E premte, 26.04.2024, 01:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Aleksandër Meksi: Rreth problemit të emrave mesjetarë shqiptarë

E diele, 27.07.2008, 12:31 PM


Aleksandër Meksi
RRETH PROBLEMIT TË EMRAVE MESJETARË SHQIPTARË

Nga Aleksandër Meksi

Emrat vetiakë mesjetarë shqiptarë në tërësinë e tyre përbëjnë një karakteristikë të dallueshme për etninë tonë, sepse përdoren vetëm prej tyre, duke u veçuar qartë nga ata të popujve fqinjë. Siç kanë treguar me kohë studiuesit, ato vijnë nga dy burime kryesore: emra të burimit vendas (ilire, iliroshqiptare dhe shqiptare) dhe emra të huazuara (laikë dhe fetarë). Në këtë grup të dytë një vend të rëndësishëm zënë emrat e nomenklaturës kishtare, të transmetuara që në shekujt e parë të kristianizmit zyrtar në trajtën karakteristike të gjuhës sonë. Këta emra që dëshmohen gjatë Mesjetës së Mesme duket se u formuan të tillë në trajtat bazë të tyre që gjatë shekujve të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës së Hershme. Si Gjin, Gjon, Lekë, Mëri, Dedë, Gjergj, Kolë e shumë të tjerë. Ato kanë arritur deri në ditët tona qoftë si emra vetiakë, ashtu edhe në toponimi dhe në emërtime ndërtimesh kulti. Përsa i përket dokumentacionit historik ku takohen këta emra, ai vjen nga Mesjeta e Mesme e sidomos nga regjistrimet veneciane e turke të shekujve XV-XVI. Toponomastika, ndër to dhe emërtimet e ndërtimeve të kultit, emrat e njerëzve në dokumentacionin historik e mbi të gjitha defteret osmane të trojeve të banuara nga shqiptarët tregojnë për një përdorim të këtyre emrave në këto forma tek i gjithë etnosi arbëror. Në këto rradhë duam të kontribuojmë për sqarimin e problemit se kujt i përkasin këta emra ndër shqiptarët, përderisa studiues të veçantë i kanë lidhur ato vetëm me popullsinë e besimit katolik. Gjetja e këtyre emrave në toponimi dhe në defteret osmane në gjithë Shqipërinë e Jugut, përherë ortodokse dhe të pa lidhur kishtarisht me perëndimin, e hedh poshtë këtë mendim pa lënë vend për gjykim të kundërt. Për sa kohë që kisha e shqiptarëve ishte e inkuadruar në struktura administrative të perandorive shumëkombëshe, përdorimi i emrave vetiakë të nomenklaturës kishtare sipas gjuhës së secilit komb nuk përbënte ndonjë problem. Për Patrikanën e Konstandinopojës gjatë periudhës bizantine asnjëherë nuk u shtrua ky problem e po kështu dhe për kishën e Romës, nga e cila varej nëpërmjet Tivarit Shqipëria e Veriut duke filluar nga shek. XI. Situata historike gjatë së cilës ishin në përdorim emrat vendas të nomenklaturës kishtare ndryshoi në fillim të shek.XIII, kur pas pushtimit serb me Stefan Nemanjën (viti 1198) në trojet verilindore të shqiptarëve u krijua Patrikana e Pejës (1217), e cila në aspektin kombëtar u identifikua si kishë e serbëve. Që nga kjo kohë dëshmohen raste të shumta të intolerancës fetare të ushtruar nga kisha serbe në trojet e Shqipërisë veriperëndimore të përfshira ndërkohë në kishën e Romës nëpërmjet kryepeshkopatës së Tivarit, të cilës në shek.XV-XVII i mvaret dhe peshkopata katolike e Prizrenit. Patrikana ortodokse e Pejës duket se kërkonte që emrat ti përmbaheshin trajtës në të cilën shkruheshin nga popullsia sllave dhe për këtë arsye shqiptarët filluan të marrin edhe emra të nomenklaturës kishtare sllave. Rregjistrat turke e dëshmojnë këtë, ashtu sic ndodh dhe e kundërta që një numur i madh shqiptarësh mban emra karakteristikë të vetat. Kërkesa për marrje të emrave sllavë duhet të ketë qënë me dhunë dhe jo pa synime asimilimi. Rezistenca për të dëshmohet dhe në kthimin masiv të shqiptarëve në fenë islame që në fillim të pushtimit osman, ndër të tjera dhe si mjet për t’u dalluar nga të tjerët. Në Shqipërinë e jugut këta emra u ruajtën për një kohë të gjatë, deri në shek.XVIII-XIX kur nga ana e Patrikanës së Stambollit kemi fillimin e një politike greqizuese dhe identifikimin e ortodoksit me grekun, politikë që me sa dukej përkrahej dhe nga Porta e Lartë. Megjithkëtë, në gjuhën e folme shqipe emrat e shenjtorëve qoftë për ditën e kremtimit të tyre, qoftë si emërtim i kishës me atë pajtor janë në shumë raste sipas emrave mesjetarë shqiptarë: Shën Mëri, Shën Gjergj, Shën Mitër, Shën Koll, etj. Pra, kjo kategori e emrave mesjetarë shqiptarë e ka zanafillën në shekujt e parë të kristianizmit zyrtar dhe fillimet e Mesjetës. Këta emra janë mbarëshqiptarë dhe nuk duhet të lidhen vetëm me popullsinë e besimit katolik. Ato u mënjanuan duke u zëvendësuar nga emra të nomenklaturës së kishës sunduese përkatësisht sllave në Shqipërinë verilindore dhe greke (jo bizantine) në Shqipërinë e Jugut. Ky mënjanim detyrohej e lehtësohej dhe nga përdorimi i gjuhës së sunduesit si gjuhë e shkruar dhe kishte në të njëjtën kohë synime të qarta afatgjate asimilimi. Sa herë që peshkopatat në trojet e shqiptarëve ishin të inkuadruara në një kishë të shtetit shumëkombësh, ishin në përdorim emrat mesjetarë të shqiptarëve, po kështu kur kisha shtrihej në shumë shtete. Një gjë e tillë vështirësohej deri në mënjanim, kur kisha ishte e një shteti me synime të qarta kombëtare e deri në antishqiptare. Siç është vërejtur ka ardhur koha e hartimit të një fjalori historik të emrave vetiakë të shqiptarëve gjatë Mesjetes. Këtu do të ishte me interes dhe studimi i formave të emrave të huazuara gjatë Mesjetës së Vonë, ku vërejmë të njëjtat dukuri si në periudhat e mëparshme, d.m.th.emrat e rinj dhe ato të fesë islame përdoren dhe ndryshohen në kohë sipas rregullave të gjuhës shqipe dhe mënyrës së përdorimit të emrave nga shqiptarët. Kohët e fundit po shtohen interpretimet pseudonacionaliste për probleme që lidhen me emrat e shqiptarëve të huazuara nga nomenklatura fetare, të cilat fare lehtë mund të bëhen dhe nga bartës të fondamentalizmit fetar pro atij politik. Pra, dhe më të rrezikshëm se nga pseudonacionalizmi, të cilit shumica e shqiptarëve nuk ia vë veshin (por jo të huajt keqëdashës që mundohen të përfitojnë nga këta). Gjithashtu bëhet i njëjti gabim kur këto interpretime nuk ndalen vetëm tek emrat, por dhe tek elementë të tjerë të kulturës popullore aq të larmishme tek shqiptarët (dialekte, veshje, zakone, këngë etj), por që mbeten të gjitha qartësisht shqiptare. Identifitikimi vetëm i njërës prej tyre si shqiptare (i asaj ku gjendesh, gjen veten apo të pelqen ty) nuk të bën vetëm ty shqiptar e të tjerët jo, veçse të njollos si antishqiptar apo si shqiptarpërçarës, veprim tejet i dëmshëm për çështjen shqiptare, sidomos në këto momente të vështira që po kalon kombi ynë sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora