E enjte, 05.12.2019, 04:51 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Vjedhja e pronës private në Ulqin

E enjte, 18.12.2014, 08:20 PM


VJEDHJA E PRONËS PRIVATE NË ULQIN

KONSIDEROHET SI NGJARJE E VITIT

E Drejta e pronës është e drejtë e njeriut

Nga Frank Shkreli

Sipas një njoftimi në portalin e Komunës së Ulqinit, të martën u nënshkrua në hapësirat e komunës së atij qyteti marrveshja, midis Kryetarit të komunës, Fatmir Gjekaj dhe përfaqsuesit të kompanisë turke "Aqua Park & Entertainment", Sahret Hajdarpasic, për ndërtimin e një akva parku që konsiderohet se do të jetë më i madhi në Ballka i këtj lloji. Thuhet gjithashtu se në bazë të kësaj kontrate, kompania turke e cila sipas lajmeve për këtë projekt do të investojë 7 milionë e gjysëm dollarë, paska “marrë me qira” për 30-vjetë tokën ku do të ndërtohet parku. Në sipërfaqe, ky duket një lajm i mirë për atë zonë e cila ka shumë nevojë për investime dhe për një zhvillim ekonomik.  Deri këtu gjithçka në rregull.

Por ajo që lexuesi nuk mëson nga njoftimi zyrtar i komunës së Ulqinit dhe madje as nga mediat të cilat dhanë njoftimin në lidhje me këtë  marrveshje, është se toka e cila thuhet se kompania turke "ka marrë me qira", është pronë legjitime me dokumentacion tapie e familjes Rudaj nga Shtoji i Ulqinit dhe se pronarët e tokës nuk kanë dhënë miratimin e tyre për këtë projekt.  Familja Rudaj ka bërë një deklaratë për publikun me të cilën kundërshton vendosmërisht këtë marrveshje midis komunës së Ulqinit dhe kompanisë turke "Polin'', për të ndërtuar akva parkun në tokën e tyre që ua kanë lënë të parët, andaj marrveshja nuk ka miratimin e tyre dhe si e tillë marrveshja nuk ka vlerë.   Familja Rudaj thotë se si rrjedhim i shkeljes së të drejtave të saj të pronësisë, ajo do të kërkojë të drejtat e veta në nivel vendor, shtetëror dhe ndërkombtar.  Ja edhe Deklarata e familjes Rudaj në lidhje me këtë situatë të krijuar në komunën e Ulqinit:

"Ju njoftojmë se  parcela  kadastrale nr. 2088 në sipërfaqe prej 25.541 metër katrorë është pronë kontestuese e familjes  Rudaj në Shtoj të Ulqinit. Këtë e dëshmon vendimi i Komisonit për këthim dhe kopmensim  Nr. 030-ul-6-97-05, e datës 17.09.2014, i lëshuar në Tivar si dhe nga vëndimi i Ministrisë së Financave të Malit të Zi, e datës 20.05.2011.

Nga Drejtoria  shtetërore për patundshmëri, posedojmë  gjithashtu vendimin Nr. 954-1470/11, të datës 5.12.2011, me të cilin lejohet regjistrimi për ndryshimin e asaj pjesë të parcelës.  Këtë tokë  na e ka marrë shteti komunist në vitin 1949.

Ne familjarët posedojmë madje edhe dokumentin e shitblerjes së kësaj toke, nga viti 1857, të nënshkruar nga kadia Shaqir Isuf, autoriteti vendor turk i asaj kohe.

Kuvendi Komunal i Komunës së Ulqinit ka marrë vendimin që në këtë pronë të ndërtojë akva parkun. Ne si familje nuk e kemi pranuar këtë vendim, për të cilën gjë,  zyrtarisht i kemi njoftuar drejtuesit e Komunës së Ulqinit dhe investitorin. Por, ata janë këmbëngulës në aprovimin e vendimit të tyre dhe nuk kanë marrë parasysh kërkesën tonë. U bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërhyjnë në zgjidhjen e këtij problemi."

Ulqin, 15 dhjetor 2014       Familja Rudaj

Kjo ishte deklarata informuese për publikun nga familja Rudaj e lëshuar të hënën, në prak të nënshkrimit të marrveshjes për ndërtimin e akva parkut në Shtoj të Ulqinit, duke nënvijuar njohjen zyrtare, jo një herë, por dy herë se toka ku është në plan të ndërtohet akva parku, është në të vërtetë dhe legjitimisht toka e familjes Rudaj.

Ky rast në rrethin e Ulqinit duket si një shembull i qartë i asaj që mund të quhet vjedhje e pasurisë private nga shteti.  Është kjo një traditë e regjimeve naziste dhe komuniste të cilat gjatë shekullit të kaluar grabitën pasurinë private pa asnjë konsideratë për pronarët legjitim, për të pasuruar veten. Fatkeqsisht, kjo trashëgimi e këtyre regjimeve është ende gjallë në disa raste, pasi në pjesën më të madhe, ndonëse në këto 25-vitet e fundit ç'prej shembjes së komunizmit, prona private e cila ishte konfiskuar nga regjimi komunist, tashmë i është këthyer të zotit.  Përveç vendosjes së lirisë dhe demokracisë, këthimi i pronës private tek i zoti, ishte në të vërtetë një prej përfitimeve nga   shëmbja e komunizmit dhe si i tillë më vonë u konsiderua, sidomos nga ana e Shteteve të Bashkuara por edhe nga BE-ja, si një kriter me rëndësi për të vlerësuar përparimin e ish-vendeve komuniste për antarësim në organizatën e NATO-s dhe në Bashkimin Europian.  Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë deklaruar shpesh se këthimi i pronës private të vjedhur dhe të konfiskuar nga shteti, është edhe një provë e zhvillimit të një shteti ligjor e demokratik, dhe janë shprehur njëkohsisht se ligjet jo-diskriminuese mbi pronësinë, janë tepër të rëndësishme edhe për zhvillimin e një ekonomie të tregut të lirë.

Besoj se një ndër ato shtete që Shtetet  e Bashkuara dhe Bashkimi Europian thonë se, "duket se e kanë të vështirë të administrojnë rivendosjen e të drejtave të pronësisë pronarëve të cilëve u takon toka", është edhe Mali i Zi dhe rasti konkret i familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit.  Ajo tokë nuk është as e komunës së Ulqinit as e qeverisë malazeze, por me tapi e dokumentacion i takon familjes Rudaj.  Sipas deklaratës së mësipërme, familja Rudaj me të drejtë ka vendosur që të luftojë për të drejtat e saj ligjore dhe kushtetuese për të marrë pronën që i takon asaj gjysh pas gjyshi dhe të vendosë vet mbi përdorimin e asaj parcele prej 25,5 mijë metra katrorë, ashtu si dëshiron dhe sipas interesave të veta.

Këthimi i pronave të konfiskuara nga cilido shtet qoftë, është i ndërlikuar ndërsa përbën gjithmonë një proces të rënduar dhe si rrjedhim duket se përpjekjet e familjes Rudaj për këthimin e tokës së tyre nuk do të jenë aspak të lehta duke amrrë parasyshë se do t’i duhet të luftojë jo vetëm Podgoricën yzrtare, por edhe autoritetet vendore, përgjegjësia e të cilave në rend të parë është të mbrojnë interesat e qytetarve të vet.   Gjatë nënshkrimit të marrveshjes midis Komunës së Ulqinit dhe kompanisë turke, Polin për ndërtimin e akva parkut në mallin e familjes Rudaj, Kryetari i Komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka e paraqiti marrveshjen si një mesazh të mirë për investuesit tjerë, duke shtuar se, ''Ulqini nuk ka kohë të presë. Na nevojiten investimet, vendet e reja të punës, klimë e mirë investuese", tha kryekomunari ulqinak. Kjo që thotë kryekomunari i Ulqinit mund të jetë e vërtetë, por kjo nuk mund dhe nuk duhet të arrihet në kurriz të pronarve të ligjshëm të tokave dhe kundër vullnetit të tyre.  Është për tu çuditur se sipas shtypit vendas, gjatë nënshkrimit të marrveshjes, dëshmitarë të këtij uzurpimi të të drejtave të pronësisë së familjes Rudaj në Shtoj të Ulqinit, ishte pothuaj e gjithë përfaqësia politike shqiptare në Ulqin, përfshirë kryetarët e PDS-së dhe PSD-së në Ulqin, Loro Nrekiq dhe Selim Resulbegoviq, Lidhjes Demokratike dhe Iniciativës Qytetare “Perspektiva”, Mehmet Bardhi dhe Amir Hollaj, si dhe drejtori ekzekutiv i UBA, Ibrahim Milla.

Komuna e Ulqinit me shumicë dërmuese shqiptare është lënë tepër gjatë pas dore ekonomikisht, gjë që gjithnjë po detyron shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone të asaj zone. Gjithkush i dëshiron investimet që do të ndihmonin në përmirsimin e jetës, sidomos të shqiptarëve në atë rajon. Por, të nderuar përfqsues politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, duhet të jeni të sigurtë se nuk mund të ringjallet ekonomia dhe as nuk mund të tërhiqni investitorë të huaj duke u premtuar atyre rrëmbimin në mënyrë arbitrare të pronës private dhe përdorimin e pasurisë private që i përket tjetër kujt. “Asnjë fuqi në botë nuk ka të drejtë të rrëmbejë pasurinë tonë, pa miratimin tonë”, ka thënë  John Adams, njëri prej themeluesve të Shteteve të Bashkuara dhe një tjetër burrshteti amerikan, John Jay ka deklaruar se, “Prona është me siguri një e drejtë aq e rëndësishme për njerëzimin sa edhe vet liria”.   Është thënë edhe se e drejta e pronës private është e drejtë e njeriut. Kur të humbni të drejtën e pronës, kini humbur të gjitha të drejtat e njeriut dhe çdo gjë tjetër. Dhe  kjo është pikërisht arsyeja se pse përfaqsuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi duhet të mbrojnë të drejtën e pronësisë private të qytetarëve të vet, e jo ta  shkelin dhe ta abuzojnë atë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT