Nxënësi im i mirë Dhimitër
Pojanaku
Nga Meri Lalaj
Le të
duartrokasim dhe të brohorasim pasi drejtësia në Shqipëri u vu në vend.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh me shumë ngut për të dënuar veprimin e
gjyqtarit Dhimitër Pojanaku. Larg Tiranës, në Pogradec, gjyqtar province ku ka
më lehtë për ta dënuar. Dhe njerëzit qeshën nën buzë duke pëshpëritur: “E kapën
gurneckën se peshqit e mëdhenj e çajnë rrjetën!” Kështu pra, siç ka shkruar
Majakovski: “U mblodhën në Golgotha të gjithë shenjtorët duke ulëritur “Kryqëzojeni,
kryqëzojeni Bardin!” Ditë e përditë dëgjojmë për korrupsion të gjyqtarëve, të
cilëve nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Duhej të përgatitej një skenar i posaçëm
me një grua rome (sinqerisht nuk kam asgjë kundër
romëve, kam pasur nxënës të mirë nga kjo shtresë e shoqërisë dhe admiroj vajzat
e djemtë që vazhdojnë arsimin e lartë, por gruaja rome, që u përdor për Dhimitrin është
thjesht një analfabete e paguar.) Vaj medet, për drejtësinë tonë! Komedia
vazhdoi duke u rënë daulleve me bujë, nuk mbeti gazetë dhe nuk mbeti kanal
televiziv tek ne pa përmendur Dhimitër Pojanakun. Ata, gjyqtarët e korruptuar,
ata të vërtetit, që jetojnë duke zhvatur nga klientët miliona euro, shtëpi në
det apo në mal, truall e të tjera, fërkuan duart të kënaqur:”O ç’mirë ia bënë!”
Unë nuk kuptoj nga ligjet juridike, por mendoj se nuk mund të flasim pa u bërë
gjyqi dhe pa u vërtetuar faji. Pojanaku është Qytetar Nderi i Pogradecit dhe
duke ia vënë prangat gjyqtar Dhimitrit nuk është njollosur vetëm ai si person,
por mendoj se i është vënë dhe një njollë qytetit tim, vendlindjes sime.
Në të
gjithë këtë histori të bujshme, ajo që më ka prekur më fort ishin fjalët: ”…gjyqtari është edhe
poet!” Të krijohej përshtypja se duke i mëshuar këtij epiteti gjyqtari dënohej
edhe më fort për fajin se ishte poet.
Në vend
që të shkruaj në ndonjë organ letrar për poezinë e Pojanakut detyrohem të
shkruaj për këtë që ndodhi. Dhimitrin e kam pasur nxënës që nga klasa e pestë,
ka qenë i shkëlqyer në mësime. Edhe Fakultetitn Juridik e ka mbaruar me nota
shumë të mira. Kam ndjekur krijimtarinë e tij nëpër vite. Në fillimet e tij
letrare, kur më sillte vargjet e shkruara jemi grindur ia kam hedhur përtokë
poezitë, vargjet kur nuk tingëllonin bukur në gjuhën tonë shqipe. Mendoj se kam
dhënë një lloj ndihmese duke i përkthyer disa poezi të tijat në anglisht me të
cilat Dhimitri ka fituar çmime ndërkombëtare. Dhe unë si mësuesja e tij jam
ndier krenare sepse detyra e mësuesit është njësoj si e prindit: nxënësi duhet
t’ia kalojë. Dhimitrin e futën në burg ia vranë poezinë, por kur të lirohet
këto ditë, ai me siguri do të shkruajë në prozë për gjithë këtë përvojë të
hidhur, do të shkruajë për fyerjet e policëve, për sjelljet e gjyqtarëve, për
njerëzit e ngeshëm që merren me thashetheme e të tjera.
Po kujtoj disa vargje nga Bertold
Breht të përkthyera nga i madhi Robert Shvarc: “Nga tigrat munda të shpëtoj /
me gjakun tim ushqeva çimkat / po për të më ngrënë / më hëngër mediokrit.”
Po shkruaj për Dhimitër Pojanakun
“si anëtare e poezisë” dhe mendoj se mbi të duhet të hedhin baltë sipas Biblës,
të papërlyerit në mitmarrje. Së pari, duhet të mendojmë për njeriun, për
gjyqtarin, për poetin. Një shoku im ka shkruar një poezi për Dhimitrin me
titull: “Lirojeni poetin!”
Tani kam
para syve një kartolinë në të cilën lartohet monumenti i Fridrih Shilerit në
qytetin Kaliningrad, që gjatë luftrave një herë e merrnin gjermanët
një herë tjetër rusët. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore tek mbështetësja e
monumentit një ushtar shkroi: “Mos qëlloni, është poet!” Europa e kulturuar
mbron edhe monumentet e poetëve, ne nuk jemi në gjendje të mbrojmë poetët e
gjallë.