E enjte, 25.02.2021, 05:06 AM (GMT)

Kulturë

Arbana Xharra: Intervistë me Ismail Kadarenë

E marte, 17.06.2014, 06:47 PM


Kurthi serb: Turqizimi i shqiptarëve - armiqësimi me Evropën

Nga Arbana Xharra

Për fat të keq, bota i sheh shqiptarët më keq se ç’janë, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet.

“Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash”, kështu thotë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare.

Në përvjetorin e çlirimit të Kosovës, Kadare rikujton se 15 vjet më parë në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur.

“Me dhjetëra kanë qenë popujt që kanë ëndërruar një mbrojtje të tillë e që, për fat të keq, nuk e kanë pasur dot”, shton Kadare.

Kështu që, sipas tij, mirënjohja shqiptare duhet dhe do të jetë, pa dyshim, e pafundme. Por sa i përket rritjes së disa grupeve antiperëndimore mes shqiptarëve, të indoktrinuar nga ideologji ekstremiste fetare, Kadare thotë se ky akt është më shumë se mosmirënjohje.

Sipas tij, ky është një projekt i hershëm serb. “Famëkeqi drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë - Evropë.

Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës. Dhe sidomos për turqizimin e tij”, shton gjatë intervistës Kadare. Ai flet edhe për politikën e Beogradit ndaj shqiptarëve.

Zëri: Kosova gjashtë vjet shtet i pavarur, në anën tjetër kemi Shqipërinë mbi 100 vjet shtet. Çfarë drejtimi janë duke marrë shqiptarët?

Kadare: Siç është thënë shpesh, shqiptarët pas një shkëputjeje të gjatë, po rikthehen më në fund në kontinentin e tyre. Kahu që janë duke marrë shqiptarët, përpara se të cilësohet i tillë, apo i atillë, mendoj se ka një cilësim: ai është kahu i vetëm. Çdo kah tjetër nuk do të ishte veçse një rrugë pa krye, një moskah, po të përdorim një fjalë të guximshme.

Shkëputja nga Evropa dhe rikthimi në të, është një histori sa e vjetër aq dhe e re. Ka nisur, siç dihet, me spanjollët, ka vazhduar me krejt ballkanasit, me europianoqendrorët, me balltikasit, për të arritur gjer në ditët tona, kur gjaku nisi të derdhet në Ukrainë, mu në sytë tanë.

Për secilin nga këta popuj, që fati e solli të kenë pasur ndërlikim me arabët, me osmanët ose me ish-hapësirën sovjetike, e cila pas rënies së nazizmit, zgjodhi përsëri kundërvënien ndaj Evropës, shkëputja dhe rikthimi kanë qenë një dramë e vërtetë. Me ne s’kishte pse të ndodhte ndryshe.

Zëri: Gjeografikisht jemi në Evropë, por cila është mendësia e shqiptarëve, sa afër Evropës realisht jemi?

Kadare: Jo vetëm jemi, por kemi qenë gjithmonë gjeografikisht në Evropë. Për shqiptarët s’ka pasur një tjetër gjeografi nga e cila ata kanë dalë, për të zgjedhur një më të mirë, ose më përfituese.

Ashtu siç nuk kanë pasur tjetër histori, të cilën janë përpjekur ta mbulojnë për arsye të ngjashme. Lidhur me pyetjen nëse gjeografia dhe historia evropiane mund të të bëjnë vetvetiu pjesë të qytetërimit evropian, çështja ndërlikohet.

Mendësia, për të cilën juve pyesni, thënë ndryshe, qytetërimi, doket e tij, s’kanë qenë në asnjë rast të prera si me thikë. Gjermania e kohës së Hitlerit ose Italia e Musolinit, dy vende në qendër të Evropës, përpara se të nisnin marrëzitë, pushuan së qeni qytetërim evropian, në atë kuptim tradicional pozitiv që i jepet kësaj fjale. Dihet se si Evropa i dënoi ata. E njëjta gjë mund të thuhet më pas për Millosheviqin.

Pas bombave, ishte pikërisht Evropa ajo, (Evropa e artit, elegancës dhe e sqimës, siç na pëlqen ta përfytyrojmë), që gjeti ashpërsinë e duhur, për ta mbyllur pa mëshirë në një qeli të Hagës, ku dhe do të vdiste në vetmi, si një shkretan. Evropa megjithatë nuk mund të jetë çudibërëse. Ajo s’e rrëzoi dot në gjallje Stalinin, Hoxhën apo Causheskun. Ndërkaq ajo ushqeu, me aq sa mundte, ëndrrën për rrëzimin e tyre.

Zëri: Si na sheh bota, të emancipuar apo të prapambetur?

Kadare: Për fat të keq, bota na sheh më keq se ç’jemi. Pra, më pak të emancipuar dhe më shumë të pagdhendur. Për një vizion të pasaktë, vështruesi mund të ketë gabimin apo fajin e vet. Në rastin tonë nuk mendoj se ka ndonjë dashakeqësi të programuar. Ka qenë më tepër ndërlikim fatkeq rrethanash.

Në radhë të parë ka qenë modeli i komunizmit tonë, më i keqi në kontinent. Dihet se fajin për të e kemi vetë, ashtu siç vetë ne dhe askush tjetër, do të paguajmë kujtimin e tij.

E keqja s’mbaron me kaq. Prirja e mbrapshtë për të rendur pas së keqes ka dhënë shpesh frytet e saj. Për të dhënë një shembull pak të njohur, pak kohë përpara bombardimit të Serbisë, në Paris qarkulloi pëshpërima se gjenocidi armen i vitit 1915 ishte drejtuar nga gjeneralët shqiptarë.

Pëshpërima synonte armiqësimin e lobit të fuqishëm armen me shqiptarët, rrjedhimisht me Kosovën. Ajo u përhap aty-këtu në Tiranë, e shoqërua nga një tjetër pëshpërimë e rreme: mohimi i mbrojtjes së hebrenjve, e shpallur prej «çmitizuesve» vendas si «mit kombëtarist».

E vërteta ka qenë krejtësisht ndryshe, jo vetëm për hebrenjtë, që është vënë në vend, por edhe për armenët, me dosjen e të cilëve nuk është marrë askush në Shqipëri. Ndërkaq, Ismail Qemali, i cili, ndonëse i dorëhequr, ende pranohej si kryeministër historik i Shqipërisë, ishte i pari shef shteti në botë që, në tetor 1917 (pra vetëm pak kohë pas gjenocidit), dënoi publikisht në shtypin e Londrës, në një studim madhështor, të vërtetën e tmerrshme të masakrës. Ende sot historia jonë nuk e përmend këtë akt, që e nderon aq fort Shqipërinë.

Bombardimet e Serbisë, ngjarje e madhërishme

Zëri: Evropa dhe SHBA-të 15 vjet më parë luftuan për Kosovën, përkundër kundërshtimeve të ashpra të shumë shteteve. Sot, një dekadë e gjysmë nga sulmet e NATO-s, si e vlerësoni situatën në Kosovë? Po luhet me kartën e Evropës apo të Lindjes?

Kadare: Bombardimi i Serbisë si ndëshkim për Kosovën, është një ngjarje përmasat e së cilës ndërgjegjja jonë ende nuk i kap, veçse pjesërisht.

Kjo ndodh në botë me ngjarjet e madhërishme. Unë jam shkrimtar dhe e njoh peshën e përgjegjësisë së fjalëve. Rrjedhimisht e di se ç’keqkuptim mund të krijojë përdorimi i fjalës «e madhërishme», për një bombardim. Megjithatë, po e përsëris: kjo ngjarje ishte e tillë: e madhërishme.

Në historinë e Evropës dhe të SHBA-ve ndodhi diçka tepër e rrallë, për të mos thënë e panjohur, një luftë e një lartësie morale të paparë, që kryente pjesa më e përparuar e botës, për mbrojtjen e një populli gjysmë të humbur e të braktisur. Me dhjetëra kanë qenë popujt që kanë ëndërruar një mbrojtje të tillë e që, për fat të keq, nuk e kanë pasur dot.

Mirënjohja shqiptare duhet dhe do të jetë, pa dyshim, e pafundme. Por kjo është e pamjaftueshme: ky akt duhet të bëhet pjesë e ndërgjegjes sonë, e përkryerjes së saj, e kthimit në një prirje gjeneruese, shpëtuese.

Bombardimi i një vendi është një gjë e pikëllueshme. Megjithatë, sado paradoksale të tingëllojë, kam bindjen se, në një farë mënyre, Serbia gjithashtu do të duhej të ishte mirënjohëse, ashtu siç ndodh në raste të rralla, kur një ndëshkim të shkëput nga një krim, nga një rrugë që të çon në greminë.

Në një të ardhme jo të largët, në një orë të mundshme të pajtimit shqiptaro-serb, jam pothuajse i sigurt se kuptimi i atij bombardimi do të jetë gjithmonë e më i kthjellët.

Ju më pyesni se çfarë karte po luhet sot në Kosovë, ajo e Evropës apo ajo e Lindjes? Kjo pyetje vetvetiu krijon një habi aq të madhe saqë e kapërcen vetë fjalën «habi». A mundet që Kosova të ketë një kartë tjetër? Është njëlloj si të thuash se Kosova u mërzit nga kjo botë, nga kjo jetë, nga ky planet... Për t’i rënë më shkurt, do të ishte njëlloj sikur Kosova të synonte të kthehej prapë nën Serbinë. Madje, nën Serbinë e mëparshme, atë të parabombardimit.

Zëri: Ka shqetësime, si kurrë më parë, se mes shqiptarëve po rritet një frymë antiperëndimore, me propaganda kundër vlerave evropiane. Çfarë ka ndikuar që të zhvillohet kjo frymë dhe në interes të kujt çon ajo?

Kadare: Në qoftë se kjo del të jetë e vërtetë, mendoj se është gjëja më e pakuptueshme dhe më e paarsyeshme që mund të ndodhë përpara syve tanë. Shpresoj ende se nuk është veç një lajthitje e çastit.

E shikuar më gjakftohtësisht, mund të ketë një shpjegim disi të ndërlikuar. Dihet se Gadishulli Ballkanik, duke qenë në zanafillë të qytetërimit evropian, përfundoi më pas, jo në qendër, por në rrethinë të tij. Të ndodhurit te portat, me kalimin e viteve krijon një vizion tjetër të gjërave.

Në gadishull, krahas nostalgjisë që erdhi pas shkëputjes, u krijua një traditë nervozizmi dhe kundëreuropianizimi me burime të ndryshme. Bizantine dhe osmane te grekët. Osmane dhe komuniste te shqiptarët. Sllave dhe osmane te serbët.

Këta popuj s’e kishin vështirë që për fatkeqësitë e tyre, që s’ishin të pakta, të fajësonin herë pas here Evropën. Ju kujtohet acarimi grek dy-tre vjet më parë? Ju kujtohet zemërimi serb gjatë bombardimeve? Atë që nuk arrij dot ta kap është kjo frymë e shqiptarëve për të cilën flisni ju. Është më shumë se mosmirënjohje.

Është një verbëri e pafalshme, për të cilën duhet të ndihemi fajtorë të gjithë. Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi shqiptarë - Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës, dhe sidomos për turqizimin e tij.

Serbia ka problem me shqiptarët e evropianizuar

Zëri: Ku e ka hallin Serbia me shqiptarët, që të mos na shohë të evropianizuar?

Kadare: Dihet se gadishulli ynë ka qenë vend keqkuptimesh të mëdha. Një nga këto, ndoshta më tragjiku, është keqkuptimi shqiptaro-serb. Testamenti i Cubriloviçit, ende i padënuar nga Serbia, e shpall të qartë se Serbia s’mund të ketë jetë normale me kombin shqiptar përbri.

Rrjedhimisht doktrina e tij jep si zgjidhje zhbërjen, shpërnguljen ose shfytyrimin e plotë të këtij kombi rival. Vetëm kështu, sipas mendjes së sëmurë nga shovinizmi, Serbia, përbri Shqipërisë së përçudnuar, do të dukej më e qytetëruar në sytë e Evropës! Rrjedhimisht do të përfitonte favoret evropiane dhe, kryesorja, një skajim sundues në gadishull.

Qysh në lindjen e saj, doktrina, si çdo pjellë e urrejtjes, ka qenë e pamundur. Asnjëherë Serbia s’ka pasur asnjë shans të vetëm për zhbërjen e kombit fqinj.

E vetmja shpresë, edhe ajo gjysmë haluçinante, ka qenë shfytyrimi i botës shqiptare. E mbushur me xhami dhe tek-tuk ndonjë shkollë e vetmuar (shkollat janë për sllavët, për ju mjaftojnë xhamitë), hapësira shqiptare përherë e më tepër do t’i ngjante Anadollit.

Në draftin e tij, Cubriloviçi ka gjithmonë parasysh bashkëpunimin turko-osman. Qoftë marrëveshje të fshehta për shpërnguljen shqiptare, qoftë ndalimin e gjuhës shqipe. Për këtë të fundit, pavarësisht nga përgjërimet mallëngjyese për miqësi, ende nuk ka një kërkim ndjese.

Më pëlqen të besoj se herët a vonë Serbia ka gjasë të çlirohet nga xanxa të tilla. Këto ditë, një koleg yni tepër i njohur, Dobrica Qosiq, në prag të ikjes nga kjo botë, e çliroi ndërgjegjen e vet duke lënë, më në fund, një porosi të arsyeshme lidhur me keqkuptimin serb për Kosovën.

Lumturisht, shqiptarët, ndonëse nuk falin lehtë, nuk kanë krijuar kurrë asnjë doktrinë për zhbërje, shfytyrim a dëmtim të kombit fqinj serb. Në Ballkan, ku arsyet për krenari janë zakonisht të pakta, kjo do të ishte njëra prej tyre.

Zëri: Lidhur me çështjet e mësipërme ka një debat në Kosovë, gjatë të cilit shtrohen pyetjet: a ishin osmanët ata që na shpëtuan nga sllavizmi? Dhe, a mund të krahasohet Perandoria Osmane me NATO-n e sotme?

Kadare: Do të më pëlqente ta merrja një debat të tillë si një shaka zbavitëse, por, për fat të keq, pas formës së jashtme komike, ai fsheh një thelb tepër tinëzar.

Në të vërtetë është pjesë e ligjërimit të pastër kundërevropian. Është tepër e habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit të Kosovës prej ndërhyrjes atlantike, bëhen përpjekje që mirënjohja t’i kalojë Turqisë! Kjo histori është e vjetër.

Gjatë viteve të robërisë osmane, me qindra herë duhet të jetë trajtuar çështja «e mirënjohjes» që shqiptarët duhej të kishin ndaj osmanëve, ngaqë këta të fundit i paskëshin shpëtuar nga Evropa! Debati i sotëm që përmendni ju, nuk është veçse përsëritje e këtij jermi. Tani për tani kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën «evropianizëm» pas «sllavizmit», por nesër, kur të ndihen më të fortë, do ta hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër Evropës dhe SHBA-së.

Kam lexuar në shtypin tuaj se këto grupime radikale drejtohen nga shërbimet e fshehta serbe dhe pse jo, ruse. E besoj këtë. Është e logjikshme. Ka mbi gjysmë shekulli që Rusia nuk po i ndahet Ballkanit. Pas ngjarjeve të Ukrainës, pesha gjeostrategjike e gadishullit është duke u rritur. E gadishulli pa faktorin shqiptar s’mund të kuptohet.

Kur Millosheviqi nisi aventurën e tij antishqiptare gjithë strategjinë e bazonte mbi shpresën se Evropa me SHBA-në, në çastin e fundit do të bëheshin me të kundër shqiptarëve. Pas thyerjes së kësaj shprese, nisi një fazë e dytë: shpresa se Evropa dhe SHBA do të pendoheshin.

Vrasja e dy aviatorëve amerikanë prej një shqiptari të Kosovës në Frankfurt, ashtu siç u bë e njohur, shpaloste një simbolikë të keqe. E para, sepse sipas një tradite emocionale, aviatorët përftohen si pjesa më e zgjedhur dhe heroike e një ushtrie, e dyta, sepse kishin qenë pikërisht aviatorët amerikanë që kishin rënë në sy në bombardimin e Beogradit.

Rrjedhimisht vrasja e dy të tillëve mund të merrej si një hakmarrje dyfish poshtëruese për shqiptarin: burracake, si çdo vrasje pas shpine, poshtëruese në kulm, ngaqë kryhej për hir të Serbisë kundër Kosovës.

Ishte, me sa dukej, kjo arsye që opinioni amerikan u trondit aq shumë. Opinioni shqiptar duhej të trandej edhe më fort. Në vend që të nxirreshin mësime ndaj akteve të tilla kundërevropiane, që ishin në të vërtetë kundër shqiptarëve, vazhduan lëshimet. E bashkë me to provokimet meskine kundër Perëndimit, për të përfunduar te xhihadistët shqiptarë në Siri, që i vunë kapakun gjithçkaje.

Edhe pas 600 vjetësh Skënderbeu mbetet personazhi numër një

Zëri: Mendoni se figura e Skënderbeut, i cili gjithashtu është marrë nëpër këmbë kohën e fundit, ka lidhje me çështjet e mësipërme?

Kadare: Skënderbeu, siç ndodh me personazhet e mëdhenj, mbështjell rreth vetes gjithçka thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar.

Sot, pas 600 vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e Shqipërisë në Evropë. Ai është programuesi i parë i këtij projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin, siç i ndodhi gjatë komunizmit.

Duke e pranuar Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Evropa ka pranuar në të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë se Shqipëria fizike.

Nuk ishte as pjellë e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar. U gjend në qendër të historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit, hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të tmerrshmes.

Arbëreshët e cilësojnë si «të pafat», ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide, për ta bërë të pavdekshëm.

Në numrin e nesërm mund të lexoni: A po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve? Si e sheh Kadare debatin mbi standardin e gjuhës shqipe, a duhet rishikuar njësimi i 1972-shit? Nga po shkon kombi shqiptar...

______________

Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur

Nga Arbana Xharra

“Kombi shqiptar nuk ka më kohë për të humbur”, paralajmëron në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Zëri”, Ismail Kadare. Sipas tij, hapi i parë i një fryme mirëkuptuese do të duhej të niste pikërisht me të vrarët në luftë, e pas tyre me krejt luftën.

“Të vrarët pushuan së jetuari, ata s’panë asgjë nga ç’erdhi më pas. Është detyrimi ynë historik, e sidomos detyrimi ynë njerëzor, për t’i lënë në paqen e tyre”, thotë Kadare.

Ai flet me shqetësim edhe për rrezikun që i kanoset kombit, duke e shkatërruar gjuhën shqipe. Sipas tij, gjuha, pakti themeltar i një kombi, në asnjë vend të botës nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm sa në Shqipëri.

Kadare rikujton se gjuha shqipe në hartën e idiomave botërore, ka një status shumë më të nderuar se ç’kujtojnë përgjithësisht shqiptarët. Por është optimist se kombi shqiptar, për herë të parë në historinë e tij, po e lë pas vetminë. “Ai duhet të jetë i gatshëm për të nisur një fazë të re të ekzistencës së tij: jetën në një familje kombesh”, thotë Kadare.

Zëri: Të flasim pak për debatin mbi standardin e gjuhës shqipe. A duhet rishikuar njësimi i 1972-shit?

Kadare: Është vështirë që brenda kushtëzimit të një interviste të flitet për ndoshta çështjen më të ndërlikuar të kohës.

Gjuha është prodhimi më befasues i njeriut. Cilësorët: «e hyjnueshme», «misterioze», mund të duken të tepruara në fillim për të, më pas do të jenë të pamjaftueshme. Gjuha është më tepër se kaq. Ajo është një pakt i vështirë. Më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre. Me anë të saj, njeriu shpalos atë që duket e pamundur: të fshehtën e pafundme të vet. Si e tillë, ajo vetë, gjuha, çështja e saj, meritojnë gjithë seriozitetin tonë.

Pikërisht ky seriozitet mungon në Shqipëri. Në asnjë vend të Evropës nuk sulmohet aq mizorisht, aq shëmtueshëm gjuha, pakti themeltar i një kombi.

Në kohën kur Shqipëria e lodhur pas komunizmit ka nevojë për të marrë veten, qindra-mijëra fëmijëve shqiptarë iu pështyhet mu në sy, mjeti kryesor me anë të të cilit ata zbulojnë botën, dijet, të vërtetën. Pas spekulimit me fjalën «standard», fjalë që nuk është shqiptuar asnjëherë prej Kongresit të Drejtshkrimit, për gjuhën e sotme shqipe përdoren cilësimet: bunker, burg, prangosëse, trush, torturuese fëmijësh, shtypëse dialektesh, etj., etj.

Ju mund të pyesni, a ka ndonjë shkas për këtë, ose së paku, a ka ndonjë vjegë (pretekst)? Mendoj se përgjigja në këtë rast, duhet të jetë e prerë: përveç çështjeve të zakonshme që herë pas here u dalin gjuhëve evropiane, nga greqishtja e re te gjermanishtja, në gjuhën shqipe s’ka ndonjë gjë të veçantë që krijon alarm.

Zhurma e pandershme është bazuar në disa të pavërteta, ndër të cilat vendin e parë e mban mashtrimi se në komunizëm gegërishtja u ndalua. Komunizmi ka bërë aq mbrapështira saqë nuk ka nevojë t’i shtojmë një krim të paqenë. Përndryshe ka gjasë që kjo grykësi të shkojë në favor të tij, duke bërë të pabesueshme të tjerat. Gegërishtja pra nuk u ndalua.

Do të mjaftonte vetëm një shembull, ai i Migjenit, shkrimtarit më të botuar, më të popullarizuar dhe më të studiuar në të gjitha nivelet e shkollave shqiptare, për të hedhur poshtë mashtrimin mbi të cilin është bazuar zhurma kryesore «kundër standardit». (Pa përmendur Ndre Mjedën ose përkthimet monumentale të Dantes, Virgjilit, Homerit, tekste bazë për leximet universitare, shumica në gegërisht).

Zëri: Çfarë mund të jetë shkaku i zhurmës që bëhet?

Kadare: Shkaku i një marrëzie s’është gjë fort e lehtë për t’u gjetur.

Së pari, nuk ka marrëveshje për termat. Kjo vjen kryesisht ngaqë një pjesë e polemizuesve, ata më të zellshmit, janë shpesh amatorë. Një amator kur flet për gjuhën është një gjë e bezdisshme. Por kur një amator bën për tre muaj kurs jashtë shtetit, ta zëmë në Kalabri, shumë-shumë në Napoli, atëherë ai, nga i bezdisshëm kthehet në të padurueshëm.

Marrëveshja për termat është e domosdoshme për të shmangur zjarrminë e tepërt, për të mos thënë histerinë. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 ka qenë kongres i drejtshkrimit dhe jo i standardit.

Për prirjen e njësimit të shqipes së sotme, rolin vendimtar e ka luajtur alfabeti i vitit 1908 dhe jo Kongresi i Drejtshkrimit. Dy ndër hartuesit kryesorë të alfabetit të 1908-shit ishin Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi, të dy veriorë.

Alfabeti i shqipes dallohet si ndër më të qëndrueshmit në Evropë.

Përveç alfabetit, dihet se nga dy të folmet kryesore të Shqipërisë, ka qenë toskërishtja ajo që ka mundur të krijojë më shpejt atë që quhet koiné (koinos, gjuhë e përbashkët ndërdialektore).

Pavarësisht favorizimit emocional politik që, pa dyshim, ka pasur, ajo s’mund të vendosej në bazën e gjuhës letrare të njësuar, pa faktorët që u përmendën më lart.

Madje mund të thuhet se edhe në rast ngadhënjimi të antikomunizmit, vështirë se mungesa e përkrahjes politike do të pengonte toskërishten letrare të zinte, qoftë edhe me njëfarë vonese, të njëjtin vend.

Gjuha letrare përkon në një pjesë të madhe me standardin, por ruan atë që quhet liri e krijimit të autorit. Nëpërmjet saj krejt pasuria e dialekteve e ka rrugën e hapur drejt gjuhës letrare të njësuar.

Asnjë gjuhë në Evropë nuk ka një standard të përsosur. Ndërkaq, asnjë vend nuk lejon të ashtuquajturin «zhvillim të lirë të saj», siç bëhet thirrje në Shqipëri, sepse nga një kinse liri e tillë, gjuha, nën trysninë e rrugës, mund të shkatërrohet për disa vjet.

Mendja e kursantëve tremujorë, përpara se t’i hyjë çështjeve të gjuhës, duhet të mësohet me idenë se ligjet e gjuhës janë më të ndërlikuarat në botë dhe se duhen së paku njëzetë vjet për t’i përvetësuar. Për të sjellë vetëm një shembull, sipas këtyre ligjeve, në gjuhë, ajo që në pamje të jashtme mund të duket si pasuri, qëllon të jetë e kundërta.

Për të vazhduar me shembuj, një gjuhë me fjalor njëzetmijë fjalësh, ngjan dhe është vërtet e varfër, por kjo s’do të thotë se një gjuhë që mëton të ketë gjysmë milioni fjalë, është e pasur. Madje kjo e dyta, me mizërinë e fjalëve të saj tregon se po bën prapa, po kthehet në një paragjuhë, pra pushon së qeni pakt dhe si e tillë po ecën drejt shuarjes së saj.

E solla rastin e mësipërm si shembull të paradoksit e të trilleve, që janë të natyrshme për gjuhën, qoftë edhe kur bien në kundërshtim të plotë me ligjet e shoqërisë. Për një mendësi normale, vendosja e standardit gjuhësor prej shumicës së popullsisë, ngjan si e vetmja zgjidhje e logjikshme. Për habi, zakonisht ndodh e kundërta. Një zonë e ngushtë, një krahinë, qytet, madje një njeri i vetëm, si i famshmi rasti i Dante Aligerit, mund të jetë vendimtar.

Zëri: Ju thatë se standardi nuk është pa probleme. A janë të riparueshme mungesat?

Kadare: Natyrisht. Standardi, duke pasur në thelbin e tij mospërkryerjen, nënkupton dozën e detyrimit, të flijimit, pse jo, të trishtimit. Në këtë kah, ai mund të përcaktohet si një fitore jo e gëzueshme. E megjithatë ai s’mund të ekzistojë veçse si i tillë. Ngadhënjimi i fshehur i tij do të shpalosej vetëm në rast humbjeje të tij. Në Evropë nuk njihet asnjë rast që një standard, pas vendosjes, të jetë thyer. Është pikërisht rrënimi i standardit që po i propozohet sot Shqipërisë, pa kurrfarë përgjegjësie. Kjo është njësoj si të gërmosh një gropë të madhe, pa propozuar asgjë në vend të saj.

Për t’u kthyer te mungesat, ato janë të gjitha të riparueshme. Varfëria e fjalorëve të gjuhës, mungesa e fjalorëve me një minimum doze etimologjie, si gjithkund në Evropë, përparësia e parimit fonetik mbi atë morfologjik, që, për mendimin tim, duhej të ishte e kundërta. Për këto nuk ka ndonjë faj standardi, por mendja e ngushtë e të paditurve tanë. Ashtu siç ka ndodhur në rastin e ftohtësisë me zanafillë politike ndaj autorëve katolikë të veriut, e shtrirë pa kurrfarë logjike në sferën e gjuhës.

E vetmja çështje dramatike që do ta vinte në faj të pandreqshëm standardin, do të ishte ajo e thesarit gjuhësor. Me fjalë të tjera, e lejon apo e pengon ky standard futjen e krejt thesarit në shqipen e sotme?

Më lejoni që për këtë pyetje themelore t’ju përgjigjem me të vetmen tagër që mund të ketë një shkrimtar: atë të përdoruesit (makinistit) të gjuhës. Dhe përgjigja do të ishte e prerë: me gjithë përgjegjësinë publike që vetvetiu mbart standardi i shqipes së sotme, ai s’përbën asnjë pengesë që thesari i dialekteve, në radhë të parë ai i të folmes veriore, të jetë pjesë e plotë, harmonike e krejt gjuhës. Sipas studimeve të gjuhëtarëve të njohur, duke përfshirë në radhë të parë veriorët, në shqipen e sotme letrare, që është motra e standardit, kanë hyrë e janë duke hyrë harmonikisht jo qindra, por mijëra fjalë dhe lokucione veriore. Ju mund të pyesni: po paskajorja? Dhe unë pikërisht për një rast të tillë do t’ju kujtoja shprehjen «fitore jo e gëzueshme», që u përmend më lart.

E megjithatë, pa mohuar keqardhjen për flijimin e tij të detyrueshëm sipas ekspertëve, duke sjellë në kujtesë fillimin e më të famshmit monolog të letërsisë botërore «To be or not to be» të Hamletit, i cili në dy versionet e shqipes do të jepej ose me paskajoren gege «me qenë a mos me qenë», ose me pjesoren e standardit «të jesh a të mos jesh», nuk do të besoja se do të gjendeshim përpara një drame gjuhësore.

Sa për sofizmin e fundit të ndonjë filozofi se gjuha e njësuar e sotme mund të krijojë njëfarë torture për fëmijët shqiptarë, mendimi i njëzëshëm i specialistëve është se: ashtu si kalimi nga një gjuhë te tjetra, kalimi nga dialekti te gjuha letrare dhe nga kjo te standardi, jo vetëm nuk e dëmton inteligjencën e fëmijëve, por e ngre atë në një nivel më të lartë, çka do të ishte një dhuratë për gjithë jetën e tyre të mëvonshme.

Kam dëgjuar se fëmijët e Kosovës e përdorin me dëshirë dhe me shumë lehtësi shqipen e njësuar. Në qoftë se është kështu, ky do të ishte pa dyshim një lajm i mrekullueshëm dhe me një ngarkesë simbolike, madje profetike, jo vetëm për gjuhën, por për krejt kombin shqiptar.

Zëri: Për gjuhën shqipe ka mendime të ndryshme, nga lavdet më të mëdha deri tek e kundërta?

Kadare: Nuk ndodh vetëm me shqipen. Shqipja ka nxitur lavde të mëdha, shpesh mallëngjyese edhe për arsye se ka qenë një kohë e ndaluar. E kanë quajtur me fjalët më përkëdhelëse të botës, natyrisht naive, krejt të pavërteta e fëmijërore, si p.sh. nëna e të gjitha gjuhëve. Ndërkaq, kjo s’është ndonjë arsye që ne, për një farë drejtpeshimi, nga qumështi i nënës t’i kthehemi krahasimit me zinxhirë apo gijotina, siç u tha më lart.

Gjuha shqipe, në hartën e idiomave botërore ka një status shumë më të nderuar se ç’kujtojnë përgjithësisht shqiptarët. Në trungun gjenealogjik të gjuhëve, në çdo botim serioz ajo hyn ndër dhjetë ose dymbëdhjetë gjuhët themeltare të Evropës (brenda kufijve të saj), sikurse greqishtja e re, të dyja pa familje.

Zëri: Mos po fryn erë e përçarjes në mes dialekteve, tentimi për gjuhën kosovare, ndarja kombëtare?

Kadare: Natyrisht prirja për përçarje bëhet e dukshme, por kjo s’duhet as të na habisë e as të na ligështojë shpirtërisht. Duke qenë në natyrën njerëzore, ajo kalon te shoqëria, kombet, shtetet. Ka raste kur përçarja shfaqet me maskën e demokracisë, ashtu si tirania me maskën e unitetit.

Përçarja bëhet veçanërisht shqetësuese kur kërkohet me ngulm, siç ndodh shpesh te ne. Në fazë pasdiktatoriale etja për të është njëfarësoj e kuptueshme, siç u tha më lart. Në të vërtetë koha është për të kundërtën.

Kombi shqiptar ndodhet sot në një kohë ndërtimi. Kjo s’është një metaforë. Është thelbi i kësaj kohe. Duke përdorur fjalën «ndërtim» e kuptoj se ajo është problematike. «Ndërtimi i socializmit» është leksema më e shpërdoruar e kohës, me të cilën jemi ndarë përgjithmonë. Ndërkaq ne e dimë, dhe ju matanë kufirit e dini, se ajo që bënim ne ishte diçka që veç ndërtim s’mund të quhej. Mjaftonte zbërthimi i parullës kryesore të ditës: sa më shumë përparon socializmi aq më e fortë bëhet lufta e klasave, për të kuptuar se ajo që ndërtohej s’ishte gjë tjetër veçse përçarje, trysni dhe terror. S’po zgjatem me shpalljet e tjera të kohës, si armiqësinë për vdekje me Evropën, me Shqipërinë fener ndriçues dhe vallen në gojën e ujkut, gjer te ngrënia e barit si dëshmi besnikërie ndaj doktrinës.

Ne i kemi lënë pas marrëzitë, por një pjesë e tyre kërkojnë të rikthehen. Dhe midis tyre është, pa dyshim, përçarja.

Zëri: Meqenëse jemi në mbarim të bisedës sonë, a mund të na thoni diçka më tepër për këtë shqetësim, si edhe për kahen nga po shkon kombi shqiptar sot?

Kadare: Natyrisht. Shqipëria, ne dhe ju bashkë me ne, presim shenjën e mirë nga Evropa. Kjo nuk është një çështje luksi, si mund ta marrin disa, një çështje nderi a basti, a mllefi ndaj fqinjëve. Dhe as thjesht përmirësim shifrash e standardesh. Ky është një kapërcim, në kuptimin e madh të fjalës, shoqëruar nga një bindje e brendshme se nuk mjafton lamtumira me marrëzitë e llojit të fenerit, të ujkut a të barit, por një lamtumirë e thellë, një largim nga rrënjët e së keqes, të cilat janë përherë më këmbëngulëse se ç’duken.

Ne jemi përpara gjërave krejtësisht të reja, ndonëse mund të duken të njohura. Të gjërave madhështore, ndonëse madhështinë e kanë të përkorë, si gjithë madhështitë e vërteta. Vendosja e shtetit të së drejtës, e rendit të vërtetë republikan, e kanuneve evropiane, e shkëputjes nga tribalizmi, këtij mallkimi të lemerishëm, për të cilin flitet aq rrallë, gjer te ndalimi i korrupsionit dhe prerja e pyjeve, kjo gjëmë e vërtetë që është e dyfishtë ngaqë ende nuk quhet krim. Këto janë disa nga punët e atij «ndërtimi» që u fol më lart.

Për të ardhur te diçka e rrokshme, e ngutshme, le të kthejmë sytë nga një ngjarje që kemi përpara, e që në vend që të na sjellë festë dhe gëzim, ka gjasë të na zhytë më keq në përçarje dhe kaos. Është fjala për 70-vjetorin e çlirimit.

Ka një mendim të përgjithshëm që ngulmon se kombi shqiptar, gjithë prizmi i politikës, krahu që ka fituar zgjedhjet e fundit dhe krahu që i ka humbur ato, pra shteti dhe opozita bashkërisht, kanë një rast të rrallë për të themeluar, qoftë dhe simbolikisht, një frymë të re. Duket e pamundur, por s’është ashtu. Është përkujtimi i një lufte dhe i martirëve të saj. Lufta ka ndodhur vërtet. Të vrarët kanë ikur nga kjo botë vërtet. Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qenë modeste, pjesëmarrja ka qenë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia. Një tjetër kundërhistori, ajo që e lidh këtë lëvizje çliruese dhe këta dëshmorë me një rend sundues dyzetvjeçar, s’është veçse një përçudnim.

Hapi i parë i një fryme mirëkuptuese do të duhej të niste pikërisht me të vrarët në luftë, e pas tyre me krejt luftën. Të vrarët pushuan së jetuari, ata s’panë asgjë nga ç’erdhi më pas. Është detyrimi ynë historik, e sidomos detyrimi ynë njerëzor, për t’i lënë në paqen e tyre. Ata do ta humbisnin përgjithmonë atë paqe, po ta dinin se diktatura, sa herë kishte nevojë të përligjte krimet e saj, do të përdorte formulën e njohur «amaneti i dëshmorëve», thua se ishin të vrarët për liri ata që kërkonin terrorin, fushat e internimit dhe gjithë atë trishtim pafund.

Ashtu si të vrarët, do të duhej të shkëputej nga diktatura lëvizja për çlirim, në përgjithësi. Asnjë lidhje me tiraninë e ardhshme s’mund të kishin djemtë idealistë, e aq më pak vajzat partizane, një dukuri e paparë asnjëherë në historinë shqiptare, kur mijëra vajza me moshë fare të re, kryesisht nga qytetet, rendën nëpër male me shpresën se po i sillnin dritë vendit të tyre.

Me afrimin e përvjetorit të festës, për fat të keq, në vend të kësaj fryme mirëkuptuese, që njerëzimi e njeh qysh prej tremijë vjetësh, në vend të ndarjes së krimit nga kronika e lirisë, po ndodh e kundërta: përpjekja për ta bashkuar lirinë me krimin.

Ithtarët e dy skajimeve radikale, terrorit stalinist dhe atij fashistoid, që ndonëse hiqen të kundërt, janë gjithmonë të ngjashëm, shpresojnë të përfitojnë nga përçarja, në kohën që e humbura do të ishte prapë Shqipëria. Ky vend nuk ka më kohë për të humbur. Kombi shqiptar, për herë të parë në historinë e tij, po e lë pas vetminë. Ai duhet të jetë i gatshëm për të nisur një fazë të re të ekzistencës së tij: jetën në një familje kombesh.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora