| E merkure, 20.08.2014, 08:00 PM |
Ekspozitë kolektive në Muzeun e Kosovës
Ndërmjet bukurisë dhe të veçantës
Në ekspozitë janë paraqitur rreth pesëdhjetë krijues të cilët i takojnë tri gjeneratave: të re, të mesme dhe të vjetër. Ekspozita ka për qëllim prezantimin e vlerave vendore duke shprehur ndryshimin në gjenerata.
Nga Dr. Ilir Muharremi
Për çdo artist bukuria qëndron jashtë të gjitha hierarkive ngaqë aty janë shtruar shumë kontraste dhe kjo është shenja më e lartë e pushtimit të artit individual mbi gjërat e kundërta. Gjërat e kundërta janë ato që përpiqen ta ribëjnë të bukurën e cila depërton pa dhunë, pa politikë me anë të bindjes më të dashur, të perceptuar nga njeriut. Të gjithëve na pëlqen, por nuk ja dimë kuptimin. Kjo është ndjenja më e thellë që ballafaqohet me bukurinë. Bukuria qëndron pezull, ndjenja rrëmbehet, por prapë mbetet aty ky qe më parë. Instinkti estetik flet në mënyrë të papritur dhe në këtë kuptim e bukura lakuriqësohet në kategori të përgjithshme të vlerave biologjike të së dobishmes, mirëbërëses, e asaj që zbukuron dhe zgjatë jetën.
Pikturat e ekspozuara në ekspozitën kolektive që ka për qëllim gërshetimin e tri gjeneratave në muzeun e Kosovës nxjerr në pah vlerat subjektive të ruajtjes artistike të cilat është vështirë t’i përcaktosh esencialisht se në çfarë shkalle qëndrojnë. Fjala është të bësh dallimin dhe përcaktimin, por nuk ka shumë rëndësi, sepse instinkti estetik futet në punë kristalizohet rreth bukurisë së veçantë. Objektet, format, ngjyrat, vijat mbushen me hijeshi të përcaktuar nga shoqërizimi i gjykimeve të ndryshme të bukurisë. Piktorët veçojnë subjektin e tyre si një mënyrë e parë e të bërit të veçantë. Shumë peizazhe ikin dhe zhduken nga kujtesa e krijuesve për tu bërë të vërteta në sytë e vështruesve. Ata krijojnë ngjyrën, i japin melodi duke prishur heshtjen e natyrës. Natyra asnjëherë nuk ka qenë e heshtur. Kemi vërtitjen e dritës e cila humb në perspektivë të pafundme ose zhduket nga goditja e formave të tjera të cilat bashkëlidhen. Ata e dijë se akti i parë është kundrimi, pastaj eliminimi i asaj sa zgjedhin, duke u përpjekur ta bëjnë të veçuar subjektin në kohë dhe hapësirë. Shumë herë kam përshtypjen se fiksionet bëhen realitet, personazhet çdo ditë e më shumë bëhen të gjalla. Disa prej tyre satirizojnë realitetin duke krahasuar me kafshët, apo i shndërruar në to, disa rrëfehen nga shkenca dhe jeta, por prapë megjithatë ata meditojnë ndërmjet hijes dhe dritës për të njëjtat pyetje. Këto pyetje aterojnë tek pëlqimi dhe meditimi. Përgjigjet gjithmonë do të jenë në pyetje, dhe pyetjet do t’i rrëfehen përgjigjeve. “Arti e konteston realen, por nuk ik prej tij” shënon Camus. Por, Nietzsche-ja thotë se: “Asnjë artist nuk e duron realen”. Është mese e vërtetë. Por, të gjithë këta artistë nuk mund ta refuzojnë realen, edhe pse ndrydhin diçka nga imagjinata e tyre e pafundme. Shprehja e veçantës në raport me universalen bëhet e përjetshme në vepra. Atëherë, stilizimi shprehë forcën, ndërsa uniteti provokimin. Kjo e dyta është me jetëgjata në art. “Stilizimi më i fortë gjithmonë gjendet në fillim dhe në fund të epokave artistike” thekson Camus. Kjo shpjegon forcën e mohimit, transpozimit, e cila arrita ta ngrit pikturën moderne në vrull të rregullt drejt qenies dhe unitetit.
Përzierja
e ngjyrave shkon deri në pafundësi, veçohen të ndezura, neutrale, të ftohta, e
bardha dhe e zeza të cilat Da Vinçi nuk i quan ngjyra, sepse e para është
dritë, kurse e dyta terr, e para lind, e dyta zhduk, janë kryesoret që më pas
përbëhen nga drita dhe hija, domethënë e çelura dhe e errëta. E bardha me të
zezën, e zeza me të verdhen, e zeza me të kuqen, pastaj e verdha me të zezën, e
verdha me të kuqen, krijojnë një uragan ngjyrash të cilat harmonizohen. Kur të
bardhen e shohim në fushë të hapur, të gjitha hijet e krijuara prej saj janë
kaltëroshe. Nëse analizojmë portretet muskujt nuk janë shumë të dukshëm sepse
drita e rremët pa u ndier bëhet hije e këndshme dhe magjepsëse, kjo është më
tërheqëse. Fytyrat na shikojnë drejt e në sy kështu shohin këdo që i sheh. Por,
ka figura që shikojnë nga lart poshtë, gjithherë duken nga lart poshtë, edhe
syri gjithmonë vështron më poshtë se tabloja. Në ekspozitë janë paraqitur më
shumë se dyzet krijues të cilët i takojnë tri gjeneratave: të re, të mesme dhe
të vjetër. Ekspozita ka për qëllim prezantimin e vlerave vendore duke shprehur
ndryshimin në gjenerata. Gjeneratat e vjetra qëndrojnë mbi atë se çfarë përtypi
koha. Por, prapë personalja, individualja lirohet nga hapësira kohore. Stili i
tyre gjendet në lidhjen ndërmjet personales dhe historisë, një prani e imponuar
që bëhet e përjetshme. E them e përjetshme sepse nxori emra të mëdhenj si:
Muslim Mulliqi, Engjëll Berisha, Rexhep Ferri.... Arti i tyre i takon të
veçantës që bëhet universale dhe ky
qëndrim është mese i drejtë. Kurdoherë përpiqem të di se ç’njeri, ç’profet,
ç’mendimtar, ç’vrojtues, ç’karakter fshihet para tablove të tyre, teknika e të
cilëve arriti majat e artit Kosovar, por edhe shqiptar. Aty fshihet një
vullnet, një ndjenjë e caktuar, një pasion dhe një dashuri. Por, arti ka të
ardhmen dhe ka të mrekullueshme, rinore, ashti si vërtetë duhet duke ia
përkushtuar rininë tonë që siguron qetësi shpirtërore. Të gjitha punimet
ndryshojnë njëra me tjetrën, por ka edhe ngjashmëri, ndikime të cilat asnjëherë
historia nuk mundi t’i eliminojë, dhe me plot të drejtë njeriu ndikohet nga
njeriu, gjithnjë duke dhënë nga vetja. Ata mendojnë, por pa unifikim sepse të
mendosh do të thotë përsëri të shohësh, ta drejtosh ndërgjegjen, dhe ta
konsiderosh çdo figurë si vend të privilegjuar. Me fjalë të tjera punimet e
secilit në ekspozitë shpjegojnë botën, duke kërkuar që ajo të jetë vetëm
përshkrim i jetës. Në punimet e tyre nuk ka një të vërtetë, por shumë të
vërteta. Dikush qëllon momentin, dikush qëndisë me muaj detajet, tjetri luan
vallen me ngjyra, prapë që nga flladi i mbrëmjes deri të dora e mbështetur mbi
telajon, çdo gjë ka të vërtetën e vet. Ndërgjegjja e ndriçon nëpërmjet qëllimit
që i jep. Ndërgjegjja vetëm ngulitë, është akt i përqendrimit të vëmendjes, dhe
përmes figurave, linjave, ngjyrave ajo ngjan me aparatin i cili fiksohet mbi
çdo figurë.