Kulturë
Kristaq Turtulli: Një ndodhi në autostradë
E enjte, 12.06.2014, 06:44 PM
NJË NDODHI NË AUTOSTRADË
TREGIM NGA KRISTAQ TURTULLI
Prej njëzet vjetësh nuk ish parë një dimër i tillë. Ditë e natë ra borë e rëndë. Pastruesit e rrugëve dhe autostradave s’kishin kohë të merrnin frymë. Pastronin dëborën dhe hidhnin kripë. Atëherë kur shpresohej dhe lutej të ngrohej moti, të çelte sythi. Retë e zeza si djaj me brirë, zgjidhën ushkurët, shtrydhën të brendshmet dhe derdhën shi të ngrirë. Natyra u vesh në argjend marramendës, me rëndesë torturuese kristalore. Bukuri e egër, aq sa të mbahej fryma prej mahnitjes dhe frikës. Pemët varën kryet në tokë, si pleq të mykët, u thyen, u shkalafitën me krisma të thata. Toka lëngonte nën ngricë. Pastaj ra prapë dëborë.
Në mesin e muajit maj u bë ngrohje e menjëhershme e motit. Pemët e sakatuara dhe lulet nuk patën kohë ti gëzoheshin shpërthimit të sythave. Nxitimthi dolën gjethet e gjelbra si në një përrallë të lashtë Vikingu. Indianët e fisit të vjetër ‘Thika e verdhë’, që jetojnë larg në veri, thanë se po çmendën muajt dhe vitet...
Dielli shkëlqen sikur të verbon dhe toka fërgëllon si lehonë... Ngrohja e nxituar na imponoi dëshirën për të shkundur plogështinë, apatinë, dimrin e gjatë, të mërzitshëm. Arratisur. Ikur, përtej stresit, zhurmës dhe rrëmetit. Gruaja tha të shkonin në ujëvarën e Niagarës.
Makinën tonë që e drejton djali, nuk e ngadalëson shpejtësinë. Me të njëjtin ritëm, të harbuar me makinat e tjera. Kur afrohet mesdita, piku i fluksit të trafikut bëhet gjithnjë e më i madh. Një herë më shkrepi, të ulja pak xhamin e dritares. Mu shurdhuan veshët prej zhurmës, fishkëllimës së erës, fërshëllimës së fërkimit të rrotave, rezonancës se përplasjes dhe të kthimit pas.
Nxitim. Vetëm ikje, shpejtësi, gati në çmenduri. Norma më zakonshme e shekullit të njëzetenjë. Kaptojmë me mjete lëvizëse qindra kilometra në ditë, në hapësirën e pamat. Fushë, fushë dhe prapë fushë. Ankohemi trishtueshëm për ditën që është çuditërisht e shkurtër këtej nga Amerika e veriut.
Prej asfaltit të nxehtë, ngrihet avull i rëndë. Përpara, tutje, përtej lumit të makinave, ku nuk përfundon horizonti, është krijuar një masë e madhe kristalore. Përfytyroj mirazhe dhe eklipse të ndryshme. Ndoshta ka mbetur pezull ndonjë lëngim, psherëtimë, pezmatim i pamerituar i plakushit dimër, të larguar.
Lumi makinave ngarend pa ndërprerje, në njërën nga autostradat më të rëndësishme të Amerikës së veriut. Në autostradën me shumë krosi, 401. Shoferët e mjeteve i ngasin makinat të përqendruar, përpara, në horizont. Ku besohet se ngrihet pezull masa fosforeshente e pritjes dhe nuk dallohet koka e gjarprit të madh, metalik. Makinat përpijnë qindra kilometra. Ngutje e paparë, shpejtësi, edhe një minutë e ditës është e shtrenjtë. Ndërsa ne pasagjerët e tjerë, të lidhur me rripat mbrojtës, qëndrojmë në ndenjëse gjithë apati, në pritje, për të mbërritur sa më shpejt në vendin e dëshiruar.
Papritmas vargu i gjatë i makinave, u drodh, u shkund, nisi të ngadalësojë shpejtësinë. Mu duk sikur përbindëshi metalik pësoi një ngërç, paralizë, derisa ndaloi. Mjetet lëvizëse u ngucën gjithë padurim pranë njëra tjetrës për të përfituar qoftë e disa metra prej autostradës. Dridhja e urave, shfryrja e nëndheshme, tendosja marramendëse, harbimi i tërbuar, sforcimi, përqendrimi, sikur u shfry. Zhurma dhe fërshëllima e rrotave u platit. Oshtima bëri një qark të mbyllur pastaj qëndroi në vend. Zhurma e erës u fashit, u tërhoq, u fsheh në muret ndarëse. Vetëm dielli i nxehtë qëndroi në kupetë qiellit. Në autostradën e madhe ku qe përzierë, betoni, hekuri dhe brenda mjeteve, njeriu, u ndeh një qetësi acaruese.
-Çfarë ndodhi?!- më pyeti gruaja dhe mbështeti kryet në ndenjëse. Atë e kishte lodhur përgatitja për udhëtim.
-Nuk e di,- i thashë.
Djali s’ foli, vuri bërrylat në timon dhe vështroi përpara me indiferentizëm. Ula xhamin e makinës.
- Patjetër duhet të ketë ndodhur aksident,- dëgjova që foli dikush me frikë dhe nervozizëm nga krahu u majtë.
-Përse aksident!- psherëtiu një mesogrua e shëndoshë, me gjoks të madh nga Fiati ngjyrë kremi dhe shtrëngoi timonin. Psherëtiu përsëri dhe mbështeti kokën në supin e mikeshës që kishte pranë:- Sa të ngjethën kjo fjalë.
-Të ketë vërtet aksident?- më pyeti gruaja.
Ngrita supet. Edhe mua kjo fjalë më krijonte në gojë një shije të hidhur. Udhëtarët filluan të bëheshin nervozë prej frikës së pranishme, ndalesës së paparashikuar dhe ngjarjes së papritur. Vështruan orët.
-Nuk duhet parë ora, -u dëgjua një zë nervoz.
-Të bllokohesh në autostradë, sidomos në autostradën 401, është njësoj sikur të biesh në lak. Përpara, prapa, majtas djathtas, je i rrethuar prej makinave. Jo pak por njëzetekatër korsi. Presim me ankth shkëputjen, lëvizjen dhe mos shohim orën! - foli nga e majta, një grua e re, bionde prej makinës të gjelbër Honda.
Nga të katër anët ulën me ngutje xhamat e makinave. U hodhën vështrime të zbardhuara, të pashpresa, përtej, ku gjendej shkaku i ndalesës dhe bllokimit tërësor të autostradës. Gjarpri i madh metalik i makinave qëndronte shtrirë, i tulatur, pa lëvizur mbi asfaltin e nxehtë.
-Ndoshta është aksident i rëndë,- foli nga e majta, gruaja e re, bionde prej makinës të gjelbër Honda dhe me keqardhje vështroi sy picërruar, tutje. Pastaj ktheu kryet nga i shoqi që gjendej në krah: - Një qind herë thashë, të lutem, mos i biem autostradës. S’më dëgjove. Ja shihe ç’po ndodh. Pardje u bllokova tre orë në autostradë për shkak të një aksidenti. Në të djathtë, disa dhjetëra metra më tej, ishte kryqëzimi Shepart dhe Kill dhe unë nuk mund të hyja dot. Parandjenjat e mia nuk më gabojnë.
Shoqi, një burrë ezmer, e vështroi me përulje dhe nuk i ktheu përgjigje.
-Së paku të lenë një korsi, për lëvizje,- u grind një indian e dobët me çallmë në kokë nga Nisani i kuq.
-Ashtu posi, duhet një korsi,- ia bëri çifti aziatik me fytyra të rrumbullakëta dhe sy të vegjël prej Tojotës vishnjë. Sytë u lëviznin me shqetësim. Gruaja hapi duar dridhur termosin dhe piu ujë me ngut, pastaj e kaloi tek i shoqi.
-Sidoqoftë, nuk është normale të bëhet bllokimi autostradës. Ministria e transportit duhet ta ketë parasysh këtë gjë të rëndësishme. Xhungla dikur ishte e pakalueshme dhe përbënte rreziqe dhe çarqe për njerëzit. Tani është autostrada që përmban rreziqe dhe çarqe,- foli nga e djathta, prej Bens –Mencedezit, një plak me republikë dhe pipë në gojë.
-Njashtu, njashtu,- ia bëri indiani me çallmë prej Nisanit të kuq:-Xhungël e frikshme prej çeliku dhe betoni.
- Plaka ime bën mirë, gjithë rrugën fle, - shtoi plaku prej Bens-Merecedezit, pa i kushtuar rëndësi ndërhyrjes së indianit.
-E tani fle?!- bëri habi çifti aziatik prej Tojotës vishnjë.
-Fle si
shqerrë,- u përgjigj plaku me dashamirësi dhe thithi
Plaku qeshi dhe ngriti celularin:
- Hello...ha, dhe ti ke mbetur në çark si unë?!
-Edhe unë dua të fle,- më tha gruaja,- në mundsha.
Si ktheva përgjigje. Shkuarja e viteve po e bënte gjithnjë më të brishtë. Prej dritareve të makinave të tjera nisën të dilnin bërrylat dhe më pas kryet me flokë të shpupurishura të udhëtarëve. Pas pak doli shtëllungë, tymi i duhanit.
-E ky duhan duhej tani,- u ankua çifti aziatik prej Tojotës dhe ngriti xhamin e makinës me shpejtësi.
Në linjën e urgjencës në krah të autostradës kaluan me shpejtësi dy makina të policisë, me sirena të lëshuara. Njerëzit menduan përsëri për aksidentin e madh dhe dëmet e pa llogaritura që mund të qenë shkaktuar. A mund të ketë viktima? Çuditërisht nuk shihej gjëkund tym apo flakë. Ndoshta ngjarja e padëshiruar duhej të kishte përfunduar me dëme të vogla. Automatikisht u llogarit koha e mundshme e zgjatjes, eliminimi i shkakut dhe njëherësh u ankuan për projektuesit dhe inxhinierët e autostradave që duhet të kishin menduar me zemërgjerësi për një korsi të lirë në rast kolapsi të tillë. Udhëtarët lëviznin të shqetësuar në ndenjëse.
Nga e djathta, prej Bens –mencedezit, plaku me republikë të zezë shkuli pipën prej goje dhe tha:
-E morët vesh, e gjitha kjo, po ndodh për shkak të një dreri.
Vështrime habitore dhe nënqeshje sarkastike u hodhën mbi folësin, që krekosej në Bens-Mercedes, paçka se ishte i moshuar, si ti thoshin: U çmende o plak?!
-Dre në autostradë!?- klithi indiani i dobët me çallmë në kokë prej Nisanit të kuq.
-Ha! Ç’na the! Nga ra ky dre, nga qielli. Mund të jetë ndonjë rakun, a dreq me brirë, por kurrsesi dre. Ndoshta e ndonjë shaka bajate,- foli gruaja bionde prej makinës të gjelbër Honda, e cila uli xhamin e makinës deri në fund dhe zbërtheu kopsën e tretë të këmishës. Praj aty shpërtheu gjoksi i bardhë, i bëshëm
-Dreq o punë. Të pezullohet vargu i gjatë makinash për një copë dre,- foli një mesoburrë, flokë rënë, prej Pontiakut të bardhë dhe vështroi ngulët, pa turp, gjoksin e kërcyer të femrës bionde.
-Nga u ndodh ky dre. Këtu përreth nuk ka pyje, por rrugë, makina, autostrada dhe ngrihet me pallate gjigante qendra e qytetit, me pese milionë banorë, - foli me nervozizëm mesogruaja e shëndoshë, prej Fiatit ngjyrë kremi.
-Drerët mund ti gjesh nëpër pyjet e thella dhe jo këtu në qytet ku ka tym, pluhur dhe zhurmë marramendëse,- e përforcoi mendimin e gruas së shëndoshë, çifti aziatik prej Tojotës. Ata e kishin ulur përsëri dritaren e makinës, qenë kureshtarë të mësonin të rejat më të fundit.
Plaku hoqi kapelën republikë, nuk e ngriti xhamin e makinës por zgjati pothuajse gjysmën e trupit dhe ngulmoi. E shoqja nga brenda e mbajti plakun për mezi, me merakun rrëzimit.
-Përse habiteni? Ndalesa u bë për shkak të drerit,- bërtiti plaku.
-Domethënë dreri ka qëndruar në mes të rrugës dhe makinat janë trembur prej tij, kështu!?- foli mesoburri, flokë rënë, prej Pontiakut të bardhë, pa i ndarë sytë prej gjoksit të bardhë të gruas bionde.
-Hollësira të mëtejshme nuk di. Policia i ka bllokuar të dy anët e rrugës. Shfaqjen e befasishme të drerit, ma tha vëllai në telefon, makina e të cilit ndodhet më pranë vendit ku u shfaq dreri, -tha plaku me kapelë republikë dhe u tërhoq brenda në makinë...
- Sa mirë që ishte një dre,- mërmëriti gruaja e çliruar.
Ishte një mëngjes i freskët pranvere, plot diell dhe dritë kur papritmas në shtegun e ngushtë e të dendur, anës lumit të Donit, pashë një dre. Nuk mund tu besoja syve. Nuk kisha parë kurrë kaq afër një dre. Më ishte bërë si zakon të dilja mëngjeseve në luginën që përshkon lumi i Donit, cili gjarpëron ngadalë pa u ndjerë. Në kohën e reshjeve ky lumë me ujë të pakët kthehet në përbindësh i vogël, fryhet dhe përmbyt çfarë gjen përpara.
Lë makinën ndanë rrugës, mes grumbullit të shtëpive private, pres majtas dhe zbres një të tatëpjetë, monopat të ngushtë, të çon në një lëndinë të butë. Aty është ngritur një kënd pikpongu. Pastaj monopati dredhon përgjatë rrjedhjes së lumit të Donit.
Një prej
këtyre mëngjeseve, ecja i shkujdesur dhe shijoja freskinë mëngjesore. Është një
nevojë shpirtërore të largohesh prej zhurmës dhe rrëmetit. Të freskosh trurin.
Të turresh mes pemëve, që rriten natyrshëm të pa kultivuara, shushurimës së
butë të lumit dhe freskisë. Rrezet e diellit depërtonin në mijëra ngjyra
nëpërmjet gjetheve të pemëve dhe gjelbërimi të verbonte. Ishte një mëngjes që
të befasonte dhe të shtynte në ngasje të bukur. Përtej monopatit të ngushtë,
disa metra larg rrjedhjes së lumit atje ku hapej një lëndinë e vogël me pemë të
ulëta mu duk sikur midis pemëve dhe kaçubave dallova diçka që lëvizje me
ngadalë e gjithë hijeshi. Mbajta këmbët. Nuk po ju besoja syve. Qëndrova. Isha
vetëm, natyra dhe lumi që rridhte në krah. U përpoqa të shuaja më mirë. Ajo gjë
lëvizi më afër meje. Ishte një dre. Kafsha ecte gjithë fisnikëri, këpuste me
delikatesë ndonjë fije
Mezi
mbushesha me frymë prej emocionit. Nuk e di sa qëndruam ashtu, ballë për ballë
njeri tjetrit. Shikimi i drerit kishte një kthjelltësi befasuese. Pa kuptuar më
hipi një dëshirë e mirë por e marrë, ti prekja shenjën e bukur, të bardhë, në
formë zemre që kishte në ballë. Dreri sikur ta
Prej asaj dite nuk e pashë më drerin. Shkoja pothuajse çdo mëngjes në monopatin që dredhon pranë rrjedhjes së lumit të Donit. Nuk më pritej të zbardhte drita, të ikja dhe gruaja shpesh herë bëhej nervoze. Përgjoja çdo lëvizje që bëhej në luginë. Kthehesha vërtik kur një degë e thatë kërciste. Më dukej sikur ketrat luanin me padurimin tim, më mbinin në çdo hap, dhe gërryenin me shpejtësi lëvoret e thata.
Kur erdhi vjeshta e ranë gjethet, prapë nuk reshta së shkuari përgjatë rrjedhjes të lumit të Donit. Edhe flashkat e para të dëborës nuk më ndaluan të shkoja. Vetëm kur u shtrëngua dimri dhe shtigjet u bënë të pakalueshme, me shumë trishtim kaloja me makinë pranë shtegut të ngushtë ku zbrisja dhe hyja në monopat. Shikimi im i paduruar bridhte tutje, ku mund të gjendej dreri i madhërishëm, me korrë të artë dhe me shenjën e zemrës në ballë. Për fat të keq dreri nuk e plotësoi dëshirën time. E kishte përpirë lugina dhe rrjedhja e pandërprerë e lumit Don. Trishtueshëm mendova se ndoshta e kishin kapur, vrarë, ose ka ikur larg në veri me drerët e tjerë...
Tani, pikërisht në autostradën më të madhe të Amerikës së veriut, autostradën 401. Në pikun e ditës dhe të fluksit më të ngarkuar të makinave, dëgjova për shfaqjen e papritur të një dreri.
Gati si i humbur vështrova nga djemtë dhe gruaja, të cilët prisnin me padurim hapjen e rrugës dhe çastin e lëvizjes. Më gërryente kureshtja. Çfarë bëhej atje përtej, ku janë vendosur për së gjati makinat e policisë dhe është pezulluar lëvizja. Çfarë duhet të bëj për të mësuar në ishte ai dre që ndesha në luginën e ngushtë, në lumin Don, apo ndonjë dre tjetër. U ktheva në krah dhe lëviza buzët. Doja ti tregoja gruas dhe djemve për çka mendoja. Ajo ktheu kryet nga unë me vështrim pyetës. Në çast ndërrova mëndje. Uh, do ia bënte ajo, ama dhe ti, burrë me thinja, nuk përton e vret mendjen për një dre! Mirë është të përfundojë sa më parë kjo mesele me dre. Nuk e sheh po na piqet koka nën saçin e diellit.
Me të vërtet mu duk një naivitet dhe kureshtje çilimiu dhe për një çast më erdhi turp. Vështrova nga fqinjët. Ata vazhdonin të dërdëllisnin dhe të tymosnin duhan. Nga u gjend gjithë ky duhan, kur provinca me ligje dhe amendamente është përpjekur ta kufizojë në maksimum!
-Në autostradë nuk ka ligj për kufizimin e duhanit, -dëgjova të thoshte plaku prej Bens-Mercedezit.
Mos ndoshta fola zë të lartë? pyeta veten. Djemtë dhe gruaja, ishin kthyer dhe vështronin nga unë. Çfarë thashë, gati sa nuk u bërtita, më thoni, çfarë thashë? Por heshta. Ç’ është ky nervozizëm i pakuptuar që po ndodh me mua? Vështrova përsëri andej ku kishte ndodhur ndërprerja e rrjedhjes së mjeteve prej makinave të policisë, të vendosura për së gjati dhe përnjëherësh mu krijua përshtypja sikur trupi gjigant i një kafshë, ishte prerë përgjysmë.
-Je mirë?- dëgjova që më pyeti gjithë merak gruaja.
Nuk i ktheva përgjigje. Vështrimi i saj i ngulët, i përkujdesur, më acaroi. Për vetë faktin se nuk kisha di ti shpjegohesha. Nuk mund të merakoset dhe shpërqendrohet burri, që po u afrohet gjashtëdhjetave, për një dre. Hodha shikimin rreth e rrotull, thashethemnaja vazhdonte mes makinave, aq sa të zinte koka. Tok me mërzinë e hapur për ikjen e pa kuptuar të kohës, kur dhe një minutë është e shtrenjtë.
Ja që ka raste që tundohet, merakoset burri edhe për një dre. Vendosa dorën mbi dorezën e derës së makinës, u mbështeta, si për tu çlodhur dhe qetësuar mendimet e tymta. Mirë është të mos mendoja, kur nuk janë të nevojshme. Mu duk sikur doreza lëvizi dhe dera u hap. Trupi mua anua dhe gati sa nuk rashë. Pa marra vesh e shtyva derën me sup. Ajo u hap plotësisht.
Të ik apo të qëndroj? Djemtë dhe gruaja u kthye dhe më panë gjithë hapi. Çfarë kërkon të bësh?! Të vjen për të vjellë, duket pak i zverdhur? Hapësira e hapur e derës sikur më tundonte për të lëvizur. As vetë nuk e morra vesh si shkëputa dhe dola jashtë.
-A jenë vete? Ku shkon? Çfarë kërkon të bësh?!- dëgjova nga pas klithmën e trembur të gruas.
-Hej, a je në vete?!- dëgjova nga pas një zë të huaj.
U përpoqa të mos shihja pas e përreth, sepse do ndeshja shikime të habitura. Kalova mes makinave dhe dola në brezin e lirë të urgjencës në krah të autostradës. Nxitova hapat, vrapova. Era në fillim më shushurinte ndër veshë, pastaj nisi të gjëmonte. Nuk e morra vesh sa vrapova. Më në fund mbërrita pranë makinave të policisë të vendosura për së gjati, përpara hundëve të makinave. Një polic u kthye nga unë dhe më pa gjithë habi dhe inat, si të më thoshte, po ti nga dole?!
Atë çast, matanë brezit të betonit disa metra larg meje po vinte një grup policësh duke mbajtur diçka të rëndë ndër duar. Ata po afroheshin me ngut dhe unë dallova këmbët e holla, më pas trupin e kokën e kafshës. Bëra disa hapa më afër grupit mbajtës së drerit. E njoha, ishte dreri që ndesha në pyllin e vogël pranë lumit Don. E njoha nga kurora e artë dhe prej shenjës të bardhë, në formë zemre në ballë. Dreri hapi sytë, më nguli i habitur dhe i trishtuar sytë e mëdhenj, sikur kërkonte të më fliste. Mandej pashë që prej syve të tij rrodhën lot të mëdhenj. Dreri i mbylli sytë ngadalë gjithë dhembje dhe përdëllim. Grupi i policëve së bashku me drerin ndër duar ecën drejt një furgoni të bardhë.