Kulturë
Cikël poetik nga Ndue Dedaj
E enjte, 08.05.2014, 07:25 PM
NDUE
DEDAJ
ZBARDHI DRITA
Zbardhi drita mbi kreshta të nalta…
Dielli u vu për rrugë andej nga s’ka trafik,
Nga s’ngrihet pluhur, s’ndotin mizat, s’pikon zift;
Sosi në muzg si kau i përjargur
Me qafën e vrarë nga kulari.
Kanë kërcyer vashat deri vonë,
Thonë jeta kështu e ka,
Në prehrin e tyre nata një njollë galà!…
Dita u rrëzua teposhtes mbi dallgë,
Përkulur mbi ferishten e sapolindur:
“Ti m’u rritsh si Mis Politika!”
“Ti m’u bafsh si Mis Universi!”
Kanë kërcyer vashat deri vonë,
Thonë jeta kështu e ka.
Ah moj vasha të bardha,
Nganjëhërë natëdita asht e trueme
Si në balada…
U PAMË NË PRANVERË
U pamë sërish në pranverë
Si dy ylbere që nuk kanë fjalë,
Veç ngjyra mes tyre për të ndarë.
Ti ishe po ajo borima në bokë,
Metafora e përhime e mesditës,
Me pak bulëza thinjash nëpër flokë.
Më ftove në barin e qeqtë të qytetit
Sa për një kafe expres matanë
Po prapë gjindja shrregullane
Këndellej, fjalosej përreth nesh,
Mbërthyer në një gjeometri gri!
Do kisha dashur një puthje atë çast,
Një puthje nga ti në atë pluhur,
Po sozia ime tej xhamit qeshte me mua
Më bënte shenj: Ruhu o i marrë!
Mbete gjithë jetën njeriu i gabuar…
EPOKË
Qielli ynë i përtokët, i përlashtur
nuk trandet,
nuk epet
nuk i bëhet magji.
Një qiell që vokërrohet përditë
mbi kurorat e pemëve,
ciatjen e zogjve,
mugullimin e barit
dhe kujtesën tonë
nga viti Një.
LUNDRIM
Mesdheu është deti i pafundëm
Ku nuk kam qenë asnjëherë.
Ka lundruar vetëm dielli im dhe hëna e saj.
Sakaq në anije kemi ndërruar yjet…
Unë jam bërë me hënë, ajo është bërë me diell!
Ka buisur pastaj një ndërstinë e lagësht
Kur yjet janë shkrirë në një
Dhe nuk ka patur më qiell.
DETI
Erdhëm të merrnim ngjyrën e tij,
Ngjyrëdeti,
Po deti mori ngjyrën tonë,
Ngjyrënjeriu.
Velipojë, gusht 2010
NOSTALGJIA
Shpirti i harruar diku te një degë a fletë,
Te një dashuri e brishtë që nuk pati qenë thënë,
Te një krua që ende drithëron
Dhe si një zog malli pingron…
Nostalgjia është vetë njeriu në ikjen e tij!
ZOGJTË E DANUBIT
Toka rrotullohet rreth Diellit
Europa rrotullohet rreth Danubit,
Danubi rreth zogjve të tij
Dhe zogjtë rreth lumit…
Pelikanë të bardhë, lejlekë të zinj.
Zogjtë e Danubit, zogj blu.
UNAZA E FLORINJTË
Gjyshja kishte parë andërr unazën e florinjtë…
Kjo do të thoshte se i nipi do të bahej me djalë.
Ajo grua nantëdhjetë vjeçe e besonte andrrën e vet,
Se nuk ishte ma andërr!…
ANTI-LIRIKË
Bie shpesh në dashuri me njerinë,
Sa herë shpirti im epet para tij!
Pastaj vjen ajo koha tjetër,
e
S
h
r
r
e
g
u
l
l
t
a
Si një orë pa akrepa…
Dhjetor 2011
AMANETI
(Jup Kastratit)
Një amanet shtegton drejt meje…
Nuk di cili është kumti, porosia e madhe!
Taraboshi orakulli ynë i viteve tetëdhjetë.
Një amanet i nisur për së gjalli
Shtegton dhe për së vdekuri!
E kurrë nuk mbërrin…
ATY KU NUK JAM…
Në Han të Hotit,
Në Han të Elezit
Njerëz me uniforma që nuk flasin gjuhën time
Ngrenë dhe ulin traun e doganës,
Më thonë i huaj je te ky dhé (!)
Aty ku lisat flasin shqip
Zogjtë këndojnë shqip
Shqip shkruan hëna e Vorea Ujkës,
Shqip flenë nën rrënjë përgamenat e vjetra.
Aty jam unë i belbët,
Me të gjitha kredencialet europiane,
Pa…pasaportën e trojeve!
Korrik, 2013
SHTËPIA E KUJTIMEVE
Shtëpia ime e vjetër nën lisa,
Përkundruell detit, përskaj bjeshkës
Përkundet pranverash, vjeshtash
Herë si djep lulesh, herë si djep shirash.
Shtëpia ime e vjetër kreshtë erërash,
Stacion metereologjik mjegullash, brezash…
Ngulur në heshtjen e vet të thinjur
Si një anije që nuk ka më një liman.
Ua kam falur kujtimeve.
HIMARA TEK UNË
Në Himarë kam qenë ende pa shkelur
Mbi gurët e lëmuar të atij dheu të qeshur,
Ende pa kalëruar ranoreve i dashuruar me verën.
E njihja atë breg, atë ajër, atë yllësi vetëtimash
Jo nga shushurima e valëve, librat e gjeografisë,
E dija përmendsh nga im atë, ushtar i Jonit
Me një mijë e nëntëqind e dyzet e nëntë.
Kishte mësuar atje alfabetin e detit
Polifoninë: sa i lashtë është Atdheu
Sa i kaltër, sa i thellë, sa ungjillor,
Kishte shkruar ullishteve në hartën e detit
Fjalën “Mirditë”, emrin e tij verior
Për ta zbuluar pas tridhjetë vitesh unë i biri,
Mes brezaresh diellverdha në Lukovë…
Kërkoj mes zajeve hirin e Petro Markos,
Po ai tretur është në Shpellën e Piratëve!
Kërkoj një kujtim të pashkruar etërish
Ta gdhend në gurëvalë, valëgurë!
N’mos mundsha sipas dokes së vendit ta bëj,
Gjallë është Lefter Çipa në Pilur
Gjallë është Pisha Flamur…
Ati im, që prej motesh nuk rron më,
Faleminderit për këto gurë e re!
KULLA E HAXHI ZEKËS
Shkova e bujta në kullën e Haxhi Zekës,
Sa të shkruaja emrin në Lidhjen e Pejës,
Isha bashkë me tim gjysh, bashkë me tim atë.
Haxhi Zeka në odë priste e përcillte kohën,
Koha e tij e barutit vraga-vraga…
Koha e korbave krrau-krrau…
Kurrë njëherë koha nuk erdhi ashtu si ai e deshi
Me re bukurushe mbi kreshtat pingule.
Kulla e tij ishte plakur!
Ishte plakur im gjysh te porta e saj,
Im atë duke e muruar atë mur,
Po plakesha dhe unë duke e mbajtur
Në pëllëmbë si ikonë kullën-flamur.
LIQENI I LULEVE
Unë lulet për ty do t’i mbledh vetëm atje,
Në të hirshmin Liqen të Luleve.
Lurën të gjithën si një zambak do ta këpus
E do ta dhuroj në pranverë…
Lura është Dielli im atje lart,
Magjia që më kanë bërë krojet e këtij dheu,
Vjeshtat e atij Gurit të Kuq.
Oh, në të vërtetë magjia ime je ti
Që s’më le të dal në rrugë,
Se më mbyt ndriçima jote
Prej vese dimrash e pjalmi lulesh.
Ti që ndoshta atje kurrë s’ke qenë
E ato lule kurrë s’i ke parë.
Po ti sytë e mi i njeh
Sytë e mi prej foshnje,
Sytë e mi të marrë.
Pa i parë ti, kanë qarë!
Se ishin lulet e Liqenit të Luleve
Se ishe ti, aq larg legjendës,
Aq këndej vetes…
Shtator 2009
(publikuar në Gazetën NACIONAL, Tiranë, prill 2014)