| E marte, 06.01.2015, 01:48 PM |
Kritika letrare për veprën e Nonda
Bulkës
Nga Ermir Nika
Nonda Bulka, duke e parë si i trajton dukuritë jo vetëm kulturore, por edhe sociale e politike të Shqipërisë, zë pa dyshim një vend me rëndësi në kulturën e shkruar shqipe të shekullit të njëzetë. Për një shqyrtim sa më objektiv e të shumanshëm të krijimtarisë së tij letrare dhe publicistike është e udhës të analizohen me hollësi edhe disa nga tiparet më kryesore të formimit të tij, të cilat kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në forcimin e mëtejshëm të personalitetit të tij letrar e intelektual.
Shkrimtari dhe publicisti Nonda Bulka ka lindur më 1906 në fshatin Leusë të Përmetit. Pasi mbaroi Liceun Kombëtar të Korçës, ai ndoqi studimet e larta për drejtësi e për letërsi në Francë. Bulka u njoh asokohe nga afër me gjuhën, me kulturën, me rrymat letrare, me idetë e me lëvizjet e mëdha politike e shoqërore që gëlonin jo vetëm në Francë, por edhe në tërë vendet e zhvilluara evropiane. Kjo periudhë përkon me forcimin e mëtejshëm intelektual të tij dhe dëshmon për ndikimin që patën tek ai kultura, emancipimi shoqëror dhe idetë përparimtare të kohës, të cilat jo vetëm i përqafoi, por nisi edhe t’i pasqyronte në shkrimet e veta letrare e publicistike të botuara në shtypin e atëhershëm periodik të Shqipërisë. Edhe pse në vend të huaj, Nonda Bulka, ashtu si edhe shumë intelektualë e atdhetarë të tjerë shqiptarë, s’i shkëputi asnjëherë lidhjet me Shqipërinë, me zhvillimet e saj, dhe e shqetësonte thellimi përherë e më i madh i gjendjes së vështirë sociale dhe ekonomike në atdheun e tij gjatë gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Kësisoj, emri i tij spikati në shtypin shqiptar të viteve 30 jo vetëm për origjinalitetin krijues në fushën e letërsisë e të publicistikës, ku ai nisi të shkëlqente me talentin, me stilin origjinal e me satirën, por edhe për mënyrën si e shihte dhe si e kritikonte pareshtur realitetin shqiptar, në të cilin po shfaqeshin, para së gjithash, shenjat e një shoqërie të paqytetëruar, çka mishërohej sidomos në shpërfytyrimin e vazhdueshëm të qenies njerëzore. Nonda Bulka njihej në letërsinë shqiptare të viteve 30 me pseudonimin Chri-Chri. Shkrimet e veta, fejtone e skica, arriti t’i përmblidhte më 1934 në vëllimin “Kur qan e qesh bilbili”, vepër që u ribotua në vitin 1962 e më pas në vitin 1967 nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Më vonë botoi edhe proza poetike, skica humoristike dhe disa përkthime nga letërsia franceze, ku shquhet në mënyrë të veçantë shqipërimi i romanit “Evgjeni Grande”, vepër tejet e rëndësishme e shkrimtarit të shquar francez Honore dë Balzak.
Nonda Bulka, ashtu sikurse shumë shkrimtarë e publicistë të shquar, kishte atë aftësinë intuitive për të njohur e për të depërtuar në problemet më nevralgjike të jetës së përditshme shoqërore, duke i trajtuar dukuritë e ndryshme dhe paradokset e kohës me ironi e me sarkazëm therës, çka i jepte mundësi t’i bënte autopsinë jo vetëm shoqërisë ku jetonte, por edhe mendësisë së trashëguar dhe vizionit të zbehtë të individit ndaj sfidave të kohës. Në krijimtarinë e tërë brezit të shkrimtarëve e të publicistëve të viteve 30, por sidomos në botimet e atëhershme të Nonda Bulkës dhe më vonë të Migjenit, bie në sy pasqyrimi i mjerimit e i jetës së zymtë të vegjëlisë shqiptare me shkrime tronditëse si “Mëm’ e bir”, “Lipësi”, “Njeriu misterioz”, etj., të cilat janë një demaskim i hapur i padrejtësisë sociale, demaskim që synon të ndërgjegjësojë mbarë shoqërinë për të mos lejuar shfytyrimin e mëtejshëm të natyrës njerëzore dhe dallimet e thella që viheshin re midis shtresave të ndryshme të shoqërisë. Ndër shumë bashkëkohës të tij, ai shquhej për reagimin energjik e të atypëratyshëm ndaj kërkesave të ditës, për larminë e problemeve që trajtonte dhe për qartësinë e mendimit që e karakterizonte në shkrimet e tij. Nonda Bulka është vlerësuar nga kritika letrare e paraluftës dhe e pasluftës si një ndër shkrimtarët e parë të viteve 30, i cili solli me krijimet e vet kritikën e drejtpërdrejtë, protestën e hapur ndaj regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale dhe denoncimin e politikës antishqiptare të kohës, motive këto që u trajtuan më pas pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve 30, sidomos nga Migjeni. Por disa herë Bulka nuk arriti dot të shmangte përsëritjen e ca temave e motiveve dhe s’i shpëtoi një fryme mohuese e ndonjë toni pesimist. Në mbarë veprën e tij publicistike ndihet koha në tërësinë e saj, ndihet realiteti objektiv i Shqipërisë, por gjithsesi ajo mbetet brenda kufijve të fejtonit e të skicës. Megjithatë, kur analizon tërë atë gamë të gjerë të krijimtarisë letrare e publicistike të viteve 30, bie në sy sakaq misioni që u ndërmor në kulturën shqiptare falë atij brezi shkrimtarësh, ku një rol të veçantë luajti edhe krijimtaria e Nonda Bulkës. Në këtë kontekst mund të thuhet se krijimtaria e tyre letrare pati rëndësi dhe ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e në përsosjen e mëtejshme të prozës artistike. Kjo krijimtari, duke përvijuar tiparet, qoftë edhe fillestare, të një letërsie militante, solli në tregim temën e ditës, ndihmesën për ta thelluar realizmin kritik dhe për ta afruar letërsinë gjithnjë e më shumë me jetën, dhe gjuhën e saj me gjuhën e gjallë e të përditshme.
Duke analizuar me vëmendje pikërisht shkrimet e botuara nëpër organe të ndryshme të shtypit gjatë viteve 30, vëmë re, përveç disa motiveve me karakter të përgjithshëm, si morali e varfëria, të trajtuara si pjesë të realitetit shqiptar të kohës, edhe tri motive kryesore. Së pari, motivet që kanë të bëjnë me kulturën e me letërsinë në veçanti. Në këtë aspekt, Bulka i ndërgjegjëson shkrimtarët dhe poetët e talentuar për rolin e letërsisë dhe u bën thirrje të lidhen me realitetin e varfër e dramatik që karakterizon jetën sociale të Shqipërisë e të shqiptarëve. Së dyti, motivet që kanë të bëjnë me fenë. Në këtë rast ai rreket të gjejë një raport midis misticizmit fetar dhe realizmit, duke u ndikuar dukshëm edhe nga formimi i vet ateist. Së treti, motivet me natyrë plotësisht antifashiste, ku ai përpiqet t’ia bëjë të qartë shoqërisë shqiptare të kohës se ç’përfaqësojnë fashizmi e nazizmi për paqen botërore, duke nxjerrë në shesh kësisoj synimet grabitqare dhe antinjerëzore të luftërave pushtuese.
Nonda Bulka dhe i tërë arsenali i tij letrar ka qenë në fokus të gjykimit e të vlerësimit prej kritikës letrare. Madje edhe sot, kur po mbushen dyzet vjet qysh nga vdekja e tij, ai radhitet ndër emrat e shquar që kanë tërhequr pareshtur vëmendjen e kritikës letrare në të gjitha trevat ku është folur e është krijuar në gjuhën shqipe. Sapo doli në dritë më 1934 libri i tij “Kur qan e qesh bilbili”, reagimi i kritikës qe i atypëratyshëm lidhur me individualitetin e ri krijues që po shfaqej në fushën e letrave shqipe. “Dy fjalë Chri-Chriut” është ndoshta i pari shkrim kritik rreth krijimtarisë së Nonda Bulkës, botuar te “Gazeta Rilindja” nga Polikseni Mihali më 14 nëntor 1934. Në këtë shkrim bien në sy, ndër të tjera, këto mendime e vlerësime për krijimtarinë e saponisur të Nonda Bulkës: “Penda jote, i nderçëm Zotni, është e re, sikurse jini dhe vetë i ri, por besimi i jonë n’atë është i math, se shohim një përparim kohë më kohë, që na mbush plot shpresa në të ardhmen.” Te po kjo gazetë botohet edhe një artikull i redaksisë, me titull “Pak fjalë mbi veprën e Chri-Chriut”, ku vihen në dukje dhe vlerësohen disa prej karakteristikave kryesore të përmbledhjes “Kur qan e qesh bilbili”. Kohë më vonë do të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, sidomos të qarqeve letrare, një tjetër shkrim me titull “Kur e heq barku bilbilë - Ekzistenca e Perëndisë e provuar pa një pa dy”, botuar nga Terentius Pika te “Gazeta e Korçës” më 24 prill 1935. Në këtë shkrim trajtohen kryesisht raporti që ekziston midis Perëndisë dhe Nonda Bulkës, pikëpamjet e tij ateiste dhe ndikimi i besimit fetar në psikologjinë e në jetën shoqërore të vendit. Autori i këtij shkrimi mjaft interesant dhe shpotitës ka parapëlqyer që mendimin e vet për këtë vepër ta përmbyllë me fjalët: “Pastë uratën z. Chri-Chri se do të na zinte gjumi dhe Perëndia i shtoftë inatin!”.
Një
analizë të hollësishme e me diapazon më të gjerë, ku shqyrtohen të gjithë
faktorët kryesorë që ndikuan në forcimin e personalitetit krijues të Nonda
Bulkës, ka bërë studiuesi Mark Gurakuqi me rastin e ribotimeve të veprës “Kur
qan e qesh bilbili” gjatë periudhës 1962-1967. Emra të shquar të letërsisë, të
kritikës e të studimeve letrare dhanë më pas një ndihmesë të shquar për të nxjerrë
në pah e për të përuruar vlerat letrare, estetike e njerëzore që përcilleshin
në kulturën e shkruar e në mendimin shqiptar nëpërmjet pendës së Nonda Bulkës.
Këtu do të veçonim: “Nonda Bulka për fëmijët” nga Bedri Dedja, “70-vjetori i
lindjes së Nonda Bulkës - 40 vjet shkrimtar, publicist, pedagog” nga Fatmir
Gjata, “40 vjet veprimtari letrare e Nonda Bulkës” nga Llazar Siliqi, “Polemika
me shoqërinë dhe me artin zyrtar të kohës para Çlirimit në veprën e Nonda
Bulkës” nga studiuesi i mirënjohur Myzafer Xhaxhiu, i cili ka botuar edhe mjaft
shkrime të tjera kritike për veprimtarinë krijuese të Nonda Bulkës, si
“Satirizues i mprehtë dhe pohues entuziast”, “Në 40-vjetorin e shkrimeve të
para të Nonda Bukës” dhe më pas studimi i tij hyrës me rastin e botimit të
plotë të veprës letrare të Nonda Bulkës. Kësisoj, Myzafer Xhaxhiu mbetet një
ndër njohësit më të mirë dhe studiuesit më seriozë të veprimtarisë letrare e
publicistike të këtij shkrimtari e publicisti.
Këtu duhet nënvizuar fakti se, edhe përtej kufijve administrativë të Shqipërisë, vepra letrare e Nonda Bulkës është vlerësuar gjerësisht nga kritika letrare, e cila i ka kushtuar një hapësirë të gjerë trajtimit të risisë, të origjinalitetit e të diapazonit krijues që ngërthen vepra e tij. Në punimin me titull “Proza e Nonda Bulkës para luftës”, që i kushtohet botimit të veprës së plotë të shkrimtarit në fjalë nga Shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë më 1969, studiuesi i mirënjohur Rexhep Qosja e mbështet objektin e trajtimit në tri shtylla kryesore: 1. Prijatari i letërsisë së angazhuar sociale; 2. Bota pa maska; 3. Vlera letrare e kësaj proze. Në këtë punim analizohet ndihmesa që ka dhënë krijimtaria e Bulkës në letërsinë shqipe dhe në emancipimin e procesit krijues e të mendimit mbarëshoqëror shqiptar.
Vlen të përmendet këtu se një dukuri mjaft e spikatur në profilin letrar të Nonda Bulkës është fakti që ai, gjatë krijimtarisë së vet letrare, nuk e ka parë asnjëherë problematikën shqiptare jashtë zhvillimeve social-politike dhe larmisë kulturore evropiane. Bulka ka qenë një shkrimtar që u kundërvihej regjimeve antipopullore dhe normave e dukurive negative që shfaqeshin në shoqërinë shqiptare të çdo kohe.
Por në tërë shkrimet kritike të botuara në Shqipëri për veprën e Nonda Bulkës gjatë kohës së diktaturës bie në sy fakti se krijimtaria e tij letrare është gjykuar e vlerësuar gjithmonë në aspektin e pasqyrimit, të goditjes e të ironisë therëse të tij ndaj regjimit monarkik, dhe asnjëherë nuk janë vënë në dukje jehonat dhe aludimet e tij letrare që kishin të bënin edhe me problematikat e me dukuritë negative që viheshin re në periudhën e diktaturës, gjatë së cilës krijimtaria e Nonda Bulkës qe gjithmonë e pranishme dhe fshikullonte paradokset e tiparet më negative të shoqërisë dhe të sistemit politik e administrativ të kohës. Kjo vërejtje lidhet edhe me një tregues tjetër mjaft domethënës: megjithëse në vitet 80 të shekullit të kaluar krijimtaria e tij letrare u botua e përmbledhur në disa vëllime, gjatë hulumtimeve që kemi bërë në arkivin dorëshkrimor të Nonda Bulkës kemi konstatuar se edhe në këtë përmbledhje, e cila u botua disa vjet pas vdekjes së autorit, janë lënë jashtë ose janë redaktuar ndjeshëm, në bazë të kritereve që duhej të zbatoheshin në botimet shqiptare të asaj periudhe, një pjesë e konsiderueshme dhe tejet përfaqësuese e shkrimeve të botuara kur autori ishte gjallë. Më anë tjetër, reagimi i kritikës gjatë periudhës së diktaturës është disi anemik, sepse tiparet thelbësore të krijimtarisë së Bulkës analizohen në mënyrë të njëanshme, ku spikat një vlerësim i kufizuar i veprës së tij dhe një studim sipërfaqësor i gamës së problematikave që ngërthente në tërësi krijimtaria e tij publicistike dhe letrare. Pra, në vitet 80, krijimtaria e Nonda Bulkës u përmblodh në një kolanë prej vetëm tri vëllimesh, që u botuan njëzet vjet pas vdekjes së autorit.
Në analizën e në rivlerësimin e veprës së plotë të Nonda Bulkës spikat sidomos krijimtaria e tij publicistike, e cila shtrihet në një hapësirë të gjerë e gjithëpërfshirëse. Përveç çështjeve të rëndësishme të jetës së përditshme, pena e autorit rreket të trajtojë me guxim edhe çështje thelbësore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me krijime e me prishje ekuilibrash të bashkëjetesës paqësore në rrafsh botëror.
Nëpërmjet veprës së vet letrare e publicistike, Nonda Bulka arriti të bënte gjyqësinë e krejt shoqërisë shqiptare të shtrirë në tri periudha. E para ndër këto tri periudha ka si objekt regjimin monarkik të Ahmet Zogut në të gjitha aspektet e tij. Periudha e dytë përfshin vitet e diktaturës, ku në mjaft shkrime, një pjesë e të cilave s’janë botuar të plota, kurse pjesa tjetër pret të shohë dritën e botimit, goditet, me një analizë të thellë, me një retorikë shpotitëse e me një sarkazëm dërrmues, aktualiteti shqiptar në të gjitha aspektet e tij. Periudha e tretë shtrihet përtej kohës kur autori ishte gjallë, dhe ka të bëjë me ndikimin e veprës së tij në mendësinë, në kulturën, në prirjet e në komunikimin që ajo po krijon tashmë me lexuesin e një brezi tjetër, vetëdija e të cilit rreket të farkëtohet në dy kahje: në kahjen e traditës dhe në kahjen bashkëkohore, dy koordinata këto që shfaqen si vijimësi e si pjesë përbërëse të një procesi të ngadalshëm zhvillimor, jo vetëm në fushën e mendimit estetik e letrar, por, para së gjithash, edhe në aspektin e një reflektimi dhe të një ndryshimi që po ndodh në vetëdijen e njeriut të sotëm dhe në botën ku ai jeton.