E premte, 26.04.2024, 02:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Ndërmjet bukurisë dhe të veçantës

E merkure, 20.08.2014, 08:00 PM


Ekspozitë kolektive në Muzeun e Kosovës

Ndërmjet bukurisë dhe të veçantës

Në ekspozitë janë paraqitur rreth pesëdhjetë krijues të cilët i takojnë tri gjeneratave: të re, të mesme dhe të vjetër. Ekspozita ka për qëllim prezantimin e vlerave vendore duke shprehur ndryshimin në gjenerata.

Nga Dr. Ilir Muharremi

Për çdo artist bukuria qëndron jashtë të gjitha hierarkive ngaqë aty janë shtruar shumë kontraste dhe kjo është shenja më e lartë e pushtimit të artit individual mbi gjërat e kundërta. Gjërat e kundërta janë ato që përpiqen ta ribëjnë të bukurën e cila depërton pa dhunë, pa politikë me anë të bindjes më të dashur, të perceptuar nga njeriut. Të gjithëve na pëlqen, por nuk ja dimë kuptimin. Kjo është ndjenja më e thellë që ballafaqohet me bukurinë. Bukuria qëndron pezull, ndjenja rrëmbehet, por prapë mbetet aty ky qe më parë. Instinkti estetik flet në mënyrë të papritur dhe në këtë kuptim e bukura lakuriqësohet në kategori të përgjithshme të vlerave biologjike të së dobishmes, mirëbërëses, e asaj që zbukuron dhe zgjatë jetën.

Pikturat e ekspozuara në ekspozitën kolektive që ka për qëllim gërshetimin e tri gjeneratave në muzeun e Kosovës nxjerr në pah vlerat subjektive të ruajtjes artistike të cilat është vështirë t’i përcaktosh esencialisht se në çfarë shkalle qëndrojnë. Fjala është të bësh dallimin dhe përcaktimin, por nuk ka shumë rëndësi, sepse instinkti estetik futet në punë kristalizohet rreth bukurisë së veçantë. Objektet, format, ngjyrat, vijat mbushen me hijeshi të përcaktuar nga shoqërizimi i gjykimeve të ndryshme të bukurisë. Piktorët veçojnë subjektin e tyre si një mënyrë e parë e të bërit të veçantë. Shumë peizazhe ikin dhe zhduken nga kujtesa e krijuesve për tu bërë të vërteta në sytë e vështruesve. Ata krijojnë ngjyrën, i japin melodi duke prishur heshtjen e natyrës. Natyra asnjëherë nuk ka qenë e heshtur. Kemi vërtitjen e dritës e cila humb në perspektivë të pafundme ose zhduket nga goditja e formave të tjera të cilat bashkëlidhen. Ata e dijë se akti i parë është kundrimi, pastaj eliminimi i asaj sa zgjedhin, duke u përpjekur ta bëjnë të veçuar subjektin në kohë dhe hapësirë. Shumë herë kam përshtypjen se fiksionet bëhen realitet, personazhet çdo ditë e më shumë bëhen të gjalla. Disa prej tyre satirizojnë realitetin duke krahasuar me kafshët, apo i shndërruar në to, disa rrëfehen nga shkenca dhe jeta, por prapë megjithatë ata meditojnë ndërmjet hijes dhe dritës për të njëjtat pyetje. Këto pyetje aterojnë tek pëlqimi dhe meditimi. Përgjigjet gjithmonë do të jenë në pyetje, dhe pyetjet do t’i rrëfehen përgjigjeve. “Arti e konteston realen, por nuk ik prej tij” shënon Camus. Por, Nietzsche-ja thotë se: “Asnjë artist nuk e duron realen”. Është mese e vërtetë. Por, të gjithë këta artistë nuk mund ta refuzojnë realen, edhe pse ndrydhin diçka nga imagjinata e tyre e pafundme. Shprehja e veçantës në raport me universalen bëhet e përjetshme në vepra. Atëherë, stilizimi shprehë forcën, ndërsa uniteti provokimin. Kjo e dyta është me jetëgjata në art. “Stilizimi më i fortë gjithmonë gjendet në fillim dhe në fund të epokave artistike” thekson Camus. Kjo shpjegon forcën e mohimit, transpozimit, e cila arrita ta ngrit pikturën moderne në vrull të rregullt drejt qenies dhe unitetit.

Përzierja e ngjyrave shkon deri në pafundësi, veçohen të ndezura, neutrale, të ftohta, e bardha dhe e zeza të cilat Da Vinçi nuk i quan ngjyra, sepse e para është dritë, kurse e dyta terr, e para lind, e dyta zhduk, janë kryesoret që më pas përbëhen nga drita dhe hija, domethënë e çelura dhe e errëta. E bardha me të zezën, e zeza me të verdhen, e zeza me të kuqen, pastaj e verdha me të zezën, e verdha me të kuqen, krijojnë një uragan ngjyrash të cilat harmonizohen. Kur të bardhen e shohim në fushë të hapur, të gjitha hijet e krijuara prej saj janë kaltëroshe. Nëse analizojmë portretet muskujt nuk janë shumë të dukshëm sepse drita e rremët pa u ndier bëhet hije e këndshme dhe magjepsëse, kjo është më tërheqëse. Fytyrat na shikojnë drejt e në sy kështu shohin këdo që i sheh. Por, ka figura që shikojnë nga lart poshtë, gjithherë duken nga lart poshtë, edhe syri gjithmonë vështron më poshtë se tabloja. Në ekspozitë janë paraqitur më shumë se dyzet krijues të cilët i takojnë tri gjeneratave: të re, të mesme dhe të vjetër. Ekspozita ka për qëllim prezantimin e vlerave vendore duke shprehur ndryshimin në gjenerata. Gjeneratat e vjetra qëndrojnë mbi atë se çfarë përtypi koha. Por, prapë personalja, individualja lirohet nga hapësira kohore. Stili i tyre gjendet në lidhjen ndërmjet personales dhe historisë, një prani e imponuar që bëhet e përjetshme. E them e përjetshme sepse nxori emra të mëdhenj si: Muslim Mulliqi, Engjëll Berisha, Rexhep Ferri.... Arti i tyre i takon të veçantës që bëhet universale  dhe ky qëndrim është mese i drejtë. Kurdoherë përpiqem të di se ç’njeri, ç’profet, ç’mendimtar, ç’vrojtues, ç’karakter fshihet para tablove të tyre, teknika e të cilëve arriti majat e artit Kosovar, por edhe shqiptar. Aty fshihet një vullnet, një ndjenjë e caktuar, një pasion dhe një dashuri. Por, arti ka të ardhmen dhe ka të mrekullueshme, rinore, ashti si vërtetë duhet duke ia përkushtuar rininë tonë që siguron qetësi shpirtërore. Të gjitha punimet ndryshojnë njëra me tjetrën, por ka edhe ngjashmëri, ndikime të cilat asnjëherë historia nuk mundi t’i eliminojë, dhe me plot të drejtë njeriu ndikohet nga njeriu, gjithnjë duke dhënë nga vetja. Ata mendojnë, por pa unifikim sepse të mendosh do të thotë përsëri të shohësh, ta drejtosh ndërgjegjen, dhe ta konsiderosh çdo figurë si vend të privilegjuar. Me fjalë të tjera punimet e secilit në ekspozitë shpjegojnë botën, duke kërkuar që ajo të jetë vetëm përshkrim i jetës. Në punimet e tyre nuk ka një të vërtetë, por shumë të vërteta. Dikush qëllon momentin, dikush qëndisë me muaj detajet, tjetri luan vallen me ngjyra, prapë që nga flladi i mbrëmjes deri të dora e mbështetur mbi telajon, çdo gjë ka të vërtetën e vet. Ndërgjegjja e ndriçon nëpërmjet qëllimit që i jep. Ndërgjegjja vetëm ngulitë, është akt i përqendrimit të vëmendjes, dhe përmes figurave, linjave, ngjyrave ajo ngjan me aparatin i cili fiksohet mbi çdo figurë. Po flas për sinqeritetin e artit që sipas ndërgjegjes mban pezull objektet që i interesojnë. Nga ky çast ato gjenden jashtë të gjitha gjykimeve, nëse e planifikojmë në këtë formë mendimin për to, por prapë, reale universale nuk ka, ka vetëm individuale, dhe ky individualizëm në çdo moment të jetës është i vërtetë. Këtë të vërtetë ne ndjemë në pikturat e pjesëmarrësve që i kundërvihen mendjes e jo ndërgjegjes. Secili artist ka vendin dhe egon, nëse ata i shohim si konkurrent, edhe pse në këtë botë konkurrenca është e vërtetë, do ta dobësojmë realitetin e ndërgjegjes që ngritët mbi pafajësinë e momenteve. Atëherë, e vërteta që ka të bëjë në piktura është e natyrës psikologjike dhe ajo dëshmon vetëm interesin që paraqet realiteti. Piktorët si: Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Nysret Salihamixhiqi, Zake Prelvukaj, Faik Krasniqi, Agim Salihu, Hajrush Fazliu, Majlinda Kelmendi, Xhevdet Pantina, Agron Mulliqi, Skender Boshtrakaj, Refki Gallopeni,  Natali Nikolovska, Reshat Ahmeti, Agnesa Muharremi, Genc Rezniqi, Festim Matoshi, Eroll Murati, Sali Shkupolli etj.. shprehin unitetin, stilizimin dhe egon e tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora