Kulturë
Kostaq Duka: Gjithçka e fala në Ditën e Nënës
E diele, 11.05.2014, 05:57 PM
Kostaq Duka
Gjithçka e fala pa teprim në Ditën e Nënës
E mbajta hapur ashensorin
në pritje
të një plake të imët, me hap të dridhur.
Një shekullore
si pemë degevarur,
e ndihmova
derën e apartamentit të vet të hapte
(hapësira e ngushtë e vrimës së bravës ah sa po e mundonte!)
Nje tjetre i ngrita çantën që i’u rrezua për toke,
buzëqeshje dashurie e përqafime fala si asnjëherë.
Gjithçka e gjithçka e fala pa teprim në Ditën e Nënës
duke mundur sa do pak mallin për të voglën e të mirën time
që veç zërin ja dëgjova tek i përcillja së largu të ngrohtin urim
Histori e përsëritur
Për sa kohë të mënçurit
do shikojnë punët e tyre
dhe të marrët do pushtojnë hapësira e foltore lideri
marrëzia do pjellë marrëzi.
Pas kësaj
të mënçurit
me dhunë, para e lajka
do detyrohen
frymëzuesve të marrëzisë t’u thurrin lavdi.
Fati
Fati
në krahë mund të të rrëmbejë
e në hapësira
e rrugëtime të tjera të padëshiruara
të të flakë si një hiç pa vlerë.
Fatin
mund ta përballosh edhe si gladiator
me të vetmen shpresë
mbi vdekjen- liri.
Jeta i ka të dyja.
I lumtur je
kur në krahë të fatit
rigjeneron energji per ëndrra të reja.
Fjala
Brenda fjalës
edhe butësia edhe përkëdhelja
Edhe helmi i urrejtjes,
shpresa për jetën,
dhe përqeshja e nxirosur e vdekjes.
Fjala
ndërton e prish botë
Ka edhe madhështinë
edhe ultësinë e qënies njerëzore.
A do të vijë një ditë
kur fjala të jetë pjellë vetëm e mirësisë?!
Thyerje
U thye dita.
Dielli u hirësua në perëndim.
Ajo
Nga padurimi i pritjes
u largua si hije ngadalë, menduar
pa marrë prej meje dashurinë e premtuar.
Maj, 2014