E marte, 30.04.2024, 02:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Qerimi: Tipologjia e frazave (IV)

E premte, 15.08.2014, 07:59 PM


TIPOLOGJIA E FRAZAVE SIPAS FUNKSIONIT STILISTIKOR (IV)

NGA BAJRAM QERIMI

20.f r a z a t   p e r i f r a s t i k e

Frazat  perifrastike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion të perifrazave. Pra, frazat perifrastike, në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë perifrastike dhe kryejnë funksion si perifraza.

Frazat perifrastike, ashtu sikundër  edhe perifrazat, janë fraza stilistikore, te të cilat  kuptimi i mirëfilltë, i natyrshëm, jepet, thuhet në mënyrë të përshkruar  a përshkruese me fjalë tjera, jepet, thuhet me shumë fjalë tjera.  Te frazat perifrastike, kuptimi i mirëfilltë, zgjerohet, përshkruhet me shumë fjalë . Në vend të kuptimit të drejtpërdrejtë të veprimeve e rrethanave , te këto fraza, përmenden, zihen në gojë cilësitë, tiparet, elementet e tyre të njohura, të qenësishme, të veçanta, karakteristike, në mënyrë të tërthortë, në mënyrë përshkruese me shumë fjalë. Pra, te frazat perifrastike, në vend të shënimit, të emërtimit e të përcaktimit  të veprimeve, rrethanave të veprimeve në mënyrë të drerjtpërdrerjtë me fjalë a shprehje të rëndomtë, të mirëfilltë, kemi  emërtimin, shënimin e përcaktimin e tyre me fjalë e shprehje tjera sipas cilësive, tipareve e elementeve të tyre të veçanta, qenësore e kryesore.

Kështu, bie fjala,fraza perifrastike janë këto fraza:ka pirë kupën e hidhur dikush- ka provuar shumë vuajtje e hidhërime dikush, ka bërë një jetë plot vuajtje e mundime  dikush; është për ta pirë në kupë (një vashë)-është shumë e mirë a shumë e bukur (një vashë), është shumë e dashur (një vashë); e shet me llullë diçka dikush-e shet shumë shtrenjtë diçka dikush; nuk i mbetet  gjak në faqe (në fytyrë) dikujt- 1. frikohet shumë, pa masë dikush.2. zbehet shumë, së tepërmi dikush; kur  të bëjë qarri dardha, kur të bëjë shelgjja rrush, kur të bëjë verri arra- kurrë, kurrnjëherë, kurrën e kurrës; derisa të ketë diell e tokë-gjithmonë; kur t’ i shohësh veshët e tu, kur të shikosh zverkun, kur të shikosh gropën e zverkut- kurrë, kurrnjëherë, kurrën e kurrës; derdh lot-qan; derdh lot si shi-qan shumë, së tepërmi; si duke shkelur nëpër ve-me shumë kujdes, me kujdes të tepërt; s’ i  hahet arra në dorë dikujt-nuk mbahet pastër dikush, është shumë i ndyrë dikush, as nuk lahet as nuk ndërrohet dikush; nuk mbetet i gjallë dikush-vdes dikush; çfryn nëpër hundë e nëpër gojë dikush-turfullon dikush; thotë shumë fjalë dikush- flet shumë dikush; s’ ka shok në jetë dikush-është i pashoq, i pashembullt dikush; nuk e lë në prehje (në qetësi)  dikë dikush-e shqetëson dikë dikush; i skuqen veshët dikujt-turpërohet dikush; skuqet deri te veshët dikush-turpërohet shumë, së tepërmi dikush; i vë vesh diçkaje dikush- e dëgjon  diçka dikush; nuk e nxjerr zërin dikush-hesht dikush; me një gojë-njëzëri, unamimisht; e ka lotin në cep të syrit- është gati për të qarë dikush; andej nga lind dielli- në lindje; tregohet me gisht- shquhet, spikatet,dallohet; nuk shikon më tepër se hunda e vet dikushështë dritëshkurtër, miop dikush; nuk di nga t’ ia mbajë dikush-  hutohet, çorientohet fare dikush; nuk do ta shohë me sy dikë dikush , nuk do t’ ia shohë sytë dikujt dikush, nuk e sheh dot me sy dikë dikush- e urren pa masë, së tepërmi dikë dikush; me sytë përdhe (përtokë)- kokulur, i turpëruar, i shtruar; nuk ka nga t’ ia mbajë dikush- detyrohet, shtrëngohet dikush; merr përpjetë- 1. rritet. 2. ngjitet; thartohet në fytyrë dikush- ngryset dikush; më çojnë këmbët- shkoj; ma mbush kokën me përralla dikush- më përrallis dikush; me sytë gjysmë të mbyllur- i përgjumur, i kotur; nuk qëndron në një vend- ndryshon, luan, lëviz; kthehet mbarë e prapë dikush- shkarravitet, zhgryhet dikush;  vë të gjitha forcat (fuqitë, energjitë) dikush- bën çmos, bën ç’ është e mundur dikush; në një mënyrë të atillë- asodore, ashtu; në një farë dore (mase, mënyre)- disi, diqysh; eci poshtë e përpjetë (poshtë e lart)- sorollatem, shëtis, hallavitem; bëj prapa- prapsem, zbythem; pa pikë gjaku në faqe (në fytyrë)- i zbehtë shumë, pa masë, i zverdhur shumë, së tepërmi; nuk bën çap  më tutje (përpara) dikush- nuk ecën fare dikush; i arrin koka gjer (deri) në tavan dikujt- rritet shumë, tej mase dikush; s’ e heqin buajt dikë-është shumë i rëndë dikush; veç (vetëm) kashtë që nuk ha dikush-është i trashë  nga mendja tej mase dikush;  veç (vetëm) tambël të vremçit nuk ka dikush- i ka të gjitha të mirat e jetës dikush; prej thembre e deri në krye-tërësisht, krejtësisht; mos ta kishte hundën, kullot bar  dikush- është shumë i marrë dikush; e hedh (e vë) kapelën (festen, kapuçin, kësulën, qeleshen, plisin, takijen) mbi sy (mënjanë) dikush- qetësohet, rehatohet, e fle mendjen dikush pasi e siguron punën a gjendjen e mirë; e zë kokën me duar dikush- 1. çmeritet, habitet shumë, së tepërmi dikush. 2. tmerrohet shumë, pa masë dikush; është për  të vrarë veten diçka- është e tmerrshme diçka; me sy mbyllur- verbazi, verbërisht; e lë me gojë hapur dikë dikush-e çmerit, e mahnit dikë dikush; i bëhet koka (mendja) bozë (çorbë, dhallë, lëmsh, përshesh, tym) dikujt-i ngatërrohen mendimet dikujt, hutohet fare dikush,  hutohet shumë, pa masë dikush; merr dhenë diçka- përhapet gjithandej, gjithkah diçka; ishte mbushur (qyteti) s’ kishte ku të hidhje gjilpërë-ishte mbushur plot e përplot, tej mase (qyteti) me njerëz; i bie gjoksit me grushte dikush- kapardiset, ngërfoset, mburret tej mase dikush; e mban hundën përpjetë dikush- mburret tej mase dikush,  ngërfoset, kapardiset dikush; ia vë gishtin kokës dikush-mendohet thellë dikush; e vë gishtin në kokë (në tëmth) dikush- mendon mirë  (mirë e mirë) dikush,  përsiat thellë dikush, etj.

Nga marrja në zbërthim e përimtim e shumësisë së frazave perifrastike, del në spikamë e vërteta se, me anë të tyre,  përjetimet, veprimet, cilësitë, vlerat cilësore, rrethanore, mendimet, ndjenjat e shprehura, marrin sqarim  e ftillëzim të duhur, marrin qartësi të veçantë, qartësohen,  paraqiten, kumtohen, komunikohen në mënyrë fytyrore, figurative me anë të përshkrimit të tipareve e vetive të tyre dalluese, qenësore, karakteristike, kryesore, e jo në mënyrë të rëndomtë, të mirëfilltë.

Me anën e frazave perifrastike, ligjërimi i rëndomtë, i mirëfilltë, i drejtpërdrejtë,bëhet i lartë, i fuqishëm, intensiv. Ai arrin shkallë të lartë kumtimi, komunikimi. Po ashtu, del se, te frazat perifrastike ajo, që përshkruhet me dy e më shumë fjalë tjera (me dy e më shumë gjymtyrë) është në barasvlerësi të plotë me kuptimin e mirëfilltë, të drejtpërdrejtë, që e shënojnë, që e pëecaktojnë në mënyrë të qartë e konkrete. Gjymtyrët përbërëse  atyre u japin , u përcaktojnë karakter përshkrimor barasvlerësor përmbajtësor kuptimor tërësor (përfytyrimor, fytyror), u japin, u përcaktojnë karakter kuptimor, funksional përshkrimor.

Te këto fraza,  të gjitha gjymtyrët përbërëse,  përbëjnë tërësinë kuptimbartëse apo tërësinë  përmbajtësore kuptimore fytyrore, figurative, e cila del, përcaktohet, kushtëzohet nga tërësia përfytyrimore përmbajtësore e gjymtyrëve përbërëse. Të gjitha gjymtyrët përbërëse mbarë frazës i japin,  i përcaktojnë kuptim konteksti, kuptim kontekstual, vlerë kuptimore përshkrimore fytyrore, figurative. Te këto fraza , ajo që thuhet, që shprehet me kuptim e shprehje të rëndomtë, të mirëfilltë,  përshkruhet me fjalë a shprehje tjera, me fjalë a  shprehje që kanë karakter  përshkrimor kuptimor, fytyror në ligjërim dhe shkrim letrar, që kanë raport  barasvlerësor kuptimor. Tërësia përmbajtësore e gjymtyrëve  përbërëse përbën tërësinë  barasvlerësimore të kontekstit përshkrimor kuptimor fytyror, figurativ.

IIB21.f r a z a t    p r o v e r b i a l e

Frazat stilistikore proverbiale, për dallim nga proverbat e mirëfilltë, kanë kuptim dhe funksion proverbial, kanë kuptim dhe funksion  të proverbave si figura stilistikore. Pra, frazat proverbiale, në ligjërim dhe shkrim letrar, kanë vlerë proverbiale dhe kryejnë funksion  si proverba-figura stilistikore.

Frazat proverbiale, ashtu sikundër edhe proverbat, janë fraza stilistikore te të cilat fjalët që shprehin një mendim të përgjithshëm  përkitazi me ndonjë të vërtetë  morale a ndonjë përvojë jetësore, nuk kanë kuptim të rëndomtë, themelor, të mirëfilltë, por, kanë kuptim të zgjeruar, të intensifikuar, kuptim të bartur, kuptim fytyror, figurativ.Te këto fraza kemi formulime, përfundime të përmbledhura, të ngjeshura përkitazi me ndonjë përvojë  konkrete jetësore a ndonjë të vërtetë morale. Një përvojë konkrete  jetësore a një e vërtetë morale, zgjerohet, kalon në domethënie të bartur, në domethënie  fytyrore, figurative, përgjithësohet dhe bëhet me vlerë të përgjithshme, me vlerë metaforike. Te  këto fraza, shfaqen përmbledhurazi,  ngjeshurazi, gjykime e përfundime mendimore përkitazi me ndonjë situatë, dukuri, përvojë të caktuar jetësore e morale.

Te frazat proverbiale, mendimi, gjykimi përkitazi me ndonjë të vërtetë jetësore e morale, ka karakter të përgjithshëm, ka karakter fytyror, metaforik. Pra, nuk ka karakter, kuptim të rëndomtë, të natyrshëm, të drejtpërdrejtë, siç ka një mendim a gjykim  përkitazi me ndonjë dukuri a përvojë e rëndomtë nga natyra, nga jeta e përditshme, e rëndomtë.

Frazat proverbiale, si fraza stilistikore, dallohen prej proverbave të mirëfilltë për nga karakteri fytyror, figurativ, metaforik, që kanë përkitazi me ndonjë dukuri, përvojë a të vërtetë të përgjithshme jetësorer morale e njerëzore. Proverbat e mirëfilltë i përkasin ligjërimit objektiv, ndërsa, frazat proverbiale, frazat stilistikore proverbiale, i përkasin  ligjërimit subjektiv, sikundër i përkasin  të gjitha frazat  tjera stilistikore. Këtë tip të frazave stilistikore, i pari e ka hetuar dhe e ka konstatuar, gjuhëtari, leksikografi e frazeografi ynë i shquar, Aleksandër Xhuvani,  kur thotë:”Një farë  lokucionesh (= frazash, BQ) janë edhe ato që kanë karakter proverbi” (AXH-SGJ f. 20).

Fraza proverbiale, janë, bie fjala frazat si këto: agjëron ditën e vjedh natën; një dru i shtrembër rrëzon (prish) gjithë stavën; qeni leh atje ku ha; këtej të pi verën, andej të shan derën; nuk trembet ariu (arusha) me shoshë; dalëngadalë aguridhja bëhet mjaltë; anija lidhet në mole  e njeriu për goje; më e mirë është një anije e vjetër se njëqind sish në letër;  nuk është ar gjithë që shndrit; shihet ara në të mbjellë; si është ara mbillet fara; dardha e ka bishtin prapa;  ç’ len  nga macja  gjuan (ha) mi; ikën macja, lozin minjtë; ha bukën e mikut e bën duanë e armikut; ç’ ka barku, e nxjerr bardhaku;  gjaku ujë s’ bëhet; fjala s’ bën mort; nga një anë të puth, nga tjetra të pret; si është miku, bëhet petaniku;  pika (cirka) shpon gurin;  nuk rri iriqi në lis; s’ futen  pleshtat në thes; kalë të preshtë nuk ka; flaka të djeg, prushi të ngroh; i vogël në prehër, i madh për zemër; lë dhomën me pleh e fshin oborrin  etj. etj.

IIB22.f r a z a t   t o p o t e t i k e

Frazat topotetike, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion topotetik, kanë funksion  dhe kuptim të topotezave. Pra, frazat topotetike, në ligjërim dhe shkrim letrar,  kanë vlerë topotetike dhe kryejnë funksion si topoteza.

Frazat topotetike, ashtu si edhe topotezat, janë fraza stilistikore , te të cilat  si gjymtyrë përbërëse kemi emra vendesh, që në një farë mënyre hyjnë në punë, shërbejnë për ta konkretizuar, qartësuar, fytyrëzuar, ftilluar kuptimin e rëndomtë. Fraza topotetike, janë, bie fjala, këto fraza:

të çon (në) Shkup e (në) Shkodër dikush- 1. të huton dikush, t’ i merr, t’ i ngatërron mendtë dikush. 2. të mashtron keq dikush, të bën dredhi finoke dikush; e ecën Shkupin e Shkodrën dikush- ecën kudo, shkon kudo dikush; nuk flet  as për Shkup, as për Shkodër dikush- nuk flet për asgjë a për asnjë vend, objekt  të caktuar dikush, nuk e zë në gojë  diçka , një  objekt a një vend  të caktuar dikush; flet për Shkup e për Shkodër-flet për gjithçka; e rrah Shkupin e Shkodrën dikush-endet, shëtit shumë,  tej mase dikush, bredh pa masë,së tepërmi dikush, nuk lë vend pa shkuar, pa shëtitur, pa bredhur dikush, shkon gjithkund dikush, bredh  poshtë e lart së tepërmi, pa masë dikush, shkon nëpër shumë vende dikush, shëtit, bredh, endet nëpër shumë vende dikush.  etj.

IIB23.f r a z a  t   u r i m o r e

Frazat urimore, për nga kuptimi dhe funksioni stilistikor, kanë kuptim dhe funksion  urimi a dëshire, kanë kuptim dhe funksion    urimit a dëshirës si figurë stilistikore. Pra, frazat urimore, në ligjërim dhe shkrim letrar,  kanë vlerë  urimesh e dëshirash dhe kryejnë funksion  si  urime  a dëshira -si figura stilistikore.

Frazat urimore ashtu si edhe  urimet si figura stilistikore, janë fraza te të cilat ajo që thuhet  kuptohet fytyrisht (metaforikisht) në mënyrë fare të qartë. Te ky tip i frazave stilistikore në vend të shprehjes së mirëfilltë përdoret shprehja fytyrore (metaforike), e cila është barasvlerëse, e njëjtë me kuptimin e saj  të mirëfilltë, si bie fjala : paç faqen e bardhë ! u nderofsh ! të rrojë sa malet ! –të rrojë shumë ! mirë mbetsh ! mos t’ u kalbshin eshtrat!  fr.fol.,ur.- mos t’ u harroftë emri ! mos u harrofsh!   etj.etj.

IIB24.p ë r f u n d i m

Në këtë punim të veçantë studimor  , morëm në hetim e hulumtim, veçoritë kryesore kuptimore dhe përbërëse, ndërtimore të tipave më të rëndësishëm, më të përhapur, më kryesorë të frazave stilistikore. Në të vërtetë,  frazat stilistikore, kanë kuptim dhe funksion të figurave përkatëse stilistikore dhe, në shkrim e ligjërim letrar, kryejnë  funksione të tyre përkatëse. Së këndejmi gjen miratim e pranim mendimi e pohimi se në ligjërim dhe shkrim letrar, frazat stilistikore marrin kuptim dhe funksion  të figurave përkatëse: alegorive, alusioneve, antifrazave, antimetabolave, barazimeve (njëjtësimeve), dëshirave, elipsave, eufemizmave, ftillimeve (interpretimeve), hiperbolave, idiomave, inversioneve, ironive, krahasimeve, lakonizmave, mallkimeve, metaforave, metonimive, onomatopeve, perifrazave, proverbave  dhe topotezave.

Frazat stilistikore, në të  shumtën e herës, hyjnë në punë, shërbejnë, jo vetëm për intensitet kuptimor fytyror, por edhe për të shprehur përjetime, mendime, ndjenja, përfytyrime, gjykime të fuqishme, të larta, intensive të ligjëruesit (poetit, shkrimtarit, gazetarit,  publicistit e dijetarit). Derisa frazat stilistikore, mund të njëjtësohen,të barazohen, të identifikohen me figurat  stilistikore, ndërkaq,  në përgjithësi, figurat stilistikore, nuk mund të njëjtësohen , të barazohen, të identifikohen me frazat stilistikore, sepse  janë njëgjymtyrëshe. Ndryshimi dhe identifikimi midis frazave dhe figurave stilistikore qëndron në strukturën e tyre  përbërëse, ndërtimore të gjymtyrëve.

Nga ajo që është marrë në përimtim e zbërthim gjer më tani përkitazi me strukturën  përbërëse të disa frazave, është vënë re se te disa sosh kjo strukturë është e ndërlikuar e te disa sosh është e thjeshtë.

Strukturë të ndërlikuar të gjymtyrëve përbërëse, kanë frazat stilistikore:  ftillimore, ironike, krahasimore, metaforike, onomatopeike, ndërsa, strukturë të thjeshtë kanë  frazat: alusive, antifrastike, antimetabolike, antitetike, barazimore (njëjtësimore), eliptike,  eufemistike, hiperbolike, idiomatike, inversive, lakonike, mallkimore, metonimike, perifrastike, proverbiale, topotetike e urimore.

Frazat me strukturë të ndërlikuar përbërëse përbëhen prej dy pjesësh kryesore: pjesës së parë,e cila, përbëhet prej një gjymtyre, gjymtyrës  fillimtare dhe, pjesës së dytë, e cila përbëhet  prej një e më tepër gjymtyrësh. Pjesa e dytë e gjymtyrëve përbërëse te frazat ftillimore, krahasimore,  hyn në punë, shërben, për t’ i dhënë kuptim intensiv fytyror, figurativ përfytyrimor, kuptim të shkallës më të lartë, pjesës së parë, gjymtyrës fillimtare, te frazat ironike ,për t’ i  dhënë kuptim të kundërt gjymtyrës fillimtare, te frazat metaforike, për ta fytyrëzuar, figurativizuar mbarë frazën, te frazat onomatopeike, për t’ i dhënë  kuptim tingullimitues mbarë frazës.

Te frazat me strukturë të thjeshtë përbërëse, tërësia e gjymtyrëve përbërëse, përcakton  kuptimin njësor përmbajtësor përfytyrimor fytyror, figurativ të mbarë frazës.Te këto fraza, nuk kemi gjymtyrë kryesore, gjymtyrë kuptimbartëse. Te këto fraza, tërësia e gjymtyrëve përbërëse, përbën tërësinë kuptimbartëse fytyrore, figurative,e cila, njëherazi është zëvendësim, barasvlerësim kuptimor fytyror i kuptimit të tyre të rëndomtë, të mirëfilltë e të drejtpërdrejtë.

Po ashtu, nga struktura përbërëse specifike e disa frazave të marra në përqasje e studim, kemi vënë re e kemi hetuar se disa fraza,  zënë fill, krijohen, përftohen, lentohen njëra prej tjetrës. Kështu, bie fjala, kur i hiqet, kur i lihet mangu një a më tepër gjymtyrë frazës perifrastike, zë fill, lentohet, përftohet fraza eliptike, si bie fjala: është njeri (burrë)  i gojës (i kuvendit)- është orator, gojëtar-është i gojës (i kuvendit)- është gojëtar, orator. Pra, fare nuk ndryshon kuptimi. Ai është i njëjtë te të dy tipat e frazave.

Kur disa frazave krahasimore u hiqen, u lihen mangu  lidhëzat  krahasore  si (posi, porsi) zënë fill,  përftohen, lentohen, krijohen  frazat ftillimore (interpretative) , si,  bie fjala: i bardhë si borë, i zi si katran- i bardhë borë, i zi katran (me kuptim të pandryshuar, me kuptim të njëjtë). Po t’ u ndërrohet  rendi (vendi) gjymtyrëve të frazave ftillimore, zënë fill, përftohen, lentohen frazat inversive, si, bie fjala: borë i bardhë, katran i zi (me kuptim të pandryshuar, me kuptim të njëjtë).

Të gjitha frazat stilistikore, i përkasin ligjërimit e shkrimit subjektiv letrar, ligjërimit estetik, i cili, zë fill në përpjekjet e poetëve, shkrimtarëve, gazetarëve, publicistëve e dijetarëve tanë për t’ i shprehur mendimet, ndjenjat, përjetimet, shqetësimet dhe vërejtjet e tyre, në mënyrë të fuqishme, të lartë, intensive, fytyrore e kumtimore (komunikative).

Tërësia dhe shumësia e frazave stilistikore, dëshmon se në  shkrim  dhe ligjërim letrar shqiptar, është i vënë në përdorim e shfrytëzim një thesar shumë i pasur frazeologjik, idiomatik i gjuhës shqipe, i cili, këtë e bën  fytyror, figurativ dhe estetik, e bën të përsosur dhe të lartë.

Pra, nga sa u mor në  hulumtim, studim e përimtesë, veçantia, specifika tipologjike e gjertanishme  e frazave  të gjuhës shqipe ,sipas  kuptimit dhe funksionit stilistikor, që njëherazi nënkupton  edhe kuptimin dhe funksionin  e tyre fytyror dhe estetik, del përfundimi  aposterioristik: se  tipologjia e frazave shqipe, sipas kuptimit dhe funksionit stilistikor, jo vetëm që është një kaptinë me interes të veçantë hulumtimor e studimor për stilistikën  frazeologjike, por është me interes të veçantë hulumtimor e studimor edhe për estetikën frazeologjike të gjuhës sonë, gjuhës sonë të pasur, të lartë e të bukur shqipe.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora