Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Tjetërsimi i thelbit të një problemi
E enjte, 14.08.2014, 08:01 PM
Tjetërsimi i thelbit të një problemi.
Nga Timo Mërkuri
Ka ca kohë që në shtyp është rindezur debati “polifoni apo iso-polifoni”, origjina e saj nga vajtimi dhe roli i një akademiku në shpalljen e kësaj kënge si kryevepër e njerëzimit, marrë në mbrojtje nga UNESCO. Debati mori një shtrat më të gjërë nga botimi i librit “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” i studiuesit Fitim Çaushi, i cili në mënyrë kategorike kundërshton emërtimin iso-polifoni, origjinën e këngës nga “gjëma”, “e qara me botë”, ndërsa pranon origjinën e saj nga vajtimi dhe ritet mortore, si dhe anatemon në 140 faqet e librit akademikun prof. Vaso Tole si “ prurës i të keqes” në folkloristikën shqiptare.
Duke qënë se mendimin e mësipërm për këngën tonë popullore e mbajnë edhe shumë persona të tjerë, emrat e të cilëve i përmënd në faqet e librit të mësipërm edhe autori, duke qënë se disa herë kam çfaqur mendimin tim në mbrojtje të emërtimit iso-polifoni të kësaj kënge, në lidhje me origjinën e saj nga vajtimi dhe ritet mortore, duke vlerësuar si faktor dytësor emrin dhe rolin e akademikut të nderuar prof. Vaso Tole në njohjen e këngës sonë si kryevepër e njerëzimit dhe marjen e saj në mbrojtje nga UNESCO, e quaj më se normale që në debatin e lindur të ndaj me debatuesit mendimin tim, duke i ftuar me mirësjellje në mirëkuptim. Kjo edhe për faktin se në anën e mbështetësve të tezave të pasqyryuara në librin e z Fitim Çaushi bëjnë pjesë edhe personalitete të artit dhe kulturës sonë, të cilët gëzojnë respektin tim.
Dhe mendimin tim do ta përqëndroj pikërisht në tre probleme dhe konkretisht:
1-Çfarë është kënga jonë popullore( shumëzërëshi), këngë polifonike apo iso-polifonike, për të mbritur më pas te emërtimi i saj si këngë polifonike apo iso-polifonike.. Mendoj se kështu duhet të shtrohet problemi dhe jo të përqëndrohet debate …pse e quajti iso-polifonike prof. Vaso Tole.
Për të aritur në një konkluzion të drejtë le ti referohemi historisë të emrit.
a-Nëpër shekuj, të parët tanë e kanë quajtur këngën popullore shumëzërëshe me emërtimin popullor…të kënduar vën(d)çe..në kuptimin e këngës së vendit. Deri në ditët tona mund të dëgjosh nëpër fshatra të thella të labërisë shprehjet …hajt tja marrim një vënçe, dhe pas kësaj shprehjen kuptimplote…mbamani djemoo, duke nënkuptuar mbajtjen e isos nga të pranishmit. Pleqtë e moçëm të këtyre fshatrave nuk e kanë njohur dhe as e kanë përdorur emërtimin “polifoni”, por fjalën “iso” e kishin në majë të buzëve.
b-Emërtimi “polifoni” nuk është një emërtim popullor por ështe një emërtim i vendosur nga intelektualët dhe studiuesit e huaj dhe shqiptarë rreth viteve 40-50. Mund të gabohem në datën, por sidoqoftë ky emërtim është shumë i ri përballë moshës së këngës sonë popullore. Kënga jonë popullore ka jetuar shekuj me emrin e saj “kënga vën(d)çe” dhe vetëm 70-80 vjet me emrin e pagëzuar “polifoni”.. Pranimi masiv i këtij emri në kohën e “pagëzimit” ka disa arsye, ndër të cilat mund të përmëndim respektin që gëzonin intelektualët në popull, mbështetja institucionale e shtetit monist me organizimin efestivaleve lokale e kombëtare, fakti që ky emër kishte një përdorim ndërkombëtar, fakti që ishte një emër kuptimplote dhe “elegant” për tipin e këngës sonë popullore etj etj. Por ama ky emërtim nuk e zhduku emërtimin popullor…vën(d)çe… dhe ca më pak të kishte ndonjë ndikim te emri “iso”..
c-Por nuk duhet të harojmë se fjala “polifoni” është një fjalë e huaj dhe kuptimi i saj nuk kufizohet vetëm te kënga jonë popullore, por ka një shtrirje e përdorim më të gjërë. Fjala “poli-foni” do të thotë …shumë-zëra duke nënkuptuar zëra njerëzish apo zëra muzikore. Pikërisht këtu lind edhe problemi i këtij emërtimi.
-Duke qënë një emër i huaj, nuk i ri komod si emër këngës sonë popullore, pavarësisht se përkthimi në shqip i saj mbush gjithë konturet e emërtimit në shqip të tipit të këngës sonë popullore, si këngë shumëzërëshe.
-Me këngë shumëzërëshe, polifonike, janë edhe disa tipe këngësh që s’kanë asgjë të përbashkët me këngën tonë popullore, veç faktit që këndohen nga shumë zëra njerëzore dhe muzikore si ..hymnet, marshet etj..
Pra, “polifonia”, në kuptimin e shumë zërave të këngës apo të të kënduarit, nuk është karakteristikë vetëm e këngës popullore. Këtë karakteristikë e paskan edhe këngët- marsh apo këngët- hymn.
-Dhe duhet të pranojmë se këtë karakteristikë e kanë këngët-marsh apo këngët-hymn edhe të popujve të tjerë. Mjafton të dëgjoni hymnet kombëtare të shteteve të tjera për tu bindur për këtë fakt.
-Duke ndjekur emissionet televizive të tipit “Vende dhe popuj” na ka rastisur të shohim pjestarëve të fiseve zezake, të këndojnë së bashku në gjuhën e tyre, duke vallzuar në formë rrethore.. Kënga e tyre është shumëzërëshe, në kuptimin se këndohej nga shumë zëra njerëzish me shumë zëra muzikore, pra ajo ishte një këngë “poli-fonike”.
-Edhe fshatarët e rrethinave të Ulan Batorit në këtë formë “polifonike” këndojnë.
-Në qoftë se do ndjekim grupet folklorike të vendeve të ballkanit, do të konstatojmë edhe te këto grupe praninë e “poli-fonisë”, pra të kënduarit në grup, me shumë zëra muzikorë.
-Të sqarojmë se, në të gjithë shëmbujt e mësipërm të këngëve “polifonike” të popujve të ndryshëm, dallohen nga kënga jonë popullore edhe nga fakti se tek shumëzërëshi nuk funksion sit e kënga jonë popullore , në rolin e marësit, hedhësit, pritësit e prerësit, por edhe tek ato këngë janë funksionalë rolet e shumëzërave muzikorë, të ndryshëm nga roli dhe funksionet e zërave të këngës sonë. Por ama, ato zëra egzistojnë dhe janë funksionalë në këngët e atyre popujve. Pra ato këngë janë …poli-fonike…
-Në qoftë se do mbeteshim detyrimisht te emërtimi “polifoni” për këngën shqiptare, atëherë do ishim të detyruar të shtonim cilësorin kombëtar “shqiptare”, duke e quajtur “polifoni shqiptare”. Jemi plotësisht dakort të quhet edhe kështu, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemi vijon të mbetët. Cila është e veçanta e këngës sonë “polifonike shqiptare”, ajo që dëshmon lashtësinë e kësaj kënge, ai “diamant” që i shton vlerën kurorës mbretërore të këngës sonë popullore dhe që ka detyruar popuj, kombe, personalitete të kohësve të kthejnë kokën nga ajo. Ajo që së fundi tërhoqi vëmëndjen e UNESCO, e cila zgjati dorën e saj për ta marë në mbrojtje këngën.
Nuk ma mer mëndja se ndonjeri do thotë që … kjo e veçantë…është marësi, hedhësi, pritësi apo zëri brilant i këngëtarëve të grupit. Bota ka këngëtarë me zë më kumbues e melodioz se këngëtarët e grupeve tona popullore, por ja që kënga jonë popullore u muar në mbrojtje nga UNESCO. Dhe jo rastësisht.
ç- Tek këngët e popujve të tjerë mungon ajo që është e “veçanta shqiptare”, elementi bazë dhe i pazvëndësueshëm dhe i gjithmon ndodhur në këngët tona popullore, iso-ja.
-Karakteristika e këngës sonë popullore është “iso-ja” e papërsëritëshme dhe e patjetërsueshme, ai rënkim popullor i ardhur nga vajtimi, që në hershmëri quhej “yso” dhe që është pikërisht “qielli” ku fluturon zogu i këngës, deti ku ecën ania e këngës sonë.
-Është më i plotë emërtimi ‘’Këngë me iso’’ose ‘’Këngë iso-polifonike’’ sesa ‘’këngë polifonike’’.Po ç’farë është në vetvete kjo “iso” e famëshme.
Iso-ja në vetvete është si shtrati ku shkon lumi, herë i ngushtë e herë i gjërë, herë i pjerët e herë i sheshtë. Iso-ja është e pranishme vetëm te këto lloj këngësh (iso-polifonike) dhe nuk tjetërsohet kurrsesi. As nuk mund të hiqet.
-Iso-ja është pashaporta e identitetit kombëtar të këngës sonë popullore. Ajo është vetë shpirti i këngës, prandaj ajo asnjëherë nuk i ndahet këngës popullore. Të mendosh një këngë popullore pa iso, është si të mendosh një trup të gjallë pa shpirt.
-Nuk ka këngë pa iso në asnjë rast, ndërsa ka iso pa këngë.
Psh logatja, më shumë se tekst, është një iso rrënkuese, pas së cilës fluturojnë si trumba zogjsh rrokjet e fjalëve, gati të padukëshme e të pakuptueshme.
-Shpesh herë kur kemi një grup të mirë mbajtësisht të isos, hedhesish dhe pritësish, roli i marësist bëhet vetiu sekondar, i dorës së dytë, aqë sa ai e shpreh vargun në mënyrë recitative e jo duke e kënduar.. Ama një gjë e tillë nuk ndodh te mbajtësit e isos. Kurfarë recitativi nuk ka në mbajtjen e isos. Përkundrazi, marësi dhe zërat e tjerë bëhën sy e veshë për të mbajtur sa më mirë e për të shijuar ison.
-Dikur jam përpjekur të argumentoj se edhe kënga e famëshme e Tanës, nuk është gjë tjetër veçse …një tekst i mëvonshëm, hedhur si mantel mbi trupin e një iso-je vajtimtare, të mëherëshme. Madje, kjo iso ka qënë shumë e herëshmë, ende pa u shkëputur nga vajtimi.
-Iso-ja është më e vjetër se kënga. Ajo është fara, nga e cila mbiu lisi i këngës.
Duke i hequr emërtimit të këngës fjalën “iso” është si ti presësh lisit rrënjët.
Dhe unë ju them se lisit po i preve rrënjët, ai nuk është më lis, por brenda një vere quhet ...dru zjarri…
-Iso-ja dëshmon vjetërsinë (lashtësinë) karakteristike të këngës sonë popullore dhe indirekt edhe stërlashtësinë e kombit tonë. Duke e mënjanuar këtë element, biem padashur në tezën se….kënga jonë popullore është “e re” në moshë dhe për pasojë, mund të mos jetë e jona, por …shqiptarët “hajdutë”, kur kanë ardhur në këto troje, do e kenë vjedhur edhe këngën nga popujt e tjerë, ashtu siç kanë të “vjedhur” edhe Heroin Kombëtar, madje dhe flamurin.
-Duke e mënjanuar iso-n, çfarë gjëje shqiptare i mbetet këngës sonë popullore në emërtim? Duke dëgjuar emërtimin “polifonike”, natyrshëm hamëndëson një lidhje llogjike me diçka greke. Por asgjë jo shqiptare nuk të ndjell emri shqiptar i stërlashtë “iso”. Përkundrazi, hamendëson për diçka të stërlashtë shqiptare, pellazgjike. Akuza që i bëhet Vaso Toles si progrek sepse e ka quajtur këngën tonë popullore me emrin shqiptar “iso”, unë e quaj një lapsus dhe i ftoj autorët në një korigjim teksti. Të flasësh e të shkruash shqip, të emërtosh shqip vlerat e kombit tënd, të evidentosh në nivele botrore vlerat shpirtërore të kombit tënd dhe tu “imponosh” institucioneve botërore njohjen e këtyre vlerave të kombit shqiptar, të emërtuara me emër shqiptar, kjo do të thotë që të jesh një shqiptar i madh.
-Iso-ja është vetëm shqiptare dhe asnjë komb tjetër nuk e këndon dot si ne.
Janë bërë përpjekje nga këngëtarë të vendeve fqinje për të krijuar grupe folklorike të vendeve të tyre, për të kënduar këngët tona iso-polifonike. Kanë marrë nëpër ato grupe edhe këngëtarë emigrantë nga vendi ynë, i kanë përkthyer mjeshtërisht tekstet e këngëve në gjuhën e tyre, por kanë dështuar pikërisht te “përkthimi” i iso-s dhe te të kënduarit të iso-s.
-Iso-ja shpesh herë ka një funksion më të gjërë edhe në vetë familjen e këngëve “iso-polifonike”. Psh, “iso-ja” e këngës himarjote, shpesh herë luan edhe rolin e refrenit (veç rolit të saj). Kjo duket më së miri të kënga “Vajzë’ e valeve”,”Kush është lule vilajeti”,”Nëntëqint e dhjetë viti” etj, këngë të cilat nuk kanë vargje që të kryejnë rolin e refrenit. Këtë rol e kryen vetë iso-ja, duke dëshmuar në këtë mënyrë edhe vjetërsinë e saj dhe të këngës sonë popullore.
-Iso nuk është e kushtëzuar nga marrësi. Marësi është sinjali i nisjes së…anies nga porti, por iso-ja është deti nëpër të cilin lundron flota e këngës. Ania mund të nisë lundrimin edhe …jashtë portit, por gjithsesi nëpër det do të lundrojë.
-
Ne që jemi ritur me këto këngë ju themi se tekstet e tyre edhe i harojmë, por asnjëherë iso-n e këngëve himarjote.
Është iso-ja ajo që i ka bashkuar bashkë në një grup marësin e hedhësin, pritësin e prerësin dhe nuk ka ndodhur e kundërta.
-Atëherë pyesim: në qoftë se këngës sonë i heqim “iso-n”, ç’farë mbetet nga kënga popullore shqiptare. Nuk është teksti apo “polifonia” (shumëzërrëshi) magjia dhe pavdekshmëria e këngës sonë popullore, por është pikërisht ajo, me e lashta, më e pavdekëshmia, nëna e këngës, “iso-ja”. “Iso-ja” është lumi i lotëve që buroi nga sytë e nënave dhe krijoi detin e këngës.
-Prandaj kënga jonë popullore (shumëzërëshe) është në radhë të parë këngë me iso, sepse është këngë thjeshtë dhe vetëm shqiptare, sepse është këngë e lashtë shqiptare, sepse ka lindur vetëm nga ritet mortore të vajtimit, duke patur si fillesë iso-n, sepse nuk është prodhim i shkollave apo laboratorëve intelektualë, sepse ajo iso-ja, i mblodhi bashkë të gjithë zërat e tjerë të këngës, ashtu si nëna që mbledh në prehërin e saj fëmijët. Kënga jonë popullore është së pari këngë me iso dhe pastaj është polifonike.
-Prandaj dhe kënga jonë popullore detyrimisht duhet të ketë në emërtimin e saj, emrin dhe karakteristikën e origjinës. Atë të “iso-s”.