E enjte, 01.12.2022, 02:20 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Një romanciere e re po vjen

E hene, 18.05.2015, 06:40 PM


GEVERINA MUZHAQI, NJË ROMANCIERE E RE PO VJEN

NGA QAZIM SHEHU

Romani ”Stina e pestë” që u paraqit në Panairin e Librit i autores Geverina Muzhaqi u mirëprit nga një numër i mirë lexuesih dhe solli një vëmendje për këtë autore të re.Që në titull,  ky roman na e paralajmëron një metaforë të bukur të jetës, diçka që del nga korniza e zakonshme e gjërave,  e që sillet drejt diçkaje të panjohur, jo thjesht si intrigë për të tërhequr lexuesin , çka na e sjell në paragjykim këtë gjë-është pikërisht ajo trandeshencë,  ajo forcë e shpirtit njerëzor që vihet në ballafaqim me realitetin e egër,  ku gjendet protagonistja e romanit,  një femër e përdhunuar.Autorja vë gishtin në një plagë të egër të realitetit shqiptar të viteve të tranzicionit ku më i dobti vihet nën trysninë e tij e bëhet viktimë e rastësisë ose i një qëllimi të caktuar.Sa e sa njerëz janë vënë në plojën e këtij realiteti i cili ka dëshmuar dhimbshëm një ndërtim të padrejtë.Duke iu qasur këtij këndvështrimi ajo ka shkruar një prozë thellësisht të ndjeshme,  ndërsa shtjellon se çfarë ndodh në botën e protagonistit, si ky protagonist arratiset nga realiteti përqark dhe shkon në një mjedis tjetër,  ku nuk e njohin,  kërkon një hapësirë të re për të rimarrë veten,  kërkon njerëz të rinj për t`i njohur dhe ia arrin.Forca dhe ringritja morale , dëshira për të arritur vetveten është e madhe, dhe pikërisht këtu është ajo që quhet metaforikisht stina e pestë,  një titull mjaft i qëlluar.Është meritë e autores që ka ditur ta ndërtojë metaforën duke  zhbiruar psikologjikisht në botën e një vajze të thjeshtë, çfarë ndodh në një shpirt të trazuar të një vajze të re pas këtij akti makabër, sesi ajo lehtësisht mund të përfundojë në një traumë të rëndë deri në zhdukjen e vetvetes,  por jo,  ajo zgjedh tjetër rrugë,  rrugën e ringritjes morale,  rrugën e dashurisë njerëzore.Dhe ajo nuk do mundej ta bënte këtë,  pavarësisht nga instikti i saj jetësor, nëse nuk do ndeshte në njerëz të mirë.Edhe pse shoqëria jonë në segmente të caktuar të saj u mrrol dhe u asfiksua nga shëmtitë e dhunës dhe të humbjes së arsyes,  përsëri , në pjesën e saj më të madhe , zotëroi humanizmi,  morali i ndihmës dhe përkrahjes,  solidaritei njerëzor.Në një ndërlidhje të fuqishme etike morale dhe humane romanit i shtohet një linjë tjetër të cilën autorja di ta zgjerojë bukur e ta japë me imtësi e njëherit ta ftojë lexuesin që ta ndjekë me këshëri e duke menduar fat për vajzën gjer të shkojë deri në fund me një ndjenjë lehtësimi.E mira dhe e keqja gjithnjë në jetë bashkudhëtojnë dhe kompesojnë njëra tjetrën , po autorja i vë ato në skaje të ekstremitetit,  duke krijuar një antitezë të vibrimit ndiesor,  një antitezë sa rracionale aq edhe të të pakuptimtë që prodhon dramacitet,  larg të bërtiturës,  po një dramacitet që konformohet me ndjenja të holla e të trishta , ndjenja që mbartin thellësinë e shhfaqjes së tyre.Kështu na shtjellohet artistikisht një prozë e meditacionit kulmor me përsiatje dhe mendime të holla për jetën,  dashurinë,  për të ardhmen dhe muzikalitetin e një ëndrre të brishtë.Me një stil dostojevskian autorja di ta përballë këtë teknikë shkrimore.Ajo falë intuitës së saj artistike dhe talentit të sigurtë di të përballë një temë të vështirë e cila vendos ngjarjen në kufij të zakonshmëm përmes fatit të jashtëzakonshëm , di gjithashtu të ruaj temporitmin rrëfimor  duke përcjellë një rrjedhë narrative prej një dore të stërvitur edhe pse ky është romani i saj i parë.Kjo dëshmon se autorja vjen nga një përgatitje dhe kulturë filologjike e mirë, nga një njohje e gjërë e teknikave shkrimore,  kur është fjala për të shkruar një roman psikologjik me sfond social,  pa rënë në moral edhe pse morali merret në fokus pas traumave shpirtërore plot dramacitet e hollësi e befasi që të ngjethin.Ngjeshja rrëfimore është një tipar i spikatur duke e lënë ngjarjen në kufij të largët e duke iu afruar më tepër shpirtit njerëzor të tronditur.Kjo qasje e afron atë nga moderniteti i ndërtimit strukturor, cilësi e spikatur e një romancierje të re mjaft të talentuar.Personazhi, Rea-një vajzë e brishtë  me ëndrra të mëdha duhet të paguajë pa pasur borxh askujt,  dhe e refuzon me dinjitet dhe dhimbje të madhe shpirtërore këtë pagesë të ndyrë , duke iu afruar vetvetes deri tek forcat e fundit dhe këto forca ajo i gjen dhe madje i ripërtërin.Është meritë e autores që ka ditur të japë mjedisin e së sotmes,  një mjedis social ku lëvrijnë botë të ndryshme njerëzore, interesa dhe mbishtrohen ëndrra dhe lidhje të ndryshme midis njerëzve.Edhe pse shoqëria herë herë intoksikohet nga delire të mbrapshta që çojnë në përdhunimin dhe flakjen e individit, edhe pse shoqëria shpesh është amorfe,  ajo e ka afruar protagonisten drejt njerëzve të mirë për të shpalosur idenë se këto njerëz të mirë ekzistojnë vërtet dhe ne duhet t`i shohim,  t`i njohim e të bashkëveprojmë me to për të mirën tonë dhe të tyren.Përshkrimi i mjedisit, pastiçeria ku ajo gjen punë,  shtëpia ku rri me Elonën ,  një personazh i dhënë në llojin e vet, bota e këtyre dy vajzave, njohjet dhe marrëdhëniet me djemtë,  takimet dhe bisedat, shetitjet dhe sekretet që i mbajnë, e veshin këtë prozë të trishtë me një tis romantik , i hedhin një re freskie vapës së ndjenjës, e tërheqin ngadalë Rean e traumatuizuar drejt jetës normale dhe krijojnë një variacion tjetër rrëfimor,   një dinamikë më të shpejtë leximi kur duhet ta ndjekësh protagonisten drejt gjërave të reja dhe në formëzimin e saj si personazh.Përshkrimi i mjedisit në një roman ka rëndësi parësore ,  pasi e mbush personazhin me biografinë jetësore dhe e shikon atë në lidhjen e pashkëputur individ shoqëri.Gjithashtu personazhi i shpëton konvencës së thatë , nuk del i stisur , po i besueshëm dhe realizohet më mirë artistikisht.Në këtë pikëpamje , romanierja ia ka arritur të na e sjellë personazhin afër, dhe lexuesi ta ndjekë rrjedhën e jetës së tij me ankth.Kjo , jo vetëm është meritë e autores po njëherit na tregon se ajo di dhe ia arrin ta mbushë personazhin me mish e gjak dhe të na e afrojë në konturet e gdhendjes artistike.Po kështu natyrshmëria e bisedave pa stisje dhe kërkime të kota, bota e njerëzve,  mënyra si ajo sillet me Drinin, Donaldin,  apo me gjyshen e Drinit, zbulon një tjetër prirje estetike të autores që di të largohet nga personazhet e t`i japë ata në distancë duke siguruar një objektivizëm estetik  që na kujton Floberin.Të bën përshtypje së këto personazhe lëvizin dhe ngjizen me natyrshmëri dhe sejcili skalitet me pamjen e vet, meritë tjetër e  individualizimitt të personazhit dhe njëherit e krijimit të një atmosfere njerëzore.Duke dhenë botën e një vajze që kërkon dashurinë dhe jetën, dashurinë ajo nuk e kërkon si një ilaç për të harruar një të kaluar të keqe,  po njëherit e do si forcë shpirtërore.Kështu,  ajo na del një personazh i fortë,  po ku nuk mungojnë dilemat.Braktisja e Drinit dhe shkuarja me Donaldin, rikthimi prapë tek Drini dhe martesa me të,  përbëjnë dilemat e zgjedhjes për një vajzë.Ajo e rigjen veten, por fati prapë do e ndëshkojë.Drini vdes në aksident, ndërsa diku në barkun e saj mbin një filiz tjetër.Kjo vajzë bëhet nënë.Në dyluftim me kopracinë e fatit ajo arrin t`i shkëpusë atij gjithnjë më të mundshmen që i jep vazhdimësinë e ëndrrës.Një zgjidhje dhe mbyllje e bukur,  kaq e natyrshme dhe e besueshme çfarë tregon se autorja jo vetëm di ta ndërtoje strukturalisht romanin duke e sjellë në një arkitekturë solide rrëfimore,  po edhe di ta sharmojë me një ngijizje të natyrshme ideore.Ky sharm përcillet si një forcë e jetës kur duhet të mendosh se jeta gjithnjë e ka një mundësi,  kjo mundësi varet nga ne, nga forca jonë morale, aftësia krijuese,  dëshira për të parë veten tonë për të gjetur burimin e së mirës edhe në mot të lig.Simboli me të cilin mbyll romanin lë shijen e mirë,  nuk është një fund i lumtur ,  po,  gjithësesi mbetet një dorë për shpresë dhe vazhdimësi. Romani i Geverinës ndërtohet dhe shtrohet në një gjuhë të rrjedhshme ku kohezioni dhe koherenca janë në një prefeksion të lindur , po edhe tregojnë punën e mirë që ka bërë redaktori Sejdin Cekani.Është një fjali që zhvishet nga tepritë dhe thotë atë që duhet  që e transmeton informacionin jetësor në mënyrë bindëse,  pa ekuivoke,  po njëherit e transferon imazhin e ëndrrës në pafundësi perceptimi.Gjuha është mjaft e rëndësishme në një prozë, sepse ajo na materializon atë ndërlidhje të beftë intuitive midis lexuesit,  personazhit dhe ideve, duke trokitur në mendime të tjera.Si një roman realist me një thelb të fortë dramatik ,  romani i Geverinës e ngërthen aq mirë e bukur edhe patosin dashuror erotik dhe poetik,  zgjerohet drejt pasqyrimit të botës së një vajze,  tregon kurajon e saj për t`i rrëmbyer jetës jo të keqen,  po të mirën.Mendoj se ky ka qenë konceptimi ideor i autores që në nisje,  kur asaj i ka ardhë gaca e frymëzimit,  e kjo mbetet ajo bërthama filozofike që gjeneron e shpërhap ndjesi tek shumë njerëz.E mira dhe e keqja gjithnjë bashkëjetojnë në jetë,  format e shfaqjes së tyre nganjëherë marrin dukje prej sjelljes,  formimit tonë, prej fatit dhe kurajos sonë në përballje të sfidave.Ky konceptualitet do mbetej i thatë,  ilustrativ,  nëse nuk do e shikoninm të shkrirë në një materie artistike, gjë të cilën,  Geverina e arrin falë njohjes,  mënyrës së shtrimit të subjektit apo radhitjes së episodeve,  megjithëse,  diku ndonjë gjë mund të bëhej më mirë.Për shembull duhej motivuar më artistikisht ndarja e Reas me Drinin dhe shkuarja e saj me Donaldin, pastaj rikthimi tek Drini.Më pas rikthimi i saj tek prindërit , mendoj se është diçka që s`kishte pse të shtjellohej,  pavarësisht se autorja është nisur të sqaroje më mirë fillimin si dy pika ekstreme që konvergojnë njëra tjetrën.Megjithatë këto dy vërejtje të vogla hanë çështje për debat estetik,  dhe mbetet që të rishikohen mirë.E rëndësishme mbetet që romani Stina e Pestë na përcjell emocion estetik,  na rrënqeth  me dramacitetin e kulluar me hovjet lirike të Reas dhe ruan temporitmin rrëfimor përmes një intuite të lindur të rrëfimit,  çka do thotë se autorja provën e parë të romanit e kaloi me sukses duke i dhënë lexuesit,  sidomos lexuesve femra një prozë  të shkruar me elegancë të stilit dhe njohje të mirë të problemit që trajton.Romani nuk është një zhanër i lehtë letrar.Moti është quajtur artileri e rëndë, po Geverina ia ka dalë të depërtojë në misteret krijuese të tij dhe njëherit të organizojë një strukturë të mirëfilltë dhe të ndërtojë personazhe që u jep mish e gjak dhe i largon nga hijezimi autorial duke i afruar me jetën e gjallë.Geverina Muzhaqi ka lindur në Patos të Fierit më 1984.Ajo ka mbaruar fakultetin e filozofisë dhe letërsisë në Universitetin La Sapienza në Romë.Shkruan poezi, tregime dhe prozën e gjatë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora