E premte, 26.04.2024, 09:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Makreshi i Poshtëm

E shtune, 26.07.2008, 07:58 PM


Begzad Baliu

MAKRESHI I POSHTËM

(Shënime për takimin e parë të vendlindjes)

Nga Begzad BALIU

Hyrje

Të nderuar bashkëfshatarë,
Rreth 560 vjet më parë, një banor i këtij fshati, borxhli i dubrovnikasit në qytetin e Novo Berdës, Mihail Llukareviqit, bëhet shkas që të shënohet emri i vendlindjes sonë në radhorin e librit të tij në trajtën: Machrexa (Makresha) (1544/1545). Po në këtë kohë dalin edhe dy të dhëna shumë të rëndësishme për identifikimin e emrit të fshatit tonë: Lagja e Vuk Mërkshiqit, që në të vërtetë është “çiflig i Ali Baliut” dhe Gin e Mechxa, që na dëshmon se Gjini kishte të birin Mekshin”. (Gashi, 1978, 131).
Nga ai vit a shekull i largët e deri më tash ka kaluar shumë kohë dhe në jetën e këtij fshati e të banorëve të tij ka ndryshuar shumë: populli, jeta sociale e ekonomike, administrimi, varësia politike etj.

1. Shtrirja gjeografike

Makreshi i Poshtëm është fshat kodrinor - malor dhe shtrihet në veri të trekëndëshit Gjilan – Dardanë – Artanë. Me Dardanën asnjëherë nuk ka pasur lidhje administrative. Me Artanën, i cili është një qytet i vjetër i Kosovës, duket të ketë pasur lidhje të vjetra. Administrativisht ka qenë i lidhur deri në vitin 1948, kur u bë organizmi i ri lokal dhe Artana iu bashkua Komunës së Prishtinës, ndërsa Makreshi i Poshtëm u bë fshati kufitar në mes të Artanës dhe Gjilanit, por iu bashkua Gjilanit. Tash së fundit, përmes të ashtuquajturit decentralizim, Makreshi i është bashkuar Komunës së Artanës. Deri vonë, kufijtë e Makreshit shtriheshin, përkatësisht mbulonin një territor të madh të fshatrave përreth. Dëshmi e këtyre kufijve janë: fitonim Dardha e Makreshit në fshatin Jasanovik dhe mikrotoponimi Vorri Ahmetit te fshati Tullarë.
Më 1937 në fshat është ndërtuar nen një kulm mejtepi (me mësues Hasan Sherifin) dhe xhamia, ndërsa më 1948 shkolla fillore „Skënderbeu“, paralele e ndarë e Përlepnicës, me mësues Rabit Rexhepin, e të tjerë.
Më 1974 është sjellë rrjeti elektrik, ndërsa më 1988 fshati është lidhur me rrugë të zgjeruar me Makreshin e Epërm dhe Bostanin.
Migrimi nga fshati në qytet (Gjilan-Prishtinë) ka filluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, me presionin që u bë për të pranuar vesikat (biletat-triskat) për tu shpërngulur në Turqi dhe gjatë aksionit të mbledhjes së armëve në vitet 1955/56, por shpërngulja më e madhe u bë gjatë viteve shtatëdhjeta dhe në fillim të viteve të tetëdhjeta.
Në Makresh, të shpërndara në lagje të ndryshme, deri në fund të viteve ’80 gjendeshin edhe njëmbëdhjetë shtëpi nga më shumë se pesëdhjetë që ishin deri në fillim të viteve shtatëdhjeta.
Nga nëntë lagje sa kishte fshati deri në vitet ’80, më 1991 kishte shtatë lagje, prej të cilave katër lagje (Maloktë, Ferizajt, Zekajt dhe Hasanjt) kishin vetëm nga një shtëpi, ndërsa lagjja e Radecëve ishte shuar.
Pas luftës së fundit në Makresh të Poshtëm jetojnë: dy shtëpi në Lagjen e Malokëve, tri në lagjen e Hyskajve, tri në Lagjen e Merkojve dhe katra në Lagjen e Bajrajve.

2. E kaluara historike

Prania e Makreshit të Poshtëm në jug të qytetit të vjetër të Artanës, të bind se edhe ky vendbanim nuk ka mundur të ketë qenë jashtë rrjedhave të jetës në thellësitë e shekujve. Meqenëse shtrihet ndërmjet rrjedhës së dy lumenjve, të cilët bashkohen të vendi i quajtur Mullimi Osmanit, duket se ky fshat ka qenë korridor i mirë drejt rrjedhës së Moravës dhe të Vardarit. Ndonëse elemente të veçanta arkeologjike nuk janë gjetur, po as hulumtuar, mendimin tonë e mbështesin mikrotoponimet dhe antroponimet e kësaj hapësire. Mikrotponimet që ubifikojnë një Kishte të zhdukur, Varret e vjetra dhe Prronin e Rimit janë dëshmia më e mirë.
Kujtimin për fatin e keq të banorëve të këtij fshati gjatë periudhës së Perandorisë Otomane e ruan Lufta e Çanakalasë, në të cilën pësuan veç të tjerëve edhe Imer Shaban Islami, Halil Hasan Miftari, Qazim Idriz Osmani, ndërsa u kthyen të gjallë Latif Zeka dhe Islam Rexhepi.
Më 1913 Makreshi e veçanërisht pjesa lindore e tij ishte në mes dy zjarreve të luftës serbo-bullgare dhe për të shpëtuar gjënë e gjallë ata për disa muaj rresh u vendosen në Gjilan e në fshatrat përreth. Në këtë kohë që quhet sa “koha e shkaut” aq edhe “vakti i bugarit”, u vranë shumë fshatarë të këtij fshati: Hasan Radeci, Voca i Ibishti, Sahit Isuf Isufi, Imer Zeka, Isuf Zeka dhe tri gra të familjes së Voc Radecit.
Pas pushtimit të fshatit nga ushtria serbe bëhen shumë përpjekje për konvertimin e shqiptarëve në ortodoksë dhe serbë, por këtë e pranojnë vetëm dy persona, tokat e të cilëve i mori kisha serbe. Viktimë e këtij presioni ishin Sylejman Zeka, Bislim Ukshini, e më vonë edhe Bejtullah Ali Osmani.
Po në këtë fshat, në fund të vitit 1944, janë bërë krime të mëdha nga Brigadat partizane serbo-maqedone dhe fqinjët serb të tyre nga fshatrat përreth. Pas Luftës së Gjilanit, brigadat Partizane pushkatuan plakun Hajrullah Behlulin dhe të vëllamë Bejtullahun, Mustafë Ramadan Mustafën, Ali Kranidellin, Imer Ukshinin dhe të birin Tahsin Hamdi Shehun, Shaban Govorin etj. Po këtë ditë, te vendi i quajtur Guri i Kuq, u pushkatuan një lagje e tërë e meshkujve të Familjes së Poroshticëve, prej të cilës shpëtoi vetëm një i plagosur rëndë.
Bashkëfshatarët tanë kishin fatin e keq të jenë pjesëmarrës edhe të Tragjedisë së Tivarit: Latif Zeka, Selim Sherifi etj.
Pas luftës, në këtë fshat lind një nga bërthamat e para të rezistencës kundër ripushtimit të Kosovës nga serbo-jugosllave, në krye me Ramiz Osmanin, por në rrugën e të cilit vepruan edhe anëtarë të tjerë të familjes kryesisht osmani: Shefki Osmani, Nuhi Osmani, Musli Osmani, Zylfi Musliu Kadri Osmani e të tjerë.
Sikur të mos mjaftonin stuhitë dhe rrebeshet e Perandorisë Osmane, Lustrave Ballkanike, Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, në këtë fshat si edhe në gjithë Kosovën, në dimrin e viteve 1955-1956, u organizua i ashtuquajturi Aksion i mbledhjes së armëve, në të cilin pësuan dhe bartën pasojat e dhunës deri në vdekje gjyshërit dhe baballarët tanë: Hamdi Isufi, Gjemshit Ruhani, Ramë Hajrullahu, Zenel Zeka, Daut Sylejmani, Ali Radeci, Avdi Osmani, Sahit Sylejmani, Dema i Rexhepit, Fetah Islam Isufi, Bajram Ramë Baliu, Mehmet Mustafë Mustafa e të tjerë.
Megjithëse një fshat pothuajse i lënë në mëshirën e kohës dhe me një grusht fshatarësh të vobektë, fshati Makresh i Poshtëm pësoi edhe gjatë luftës së fundit. Ushtria serbe ndoqi nga fshati edhe ata pak banorë që kishin mbetur dhe i urdhëroi që përkohësisht të strehohen në fshatin fqinj Busavatë, ndërsa rrahu për vdekje: Xhemë Ruhanin.
Gjithashtu, grupe të organizuara serbësh vendorë dogjën në mënyrë të veçantë të gjitha shtëpitë e familjeve që jetonin në fshat deri në prag të luftës.

3. Kushtet ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare

Fshati Makresh i Poshtëm është fshat kodrinoro - malor në dy anët e të cilit gjenden lumenjtë e pasur me ujë, ndërsa rreth tyre livadhet e begatshme që kositen dy herë gjatë verës. Ma parë, këto livadhe shërbenin edhe kopshte me perime, me misër dhe fasule. Ndërmjet livadheve dhe lagjeve gjendet brezi i rrezes (kullosa të përbashkëta), ndërsa mbi shtëpitë e lagjeve, në rrafshnaltë shtrihen arat të cilat zakonisht janë mbjellë me misër, fasule, grurë, tërshërë, e më pak edhe me thekër e elb.
Prej kafshëve më shumë janë mbajtur dhitë, dhentë, lopët, kuajtë, buallicat, ndërsa prej shpezëve më shumë janë mbajtur pulat dhe më pak bibanat dhe shotat. Njëra prej kafshëve që nuk është mbajtur kurrë sepse që ka qenë dhe ka mbetur sinonim i varfërisë familjare e fisnore ka qenë gomari.
Tregun e kafshëve, makreshasit fillimisht e kishin vetëm në Gjilan, ndërsa tash vonë edhe në Dardanë. Tregun e kërkesave familjare siç janë shitja e vesë, pulave dhe gjalpit (më pak) dhe blerja e gazit, sheqerit, kafesë dhe çajit, banorët e fshatit tonë zakonisht e kanë bërë në Gjilan.

4. Popullsia

Popullsia e fshatit Makresh i Poshtëm është etnikisht shqiptare, të besimit islam dhe të fisit Shalian. Sipas gojëdhënave, të parët tanë erdhën nga Shala e Bajgorës. Familje gjaku, të cilat nuk janë martuar ndërmjet veti janë: Ferizajt, Hyskajt, Osmanajt, Zekajt dhe Hasanajt, ndërsa jashtë fshatit edhe banorët e fshatit Busavatë (Dardanë) dhe Konçul (Bujanovc).
Sipas gojëdhënave, të parët që erdhën në këtë fshat janë familjet nga Busavata (fshat fqinjë) dhe u vendosën në lagjen e Ferizajve, ku ma parë i kishin kasollet e kafshëve, dhe në lagjen e Hyskajve, Zekajve dhe Hasanajve. Më vonë nga Hajkobilla erdhën tre nipa të tyre dhe përgjegjësit e fshatit i vendosën në lagjen e Malokëve.
Si edhe në gjithë Kosovën edhe në Makresh gjatë shpërnguljes së madhe të viteve 1976/78 dhe asaj të mëvonshme, deri më 1918, u vendosën disa familje dhe krijuan disa lagje. Të parët u vendosën Lagjja e Bajrajve; pastaj erdhën Vranoctë (Jaballanicë), një familje e të cilëve u vendosë në legjen e Malokëve; Radectë (Jabllanicë) erdhën nga rrethi i Vranjës (1876-1878) dhe formuan lagjen e tyre; Shillovtë, një familje e të cilëve u vendos në Lagjen e Sigrbishtës; Govortë dhe Poroshtictë, familjet e të cilëve pothuajse u shuan nga brigadat partizane të vitit 1944/1946; Llazantë (të ardhur nga Pustareka), Ramabajtë (nga Jabllanica), Shahiqtë, Merkojtë nga Rrethi i Leskovcit (të cilët erdhën të fundit rreth vitit 1918) dhe Dushillofctë.

5. Martesat

Lidhjet martesore Makreshasit nuk i kanë të largëta. Ata kanë marrë kryesisht në veri-perëndim, në fshatrat e Gollapit (Marec, Gllogovicë, Strexoc etj.), ndërsa kanë dhënë kryesisht në jug, pra në Gjilan dhe rrethinë (Malishevë, Livoç, Caparë, Hodonovc) etj.

6. Veçoritë etnokrafike

Burrat në moshë të shtyrë mbanin plis të bardhë, e disa prej tyre edhe tirqit e shoken, ndërsa gratë e shtyra në moshë - plakat, mbanin dimiat, pështjellakun e leshtë dhe sarginë (shami e trashë).
Burrat e moshës 30-35 vjeçare mbanin kryesisht kapelë të zezë (franceze), ndërsa gratë e kësaj moshe vishnin dimia, kule dhe lidhnin kecele. Gratë në moshë gjatë udhëtimit në rrugë nga njëri fshat në tjetrin vishnin edhe mantillin (pallto e gjatë) dhe mbanin shaminë e lidhur nën fyt. Të rinjtë dhe të rejat visheshin edhe më parë në mënyrë evropiane me përjashtim të ndonjë të reje që në shtëpi vesh kule.
Duke e përmbyllur
Të nderuar bashkëfshatarë,
Duke e përmbyllur fjalën tonë dëshiroj të kthehem edhe njëherë te bashkëfshatari ynë i kohëve të moçme, i cili u bë shkaktar që të regjistrohet emri i fshatit të tij Makresh, dhe ne sot, pas më shumë se pesë shekujsh të dimë emrin e vjetër të fshatit tonë.
Pesë shekuj më parë bashkëfshatari ynë i dikurshëm i kishte borxh një administratori a tregtari dubrovnikas, ndërsa sot mund të thuhet se numri i atyre bashkëfshatarëve tanë që i kanë borxh fshatit të tyre është shtuar shumë. Jemi shtuar madje jo vetëm si individ po edhe si familje, si lagje dhe si fshat.
Kemi lënë pasuritë tona materiale dhe shpirtërore të fshatit, të trashëguara nga gjyshër dhe stërgjyshër dhe kur me arsye e kur pa ndonjë arsye të veçantë, jemi strehuar në qytetet më të afërta.
Jemi larguar duke thënë se po i lënë përkohësisht, po në të vërtetë i kemi lënë përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse borxhet tona ndaj fshatit janë shtuar dhe janë rritur.
• Nëse nuk kemi mundur t’i ndërtojmë shtëpitë e rrënuara apo të djegura, sepse nuk kemi mundur t’i ndërtojmë dhe pajisim edhe ato që i kishim në qytet;
• nëse nuk kemi mundur t’i lavrojmë arat sepse nuk kemi pasur me se;
• nëse nuk kemi mundur ta rrisim bagëtinë sepse më parë se sa barinj kishim dëshirë të bëheshim mësues, mjek e ingjinierë;
• nëse nuk kishim mundësi t’i asfaltojmë rrugët, sepse edhe ato të qytetit nuk i kishim të denja për jetën e një qytetari;
• nuk mund të thuhet se nuk kishim mundësi të pastrojmë dhe rregullojmë varrezat e të parëve tanë; të pastrojmë dhe të hapim me kujdes gurrat e burimeve të pasura me ujë, të mbyllim dyert e shtëpive të vjetra në vend se t’i marrim për nevoja të dorës së tretë, t’i ruajmë objektet bujqësore e blegtorale etj.
• nuk mund të thuhet se nuk kishim mundësi që edhe me një muranë guri të shënojmë vendet ku u pushkatuan gjyshërit e baballarët tanë; nuk mund të thuhet se nuk kishim mundësi të ruajmë disa nga përbërësit e trashëgimisë sonë etnografike, tradicionale, historike, kulturore, gjuhësore dhe madje shpirtërore.
Asnjë datë historike nuk kemi vendosur deri më sot, asnjë takim përkujtimor për gjyshërit tanë, asnjë muranë kujtimi deri më sot për të zhdukurit në Luftën e Çanakalasë, asnjë ditë kujtimi për të vrarët në Luftën e Parë e të Dytë Botërore, ku veç burrave kishte edhe gra, asnjë moment kujtimi për të lënduarit e të shpërngulurit pas Luftës së Dytë Botërore, asnjë shenjë nderimi për të burgosurit e Lëvizjes ilegale të Kosovës e të tjerë e të tjerë.
E ka merituar fshati ynë këtë dhe e kanë merituar gjyshërit tanë një nderë të tillë të përdalluar.
Sigurisht, Jo!
Pasuria arkeologjike, sado pak e identifikuar, plleshmëria e tokës që ushqeu mjaftueshëm bashkëfshatarët tanë, vlerat etnokulturore dhe materiale e shpirtërore që trashëguam nga ky fshat, majat arsimore, shkencore dhe ekonomike që kanë shënuar kudo në Kosovë e jashtë saj bijtë e këtij fshati, nuk do të duhej të lejonin që ne të sillemi ashtu sikur jemi sjellë deri më tash ndaj trashëgimisë sonë, qoftë ajo edhe vetëm: Oda e Mixhës Ramë apo e Mixhës Hajrullah, Fusha e Madhe (ku u pushkatuan bashkëfshatarët tanë), Shkolla, Xhamia (dikur edhe Mejtep), Varrezat e martirëve të vitit 1944, Krojet e fshatit, Lisi i Orlit, Vorri Bugarit, Bota, Guri Hallës Hysë, Guri Llaqeve, Bregi Koshave, Dardha e Nanes t’Madhe, Vorret e Moçme, Mullini Moçum, Dhevi Zi etj.
Le të punojmë prandaj që kjo gjendje të ndryshojë.
Natyrisht, jo duke u ankuar, po duke ndryshuar gjendjen.
Faleminderit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora