E marte, 30.04.2024, 01:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Daut Gumeni - poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë…

E hene, 23.06.2008, 08:00 PM


Daut Gumeni
Zemra Shqiptare Ekskluzive

 

Nga Ylli Hoxhaj

     

U lind më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me  tradita  atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ” Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë  komuniste. Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me  skematizmin e  letersise së realizmit socialist. Nuk iu dha e drejta e studimit për letërsi, veç në kursin  një vjeçar për matematikë-fizikë (1963-64), në Institutin ”Aleksander Xhuvani”-Tiranë. Në  vitiet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur,  në vitin 1967, arrestohet për  agjitacion e propagandë kundër  Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysëm, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste.

    Në vitet  1991- 1993 do ta gjejmë mërgimtar në Itali. Kur kthehet, në vitin 1993, për të ndihmuar proceset demokratike të  kohës, boton gazetën ” Populli-Po”, duke qënë edhe  Drejtori i saj. Në vitet  1994-1995 drejton Shtëpinë Botuese ” Naim Frasheri ” Tiranë… Në vitet 1997-2000 kryen detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presisdencës së Republikës së Shqipërisë, por nuk qëndron gjatë dhe jep dorëheqjen vullnetarisht. Ngarkohet me detyrën e Ambasadorit të R. SH. në Slloveni në vitet 2000-2003. Në vitin 2004  emërohet Konsull i Përgjithshëm  i R. SH  në Janinë. E heqin nga kjo detyrë  pa ia komunikuar arësyen. Kthehet në Tiranë dhe që nga ky vit nuk iu ofrua ndonjë punë.

     Daut Gumeni nuk ka reshtur së shkruari poezi, prozë, shkrime publicistike, ese letrare e  sociologjike, shkrime historike e politike, kujtime të jetës  e të viteve të burgut, përkthime  nga  frengjishtja, italishtja e sidomos nga anglishtja. Edhe pse  pjesa më e madhe dhe më e  ndjeshme e krijimtarisë së tij lindi në qelitë e burgjeve, aty,  prapa hekurave të kryqëzuara  të të burgosurit politik, megjithatë, ajo shpreh e përfaqëson pjesën më cilësore, më njerëzore e më atdhetare    një krijimtarie  të vërtetë bashkëkohore. Ai ka tejkaluar meskinitetin e sharjeve e të mallkimeve, të klithmave për urrejtje e hakmarrje,dhe, duke  sjellë  një realitet të dhimbshëm dhe të kobshëm, të përjetuar vetë në ato vite, na tregon si duhej ta kishim përballuar e si duhet ta kapërcejmë tani  të keqen e madhe që i solli kombit Diktatura komuniste.

      Ai vjen si një individualitet i veçantë e i kompletuar.Përfaqësimi i një pjese të vogël të krijimtarisë së tij në faqen: ”Zemra shqiptare”, është këmbëngulja   e miqve të tij për ta bërë të njohur më tej këngëtarin e Lirisë.

     Tërë rinia dhe  po thuaj  edhe jeta e tij i kaloi burgjeve të komunizmit.

     Ai përfaqëson denjësisht ata  djem kryengritës e shpirtzjarrtë, ata martirë  sfiduan me dinjitet, largpamësi e inteligjencë Diktaturën komuniste, genocitin barbar të saj, duke e mposhtur atë me shpirtin liridashës, me sakrificat e paçmim e me besimin e patundur te Dielli i Lirisë. Në një nga krijimet e tij në burgjet e komunizmit, ai shkruan: / Po plakem djalë i ri,/ s’ gëzoj që loz me vdekjen mbyllasyzi / por s’ dua as t’i lidh sytë me shami…/ …….  Kënga e tij është  Liria:

                   ” më shumë se Liria

                    Skllav s’ më ka njeri !”

                                       

-Botimet:

           -      ”Legjendë Lirie” 1993-vëllim me poezi

           -      ”Kënga e Zezakut të Bardhë” 1994-vellim me poezi

           -       ”Vallja e Etjes” 1996 – vellim me poezi

           -       ”Udha e Endrrës” 1998 – vëllim me poezi

           -       ”Mulliri i harruar”, tregime,  2007

 

-Përkthimet:

    

     -    ”Epoka e Ekstremeve”    (“I Rrëmbyeri Shekulli i Njezete”)-

                        nga Erik HOBSBAUM

    -     ”Udha drejt Skllaverisë” – nga Fridrich HAYEK

 

   - ”Mendime mbi Revolucionin Francez”2007,nga Edmund BURKE

                          

 -   ”Mbrëmje në pyjet me bore” –2007, përmbledhje poetike –përkthime

           nga poezia botërore                                            

 -     ”Në kërkim të kuptimit të jetës”, V.FRANKL, 2007

 -     “Si veprohet në një projekt shkencor” J.BELL, 2008

 

 

Poezi:

 

( nga ’’Kënga e zezakut të bardhë“)

 

Sytë

 

Kur lejmë

I çapëlejmë t’ua derdhim  krejt habinë

T’i mbushim dritë.

Kur themi “njohim veten“

Na shkon një pupël nate nënë ta

Një larëzë hije në mesditë.

 

Kur plakemi

I picërrojmë keq

I mbushim rrudha:

Kërkojmë kot në horizont çfarë ëndërruam,

na dhemb shpirti për gjithë ato që pamë,

apo na lodhi udha?!.......

 

Tiranë,15.05.1993

 

 

Natën e mirë

 

Kapitem , kotem në mendime

Vetëm në terr bodrumi,

Ç’ më bëni roje mor kujtime,

si nuk ju zuri gjumi?!

 

Ku janë miqtë e mi të fëminisë?

Ku jeni mor vëllezër vogëlushë?

Ju sjell në sy në terrin e qelisë

Malluar jam t’ju puth, t’ju marr në gushë.

 

O miqtë e mi të çapit fëminor

Malluar jam t’ju shoh, t’ju puth në buzë

Pas rrjete ndjej agimin pranveror

Dhe vargjet i rreshtoj mbi aktakuzë.

  ......

Pa eja, faqekuqi i tetos sime,

Një dorë misër merrna për trumcakë

Me dhëmbë hiq një gjemb nga këmba ime,

Të bredhim tok Dërrasës zbatharakë.

 

I trendafilti Meto m’ erdhi brenda,

Me sytë dritëembël xhevahirë,

Më ndrit në terr, më ndrit të ngrohet kënga

Në gjoksin tim, Meto, natën e mirë!

……

O mikja ime e fëminisë,

ta dije ku kam rënë!

Kaushi im kazan me pisë

Më bluan si me dhëmbë….

 

Nuk e harroj dot dhembsurinë

Plot çiltltërsi që pate,

Ndaj dhe këtu ma ndrit qelinë

Ma mbush lulelofate....

......

Kapitem, kotem në mendime

Vetëm në terr bodrumi...

Ç’ më bëni roje mor kujtime

Si nuk ju zuri gjumi?!...

 

Burgu i Tiranës-1970

 

 

Kuku-kuau!....

 

Përse këndon përmbi qeli,

E di moj kukuvajkë, e di:

Kur mbulon natën errësira

Vret ëndërra nata, vret dëshira...

.....

O zogu i territ, ç’ më ndjell ti?

Nga ku kam rënë s’ ka më zi

S’ vjen më trumcaku në dritare,

ma trembe ti , ma humbe fare.

 

E ç’ më këndon përmbi qeli?

S’i trembem vdekjes, jam i ri.

Mos u lodh kot natë për natë,

Nuk është e imja kjo mandatë…

 

Kur ndjen agimin errësira,

Zgjon endrra nata, zgjon dëshira,

Ndaj ” kuku-kuuau-kuau” shkoi

E vrau drita e verboi….

            

Burgu i Tiranës,1970

 

 

Me lebërit këndoj

 

Shokë malli më ka marrë

M’u dogj shpirti përcëllimë

Për një labçe zvarrë-zvarrë

Valështruar logorimë,

qysh shkon gurra  zallit bardhë

me të ëmbëlën gurgullimë.....

 

Nuk vras veten me të qarë,

kënga ma  rinon fuqinë,

nuk kam ç’ të vajtoj më parë

kusuret jetën ma nxinë.

Nuk  kam lot më janë tharë,

dua këngën e rakinë!

 .............    * * *  

Kur këndojnë fshatarët e mi,

kanë një „kuluf“ më tepër në këngë

kanë zemrën time që turret për n’ atë iso

me gazin e dhenve për në gurrë,

e ndjen marrrësi sapo nis zënë

i lot në grykë si zog atij që ia kthen

e njeh me vrrul hedhësi i thekur,

si ferishte të vetën e lan isua në shkumë…

kur e ndezin me zemër “ kulufët” e mi,

një gjuhë flake më shumë e kanë zërin tim në zjarr të këngës

se i kam mbledhur  zërat e tyre për këngët e mia

       siç mblodha logrimat e mëmës!....

 

Burgu i Burelit, 6.9.1985

 

Shtërgu i fundit

        (Lazgush Poradecit)

 

Ah! Dora e plakur si s’t’u drodh

kur mori lirën magjiplote?

S’ e theve, dora si s’ t’u drodh?

Qysh ta duri zemra jote?

“ Me zjarr ju flas me zjarr“

Ç’ më pati balli yt krenar?

 

Bilbil i “ Këngës Pleqërishte”

Që hodhe valle tok me lule,

Violina e fjalës dhëmbshurishte

Mbi tela harkun qysh e ule ?

” Me zjarr , ju flas me zjarr”

Ç’ më pati balli yt krenar?

 

Ç’ ia the , ç’ia the krua më krua,

Kur i the popullit:  të dua!

Se dolla nga këngët e tua,

Të tërin prapë më ke mua!...

“ Me zjarr ju flas me zjarr”

Ç’ më pati zëri që t’u var?!

 

Në Mal të Thatë me verinë,

Ia morët  tok për  dashurinë,

Me mollët tok e çelje gjinë

Tok me zambak e trëndelinë…

”me zjarr ju flas me zjarr”

Ç’ më pati zëri që t’u varr?!

 

………..

Liqeni i thellë-kthejlltërsie

Të mbushte me gëzim fëmije,

I more pika kaltërsie,

Ia shkunde  perla poezie…

” me zjarr ju flas me zjarr”

Ç’ ma uli ballin mendimtar?

 

Ti lira  jonë mjeshtërore

Ti mall i zjarrtë dashuronjës

Ti shpirtfatosi , ti?

Ti kryelarti-majëbore,

Ti zemërdeti uturonjës,

Ti shtërgu i fundit, Ti!...

 

Burrel, tetor 1974

 

Një këngë

 

Në shkallët vite sot ngjita edhe një

(një hap më afër heshtjes së përjetshme)

përpara:

ndjej të ftohtën erë të mosqenies,

pas krahësh:

ditët frymëzena,

ditët me këmbët gjak

ditët syrrëmbushura

ditët e mërdhihura

të urëta

ditët zemërrënda…

Nga vitet si qirinj

M’u shua sot dhe një…

Gëzova?

Më erdhi keq?...

Ç’ të them për jetën kur nuk e kam parë?

 

Po plakem djalë i ri,

S’ gëzoj që loz me vdekjen mbyllasysi

Po s’ dua as t’i lidh sytë me shami!...

 

Kur njerëzimi qe fëmijë

thonë,

e para britmë e foshnjës pritej me vajtime…

Dhe këngë e valle ia linin për te varri,

( sa mundimzezë paska qenë jeta

Si mijëra vjet më pas dhe jeta ime!)

ndaj

Në m’u ndeztë dhe mbi varrin tim një këngë

Do më bëhen “ah”-et lule mali..

 

Burrel,11.3.1975

 

Në ëndërr

 

Më doli prap në ëndërr

Shtëpia përdhese mbi Dërrasë,

Me të dy ledhet-lehë

Si dy govata guri të mbushura me dhe,

(dheun gjithnjë të paktë).

Gjithë jetën e malluar për një lehë dheu të shëndoshë,

Gjithë jetën e malluar për djemtë,

E dhembsura gjer në flijim,

T’ erdha atje…

 

Avllinë e gjeta pllakandritur

Si të lëmuar nga pëllëmba jote,

Si të lëpirë nga gjuha e varfërisë.

Dhe më vjen turp që s’gjej në trastën time t’ udhës

As dy kut basmë, o mëmëzeza,

M’atë të zezën tënde të shamisë!

 

Të dridhen supet kur të përqafoj

(të shtenjtët sa të paktë)

Më dridhet zemra sa më zihet fryma

E më vjen rëndë që jam gjallë

E dot nuk të gëzoj!

 

Asnjëri, s’ flasim dot,

sikur të ishim të gurtë si Dërrasa.

Matem...mbytem...

trembem  mos të dhembin supet eshtakë,

Po nuk të pyes dot…

I gurtë zgjohem

Dhe jetë e endërr më bëhen njësh me atë pllakë.

 

Burrel, 15.3.1977

 

Lulekuqe-lulegjake

     (Një lulekuqe  që mbiu pa pyetur në zonën e ndaluar

      të oborrit të burgut e shkuli policia popullore…)

 

Lulekuqe-lulegjake

(që kur nuk të kam pare!)

Qysh mbive ti në atë lehë  me hije të lagësht të mbuluar?

Lulekuqet sikur përlqejnë më shumë gërmadhat

Dhe arat me grurë…

Qysh gjen lëng jete ti

në atë lehë për jetën të ndaluar?.....

Lulekuqe-lulegjake,

I kujt është ai gjak që të ndez faqet?

Po sytë e zinj të pikëlluar?

Motërzat e tua në grurë

E mbajnë kryet ulur si për nusërinë…

Ku e gjen forcën kërcelli yt i brishtë

Që nuk di të përkulet?

Kush ta jep , moj nusezë , krenarinë?

 

Në atë lehëzë të ndaluar

Kam këputur më të çelur

fletë e lule tërfili,

Kam këputur me gaz

Edhe një miturake blu si bebez vogëlushi,

Po ty vetëm të përshëndes

Me nderim e zemër të rënduar:

Dëgjoj një ligjërim të thellë nga ajo gojë e kuqe

Një ligjërim me gjak të shkruar…..

 

…..

Me atë mall që kam për fëmininë,

Dua të mbledh edhe lulekuqe

por…

këtë krenari të gjallë gjaku

që mbiu duke grisur hijen e murit,

që s’ pyeti vdekjen për të lulëzuar,

vetëm e përshëndes

dhe ligjërimi i saj pa fjalë

gjakut m’i jep vrrull për të kënduar!….

 

Sot në mëngjes nuk të përshëndeta dot

e gjakta lulekuqe!

(Ç’u bëre që të shkulën me rrënjë?!)

Qëndroj përpara vendit ku krenaroje ti

Si përpara një varri të hapur…

dhe ligjërojnë prapë syt e tu të zinj

fytyra jote e përflakur:

”…rrënjët që kam në zemëra

Nuk kanë fuqi të m’i shkulin rrënjëngrënët nga frika,

Ata që lehën e vdekjes

E kanë arë buke!”….

 

Burrel, 12. 08. 1981

 

Poezi  të tjera:

 

Të falem dashuri

 

     ” U bëra prapë djalë i ri , sill verë!”…

                           Khajami

Seç kam një vrrull në gjak

që më kthen në të ri,

Të falem dashuri!

 

Dhe plagët më pushojnë

hukatur dhembshuri,

Të falem dashuri!

 

Dhe sytë më kthjellohen;

s’e paskam aq të zi,

Të falem dashuri!

 

Më lahet dhe mëria

dhe ndihem më i ri,

Të falem dashuri!

 

Dhe mendja merr guxim

Si të mos kish kufi,

Të falem dashauri!

 

Nuk jam më i penduar

që s’ vdiqa më i ri,

Të falem dashauri!

 

Se vonë e mora vesh,

që në thelb je liri,

të falem dashauri!

 

 

Guri i Naimit

 

Në shpat të Kokojkës

Guri i Naimit

me vështrim prej njeriu...

Endrrat e poetit djalosh

përkunden tani me shpirtin e tij

në rreketë e kulluara me ujë lajthie,

ëndrrat e poetit të ri

rrahin krahët nëpër gjethe

me një zog të vogël mali

për të gjetur një fyell bariu…

 

Në shpat të Kokojkës

Guri i Naimit të vështron i çuditur

në mes të dy bunkerëve(!)…

Guri i Naimit

                    gjithnjë aty

të vështron dhe mospërfillës

si një shqiptar kryengritës

      midis dy jeniçerëve.

 

Frashër, maj 1998

 

***   *** ***

Muzgu e rrit rrëmbimin e Vjosës

Sikur s’i rrihet valës në tokën e mëmës(!)

Rrëshqasin me llapëtima peshqit e vegjël

tek lozin në valë

me grepin e hënës...

Ç’i gënjen rrëmbimi peshqit e vegjël

Në këtë  muzg vjeshte

Si  vala e jetës ëndrrat rinore

                              të zemrës!

 

Me kë qesh më shumë vala e ftohtë e lumit

këtë muzg,

me peshqit e vegjël

apo me grepin e hënës?...

 

nëntor , 1996

  

Këmbim vitesh

 

Ç’na kap kështu

në këmbim të viteve?

Gëzojmë që kemi shpëtuar

apo përpiqemi të djegim natën

me fishekzjarre?

 

Ç’na kap kështu

në këmbim të viteve

sa harrojmë të shpiem

dhe nga një lule në varre?...

 

nata e Vtit të Ri 2007, Tiranë

 

Gusmar

 

Gusmari -

malli për ata që më rritën

me dritën e luleshqerrave

kur pranvera më gjitet në male

me këngën e qyqes.

 

Gusmari –

malli për ata

që më mbrojtën me jetën e tyre

edhe nga zjarri i luftës

edhe nga shtrembërimi i kockës.

 

Gusmari –

malli im për bukurinë e përjetshme

të shpirtit njerëzor,

malli që më lan dhembjet e zemrës

me dhembshurinë e nënës,

malli që më heq barrën e viteve

me magjinë e ëndrrës…

 

Fshehur pas mollokëve

Gusmari –

ca shtëpi të vogla

të ringritura me gurë të djegur

rrethuar me  ato arëza të harruara

dhe me udhët e shuara

për në stanet e shkreta…

 

Gusmari im –

djep i gurtë

mbështetur pas kodërzave të shtufta

nën malet me ballin në borë.

 

Gusmari im –

Shqipëria e vogël

me male të rënda

                si brengat,

me plagë të thella

               si honet…

 

 

me dije të pakët

si ujët në ara

me ëndrra të bukura

si yjet,

me shpresa të prera

si pyjet…

 

me cene të fshehura

si shpellat e sterrat,

me meshkuj pa kockë

si shtogjet,

me burra të rrallë

si togjet,

me varre të humbura

si librat…

 

me vajza të plakura pa ditë

nga nënshtrimi,

me nëna të mëdha

të lodhura logorime…

 

me fëmijë të përpishur nëpër botë

duke rendur pas ëndrrave

të trembura,

me dashuri të përqeshura

nga sy të palarë,

me këngë të rënduara

me të vrarë…

 

Gusmari im i humbur mes maleve,

kur të shoh tek të shuan ashtu

shkretëtira e gurtë,

dhembja më bën një kalama të trembur

malli më bën një plak të marrë.

 

Djepi im i gurtë

i humbur atje mes maleve të thata,

i mbajta me vete udhëve të botës

vragat që më lanë dikur gurët e tu

në këmbët e zbathura,

i mbajta me vete vragat që më lanë në zemër

vajet  ngjethëse të mëmës

për t’i kthyer në këngë

dhe m’u bënë dritë në netët e gjata

dhe më ndihmuan të qëndroj më këmbë.

 

ALI PASHE JANINA

 

                   Një vezir në Tepelenë

                       Gjarpëri që drodhi dhenë”

                                   -populloure-

 Dy varre Ali-tufani

dy varre Ali Veliu,

në njërin prehet luani

në tjetrin prehet njeriu.

 

Një jetë Ali Tepelena

një tjetër Ali Janina,

një endet nëpër legjenda

një digjet në vetëtima.

 

Me dy varre Ali-gjëma

dy varre Ali-stuhia,

në njërin s’i ndahet nëma

në tjetrin fle historia.

 

Një jetë këngët e gjalla

tjetra ndizet në beteja,

njëra humbet në përralla

tjetra në kohët e reja.

 

Me dy varre mërgimtari

s’prehet dot në Tepelenë,

dy varre Ali-shqiptari

“gjarpëri që drodhi dhenë”!...

 

Kokën ta priti Stambolli

se me të pritej tërmeti,

në një varr fle Ali-gjoli

në një gjëmon Ali-deti.

 

 

Dy puse me yje

 

Gëzimin e fluturimit

e kërkova një jetë –

e gjeta vetëm n’ ëndërr.

 

U përpoqa një jetë

të shpëtoj nga pafuqia

për të mbledhur lajthitë

e pjekura në lirinë e greminës –

dëgjova përqeshjen e erës së ftohtë

                                  të humnerës.

 

Renda një jetë

pas dritës së bukur

që ka e qeshura e vogëlushit

kur i jep në duar lepurushin e egër

të kapur në arën me thekër –

ma mbulonte përherë si re

shamia e zezë e nënës.

 

Kur udha më humbte

në mugun e të panjohurës

           si në pyje,

kur mbetesha më këmbë

sa për të mbledhur veten

e sa për të shplodhur vështrimin,

ma dogjën natën m’udhë

dy gurgullima të ëmbëla drite,

sytë e bukur që kam kërkuar një jetë –

               dy puse me yje!...

 

Mbremje pranverore

 

Me mbrëmjen tok

era e luleve të para

mezi ngjitet e drojtur

gjer në Ligadhe.

 

Janina sonte sikur po qesh me dhembje

tek merr e jep me dritën

si një çupërlinë,

tek merr e jep me natën

si një zonjë e madhe…

 

Ja dhe Ishulli i vogël i Pashait

si përpiqet të mbulohet me natë

e të duket

herë një anije e mbytur qëkuri

herë një molusk i rrallë…

 

Këtë mbrëmje pranvere

Janina në krah të Dodonës

përndizet  buzë liqenit -

herë një fjongo drite

herë një prush në valle…

 

Janinë, Prill 2004

                       

Nganjëherë…

 

Nganjëherë

më ikin fjalët

dhe mbetem si lisi në dimër,

më rreh thëllimi

si lisin pa fletë.

 

Nganjëherë

më humbasin fjalët

si gjethet e lisit në dimër,

nxihem tok me degët

nga era e borës.

 

Nganjëherë

më harrohen fjalët,

më harrojnë dhe dhembjet e mia,

nuk e marr vesh dot

si më gjen pa fjalë

dhembja e botës…

 

Nganjëherë

përse më ikin fjalët

nuk e di as vetë.

 

Rënojat e Dodonës

 

Rrënojat e Dodonës

mbuluar me një heshtje hyjnore

në prehër të maleve.

 

Në rrënojat e Dodonës

paska mbetur gjallë

vetëm dhembja njerëzore

që lëshojnë gurët e varreve.

 

Heshtin si gurët

lisat e shenjtë

që flisnin dikur.

 

Gjuha e gjetheve

që parathoshte Fatin

ka humbur në qiell

me fluturimin e pëllumbave të vrarë…

 

Nga skena e shkretë e teatrit antik

avullon me vesën e natës

jehona e një vargu

kënduar dikur nga Kori i lashtë:

“njerëzimi është gatuar pak i mençur

 e shumë i marrë”…

 

Rrënojat e Dodonës

si madhështia njerëzore-

një grumbull gurësh të djegur

përhumbur në amfiteatrin e madh

                         të maleve.

Rrënojave të Dodonës mijëravjeçare

u paska mbetur hyjnore

vetëm dhembja njerëzore

                     e varreve.

 

Janinë, Mars 2004

 

 

 

Pëshpërisin rrepet e Janinës…

 

Ku është rrapi i Bilbilejve,

mos e kanë prerë  rrapin e trimave?

Nëpër degët e zhveshura

vërshëllen era e dimrit:

“Ulëret panja në Nenë”…

 

- Në cilin prej jush

i kanë varur të parët e mi?

Nëpër degët e rreshkura

mërmërit era e dimrit:

“Taren me Xhafer Gumenë”…

- Ç’është ajo degë rrapi

 gjysmë e tharë,

e prerë si dorë e gjymtuar?

Ngjethet i gjithë rrapi  e murrëtohet,

kërcasin degët nga era e dimrit:

“Leskodukajt në Bolenë”…

 

- Pse s’më thoni cili është rrapi i Bilbilejve,

mos e kane shkulur me rrënjë

                                 rrapin e gjëmave?

Me erën e dimrit

pëshpërisin rrepet e Janinës,

si dikur lisat e shenjtë të Dodonës:

“Vanë,vanë Bilbilejtë…

“Vanë e në këngë u kthenë”…

 

Janinë, janar 2004

 

Mirëdita!

 

Mirëdita,

të mirët e mi!

Këtë ditë plot diell të ëmbël

ia paska dhënë Janarit

         Prilli juaj

kur ngjitet pranvera në male!

Mirëdita,

të shtrenjtët e mi!

Vij gjithnjë tek ju

   i ngarkuar me mall

dhe marr gjithnjë me vete

   si bukë për udhë,

një vetull nga dielli i paqtë

                i të Mirës

që tok me jetën

                 me falët.

Ditën e mirë,

të mirët e mi!

 

Gusmar- 09.01.20

 

Këta qiparisë të vetmuar

 

Këta qiparisë të vetmuar -

pena të gjelbërta

që shkruajnë në qiell

një lutje për paqe,

një lutje të heshtur

për të falur mëkatet tona

                           njerëzore.

 

 

Këta qiparisë të vetmuar

të ngritur lart mbi kodër -

penela  të mbushur në të gjelbërt

që pikturojnë në qiellin kaltër

shpresën e përjetshme

për të jetësuar ëndrrat tonë të fshehta

që buisin në heshtje

me mbrëmjen verore.

 

Këta qiparisë të vetmuar

hidhen në qiell

të shkruajnë poezinë

që zien në rrënjët e tyre

në thellat e dheut.

 

Këta qeiparisë të vetmuar

zgjaten për në qiellin e mbrëmjes

për të krijuar pikturat

që fërrmojnë në rrënjët e tyre

në thellat e dheut.

 

Këta qiparisë të vetmuar…

 

 

U mbyt hëna!

 

Hëna sonte

ngutet të nbytet në det,

nuk i sheh dot të verbuar nga tymi

sytë e bukur të qiellit!

 

Hëna sonte

ngutet të bëjë dritë

për mërgimtarët tanë

të mbytur në det

udhës për prapa diellit!...

 

Hëna sonte

ngutet të mbytet në det,

mbi këtë shkëmb të kripur

lutem kot që ajo mbytje të ndalet!

 

Hëna sonte

turret të mbytet në det,

nuk i sheh dot njerëzit

të djegin malet!...

 

Hëna sonte

nuk qenka ai trupi i ftohtë qiellor

që merr dritën hua.

 

U mbyt hëna!

Hëna sonte paska marrë flakë,

se nuk e sheh dot më

këtë vend të bukur

të vuajë për ujë e për dritë,

të vuajë për punë e për udhë të paqta!

…………………………………………………

Hëna sonte

vërvitet në det

për t’u mbytur

jo për t’u larë!

 

U mbyt hëna !

Një lëmsh  prushi

i këputur nga Malet e Vetëtimave!

Kjo hënë e pabërë

qenka një zemër e zjarrtë

që rrokulliset të mbytet

                          në det

se nuk e sheh dot më

këtë vend të bukur

një fshat me të marrë!...

 

Himarë, gusht 2007

 

Mërmërimë malli

 

(Më ka marrë malli shumë)

            Popullore

 

E për ç’ nuk të mori malli

zemëro,

zemër mos rënko

si mali duro!

Rrih e qesh me dritë loti

fatin e bën vetë i zoti...

 

Për qiell,për erë mali

Zemëro,

Zemër mos rënko

Si mali duro!

Rrih e qesh me dritë loti

Fatin e bën vetë i zoti…

 

Të lahesh në këngë bari

Ku burojnë yjet nga zalli

Yjet mbi majat ku rrinë

Shpirtit të t’i lajnë synë

Zemëro,

Zemër mos rënko

si mali duro!

Rri e qesh me dritë loti

Fatin e bën vetë i zoti…

       

Burgu i Burrelit,4.6.1986

 

Mëngjes vjeshte  në Gramoz

 

Malet e Gramozit

me brymën e mëngjesit

hidhen në diell

si palë fustanelle.

Ca re të bardha puplore

ikinqetë tutje për në jug-

kullosin nëpër qiell

jehona blegërimash

të tufave me dele...

 

Nëntor ,1996

 

 

Stinët e yllit

 

Kujt nuk i përflak

ëndrrat më të bukura të rinisë

ylli që qesh me lotë drite

në qiellin magjik

të natës së verës mbi male?

 

Kush nuk e hap gjinë

për yjet që pikojnë si fruta

nga qielli i tropikut

në netët e gjalla

kur zjarri i jetës

nuk trembet nga koha?

 

Në një natë vjeshte

me qiell të trazuar

kujt nuk i lot zemra

për yllin e vogël

që duket e zhduket nëpër re

si një sorkadh i trembur nga gjahtarët?

 

Në një mëngjes të ngrirë dimri

kujt nuk i ngjall dhembshuri

një yll i largët

i përgjumur

i varur në qiellin e zbërdhylët

si një lilë qelqi?

 

Kush nuk është i dëshiruar

për atë dritë të paqtë

në të gjitha stinët e yllit?…

 

Mars,2004



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora