E marte, 24.05.2022, 10:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Islam Anxhaku në këngë

E hene, 26.01.2015, 08:32 PM


Islam Anxhaku në këngë.

 

Poemë nga Kujtim Mateli

 

Nga vitet e Luftës,

Erdhën ca  të shtëna,

Trim Islam Anxhakun,

Nuk e lind më Nëna.

 

Viti `12.

Ishe djalë i ri,

Ismail Qemali,

Bëri Shqipëri.

 

Liria në zemër,

Dora përmbi armë,

kish thirrur koha,

Të mbroje vatan.

 

kish thirrur koha,

Të bëje dyfek,

kish shkelur trojet,

Ky andarti grek.

 

Dëshnica krenare,

U shkrumbua nga flakët,

Bashkë me dëshnicarët,

Ia shërove plagët.

 

Prapë pushtues të tjerë,

Këtë herë nga deti,

Përsëri me armë,

I priti Përmeti.

 

Dhe kur në njëzetën,

U mblodhën në Vlorë,

Ish e jotja mendje,

Ish e jotja dorë.

 

Kënduan këngë për ty,

Mbledhur tek konaku,

Trim ky djalë i ri,

Trim Islam Anxhaku.

 

II

Prapa çdo beteje,

të priste shtëpia,

Tharë misri në arë,

Djegur ish hardhia.

 

Vinokash i bukur,

Përgjumur mbi zjarre,

Me ara të vogla,

Me zemër të madhe.

 

Dija donte shkollë,

Fjala donte zemër,

Në një rrugë mes tyre,

Mbet i joti emër.

 

Aty ku ti ulesh,

Qoshen ngre biseda,

E keqja largohet,

Dashuria brenda.

 

Gjen tek zëri yt,

Tinguj mirësie,

Siç gjen në një valle,

Ritëm Shqipërie.

 

Që nga Amerika,

Të erdh një gazetë,

Shkruar me shkronja shqipe,

Gdhendur plot lezet.

 

Hape, e lexove,

Lufti Topojani,

“Burrë mbi burra,-thoshte-,

Ismail Qemali.

 

Vitet mjegulluar,

Koha nuk të lodhi,

Ti vazhdoje rrugën,

Që të la Fan Noli.

 

Të vinin nga larg,

Miq të rinj përditë,

Mjaltë te fjala jote,

Rruga jote dritë.

 

****

Dorën mbi parmendë,

Mendjen larg e mban,

Një dorë deputetësh,

Mbledhur në Tiranë.

 

Viti `28,

Mirë s`u prit nga Ti,

U gdhi Republikë,

U ngrys Monarki.

 

Bijtë e Dëshnicës,

Dorë për dore zënë,

Gjersa Republikën,

Ta ngrinin në këmbë.

 

Sofrat dëshnicare,

Të ngrinin dolli,

Një shëndet për trimin,

Burrë për Shqipëri.

 

III

Viti `39.

Erdhi me pushtime,

Prapë i mblodhe bijtë,

Moj Dëshnica trime.

 

Prapë i mblodhe bijtë,

Ligjëron konaku,

I parë ndër të parët,

Flet Islam Anxhaku.

 

Mençurinë e kombit,

Fjala jote kishte,

Flakë e zjarr baroti,

Fjala jote ishte.

 

Hyri fjala jote,

në çdo portë e prag,

Iku fjala jote,

Iku tepër larg.

 

S`ishe fort i thyer,

S`ishe as i ri,

Prapë pushkën në dorë,

Mbajte për liri.

 

Të thirri Atdheu,

Ti me armë në dorë,

Seç e thinje jetën,

Maleve me borë.

 

Gjunjët t`u këputën,

Nge s`kishe të rrije,

Me peshqir të reve,

Djersët seç i fshije.

 

Ti ishe shqiponjë,

Ti ishe liria,

Thellë në zemrën tënde,

Ishte Shqipëria.

 

Para pushkës tënde,

Dy ushtri seç ranë,

Njëra italiane,

Tjetra me gjermanë.

 

Ndaj dhe sot këndohet,

Mbledhur tek konaku,

Trim ky bir dëshnice,

Trim Islam Anxhaku.

 

IV

 

Ti s`rende për poste,

Për ofiqe s`rende,

Ti që fukarait,

Në çdo çast iu gjende.

 

Shtëpi Vinokashi,

E vjetër, e lashtë,

Zbukuruar nga brenda,

Skalitur nga jashtë.

 

Çdo shtëpi të ftonte,

Porsi djalë të pret,

Ndaj të mbajnë si prijs

Atje, në Përmet.

 

Miqtë e tu, ndonjëri,

Në fshat më s`u duk,

Ç`iu qepën pushtetit,

Të shkretit kolltuk.

 

Po ti Vinokashit,

Asnjëherë s`iu ndave,

Bashkë me fukaranë,

hallin tënd e qave.

 

Tej e tej Përmetit,

Ishte fjala jote,

Pëllumb në kohë paqe,

Shqiponjë në kohë shqote.

 

****

Përmbi ballin tënd,

Vitet vunë ca rrudha,

Po ti prapë në këmbë,

Po ti prapë tek udha.

 

Miqtë e tu të shumtë,

Të prisnin ngado,

Vdekja qe dorëzuar,

Të thoshte: jeto.

 

Tek çdo vit i yti,

Rron kuptimi jetës,

Rron një fjalë e mençur,

Fjalë e së vërtetës.

 

Nga vitet e Luftës,

Erdhën prapë të shtëna,

Trim Islam Anxhakun,

Nuk e lind më nëna.


Islam Anxhaku lindi në Vinokashin e Parë në vitin 1890 dhe për shkak të tokave që i kishin në ultësirat e zonës së Ballabanit, aty nga vitet ’30-të, zbritën pranë tyre duke krijuar lagjen e Anxhakëve si pjesë e Vinokashit të Dytë, ku janë si lagje edhe sot.

Qysh në moshë të vogël, u edukua me ndjenja të larta atdhedashurie, nga bisedat e kontaktet e shumta me disa nga figurat e njohura dëshnicare si Mehmet Pavari, Riza Velçishti, Mete Topojani, Riza Xhunga etj. Në vitet 1910-1912 mori pjesë me çetën e Mehmet Pavarit në luftë kundër pushtuesve turq që u zhvilluan në Këlcyrës dhe në afërsi të saj, në datat 30 dhe 31 korrik të vitit 1911. Në këtë betejë mbetën të vrarë 16 ushtarë turq. Morën pjesë 200 forca shqiptare, ku djaloshi Islam Anxhaku u dallua për guxim e trimëri. Kjo betejë e futi djaloshin 21 vjeçar në një luftë të pandërprerë kundër çdo armiku që do të shkelte vendin tonë.

Shpalljen e Pavarësisë e priti me gëzim të madh, por ky gëzim nuk zgjati shumë. Fqinji ynë Jugor, Greqia, iu sul tokave shqiptare duke kërkuar të aneksonte Shqipërinë e Jugut. Në luftën që bënë dëshnicarët, Islam Anxhaku e tregoi trimërinë e tij duke u përballur me armë në dorë si pjesë e çetave dëshnicare. Dëshnica u dogj dhe u shkatërrua, por dëshnicarët nuk u gjunjëzuan. Islam Anxhaku shkonte në çdo familje të fshatit Vinokash duke u interesuar për gjendjen e tyre ekonomike e shëndetësore. Ishin vitet kur familjet dëshnicare e shprehën solidaritetin në shkallën më të lartë.

Po vitet që erdhën më vonë, e zëvendësuan pushtimin grek me atë italian. Përsëri djaloshi i Vinokashit ishte në ballë të lëvizjes kundër tyre dhe Lufta e Vlorës e vitit 1920, e gjeti atë në Vlorë bashkë me shumë dëshnicarë të tjerë.

Përkrahës i lëvizjeve demokratike, përkrahës i qeverisë së Fan Nolit.

Lufta Nacional-Çlirimtare e gjeti përsëri me armë në dorë. Ka qënë ndër mbështetësit e parë të krijimit të cetës partizane “Dëshnica” në marsin e vitit 1943 dhe më pas të batalionit me të njëjtin emër. Ndërkohë ai caktohet Komandant i Forcave Territoriale të zonës së Ballabanit,  por shpesh herë ai u bë pjesë e veprimeve luftarake të batalionit “Dëshnica” edhe në zona të tjera, tej krahinës tonë. Në atë luftë morën pjesë edhe dy djemtë e tij: Shuaipi dhe Feriku, ky i dyti qe pjesë e Brigadës së 8-të Sulmuese deri në çlirimin e vendit. Për kontributin e tij në atë luftë, atij iu akorduan dekoratat e Trimërisë, të Kujtimit, të Çlirimit etj. Pas Çlirimit vazhdoi të punonte në pronën e tij private. Kishte besim se Shqipëria do të rimëkëmbej në sajë të punës dhe kontributit të çdo individi. Në vitet `50-të, shteti shqiptar iu drejtua familjeve shqiptare për të kontribuar në fuqizimin e ekonomisë së shkatërruar nga Lufta. Çdo familje kontriboi sipas mundësive të saj. Familja e Islam Anxhakut nuk e kishte atë shumë parash që ai dëshironte të kontribonte. Shiti pendën e qeve dhe e dorëzoi të gjithën për Huan Shtetërore. Ky rast ndoshta do të jetë i veçantë dhe në shkallë vendi. Njeriu që gjithë jetën kishte luftuar me armë në dorë kundër armiqve të Shqipërisë, po tregonte përsëri se Atdheut veç mund t`i shërbehej.

Vdiq në vitin 1965, në moshën 75 vjeçare, i përcjellë për në banesën e fundit nga populli i zonës së Ballabanit dhe përfaqësuesit e pushtetit të rrethit të Përmetit.

Në vitin 2013, bashkë me gjashtë figura të tjera të spikatura, u shpall nga pushteti vendor i kësaj zone “ Nderi i Komunës së Ballabanit”.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora