E premte, 26.04.2024, 05:46 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Fjetëm njëqind shekuj (2)

E merkure, 23.07.2014, 07:08 PM


Adem Zaplluzha

Katër tregime poetike nga libri “Fjetëm njëqind shekuj”

NË MËSHIRËN E VALËVE

Ky galop që i përngjan erës kush e di se nga cila botë është nisur dhe me gjasa as që di se ku do të ndalet.

Depërton si një shigjetë e helmuar nëpër shpirtin e erës, herë ndjen një dhembje prej bronzi e herë era e kap për dore dhe që të dy së bashku lozin një valle të lashtë pagane prej bryme.

Një furtunë e egër frynë nëpër vrimat e kujtesës dhe depërton përtej mbamendjes deri te portat e mbyllura të mjegullave.

Nuk dihet,  por rrënjët i ka diku thellë, përtej parzmës së tokës dhe kur dikush e ngacmon kaun e zi të legjendave qohet në dy këmbët e pasme dhe si dreri i egër vrapon nëpër stuhi.

Nëse nuk mbërrin askund, ndalet në kujtesën e brishtë të ujit shikon majtas, djathtas dhe sërish turret që t’i kapërcej honet e pa kapërcyera.

Ndalet , s’lëviz nga vendi, i duket ky imazh si tejet i përshtatshëm për vrojtim.

Kur del në rrah e vë veshin në tokë dhe si ai veshmadhi i përrallave shqiptare i dëgjon tingujt e një  zurnaje dhe shikon me habi se si lehin mjegullat, se si nëpër dhembjen e ditës depërton sërish një shi me shqotë.

Ngjanë që kjo shqotë të shndërrohet në shakullinë nga e cila dalin njerëzit prej balte, po atë që janë shndërruar në baltë para disa qindra viteve.

Sa herë që del para dallgëve, ndjen forcën e ujit dhe bëhet ujë prej lotëve. Shoqërohet me peshqit e sëmurë, kërkon ndihmë nga peshkatarët por askush nuk ja vë veshin, besa edhe qeshin me të.

Shkuma e kripur fillon me e humbë ngjyrën e algave dhe shndërrohet në meduzë e cila i përpinë të gjitha llojet e gjallesave nënujore.

Në këtë delirium i paraqitet fantazma e Hamletit me një shpatë të topitur dhe kalë prej druri.

Një njeri i mirë ulet në dy gjunjë dhe u lutet perëndive si atyre të ujërave po ashtu edhe perëndive tokësore, lutet për një gllënjkë mëshire në këtë urrejtje që askush nuk mund ta definoj formën e saj të ngurtë.

Moli i tëri në djersë ka marrë teposhtën dhe nuk di të ndalet .

Ka etje . Një etje të madhe, sa që ka rënë në dy gjunjë dhe u lutet për falje duke kërkuar pakëz mëshirë nga gota e perëndive pa fron.

Kur pushojnë erërat diku nga zemërimi i valëve dalin peshqit me këmisha të bardha dhe i përshëndesin hijet jeshile që mbinë si kërpudhat pas shiut.

Kripa në grevë urie përgjon shkumën, dhe shikon fanarin që rri në qetësi dhe luan me valët e dyshimta të detit, i cili vetëm pret që kur t’i vij koha t’i ndez kandilat e  pa ndezura të yjeve.


KORBI IM I ZI

Ky korbi i imi nuk është as i bardhë e as i zi, ka një ngjyrë në mes të zezës dhe të bardhës. Mbase është i pa ngjyrë i tejdukshëm deri në skajshmëri

Kur del nga drita e bardhë duket futë si e zeza e sterrës kurse kur ikën nga sterra del në një bardhësi të tejdukshme sa që shndërrohet në pasqyre për të gjitha fluturimet e zogjve të egër.

Ngjanë që të ikën nga të dyja ngjyrat, në fluturim e sipër është i pa ngjyrë dhe pa peshë. Thonë se jeton shumë. Më shumë se rrapi. Ku ta di unë se sa jeton rrapi dhe korbi, por ashtu thonë, pasi që nuk di aq shumë më duhet t’iu besojë të tjerëve. Ky lloj korbi, kur e shikon hapësirën e pamasë  ekzaltohet, fluturimi nëpër ajrin e ndotur të qytetit i duket si zhytja në kaltërsinë e paanë të detit.

Ka një kokë të çuditshme, është shumë i mençur, sa herë që del nga lëkura e tij lëshohet pingul deri në afërsi të tokës, pa e prekur dheun e shkriftë të arave tona fillon të bisedoj me njerëzit e dylltë. Bisedë se jo mahi, i pyet degët e thata të shimshirit se për çfarë arsye nuk çelin lule në dimër dhe pse në pranverë në vend se të çelin lulet nga degët  ato dalin dhe çelin disa lule më të bukura vetëm nga rrënjët.

Gjatë kohës së të reshurave fshihet pas drurëve të portokajve, ulet kacule diku mes ajrit të mjegullt të mëngjesit dhe degëve të thyera të mesditës dhe mediton për fluturimet e tij ato të suksesshme  dhe për ato fluturime që kanë dështua kur ka qenë një zogëz i vogël dhe askush nuk e ka dallua a është korb ose ndonjë shpend tjetër që nuk i përngjan as vetvetes.

Kështu në meditim e sipër afrohet brigjeve të kujtesës dhe i dalin parasysh imazhet e fëmijërisë se si babai korb kishte jetua mbi 300 vjet kurse nëna e tij jetëshkurtër paska pas vdekur kur i kishte lindur vëllai i vogël.

Pasi që e harroi fluturimin në fushën e kullotur të meditimit, korbi im tani më i thinjur kush e di se pas sa qindra viteve, filloi e po i kafshon rrënjët e ujit, po kafshon çdo gjë që mund të kafshohet, thoshte vet me vete: nëse arrij t’i kafshoj degët e kujtesës me siguri do të mund të shndërrohem në një mjegullnajë dhe prej flokëve të erës do mund të thurë një anije si ajo e atij far njeriu të shenjt që i kërkonte detet dhe tokat e premtuara, po ato toka ku asnjëherë nuk vdesin njerëzit.

Nëse arrin deri te këto pika të vlimit jam i bindur si do bëhet një copë mjegulle prej flokëve dhe do jetoj përjetësisht diku mes hapësirës së kaltër dhe asaj me ngjyrë të murrme.

Korbi im  më duket se ishte i pangjyrë, herë i përngjante erës e here ujit të tejdukshëm.

Se çfarë ngjyre pat mund të më tregoni ju që nuk vuani nga daltonizmi ose diplopia binokulare.

Ju ndoshta nuk më besoni por unë e dua pa masë korbin dhe njeriun, aq shumë i përngjajnë njëri - tjetrit sa që ty dy me miliona vjet hulumtojnë token e premtuar dhe ende nuk kanë arritur të mbërrin atje ku i pret ajo tokë që quhet testament . Thonë se korbi im është i verbër, i ka dy sy por  nuk sheh, kur qanë dhe kur këndon i çilen sytë, ka një pamje krejtësisht të re sa që i del përpara kërrabës së një të moshuari që ecën pa u ndalur deri te një tokë që i është premtuar nga perëndit ose njerëzit që sa kanë dashuri në shpirt, po aq edhe një lakmi të sëmurë.


YJET DHE ERA – MJAULLIMË MA

Tani më nuk po më kujtohet asgjë, prej kësaj asgjëje boshe dalin disa flutura të bardha dhe derdhen fushave të vrara  dhe të plagosur nga heshtja.

Nuk po më kujtohet më se, a  isha dje fëmijë apo isha një dru pa gjethe i ngulur në shpirtin e varfër të kohës.

Isha ose nuk isha , çfarë rëndësie ka kjo punë që nuk di më a mund të quhet punë, ose diçka tjetër ngjashëm me punën...

Kjo punë nuk po më pëlqen se çfarë isha dje, ose çfarë jam sot , jam një dru pa gjethe ose një grusht gjethesh pa degë.

Në kokën time për çdo mëngjes glason  një zog i zi. Glason dhe ikën përtej erës, bisedon me mjegullat dhe sërish kthehet si shirat që kthehen në pranverë.

Kthehet dhe rri mbi një degë të thyer pa e përshëndetur askënd, shikon lisin kah gjethon ose e ndjek me mall vrapin e shthurur të erës.

Herë , herë qesh pa kurrfarë kontrolli, qesh dhe hesht, qanë dhe këndon një këngë të moçme.

Kjo këngë në disa raste i përngjan elegjisë e në disa raste baladave të vjetra, aq të vjetra sa që harron se nga cila kohë kanë ardhur në mesin tonë dhe për ku janë nisur  mu nga ky mes i përgjumur...

Ky funeral prej eshtrave, këta njerëz me kollare të zeza, askush nuk di se për ku janë nisur.

Në varrimin e kujt po shkojnë kandrat, nga na erdhën këto flutura të metalta, athua është në gjendjen dita t’i numërojë varret e hapura në shuplakat e erës dhe sa kohë do mjaullinë yjet si macet e egra kur dëbohen stinët.

Askush nuk ka kurrfarë përgjigje, njerëzit po heshtin si statuja të mermerta. Nga zëri i vrazhdë i mermerit dalin disa tinguj pa kurrfarë harmonie, dalin dhe vrapojnë kalldrëmeve të lagjes si qentë e  egër.

Këto mjaullima macesh po m’i përkujtojnë çastet e ikjes nga vetvetja.

Ishte dita me shi kur ikën zogjtë, nuk di a u  ndoqën prej djajve ose ata  e ndoqën vetveten, por njerëzit iknin, askush nuk dinte se për ku janë nisur, kryesisht të ikin diku nga lëkurë e rrjepur e ditës .

Atje tej mështeknave janë ndalur fluturimet e zogjve dhe nuk lëvizin as gjethet.

Një zë i thellë dhe pa kurrfarë ngjyre i prek me gishtat e holla të trishtimit shpirtin e ajrit që duket si një shpend i bardhë kah e përpinë hapësirën e cila herë rritet e herë zvogëlohet në kornizën e mjegullave të brymta.

Sërish një krakëllimë e tejdukshme ushtoi si zëri i sirenës së trenit me avull, depërtoi qiellit të vrarë nga trishtimi dhe u ndal te një pemë e cila rrinte mbi tokë si një hu i ngulur enkas për këmishën e gjakosur të rrapit, rrinte dhe i shëronte plagët e vjetra .

Në varrimin e kujt  po shkojmë sot, cilës ditë i përket kjo heshtje mortore, asnjëherë nuk i kemi dëgjuar mjaullimat e maceve kaq trishtueshëm!

Kjo është hera e parë që kalojmë pranë varreve të kuajve, jemi sa të vetmuar po aq edhe të trishtuar, ecim, me qindra njerëz në kokat tona zukasin si hoje bletësh...Zukasin.

Degët e njoma të lisave, diku në kujtesë qanë një fëmijë, qajnë gjethet e fishkura nën peshën e fjalëve.

Këto varre kuajsh po më duken si varre lisash që nuk vdesin asnjëherë por mbinë nga një thellësi e padukshme dhe ashtu të karbonizuar i japin shpirt dhe zemër ajrit të tymosur të qytetit  që vuan nga një melankoli të cilën e kuptojnë vetëm lehjet e qenve...


TOKA

Nuk e kam të qartë pse njeriu e do aq shumë tokën. Kur na i bluan eshtrat ne e duam, e përqafojmë e duam edhe kur na i dhunon të korrurat për së gjalli.

Kur na e rrjep lëkurën ne disi zbutemi bëhemi më të mirë, më të urtë, bile, bile ngjanë që nga zemra e tokës nxjerrim njëfarë lloji të dheut dhe më pastaj  gatuajmë bukën që na jep forcë për të ecur përpara. Ajo bukë e gatuar në disa raste i ushqen edhe kandrat, zogjtë, kuajt e egër, ushqen çdo gjallesë që del nga toka dhe hyn në tokë.

Im gjysh tregonte një përrallë të lashtë se si nga toka kanë mbi njerëzit si bari që mbinë sot, në disa raste i kam besuar por edhe ngjante që nuk i besoja, si mund të lind njeriu nga toka?! Shpeshherë e kam pyetur erën por kurrë nuk më është përgjigjur.

Dheu qeshte me mua i pëlqente më shumë besimi im se sa mosbesimi.

I pëlqente naiviteti i njeriut se si mund të jetë kaq i vogël e të besoj në gjëra që nuk e pranon logjika e zogjve, por ja se kush dhe çfarë është njeriu, i beson çdokujt kurse vetvetes kurrë nuk i ka besuar as që i beson.

Sa herë që është hidhëruar toka me mishin tonë të njomë i ka ushqyer zogjtë e uritur dhe pulat gjysmë të ngordhura .

Një zhapin i verdhë për çdo mëngjes pinte kafe me disa rrënjë të barojave dhe qeshte me njeriun kur e punonte tokën. Puno sa të duash ,ti sërish do jesh rob i punës dhe i vdekjes tënde. Kështu për çdo ditë të lume zogjtë dhe zhapinjtë  e verdhë me disa lloje zvarranikësh bënin dasmë mbi kurmin e një guri që kishte vdekur para qindra vjetëve.

Toka në lagjen tonë herë qeshte e herë qante thua se donte që nga mishi i jonë  i njomë të nxirrte tërë yndyrën e ditës për ta ushqyer dritën e dobët të diellit...

Kurse njerëzit si fëmijët naiv shkruajnë oda për tokën kinse na e jep bukën. Ajo nuk na e jep bukën por ne e nxjerrim nga shpirti i saj njomësinë e gjelbërimit dhe ushqehemi me ajrin që rri si oreol mbi kokat tona, kur kuptojmë lojën e tokës i harrojmë të gjitha përbetimet për të, harrojmë që për çdo ditë e  shkelim pa mëshirë mbi lëkurën e saj të djegur e të regjur nga shirat e brymta të kujtesës dhe kur kuptojmë kafshimin e saj se si na hanë dhe na e rrjep lëkurën, ne dhe atëherë bëhemi kinse nuk e kuptojmë mashtrimin e frymëmarrjes së tokës.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora