E premte, 26.04.2024, 07:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Ermir Nika: Kritika letrare për veprën e Bulkës

E marte, 06.01.2015, 01:48 PM


Kritika letrare për veprën e Nonda Bulkës

Nga Ermir Nika

Nonda Bulka, duke e parë si i trajton dukuritë jo vetëm kulturore, por edhe sociale e politike të Shqipërisë, zë pa dyshim një vend me rëndësi në kulturën e shkruar shqipe të shekullit të njëzetë. Për një shqyrtim sa më objektiv e të shumanshëm të krijimtarisë së tij letrare dhe publicistike është e udhës të analizohen me hollësi edhe disa nga tiparet më kryesore të formimit të tij, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në forcimin e mëtejshëm të personalitetit të tij letrar e intelektual.

Shkrimtari dhe publicisti Nonda Bulka ka lindur më 1906 në fshatin Leusë të Përmetit. Pasi mbaroi Liceun Kombëtar të Korçës, ai ndoqi studimet e larta për drejtësi e për letërsi në Francë. Bulka u njoh asokohe nga afër me gjuhën, me kulturën, me rrymat letrare, me idetë e me lëvizjet e mëdha politike e shoqërore që gëlonin jo vetëm në Francë, por edhe në tërë vendet e zhvilluara evropiane. Kjo periudhë përkon me forcimin e mëtejshëm intelektual të tij dhe dëshmon për ndikimin që patën tek ai kultura, emancipimi shoqëror dhe idetë përparimtare të kohës, të cilat jo vetëm i përqafoi, por nisi edhe t’i pasqyronte në shkrimet e veta letrare e publicistike të botuara në shtypin e atëhershëm periodik të Shqipërisë. Edhe pse në vend të huaj, Nonda Bulka, ashtu si edhe shumë intelektualë e atdhetarë të tjerë shqiptarë, s’i shkëputi asnjëherë lidhjet me Shqipërinë, me zhvillimet e saj, dhe e shqetësonte thellimi përherë e më i madh i gjendjes së vështirë sociale dhe ekonomike në atdheun e tij gjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Kësisoj, emri i tij spikati në shtypin shqiptar të viteve 30 jo vetëm për origjinalitetin krijues në fushën e letërsisë e të publicistikës, ku ai nisi të shkëlqente me talentin, me stilin origjinal e me satirën, por edhe për mënyrën si e shihte dhe si e kritikonte pareshtur realitetin shqiptar, në të cilin po shfaqeshin, para së gjithash, shenjat e një shoqërie të paqytetëruar, çka mishërohej sidomos në shpërfytyrimin e vazhdueshëm të qenies njerëzore. Nonda Bulka njihej në letërsinë shqiptare të viteve 30 me pseudonimin Chri-Chri. Shkrimet e veta, fejtone e skica, arriti t’i përmblidhte më 1934 në vëllimin “Kur qan e qesh bilbili”, vepër që u ribotua në vitin 1962 e më pas në vitin 1967 nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Më vonë botoi edhe proza poetike, skica humoristike dhe disa përkthime nga letërsia franceze, ku shquhet në mënyrë të veçantë shqipërimi i romanit “Evgjeni Grande”, vepër tejet e rëndësishme e shkrimtarit të shquar francez Honore dë Balzak.

Nonda Bulka, ashtu sikurse shumë shkrimtarë e publicistë të shquar, kishte atë aftësinë intuitive për të njohur e për të depërtuar në problemet më nevralgjike të jetës së përditshme shoqërore, duke i trajtuar dukuritë e ndryshme dhe paradokset e kohës me ironi e me sarkazëm therës, çka i jepte mundësi t’i bënte autopsinë jo vetëm shoqërisë ku jetonte, por edhe mendësisë së trashëguar dhe vizionit të zbehtë të individit ndaj sfidave të kohës. Në krijimtarinë e tërë brezit të shkrimtarëve e të publicistëve të viteve 30, por sidomos në botimet e atëhershme të Nonda Bulkës dhe më vonë të Migjenit, bie në sy pasqyrimi i mjerimit e i jetës së zymtë të vegjëlisë shqiptare me shkrime tronditëse si “Mëm’ e bir”, “Lipësi”, “Njeriu misterioz”, etj., të cilat janë një demaskim i hapur i padrejtësisë sociale, demaskim që synon të ndërgjegjësojë mbarë shoqërinë për të mos lejuar shfytyrimin e mëtejshëm të natyrës njerëzore dhe dallimet e thella që viheshin re midis shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndër shumë bashkëkohës të tij, ai shquhej për reagimin energjik e të atypëratyshëm ndaj kërkesave të ditës, për larminë e problemeve që trajtonte dhe për qartësinë e mendimit që e karakterizonte në shkrimet e tij. Nonda Bulka është vlerësuar nga kritika letrare e paraluftës dhe e pasluftës si një ndër shkrimtarët e parë të viteve 30, i cili solli me krijimet e vet kritikën e drejtpërdrejtë, protestën e hapur ndaj regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale dhe denoncimin e politikës antishqiptare të kohës, motive këto që u trajtuan më pas pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve 30, sidomos nga Migjeni. Por disa herë Bulka nuk arriti dot të shmangte përsëritjen e ca temave e motiveve dhe s’i shpëtoi një fryme mohuese e ndonjë toni pesimist. Në mbarë veprën e tij publicistike ndihet koha në tërësinë e saj, ndihet realiteti objektiv i Shqipërisë, por gjithsesi ajo mbetet brenda kufijve të fejtonit e të skicës. Megjithatë, kur analizon tërë atë gamë të gjerë të krijimtarisë letrare e publicistike të viteve 30, bie në sy sakaq misioni që u ndërmor në kulturën shqiptare falë atij brezi shkrimtarësh, ku një rol të veçantë luajti edhe krijimtaria e Nonda Bulkës. Në këtë kontekst mund të thuhet se krijimtaria e tyre letrare pati rëndësi dhe ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e në përsosjen e mëtejshme të prozës artistike. Kjo krijimtari, duke përvijuar tiparet, qoftë edhe fillestare, të një letërsie militante, solli në tregim temën e ditës, ndihmesën për ta thelluar realizmin kritik dhe për ta afruar letërsinë gjithnjë e më shumë me jetën, dhe gjuhën e saj me gjuhën e gjallë e të përditshme.

Duke analizuar me vëmendje pikërisht shkrimet e botuara nëpër organe të ndryshme të shtypit gjatë viteve 30, vëmë re, përveç disa motiveve me karakter të përgjithshëm, si morali e varfëria, të trajtuara si pjesë të realitetit shqiptar të kohës, edhe tri motive kryesore. Së pari, motivet që kanë të bëjnë me kulturën e me letërsinë në veçanti. Në këtë aspekt, Bulka i ndërgjegjëson shkrimtarët dhe poetët e talentuar për rolin e letërsisë dhe u bën thirrje të lidhen me realitetin e varfër e dramatik që karakterizon jetën sociale të Shqipërisë e të shqiptarëve. Së dyti, motivet që kanë të bëjnë me fenë. Në këtë rast ai rreket të gjejë një raport midis misticizmit fetar dhe realizmit, duke u ndikuar dukshëm edhe nga formimi i vet ateist. Së treti, motivet me natyrë plotësisht antifashiste, ku ai përpiqet t’ia bëjë të qartë shoqërisë shqiptare të kohës se ç’përfaqësojnë fashizmi e nazizmi për paqen botërore, duke nxjerrë në shesh kësisoj synimet grabitqare dhe antinjerëzore të luftërave pushtuese.

Nonda Bulka dhe i tërë arsenali i tij letrar ka qenë në fokus të gjykimit e të vlerësimit prej kritikës letrare. Madje edhe sot, kur po mbushen dyzet vjet qysh nga vdekja e tij, ai radhitet ndër emrat e shquar që kanë tërhequr pareshtur vëmendjen e kritikës letrare në të gjitha trevat ku është folur e është krijuar në gjuhën shqipe. Sapo doli në dritë më 1934 libri i tij “Kur qan e qesh bilbili”, reagimi i kritikës qe i atypëratyshëm lidhur me individualitetin e ri krijues që po shfaqej në fushën e letrave shqipe. “Dy fjalë Chri-Chriut” është ndoshta i pari shkrim kritik rreth krijimtarisë së Nonda Bulkës, botuar te “Gazeta Rilindja” nga Polikseni Mihali më 14 nëntor 1934. Në këtë shkrim bien në sy, ndër të tjera, këto mendime e vlerësime për krijimtarinë e saponisur të Nonda Bulkës: “Penda jote, i nderçëm Zotni, është e re, sikurse jini dhe vetë i ri, por besimi i jonë n’atë është i math, se shohim një përparim kohë më kohë, që na mbush plot shpresa në të ardhmen.” Te po kjo gazetë botohet edhe një artikull i redaksisë, me titull “Pak fjalë mbi veprën e Chri-Chriut”, ku vihen në dukje dhe vlerësohen disa prej karakteristikave kryesore të përmbledhjes “Kur qan e qesh bilbili”. Kohë më vonë do të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, sidomos të qarqeve letrare, një tjetër shkrim me titull “Kur e heq barku bilbilë - Ekzistenca e Perëndisë e provuar pa një pa dy”, botuar nga Terentius Pika te “Gazeta e Korçës”  më 24 prill 1935. Në këtë shkrim trajtohen kryesisht raporti që ekziston midis Perëndisë dhe Nonda Bulkës, pikëpamjet e tij ateiste dhe ndikimi i besimit fetar në psikologjinë e në jetën shoqërore të vendit. Autori i këtij shkrimi mjaft interesant dhe shpotitës ka parapëlqyer që mendimin e vet për këtë vepër ta përmbyllë me fjalët: “Pastë uratën z. Chri-Chri se do të na zinte gjumi dhe Perëndia i shtoftë inatin!”.

Një analizë të hollësishme e me diapazon më të gjerë, ku shqyrtohen të gjithë faktorët kryesorë që ndikuan në forcimin e personalitetit krijues të Nonda Bulkës, ka bërë studiuesi Mark Gurakuqi me rastin e ribotimeve të veprës “Kur qan e qesh bilbili” gjatë periudhës 1962-1967. Emra të shquar të letërsisë, të kritikës e të studimeve letrare dhanë më pas një ndihmesë të shquar për të nxjerrë në pah e për të përuruar vlerat letrare, estetike e njerëzore që përcilleshin në kulturën e shkruar e në mendimin shqiptar nëpërmjet pendës së Nonda Bulkës. Këtu do të veçonim: “Nonda Bulka për fëmijët” nga Bedri Dedja, “70-vjetori i lindjes së Nonda Bulkës - 40 vjet shkrimtar, publicist, pedagog” nga Fatmir Gjata, “40 vjet veprimtari letrare e Nonda Bulkës” nga Llazar Siliqi, “Polemika me shoqërinë dhe me artin zyrtar të kohës para Çlirimit në veprën e Nonda Bulkës” nga studiuesi i mirënjohur Myzafer Xhaxhiu, i cili ka botuar edhe mjaft shkrime të tjera kritike për veprimtarinë krijuese të Nonda Bulkës, si “Satirizues i mprehtë dhe pohues entuziast”, “Në 40-vjetorin e shkrimeve të para të Nonda Bukës” dhe më pas studimi i tij hyrës me rastin e botimit të plotë të veprës letrare të Nonda Bulkës. Kësisoj, Myzafer Xhaxhiu mbetet një ndër njohësit më të mirë dhe studiuesit më seriozë të veprimtarisë letrare e publicistike të këtij shkrimtari e publicisti. Po ashtu një tjetër studiues i njohur, Vehbi Bala, në artikullin “Krijimtari me problematikë dhe frymë popullore” e ka përqendruar vëmendjen tek analiza e dukurive që lidhen me disa veçori të veprës letrare të Bulkës. Ndërkaq, edhe shkrimtari Naum Prifti ka dhënë një ndihmesë të vyer në hartimin e parathënies dhe në përgatitjen e vëllimit “Tregime të zgjedhura”  të Nonda Bulkës, përmbledhje që u botua vetëm disa muaj pas vdekjes së autorit. Artikuj kritikë e mjaft shkrime të tjera rreth rolit që ka luajtur vepra letrare dhe publicistike e Nonda Bulkës në letrat shqipe, kanë botuar edhe emra të tjerë të njohur të fushës së letërsisë, si Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Tonin Miloti, Perikli Jorgoni, Dionis Bubani, Lipe Nano, Nasho Jorgaqi, Floresha Haxhiaj, Fatos Arapi, Niko Mihali, Hasan Mekuli, Sinan Gashi, Alfred Papuçiu, Adelina Mamaqi, Zisa Cikuli dhe Iliden Spasse. Po ashtu, edhe studiuesi Stilian Adhami, i cili njihet sot si kritiku e studiuesi më i ri i veprës së Nonda Bulkës, sepse vitet e fundit, krahas një sëre artikujsh studimorë që nxjerrin në pah disa nga vlerat më të spikatura të Nonda Bulkës e të veprës së tij letrare, ka botuar edhe një studim monografik për jetën e për krijimtarinë letrare e publicistike të këtij shkrimtari.

Këtu duhet nënvizuar fakti se, edhe përtej kufijve administrativë të Shqipërisë, vepra letrare e Nonda Bulkës është vlerësuar gjerësisht nga kritika letrare, e cila i ka kushtuar një hapësirë të gjerë trajtimit të risisë, të origjinalitetit e të diapazonit krijues që ngërthen vepra e tij. Në punimin me titull “Proza e Nonda Bulkës para luftës”, që i kushtohet botimit të veprës së plotë të shkrimtarit në fjalë nga Shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë më 1969, studiuesi i mirënjohur Rexhep Qosja e mbështet objektin e trajtimit në tri shtylla kryesore: 1. Prijatari i letërsisë së angazhuar sociale; 2. Bota pa maska; 3. Vlera letrare e kësaj proze. Në këtë punim analizohet ndihmesa që ka dhënë krijimtaria e Bulkës në letërsinë shqipe dhe në emancipimin e procesit krijues e të mendimit mbarëshoqëror shqiptar.

Vlen të përmendet këtu se një dukuri mjaft e spikatur në profilin letrar të Nonda Bulkës është fakti që ai, gjatë krijimtarisë së vet letrare, nuk e ka parë asnjëherë problematikën shqiptare jashtë zhvillimeve social-politike dhe larmisë kulturore evropiane. Bulka ka qenë një shkrimtar që u kundërvihej regjimeve antipopullore dhe normave e dukurive negative që shfaqeshin në shoqërinë shqiptare të çdo kohe.

Por në tërë shkrimet kritike të botuara në Shqipëri për veprën e Nonda Bulkës gjatë kohës së diktaturës bie në sy fakti se krijimtaria e tij letrare është gjykuar e vlerësuar gjithmonë në aspektin e pasqyrimit, të goditjes e të ironisë therëse të tij ndaj regjimit monarkik, dhe asnjëherë nuk janë vënë në dukje jehonat dhe aludimet e tij letrare që kishin të bënin edhe me problematikat e me dukuritë negative që viheshin re në periudhën e diktaturës, gjatë së cilës krijimtaria e Nonda Bulkës qe gjithmonë e pranishme dhe fshikullonte paradokset e tiparet më negative të shoqërisë dhe të sistemit politik e administrativ të kohës. Kjo vërejtje lidhet edhe me një tregues tjetër mjaft domethënës: megjithëse në vitet 80 të shekullit të kaluar krijimtaria e tij letrare u botua e përmbledhur në disa vëllime, gjatë hulumtimeve që kemi bërë në arkivin dorëshkrimor të Nonda Bulkës kemi konstatuar se edhe në këtë përmbledhje, e cila u botua disa vjet pas vdekjes së autorit, janë lënë jashtë ose janë redaktuar ndjeshëm, në bazë të kritereve që duhej të zbatoheshin në botimet shqiptare të asaj periudhe, një pjesë e konsiderueshme dhe tejet përfaqësuese e shkrimeve të botuara kur autori ishte gjallë. Më anë tjetër, reagimi i kritikës gjatë periudhës së diktaturës është disi anemik, sepse tiparet thelbësore të krijimtarisë së Bulkës analizohen në mënyrë të njëanshme, ku spikat një vlerësim i kufizuar i veprës së tij dhe një studim sipërfaqësor i gamës së problematikave që ngërthente në tërësi krijimtaria e tij publicistike dhe letrare. Pra, në vitet 80, krijimtaria e Nonda Bulkës u përmblodh në një kolanë prej vetëm tri vëllimesh, që u botuan njëzet vjet pas vdekjes së autorit.

Në analizën e në rivlerësimin e veprës së plotë të Nonda Bulkës spikat sidomos krijimtaria e tij publicistike, e cila shtrihet në një hapësirë të gjerë e gjithëpërfshirëse. Përveç çështjeve të rëndësishme të jetës së përditshme, pena e autorit rreket të trajtojë me guxim edhe çështje thelbësore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krijime e me prishje ekuilibrash të bashkëjetesës paqësore në rrafsh botëror.

Nëpërmjet veprës së vet letrare e publicistike, Nonda Bulka arriti të bënte gjyqësinë e krejt shoqërisë shqiptare të shtrirë në tri periudha. E para ndër këto tri periudha ka si objekt regjimin monarkik të Ahmet Zogut në të gjitha aspektet e tij. Periudha e dytë përfshin vitet e diktaturës, ku në mjaft shkrime, një pjesë e të cilave s’janë botuar të plota, kurse pjesa tjetër pret të shohë dritën e botimit, goditet, me një analizë të thellë, me një retorikë shpotitëse e me një sarkazëm dërrmues, aktualiteti shqiptar në të gjitha aspektet e tij. Periudha e tretë shtrihet përtej kohës kur autori ishte gjallë, dhe ka të bëjë me ndikimin e veprës së tij në mendësinë, në kulturën, në prirjet e në komunikimin që ajo po krijon tashmë me lexuesin e një brezi tjetër, vetëdija e të cilit rreket të farkëtohet në dy kahje: në kahjen e traditës dhe në kahjen bashkëkohore, dy koordinata këto që shfaqen si vijimësi e si pjesë përbërëse të një procesi të ngadalshëm zhvillimor, jo vetëm në fushën e mendimit estetik e letrar, por, para së gjithash, edhe në aspektin e një reflektimi dhe të një ndryshimi që po ndodh në vetëdijen e njeriut të sotëm dhe në botën ku ai jeton.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora