E diele, 10.11.2024, 06:06 PM (GMT)

Kulturë

Silvio Berluskoni: At Zef Pllumi ndërtoi mirësinë

E premte, 07.03.2014, 07:38 PM


At Zef Pllumi, udhëhoqi për të ndërtuar mirësinë dhe të drejtën

Nga Silvio Berluskoni

Ky libër i priftit françeskan shqiptar At Zef Pllumi është zbulesa e një bote të panjohur, por që na përket nga afër. Është e përlyer me gjak dhe lot, dhe shihet si urrejtja është në gjendje për më të keqen, përtej çdo imagjinate. Por në fund është e pafuqishme: nuk arrin ta ndalojë dashurinë e jetuar deri në heroizëm. Nuk arrin të shuajë dëshirën për liri që ndjehet në faqet e këtij libri.

Sa varre duhet akoma të gërmojmë në kujtesën e popujve, për të gjetur të gjitha viktimat e komunizmit? Gjashtë dhjetë kilometra larg nga Italia ka akoma varre të përbashkëta të martirëve dhe shprehje dhimbje të pashprehura. Ky vëllim shumë domethënës që në titull “Rrno vetëm për me tregue” me thjeshtësinë e tij u jep zë të vdekurve, në vazhdën e të madhit Aleksandër Solzhenicyn. At Zef Pllumi thyen vitet e heshtjes dhe të vdekjes në kampet e internimit shqiptar me kurajën e atyre që e duan lirinë dhe luftojnë në emër të saj.

Ai hap zemrën tonë, zbrazëtinë tashmë të njohur, e rimbush me mallëngjim dhe zemërim - por pastaj – si të gjitha gjërat e vërteta – na prin drejt ndërtimit të diçkaje, udhëheq për të ndërtuar mirësinë dhe të drejtën. E vërteta është se dashuria është shumë më e fortë se urrejtja. Ky libër jo vetëm që duhet të jetë në të gjitha bibliotekat dhe të bëhet film, por duhet madje të rekomandohet për t’u lexuar në të gjitha shkollat italiane, në mënyrë që të rinjtë të arrijnë të kuptojnë disa të vërteta historike: së pari çfarë është komunizmi që shihet në këtë vepër, si e merr pushtetin dhe si e administron në mënyrë të tmerrshme; së dyti çfarë vuajtjesh ka hequr populli shqiptar, në çfarë humnere gënjeshtrash dhe dhune ka qenë i zhytur; por edhe sa të fortë kanë qenë gratë dhe burrat që nuk e kanë ulur kurrë kokën, pavarësisht nga torturat që duruan mbi kurriz. Është e mundur të rezistohet. Sa është e nevojshme një aleancë me këtë komb që po ngrihet me guxim falë edhe një lideri demokratik e liberal autentik, si miku im Sali Berisha.

Dikush mund të habitet sesi persekutimi komunist ka pasur për objektiv prelatët dhe popullin katolik. Shumë besojnë se në Shqipëri kanë qenë dhe janë myslimanë dhe ortodoksë. Por është pikërisht në këtë tokë që ka lindur Nënë Tereza e Kalkutës, që kursi i ri demokratik i ka dedikuar emrin aeroportit ndërkombëtarë të Tiranës dhe një prej shesheve më të rëndësishme të kryeqytetit. Në veri të Shqipërisë katolicizmi është rrënjosur prej shekuj, falë fretnëve të Shën Françeskut të Assisit që kanë ditur të gjejnë një modus operandi me osmanët, siç ka ndodhur në Bosnje. Dhe është po aq e vërtetë që katolikët shqiptarë janë keqtrajtuar në shekuj. Aq sa pushtimi turk dhe sllav i shqiptarëve ka qenë më i butë sesa represioni që po përgatitej pas fundit të luftës së dytë botërore. Okupimi fashist dhe ai nazist i mëvonshëm pas 8 shtatorit, edhe pse të rëndë, nuk janë të krahasueshëm me egërsinë, sipas asaj që përshkruan me detaje At Zef Pllumi, të asaj që do të ndodhte pas marrjes së pushtetin nga partizanët e kuq shqiptarë, të mbështetur nga sllavët e Titos.

Për të mbërritur në ndërtimin e një Shteti-kamp përqendrimi, përpos konjukturave ndërkombëtare, ka qenë e nevojshme një përzierje e një dhune dhe dinakërisë gënjeshtare. Në fazën e parë kanë qenë premtimet mashtruese: ne do tu japin mirëqenien, lirinë kundër “oksidentit të poshtër kapitalist”. Dhe ja ku është propagandë obsesive, e instaluar me përpikëri. Garancia se cilido të jetonte në besimin e tij, katolik, ortodoks apo mysliman, pa pasur frikë. Por ja që ipeshkëvët dhe priftërinjtë refuzojnë - e tregon në mënyrë dramatike At Zef Pllumi - të themelojnë një kishë patriotike e zgjidhur nga Papa i Romës, dhe aty fillon represioni, shpërthejnë arrestimet masive, torturat dhe pushkatimi i qindra priftërinjve dhe besimtarëve. Kjo vlen për katolikët, por mjafton të mos jesh “konform” ideologjisë dhe origjinës sociale, o je i vdekur ose i burgosur. Gjithsesi i përjashtuar për gjithmonë nga çdo aktivitet publik.

Komunistët besuan se në pak vite i shkatërruan të gjitha besimet. Shqipëria e lidhur ngushtë me marksizëmleninizmit mbylli të gjitha kishat, duke u kthyer në një shtet ateist që dënonte me vdekje çdokënd që guxonte të pagëzonte fëmijët dhe t’u mësonte lutjet. Asnjëherë në histori nuk ishte parë diçka e ngjashme. Më vonë, por shumë më vonë, e njëjta gjë ndodhi në Kamboxhian e Pol Pot-it. E njëjta skemë, e njëjta dhunë çnjerëzore.

Të ballafaquar me këtë turp, komunistët italianë kanë parë për shumë vite me simpati shokët “shqiptarë”; që ishte një aleancë e vërtetë dhe e brishtë pikërisht në muajt dhe vitet, në të cilat vrasësit në shërbim të tiranit Enver Hoxha tërhiqnin nëntë gramë plumb kokës gjithkujt që ishte i dyshuar. Ose, siç rrëfehet në libër, gratë i fusnin në një thes me mace të uritura, dhe pasi i mbyllnin grykën pësonin vdekje të tmerrshme mes të qeshurave të torturuesve komunistë.

Disa mijëra shqiptarë ama, fshehurazi të admiruar nga shumëkush që heshturazi gjente veten tek ata, kanë guxuar t’i thonë “jo” despotizmit. Qëndresa e tyre me koston e torturave dhe vdekjes, është prova që nevoja për liri është e pandalshme. Kur despoti mendon se është tashmë pa kundërshtarë dhe duhet edhe një milimetër që të mbyllet kapaku me ulërimën metalike mbi çdo shpresë, ja që në mënyrë të mistershme forcat shpirtërore shkatërrojnë me dëshmitë e tyre perandorinë e errësirës. Kundërpërgjigja ndodhi në Shqipëri - ashtu si në Bashkimin Sovjetik, por mbi të gjitha në Poloninë e Vojtilës – pa përdorur bombat. Terrorizmi është një pregorativë e komunizmit si në rastin kur do pushtetin, po ashtu kur është në pushtet, dhe jo për opozitarët e saj. Është për po ashtu për imituesit e saj, si janë grupet e Al Kaedës, kundër së cilës jemi në luftë.

Nuk mund të rri pa përmendur këtu redaktoren dhe përkthyesen e librit, të dashurën Keda Kaceli, krenisht shqiptare, aq sa italiane. Ajo i njeh nga përvoja e saj krimet e përshkruara këtu në libër, por dhe kurajën që përçon çdo rresht i këtij libri. Në fakt gjyshi i saj, Jonuz Kaceli, që nuk pranoi t’i dorëzohej padrejtësisë, u arrestua, u torturua dhe u pushkatua nga komunistët, vetëm sepse ishte intelektual dhe sipërmarrës liberal. Keda e rrok dëshminë në emër të brezit të ri, që jam i bindur, se do ta bëjë Shqipërinë gjithnjë e më të lirë, më të fortë, të drejtë e paqësore, një komb vëlla, më në fund i mirëpritur në demokraci dhe liri.

Përgatiti: Lavdrim Lita

Ps: Parathënie e pacensuruar e librit “Rrno për me tregue” në shqip.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora