E premte, 26.04.2024, 01:04 PM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Për kë flet Kadareja?!

E diele, 22.06.2014, 04:04 PM


Për kë flet Kadareja?!

Nga Elvi Sidheri

Nëse ka mbetur në horizontin e paqartë shqiptar, ende një personazh, një njeri a një figurë, fjala dhe mendimet e të cilit, akoma kanë një domethënie reale, vlerë e peshë, padyshim që e thënë kjo në mënyrë aspak subjektive, ky është vetëm Ismail Kadare!

Për një arsye të tillë, intervista e fundit me dy pjesë, e dhënë nga shkrimtari ynë i madh (“the one and only” siç do thoshin anglofonët...pa iu hequr asnjë meritë autorëve të tjerë shqiptarë të aktualitetit)...për një gazetë dhe gazetare të nderuar nga Kosova, ishte perla e fundit që mendja e këtij personaliteti unik, na dhuroi neve të gjithëve, audiencës dhe shoqërisë shqiptare.

Kadareja në këtë intervistë, ndër të tjera, me anë të një analize të fortë të realitetit bashkëkohor shqiptar, të mendimeve e thellimeve shumëdimensionale, i orienton lexuesit, në një mënyrë të tillë që nëpërmjet leximit, të arrijnë që të sintetizojnë thelbin e idesë së tij për një Shqipëri pjesë të pandashme të kontinentit, kulturës e mbi të gjitha, të mentalitetit europian.

Po, sepse Shqipëria, përkundër të gjithave, investimeve, qëllimeve dashakeqe, prapambetjes mendore apo kulturore, është sërish asgjë më pak sesa një pjesë e lashtë e Europës...

Këtë e di Ismail Kadareja, ky njeri që përfaqëson pa asnjë mëdyshje, simbolikën dhe kapacitetin krijues, sendërtues të një vetëdije moderne europianizuese të shqiptarit të shekullit të XXI.

Rilindasin e fundit ndoshta, karakterin e paepur, botën e pasur të romaneve të tij, brilancën e tehut të mendimit të vet therës që gërryen përherë durueshëm thepisjet e këtij realiteti zymtësues shqiptar, që ende dergjet turpshëm në oazet e dehura dhe përkundjet anadollake të një çifligarizëm-orientalizmi të vonuar...

Shqipëria në fakt do të duhej të ishte më tepër se kaq!

Shqipëria do të qe nevoja që tashmë të kishte pas kuptuar më në fund, se etjet e joshjet e shilteve komode të sarajeve të një Orienti të vdekur e pakallur, duhet të qenë bërë histori, të kishin mbetur si legjenda të së kaluarës, përralla me “Njëmijë e një net” për t’ua treguar nipërve në të ardhmen, në një ardhmëri europiane, ku shqiptari gjithësesi do të ishte i ndërgjegjshëm për dritëhijet e së shkuarës së tij të mpleksur thellë me labirintet e pafundme që nisnin e përfundonin brigjeve të Bosforit, pranë një Porte të Lartë...

Kadare e di sigurisht që Shqipëria nuk është aspak Orient!

Po a e dinë vetë shqiptarët këtë fakt?!

A jemi të ndërgjegjshëm që ne si popull nuk përbëjmë ndonjë lloj hibridi monstruoz, tip mutacioni të lemerisshëm gjenetik, që në ADN-ë tonë është formësuar pas kushedi se çfarë eksperimentesh të frikshme, duke na bërë të jemi (apo të ndihemi) si krijesa që lindin e rriten trushpëlara, mendjethara, arsyetim-dërrmuara...duke qarë “Dum-Babshëm” në përjetësi për sulltanërinë osmane, Haxhi-Qamilët injorantë dhe Enverizmën paranojake?!

Nuk do të doja kurrësesi t’a besoja diçka të tillë!

Është tepër e rëndë për të qenë e vërtetë...

Por thonë se e keqja nuk ka fund...ashtu si edhe e mira gjithësesi!

E ne si popull dimë dhe njohim secilin nga dy versionet e mësipërme të realitetit, atë të parin sidomos...

Jemi ndoshta një popull, gjithmonë në stadin e vet të “patëkeq” të ekzistencës, thelbësisht i mirë (të themi, po aq edhe vetëdëmtues, paksa mazokist), por që jeton në vijimësi në një gjendje të keqe!

Dhe kur me të keqen të bie të bashkëjetosh për një kohë cazë si shumë të gjatë, atëherë kjo e keqe shkon e të bëhet si sinonim i situatës tënde, popullore, kombëtare në rastin tonë specifik si nacionalitet shqiptar.

E keqja të depërton brenda në ADN, të futet pa leje në kromozome, të ndot gjakun, të dëmton organet e brendshme, të sëmur e të lë në një lëngim tejet të gjatë, të godet forcën tënde jetësore, t’a pengon dëshirën për t’u rinovuar, për të “rilindur” (asnjë përkitje këtu me keqpërdorimin e qëllimshëm banalizues politik konstant me origjinë “1 Milionë shpullësit”...të kësaj fjale madhore të historisë shqiptare)...për t’u ringjallur, si njerëz, si individë, si shqiptarë, si popull, si shoqëri moderne europiane, në mendime, në sjellje, në ide, në jetë, në mendësi e karakter.

Kjo e keqe e largët, na është qepur, na ka hyrë të gjithëve si popull prej shekujsh nën lëkurë, porsi një parazit që shfrytëzon organzimin tonë.

Kjo e keqe është bërë njësh me çdo rrezik e kërcënim që i është kanosur këtij vendi, këtij populli e këtyre trojeve të lashta.

Kjo e keqe pra, besoj se kështu e mendon edhe i madhi Kadare, nuk është Turqia, kultura, përparimi i saj ekonomik, aktualiteti gjysëm-europian i atij vendi, lidhjet sidoqoftë reale midis turqve dhe Turqisë me ne si popull e shtet/e.

Problemi qëndron tjetërkund...

Turqia e sotme, me apo pa Erdoganin, është një vend që do mjaft punë, kohë e durim, për t’u kuptuar në gjithë shumëplanëshin dimensional të saj.

Por Turqia si shëmbëlltyrë e AK Partisi-t të Rexhep Taip Erdoganit, është një dështim total në të tashme dhe perspektivë,

Një vend që njohu rritjen e pakrahasueshme ekonomike përgjatë një periudhe stabiliteti dhe mirëqenie relative.

Rritje ekonomike, shtim të ardhurash e investimesh për frymë, që ngritën GDP-në e vendit dhe banorëve të tij, por që u paguan, sadoqë gradualisht, me kufizimin e vazhdueshëm të lirive personale të çdo turku që nuk bënte pjesë në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve apo të besuarve të Erdoganit.

Ndërkaq, në ditët e sotme, është bërë tanimë e qartë që edhe kjo rritje e admirueshme ekonomike, nuk ecën më si më parë sido që të jetë.

Ekspansioni ekonomiko-politik (jo rrallë edhe neo-otoman) i shtetit turk me fytyrën dhe mendësinë autoritare të liderit Erdogan, ka ngecur në vend e vështirë se do të lëvizi më tej.

Paaftësia turke për të bërë politikë të jashtme, dallohet qartë kudo.

Që nga Egjipti, ku vetë Erdogani ishte në vijë të parë në mbështetje të axhendës fondamentaliste anti-sekulare (të ngjashme në qëllime me Erdoganizmin turk, por tepër të shpejtuar në metodat e zbatimit, gjë që e shpuri edhe në dështim)...të Morsit dhe Vëllazërisë së tij.

Kërcënimet në erë dhe gulçimet turke, ashtu si edhe do protesta komike nëpër rrugët e Stambollit, në mbështetje të “vëllezërve” egjiptianë (ishte ekskluzivisht mbështetje për anëtarët e Vëllazërisë, jo për popullin egjiptian, aq më pak për sekularistët që mbushën sheshet dhe përmbysën diktatorin e ri, ashtu siç kishin gremisur edhe Mubarakun e plakur dhe zbërdhylur, përpara Morsit)...nuk i dëgjoi e as që i mori seriozisht askush në Kajro.

Fronti sirian ndërkohë, u bënë vite që vlon e digjet në zjarr e hekur, por të ashtëquajturat interesa turke, nuk i ka marrë parasysh asnjeri edhe aty...

Predha e bomba siriane e kanë kaluar vijën e kufirit turk sa herë tashmë, kërcënimet e rradhës nga Ankaraja nuk është se kanë vonuar të vijnë, por gjë konkrete, si zakonisht nga ana turke nuk është se ka!

Kam një përshtypje të fortë se nga krahu sirian, qoftë ai qeveritar i Asadit, qoftë nga opozitarët laikë apo terroristë, përgjigja automatike ndaj kanosjeve turke është: “Bjeri se i bie bukur, Davutogllu, Erdogan etj”!

Të dëgjoje Erdoganin para dy-tre vjetësh lidhur me Sirinë, të dukej se ky njeri i kishte gati qindra-mijëra ushtarë të ushtrisë së dytë për nga numri në NATO, që t’i fuste në Siri dhe t’a përmbyste Asadin e urryer e gjakatar brenda ditës mundësisht...

Por (gjithmonë ka një “por”)...në realitet, Asadi është gjallë e gëzon shëndet të admirueshëm, në terren janë mbledhur me apo pa ftesë nga palët vendase ndërluftuese, terroristë ndërkombëtarë nga të katër anët, hezbollahë në krah të regjimit, thuhet edhe njësi elitë të gardës iraniane, por ushtarëve turq u ka humbur “nami e nishani” !!!

Kanë mbetur nga ana e tyre e kufirit duke “bërë sehir”...

Ah po, veprat madhështore të qeverisë erdoganiste në Siri, “kurorëzohen” me lejimin e terroristëve fondamentalistë, që të kalojnë kufirin turk dhe të pushtojnë për disa muaj, qytetin armen të Kasab-it tre kilometra nga kufiri turk.

Është gjë e ditur që në datën 21 mars të këtij viti, fondamentalistët qenë lëshuar nga malet turke pranë kufirit, me bekimin e heshtur të Ankarasë zyrtare, drejt kësaj enklave armene autoktone në territorin sirian (një qytet tepër i rëndësishëm e simbolik për komunitetin e përvuajtur armen, që qëndron si dëshmi e rezistencës dhe mbijetesës ndaj genocidit turk të 1915-ës, që i pati shfarosur armenët deri në anën tjetër të kufirit).

Qyteti ishte pushtuar dhe pas një shkatërrimi total sistematik të gjithë kishave dhe objekteve të kultit, ikona etj, nga fondamentalistët, pati rënë sërish në duart e trupave qeveritare siriane, të mbështetura edhe nga milicitë vendase armene, para pak ditësh.

Për të shtuar peshën e “largpamësisë” së politikës ekspansioniste të Ankarasë neo-otomane sipas vizionit rrënues Davutogllu-Erdogan, shërben si provë direkte edhe situata aktuale në veri të Irakut gjithashtu.

Sipas vetë mediave (të lira) dhe mjaft analistëve turq, shumë prej terroristëve ekstremistë që kanë pushtuar Mosulin dhe po i drejtohen Bagdadit (të cilët vijnë nga Siria), mbajnë në duar “armë turke”...

E për t’a bërë edhe më tepër tragjikomike këtë situatë, ndër të tjera, këta ekstremistë të mbështetur direkt ose tërthorazi nga Ankaraja në Siri kundër Asadit, pasi janë hedhur në Irak, kanë pushtuar edhe qytetin turkmen (ata që paturpësisht Erdogani i quan vëllezër), të Tal Afarit, duke bërë gjëmën midis banorëve turqishtfolës të tij.

Ndërkohë që pikërisht si kundërmasë ndaj avancimit terrorist në veri të Irakut, kurdët e shumëurryer në Ankara, po forcohen dita-ditës, duke legjitimuar me fuqinë ekonomike e ushtarake në terren, rajonin e tyre gjysëm të pavarur të Kurdistanit Irakian (që pasurohet edhe duke i shitur naftë sërish Turqisë).

Ky lider pra, Rexhep Taip Erdogani është simboli dhe fytyra që ngërthen imazhin e orientalizmit në përpjekje për t’u ringritur edhe mes shqiptarësh...

T’a quajmë ”Neo-otomanizëm, “DumBabizëm”, dashuri ndaj persekutorit, e njëjta gjë është.

Rezultatet më të prekshme të kësaj politike asgjësuese për të tashmen e të ardhmen shqiptare, mund të analizohen pafund e mund të preken lehtë tek prirjet shkombëtarizuese mohuese të së kaluarës rilindase anti-osmane ose tek shprehjet e cekëta injorante “turku na shpëtoi nga sllavët” (si të thuhej nga këndvështrimi historik se : “Stalini i shpëtoi polakët nga Hitleri”) etj

Mund të gjenden edhe tek inaugurimet qeveritare turke, të ndonjë xhamie...në Krujë...për ditë Pashkësh (o Zot sa rastësi në një vend) e shumëkund tjetër.

Kadareja fliste edhe për gjuhën letrare dhe artificat përçarëse kundër saj (100 % dakort me të), për kremtimet e e 70 vjetorit të çlirimit, ai fliste, neve na takon t’a dëgjojmë...



(Vota: 18 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora