla me hijen e lisit.
Kujtimi sytë m`i rrëmbush
Duart e kujtimit, krahët e shpresës
Këtë shami s`e ngrenë dot,
Në një udhëkryq të kujtesës
Ku nëna thahet si një pikë lot…
Megjithatë vetëm një çast
U shtri hije e lisit si shami,
Zgjata dorën ta marr , lisi u drodh
Hija u fshi…
PEIZAZH I ASHPËR
Me grinë nën mjekër u ngritën përpjetë
Thikat e shkrepave,
Për të çarë boshësinë e një qielli të etur.
Ka shekuj e kohë që thërmon qelnajën
E këtij qielli të tharë nga ftohtësia,
E mbi shkrepa s`bie
Asnjë thërrime prej xhami,
Asnjë dënesë e penduar,
Asnjë vringëllimë,
Vetëm kjo ngërdheshje thikash gris rroben e heshtjes,
Heshtja lakuriq mbërdhin…
PA QENË TAT TANUSH
Se si shkova në fund të mëkatit
Pa qenë Tat Tanush,
Ia pashë gjëmën të ngratit
Kur arsyen ma zbrazi në prush.
Desha të bëhem fillestar
Të largoj dashurinë,
Mëkatin s`e dua të më thotë:udhë e mbarë,
Ai fshehtas, përpara, në të, prin….
SHKËNDIJA MIGJENIANE
Shkëndijen migjeniane të gjithë e urojnë
Por shumica zjarrit i tremben;
Flakët e tij të pafajshmin shkrumbojnë
Pastaj me keqardhje ngrohin duart
Të mbeturit…
MENDO
Kur
Mbrëmja humb në lehtësim të ajrit joshës,
Ne të dy hyjmë tek njëri tjetri,
Si në misteret e botës.
Sërish kërkojmë atë që humbet me nge,
Dhe kaq e lehtë s`paska qenë,
Të kthehemi, shtigjet drithëruese na trembin,
Pa sjellë gjë të re;
Mendo sa mund të lodhen,
Dhe mbrëmja tre…